Këto ditë, me vapë vere, të gushtit 2023, dolën nga shtypi dy libra me vjersha humoristike dhe satirike të titulluara “Koka pa tru” dhe “Shakaja me kripë”, të autorit Spica Metalike, alias Sevdail Hyseni nga Bujanoci (Lugina e Preshevës).
Libri i parë “Koka pa tru”, përbëhet prej pesë ciklesh, në të cilat janë të radhitura 111 poezi me gjithsej 215 faqe, të cilave u paraprinë fjala e redaktorit Jani Duri dhe e recensentëve: Dr. Hysen Kobellari e Rezarta Seseri. Libri doli në kuadër të Shtëpisë Botuese “Rozafa”, me editor Ramadan Mehmeti, lektor Prof. Eroll Sejdiu, të shoqëruara nga karikaturat e Selajdin Hajdinit – me shkurtesën Sela. Libri u shtyp në Shtypshkronjën “Drita Press” në Prishtinë dhe do të shpërndahet në ditën e promovimit të tij.
Libri i dytë “Shakaja me kripë”, përbëhet prej pesë ciklesh, në të cilat janë të radhitura 111 poezi me gjithsej 200 faqe, të cilave u paraprinë fjala e redaktorit Dr. Ferid Selimi dhe e recensentëve: Rrahim Sadiku, Bilall Maliqi e Musa I. Ahmetaj. Libri u botua në kuadër të Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, në Preshevë dhe u shtyp në Shtypshkronjën “Lena Graphic” në Prishtinë, me karikaturën në ballinë të autorit Endri Beqo dhe do të shpërndahet në ditën e promovimit të tij.
Botimi i këtyre dy librave me vjersha humori e satire të autorit Sevdail Hyseni, ka plotësuar mungesën e këtij zhanri te lexuesit, të cilët nuk e kanë humbur sensin për humor. Janë të pakta, sot, librat që botohen e që kanë në përmbajtje të tyre kultivimin e humorit dhe satirës, prandaj nga kritikët letrarë konsiderohet i mirëseardhur realizimi e këtij misioni artistik për shoqërinë shqiptare dhe më gjerë.
Autori falënderon donacionet dhe gjithë ata që kontribuuan në botimin e këtyre dy librave me humor e satira. /Perspektiva/ /KultPlus.com