Era Berisha
Ngritja e vetëdijes rreth fuqizimit sfidave, paragjykimeve dhe stereotipave që janë të pranishme në shoqërinë kosovare e të cilat godasin më së rëndi komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian ku në fokus janë gratë e këtyre komuniteteve, sot erdhi në një formë të diskutimit mbi çështjet e ndryshme që kanë ndikim të fuqishëm në shoqërinë tonë. Aktiviteti i dytë i radhës mblodhi rreth vetes figura të ndryshme me një ndikim të madh ndaj të drejtave të njeriut, shkruan KultPlus.
Pasi që dje festivali multikulturor ‘Gruaja arkitekte e shoqërisë’, nisi edicionin e tij të tretë nga organizata joqeveritare ‘Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve’, me aktivitete artistike si: prezantimi i artistëve të rinj në piano, pikturë dhe poezi dhe hapja e panairit të bizneseve të grave nga komunitete të ndryshme, sot ky festival solli një sesion që fokusohet në temën e privimit të qasjes në të drejtat e këtyre komuniteteve.
Fillimisht, para këtij sesioni, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, në fjalën hyrëse tha se Kuvendi i Kosovës është i përkushtuar për zbatimin e kushtetutës së vendit e cila siguron që Kosova në bazë jo diskriminuese ti trajtoj të gjithë qytetarët, gratë dhe komunitetet e ndryshme për të gëzuar të drejta të barabarta.
“Kuvendi i Kosovës është i përkushtuar që të gjithë t’i kenë të drejtat e barabarta dhe të kenë një barazi të plotë në mes të qytetarëve, grave e komuniteteve të cilët sipas Kushtetutës ndalohen që të diskriminohen mbi baza të racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimeve politike dhe të tjera të prejardhjes kombëtare e shoqërore”, thotë Konjufca.
Sipas tij, në kuadër të këtij festivali ai pati një motiv shtesë, sepse grupet e margjinalizuara kanë një problem të madh si në shkollim ashtu edhe në punë dhe kudo, prandaj është konsideruar mirë që ky festival iu kushtohet këtyre grave dhe këtyre kategorive.
“Një zhvillim që ka qenë shenjë e mirë për një optimizëm më të madh ka të bëjë me atë që ndodhi në Kuvendin e Kosovës nga aspekti gjinor në zgjedhjet e 14 shkurtit, për arsye se është tejkaluar numri i grave që është pragu minimal i parashikuar në Republikën e Kosovës. Kjo dëshmon se qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar”, përfundon Konjufca.
Kurse, Habit Hajredini, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mos-Diskriminimin në Zyrën e Kryeministrit, është shprehur se duhet nxitur promovimi i punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe duhet luftuar si nga Qeveria dhe nga të gjithë për parandalimin e paragjykimeve dhe diskriminimeve të tyre komuniteteve.
“Është grupi më i ndjeshëm sidomos të këtyre komuniteteve dhe për këtë ne si Qeveri kemi mbajtur takimin e parë të grupit teknik profesional për parandalimin e paragjykimeve dhe diskriminimeve të këtyre komuniteteve si në aspektin e edukimit, shëndetësisë dhe specifikave të tjera”, thotë Hajredini.
Sipas tij, duhet që të sensibilizohemi të gjithë në mënyrë që të bëhemi së bashku dhe të punojmë në diversitetin e trajtimit të këtyre kategorive.
“Ajo që ne kemi si prioritet është punimi në implementimin e këtyre dokumenteve që do jenë bazë dhe shtyllë kryesore për përfshirjen e këtyre komuniteteve në legjislacionin tonë”, përfundon Hajredini.
Kështu, nisi edhe sesioni i parë në kuadër të aktivitete në ditën e dytë të këtij edicioni ku u diskutua rreth qasjes së barabartë gjinore në shoqëri në aspektin e kulturës, fesë dhe pikëpamjeve të të gjithëve për të arritur në një trajtim të barabartë në kudër të gjinisë nga panelistët: Edi Gusia kryeshefe ekzekutive e Agjenicsë për Barazi Gjinore ‘ZKM’, Muzaqete Kosumi nga Fakulteti i Studimeve Islame si dhe Gazmend Qyqalla aktivisti i ‘Young Community Leaders Center’.
“Përkundër faktit që kemi një kornizë ligjore shumë të avancuar në nivel evropian dhe global ku garantohen të drejtat ligjore të grave dhe vajzave për pjesëmarrje në jetën politike, publike, punësim për shfrytëzim të mirave financiare dhe mundësive, gratë dhe vajzat në Republikën e Kosovës, pa dallim etnie, ende vazhdojnë të mbeten të nën përfaqësuara në të gjitha segmentet e jetës”, thotë Gusia.
Sipas saj, është për tu vlerësuar dhe për tu çmuar se kjo demokraci shumë e re si Kosova, ka arritur që të jetë në hapa me shtetet që kanë një traditë më të thelluar të demokracisë fillimisht në kuptimin e integrimit e të gjithë legjislacionit ndërkombëtar të konventave që i garantojnë të drejtat e grave dhe minoriteteve duke dërguar këtë legjislacion në një frymë të trajtimit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjinie dhe orientimi seksual.
“Janë vetëm 17 mësimdhënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në nivel vendi të cilët janë të angazhuar në procesin arsimor duke treguar se stigma është shumë e thelluar e në të njëjtën kohë mungesa e qasjes në punësim përveç që diskriminon gratë për pjesëmarrje të barabarta, i bën ato edhe më të ndjeshme ndaj dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, përfundon Gusia.
Kështu krejt në fund, Kosumi dhe Qyqalla kanë folur rreth rolit të gruas në shoqëri në aspektin e fesë ku të drejtat e gruas dhe pozita e saj u konsiderua mjaft e lartë sepse përmes fesë dhuna është krejtësisht e ndaluar, kurse duke pasur parasysh rastet e fundit, praktikat e shumta në terren vazhdojnë të dëshmojnë se shoqëria kosovare shumë shpesh e emancipon gruan kur në fakt gruaja duhet cilësuar si një arkitekte e vërtetë e shoqërisë sepse gratë u konsideruan udhëheqëse jashtëzakonisht të mira.
Ndërkohë, sesioni i dytë që ndërlidhet me diskriminimin e shumëfishtë të gruas në baza etnike dhe gjinore fillon në orën 13:00, kurse sesioni i tretë ndërlidhet me qëndrimet ditore me bazë në komunitet si një mundësi zhvillimi për fëmijët dhe nënat dhe do të filloj në orën 15:00 në Hotelin Sirius.
Gjithashtu, nesër për të shënuar fundin e edicionit të tretë të këtij festivali duke filluar nga ora 11:00, do të mbahen forume me të rinjtë në disa komuna si: Komuna e Fushë Kosovës, Komuna e Ferizajit, Komuna e Gjakovës, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Mitrovicës. / KultPlus.com