Mbrëmje serenatash në Korçë, këngëtari Kondakçi sjell për publikun koncertin recital

Këngëtari i serenatës korçare, Tomi Kondakçi, ka dhuruar një mbrëmje plot emocione për publikun artdashës në sallën e teatrit Andon Zako Çajupi në qytetin e Korçës.

Kësaj radhe ndryshe nga herët e tjera serenatisti i njohur ka ardhur me një koncert recital duke sjellë  këngët e tij më të mira kënduar ndër vite.

Këngëtari i njohur Tomi Kondakci falënderon gjithë bashkëpunëtorët e tij edhe në kushte kur koha për të realizuar recitalin ka qenë e shkurtër.

“Kur ke njerëzit para të dridhen gjunjët, koha e përgatitjes në grup ishte shumë e shkurtër, vetëm dy javë e është punë e madhe. Meritë e madhe e djemve të shkollës së muzikës, janë gjendur gjithnjë mbrapa. Duhej kohë më e madhe të konsolidohej këngët, tani u ndjeva i plotësuar”, tha këngëtari Tomi Kondakçi.


Pjesë e këtij recitali ka qenë dhe këngëtari i njohur Ardian Trebicka, i cili vlerëson këngëtarin korçar, i cili ndryshe nga të tjerët jeton me serenata

“Ishte një natë e një njeriu i cili ka kontrbuar me shpirt në serenata korçare. Tomi është personazh që Korçës i vjen rrallë, jeton e këndon në këtë qytet. Korça e shpreh më së miri për artin e u duk në sallën plot, mora emocione si rrallë herë, u ndjeva i nderuar, është ndër koncertet e jetës”, tha këngëtari Adrian Trebicka.

Tomi Kondakçi është një nga kontribuesit e serenatës korçare, i cili vazhdon të mbajë gjallë traditën dhe kulturën qindra vjeçare të muzikës qytetare. A.K./TemA/ KultPlus.com