Servete Maçi (1901-1995) mësuese e shkollës së parë femërore në Tiranë dhe e bija e patriotit të palodhur, tiranasit Musa Maçi, një aktivist që kishte pësuar disa here burgime nga xhonturqit.
Servete Maçi e filloi mësimdhënien e gjuhës shqipe qysh në moshën 15 vjeçare. Shtyrë nga i ati, por edhe nga miqtë e të atit, Ibrahim Dalliu dhe Jusuf Elezi, ajo e filloi punën e saj me 35 nxënëse. Sipas kujtimeve të mësueses së parë veterane Servete Maçi (Petrela) të kësaj shkolle dalin këto të dhëna për hapjen e shkollës.
“Një grup patriotesh si Riza Jasa, mësuesi Mahmud Fortuzi erdhën në shtëpinë time (Servetes) dhe biseduan me babain tim. Ata i thane atij se kishin vendosur të hapnin një shkollë femërore shqipe dhe kërkuan që unë të isha mësuesja e pare atje. Unë dija vetëm të shkruaja dhe të lexoja. Babai im pranoi… Isha tepër e re, – shkruan ajo, – vetëm 15 vjeçe dhe kisha frike se a do të isha në gjendje ta përmbushja këtë detyrë për t’i mësuar vajzave gjuhën amtare siç duhej. Por, shokët e babait tim, në mënyrë të veçantë Ibrahim Dalliu, me binden duke me premtuar se do të më ndihmonin sa herë të kisha nevojë”.
Shkolla shqipe që sot quhet shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Përmetit” është hapur më 1916 në kohën e pushtimit Austro-Hungarez. Godina ishte prona e Dulle Kanes. Ishte një ndërtese e vjetër e përbërë prej tri dhomash, dy nga të cilat ishin pa tavan. Kushtet e mësimit ishin fare të papërshtatshme, por megjithatë për mësimin e gjuhës shqipe në të shkruar e në të lexuar u përdor libri i abetares i Naim Frashërit.
Mësimi zhvillohej dy herë në ditë me përjashtim të ditës së enjte që zhvillohej vetëm para dite (ditë pazari). Pushimi bëhej ditën e premte. Armiqtë e tërbuar të shkollës shqipe ishin anëtarë të klubit Turk të Tiranës. Ata, duke e fyer, përpiqeshin që ta bënin Serveten të linte detyrën e mësueses, por nuk ia arritën qëllimit. Ajo u quajt “kaurreshe”, pra si një grua që kishte braktisur fenë islame. Të nxitur nga dallkauket xhonturq disa fëmije rrugaçë e qëllonin me gurë, kur ajo vinte në shkollë ose kur kthehej në shtëpi, derisa një ditë arritën ta qëllojnë me gur në shpatullën e majte që i shkaktoi asaj lëngimin në shtrat për pese muaj, por shkolla nuk u mbyll. Shpesh atë e shoqëronte e ëma ose nxënësja e saj Hatixhe Jasa. Vendin e mësueses e zunë ish-nxënëset e saj Hafsa Hasan Haxhimehmeti dhe me pas Alie Myrtezim Kelliçi të cilat bënin mësim sipas udhëzimeve të mësueses Servete Maçi. Me gjithë kushtet e vështira (nxënëset ishin herë të zbathura e herë të pa ngrëna) ato mësonin me shumë dëshire gjuhën shqipe në të shkruar e të lexuar. Ato gjithashtu mësonin edhe shumë këngë patriotike shqiptare. Një rol të madh në hapjen dhe organizimin e arsimit në zonat e pushtuara nga Austro-Hungaria (edhe në Tiranë) ka luajtur Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Shkodër dhe Drejtori i Përgjithshëm në atë kohë ishte Luigj Gurakuqi.
Në 1917 në Tirane u hap një kurs pedagogjik. Në shkollën femërore erdhi mësuesja e kualifikuar Zenepe Reçi. Gjatë vitit 1920, nën qeverinë e Sulejman Delvines u bënë disa reforma. Sipas dokumentacioneve arkivale të Ministrisë së Arsimit të shtetit të ri shqiptar, data 29 gusht 1920 thuhet se, në Tiranë krahas shkollave të tjera, shkolla femërore në rrugën e Dibrës do të kishte tre klasa me mësuese: Zenepe Reçi, Sailia (mbiemri nuk mund të lexohet), Alie Kelliçi dhe Hafsa Hasani.”
Marrë prej librit “Kujtime për shkollën e parë (laike) shqipe për vajza në Tiranë” (Dorëshkrim) nga Servete Maçi, faqe 33 si dhe nga libri “Historia e Tiranës” i Kristo Frashërit./ KultPlus.com