Albumi më i ri nga Enrique Iglesias i cili do të titullohet “Final” mund të jetë edhe albumi i fundit në karrierën e tij muzikore.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtari gjatë një bisede me Ricky Martin dhe Sebastian Yatra për të promovuar turneun e tyre të ardhshëm.
“Ky mund të jetë albumi im i fundit”, u ka thënë Iglesias kolegëve të tij gjatë bisedës për turneun i cili pritet të nis më 17 shtator.
“Kjo nuk është diçka që e kam menduar këta muajt e fundit. Jam në atë momentin e jetës apo në atë kapitull kur mendoj se është koha e duhur që të largohem dhe këtë ide e kam që prej vitit 2015”, ka thënë këngëtari latin.
Mirëpo Iglesias ka bërë të ditur për fansat se fakti që albumi i radhës mund të jetë i fundit, nuk do të thotë që ai do ta përfundojë karrierën e tij muzikore.
Iglesias ka lansuar albumin e tij debutues në vitin 1995. Më vonë ai ka realizuar edhe një varg albumesh si “Escape” në vitin 2001, “Euphoria” në vitin 2010 dhe “Sex and Love” në vitin 2014. / KultPlus.com