Eurovizioni shfaqi flamurin e Kosovës pas performancës së Serbisë, serbët reagojnë në rrjete sociale (FOTO/VIDEO)

Mbrëmë është mbajtur gjysëmfinalja e dytë e Eurovisionit. Në garë kanë qenë 18 shtete, në mesin e tyre edhe përfaqesuesë nga Serbia, Sanja Ilić dhe Balkanika.

Në momentin e përfundimit të këngës së tyre, kamera është fokusuar tek publiku në sallë siç ndodh zakonisht pas përfundimit të çdo kënge.

Por në rastin e Serbisë, në vend të flamurit serb, fansat e Eurovisionit, kanë shfaqur flamurin e Kosovës, shkruan Magazina.al
https://www.dailymotion.com/video/x6jaips
Kjo menjëherë ka ngjallur reagime të serbëve në rrjetet sociale, ku e kanë cilësuar këtë si provokim nga ana e Eurovisionit, pasi sipas tyre shfaqja e flamurit të Kosovës pas përformancës serbe ishte e çëllimshme.

1 mijë e 248 artefakte të Kosovës akoma qëndrojnë në Serbi

Kosovës akoma nuk i janë kthyer 1248 artefakte të cilat në vitin 1999 janë zhvendosur në Serbi. I vetmi eksponat i kthyer është “Hyjnesha në Fron”, shkruan KultPlus.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe.

Mirëpo me të përfunduar të ekspozitave, këto koleksione nuk u kthyen asnjëherë në Kosovë.

Njëri është koleksion arkeologjik prej 677 eksponateve dhe tjetri një koleksion etnologjik me 571 eksponate. Nga këto dy koleksione ose 1248 artefakte në Kosovë është kthyer vetëm një eksponat.

Kjo ka ndodhur në maj të vitit 2002 me një angazhim shumë të madh e të veçantë të Michael Steiner është kthyer një eksponat “Hyjnesha në Fron”. Është në ekzemplar që vjen prej neolitit një gjetje në lokalitetin e Tjerrtores dhe është figura që është edhe simbol i Muzeut dhe Komunës së Prishtinës.

Këto dy ekspozita qëndrojnë në Serbi. Koleksioni arkeologjik qëndron në depon e Muzeut Kombëtar të Beogradit kurse koleksioni etnologjik qëndron në depon e Muzeut Etnologjik të Beogradit.

Kthimi i këtyre dy koleksioneve ishte përfshirë edhe në pakon e Ahtisarit. Në këtë plan ishte bërë e qartë se Serbia është dashtë që këto artefakte t’i kthej në Kosovë në afat prej 120 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të planit të Ahtisarit./ KultPlus.com

Besart Vllahinja letër publike për kryeministrin Haradinaj, kërkon kthimin e artefakteve nga Serbia

Drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, sot nëpërmjet në letre publike, u ka bërë thirrje Kryeministrit të Republikës së Kosovës-Ramush Haradinaj dhe ministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme-Behgjet Pacolli, që të iniciojnë riatdhesimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, shkruan KultPlus.

Vllahinja, përmes kësaj letre të publikuar edhe në rrjetin social Facebook, i bëri thirrje qeverisë që këto asete të Kosovës të cilat padrejtësisht janë përvetësuar nga autoritetet e Beogradit.

“Ju bëj thirrje të iniconi kthimin e këtij thesari kulturor e historik, i cili realisht i takon Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet ndër të tjera në letrën e Vllahinjës.

Në vijim, KultPlus, po sjellë të plotë Letrën Publike të drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës-Besart Vllahinja:

LETËR PUBLIKE
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj,
I nderuar zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli,

Ju drejtoj këtë letër publike në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe si qytetar i Prishtinës, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht Neni 9, ku trajtohet [Trashëgimia Kulturore dhe Fetare] “Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare”, nën përgjegjësinë morale e shoqërore dhe arsyeshmërinë e kontributit për riatdhesimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të cilat padrejtësisht janë përvetësuar nga autoritetet e Beogradit tash e tetëmbëdhjetë vjet, duke numëruar këtu momentin prej fillimit të hapjes së gjoja ekspozitës përgjatë periudhës së luftës në vendin tonë në vitet 1998 respektivisht 1999.

Më lejoni të përkujtoj faktet të cilat kanë përcjellë këtë histori të dhimbshme.
Në vitin 1998, në emër të ekspozimit të artefakteve dhe objekteve etnologjike dhe arkeologjike nga Muzeu i Prishtinës, në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Serbe është realizuar ekspozita e ashtuquajtur: “Thesaret Arkeologjike të Kosovës dhe Metohisë: Nga periudha e Neolitit deri në Mesjetën e Hershme”.

Nga të gjitha këto asete, e që sipas vlerësimit të ekspertëve, për nga numri përllogaritet të arrijnë afërsisht 2000 objekte materiale, deri më tani është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, simbol të cilin me krenari e mbanë edhe Komuna e Prishtinës.

Sfondi kohor dhe historik kur artefaktet janë larguar nga asokohe Muzeu i Prishtinës, fondin e të cilit e kanë pasuruar artefaktet arkeologjike nga e gjithë Kosova, na bën’ të kuptojmë që “ekspozita e trashëgimisë kulturore” do të shërbente, në njërën anë si pararojë e politikave të përvetësimit të fakteve dhe historisë dhe në anën tjetër si politikë për konsum ditor i regjimit në Beograd.

Meqenëse, Konventat Ndërkombëtare dhe Protokollet të cilat e rregullojnë sferën e trashëgimisë kulturore lejojnë lëvizjen e aseteve të trashëgimisë kulturore, kur kjo është e mundshme, të drejtë të cilën fatkeqësisht autoritet asokohe e kanë shfrytëzuar, përmes kësaj letre publike Ju bëj thirrje të iniconi kthimin e këtij thesari kulturor e historik, i cili realisht i takon Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Duke konsideruar faktin që rrëmbimi i artefakteve nga Muzeu i Prishtinës është zhvilluar në periudhë lufte, konsideroj që, ndërmjet tjerash materiali dhe rruga për zgjidhjen e çështjes të trajtohet përmes Konventës së Hagës për Mbrojtjen e Aseteve Kulturore në Rastet e Konflikteve të Armatosura (The Hague Convention for the Protection of Cultural Property in the Event of Armed Conflict) e hartuar më 14 Maj 1954, përkatësisht dy protokollet e saj hartuar më 1954 dhe 1999.

Sipas të dhënave të UNESCO, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë është njëra nga shtetet firmëtare të Konventës, kurse Serbia në vitin 2001 ka depozituar njoftimin për suksesion, për çka edhe ligjërisht merret përgjegjëse.
Në deklarimet publike të autoriteteve përkatëse në Beograd, përmendet që artefaktet fizike, pjesë e ekspozitës në fjalë, nuk konservohen dhe mirëmbahen sipas normave, praktikave dhe standardeve ndërkombëtare.

Duke konsideruar këtu autoritetin Tuaj dhe gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje juridike, e në rastin tjetër edhe diplomatike në kuptim të gjetjes së zgjidhjes duke ndjekur modelin përmes protokollit të nënshkruar nga ana e Kroacisë dhe Serbisë në vitin 2012, të cilit i parapriu procesi gjyqësor i nisur nga Kroacia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, besoj fuqishëm për rezultatin pozitiv dhe të shpejtë.

Me dashamirësi dhe urimin për suksesin e nismës,

Besart Vllahinja,
Drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës

Vuçiq në KB: Serbia nuk do ta njohë Kosovën, ftesë kundër pranimit të saj në UNESCO

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shfrytëzuar tribunën e Kombeve të Bashkuar për t’u shprehur kundër Kosovës.

Ai duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe ka ftuar vendet anëtare të KB së që të mos lejojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, përcjellin medie të Beogradit .

Pjesa tjetër e fjalimit të Vuçiqit ka qenë një demagogji e stilit të tij se si vetëm me zhvillim mund të ruhet paqja në Ballkan, transmeton Koha.net./ KultPlus.com

Qeveria reagon ndaj dokumentarit të Serbisë kundër Kosovës në UNESCO

Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës.
“Prezantimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë si pjesë të trashëgimisë së Serbisë është synim për të përvetësuar pasurinë kulturore e fetare të Kosovës dhe për ta transformuar atë. Objektet fetare e kulturore në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së vendit dhe ato nuk mund të tjetërsohen. Ato i takojnë shtetit të Kosovës, qytetarëve të tij pa dallim, janë të ruajtura dhe të mbrojtura me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Për pasurinë e Kosovës përgjigjen qytetarët dhe institucionet e saj”, thuhet në reagim.

Përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare përfshirë edhe UNESCO-n janë legjitime dhe shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i përmbushë kërkesat e saj, në pajtim me legjitimitetin ndërkombëtar të pranuar nga më shumë se 110 shtete të botës dhe në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë.

Pengesat e rrugës së Kosovës për pranim ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizmat ndërkombëtar, që vazhdojnë t’i bëhen nga Serbia, janë në kundërshtim me parimet e politikave të fqinjësisë së mirë, në shpërputhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja dhe kundër procesit të pajtimit të popujve pas një periudhe të rëndë të historisë./ KultPlus.com

Serbia i ofron shtetësi ‘Pikasos’ afgan

Serbia i ka ofruar shtetësinë serbe, familjes së 10 vjeçarit afgan, Fahrad Noory, i cili tashmë njihet si “Pikaso i Vogël”, për shkak të krijimeve të tij artistike.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë ofertë 10 vjeçarit dhe familjarëve të tij, pas një takimi me të, në Beograd. Ai po ashtu i ka premtuar bursë për zhvillimin e talentit të tij për art, si dhe punësimin e babait të tij.

Noory dhe familja e tij janë duke jetuar për 8 muaj në një kamp të refugjatëve në Beograd.

Portretet e kancelares gjermane, Angela Merkel, piktorit, Salvador Dali, dhe shumë të tjera, e kanë bërë djaloshin, yll në mediat lokale, shkruan Europa e Lirë.

Javën e kaluar është mbajtur një ekspozitë me pikturat e tij në Beograd, duke dërguar të gjitha fondet për një fëmijë, i cili po trajtohet nga kanceri një tru.

Familja e Nooryt ka arritur në Serbi gjatë valës së madhe të migrantëve për të nisur një jetë të re në vendet perëndimore evropiane, mirëpo ka mbetur në Beograd, pas mbylljes së të ashtuquajturave “Rrugët Ballkanike”.

“Ne nuk jemi të pasur sikur zviceranët, mirëpo Beogradi është qyteti i mirë, dhe nëse dëshironi të jetoni këtu, ne do t’ju japim menjëherë shtetësinë serbe”, ka thënë Vuçiq.

Familja nuk është deklaruar nëse do ta pranojë ofertën e presidentit serb. Autoritetet serbe kanë thënë se afro gjysma e 4,000 refugjatëve që jetojnë në Serbi, janë fëmijë. / KultPlus.com