Mund të jetë njoftimi më i pashmangshëm i bërë ndonjëherë, por tani është zyrtare. “Squid Game” do të rikthehet për një sezon të dytë, raportoi të hënën “The Guardian”.
Platforma digjitale Netflix e ka konfirmuar lajmin të dielën, ndërsa ofroi disa hollësi rreth asaj që do të vijë në sezonin e dytë të dramës distopiane koreane, ku rolet kryesore i luajnë aktorët, Lee Jung-jae, Park Hae-soo, Jung Hoyeon dhe të tjerë.
Red light… GREENLIGHT!
— Netflix (@netflix) June 12, 2022
Squid Game is officially coming back for Season 2! pic.twitter.com/4usO2Zld39
“Squid Game” u bë seriali më i shikuar i platformës së njohur me t’u publikuar në shtator të vitit të kaluar. Ai flet për mbijetesën dhe fokusohet në një grup njerëzish të cilët janë të dëshpëruar për para, dhe kështu pajtohen të marrin pjesë në disa lojëra të fëmijëve të cilët rezultojnë vdekjeprurëse.
Të dielën (12 qershor), skenaristi dhe regjisori i serialit, Hwang Dong-hyuk, i zbuloi disa hollësi rreth sezonit të ardhshëm të këtij projekti. Sipas tij, personazhet Seong Gi-hun dhe Front Man do të rikthehen, së bashku me personazhin misterioz të luajtur nga aktori, Gong Yoo.
Netflixi nuk e ka konfirmuar datën e saktë të lansimit të sezonit të dytë, por Hwang thotë se ai mund të lansohet në vitin 2023 ose 2024. / KultPlus.com