Ulqini sivjet hap sezonin turistik më 12 maj

Qyteti i Ulqinit tradicionalisht si çdo vit e hap sezonin turistik më 1 maj. Kjo datë për vite me radhë konsiderohet si fillim i sezonit, ku secili hotel dhe objekt hap dyert për të pranuar turistët e parë.

Krahas kësaj, dikush përkujdeset që në këtë qytet turistik ta mbajë gjallë edhe frymën e organizimit të aktiviteteve të ndryshme nga sfera e kulturës.

Është kjo “Organizata Turistike e Ulqinit” e cila edhe sivjet po vazhdon me organizimin e aktiviteteve të  shumta kulturore, zbavitëse si dhe atyre sportive.

Në kuadër të manifestimit “Të gjithë për turizëm”, duke filluar nga 12 maji fillon cikli i organizimit të koncerteve ku të parët performojnë Ledri Vula dhe Kida, si dhe David Dreshaj dhe DJ Danko.

“Më 13 maj do të performojë grupi Sevdah baby dhe Ivana Vladoviq, ndërsa më 20 maj në Ulqin do të mbahet koncerti i grupit të njohur nga Bosnja dhe Hercegovina, Hari Mata Hari, i cili edhe karierën e vet muzikore e ka filluar në vitin 1985 pikërisht në qytetin e Ulqinit”.

“Ftojmë të gjithë qytetaret të na bashkëngjiten në këto ditë festive ku gjatë tërë muajit do te kemi edhe shumë aktivitete siç janë Teqballi në Ulqin, Pranvera në Anë të Malit, Netët e klipit shqiptar, si dhe shumë e shumë evente të tjera”, thuhet në një njoftim të Organizatës turistike./Klankosova.tv/KultPlus.com

Pas artikujve promovues te ‘Daily Mail’ dhe ‘Euronews’, Rama: Ky sezon turistik edhe më i suksesshëm se viti i kaluar

Prestigjiozet ndërkombëtare “Daily Mail dhe “Euronews” i kanë kushtuar artikuj promovues turizmit në Shqipëri, ndërsa e cilësojnë bregdetin e Dhërmiut “perlën e fshehur të Europës”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimet e dy prestigjiozeve ndërkombëtare, ndërsa u shpreh se këto promovime të përforcojnë bindjen për një sezon edhe më suksesshëm turistik se i vitit të kaluar.

“Dy promovime të bukura e të rëndësishme nga ‘Daily Mail’ dhe ‘Euronews’, të cilat këtë javë kishin në fokus bregdetin tonë dhe Dhërmiun, që përforcojnë bindjen për një sezon edhe më të suksesshëm se i vitit të kaluar, por ama me “detyrën” e shtuar për të gjithë në përmbushjen e pritshmërive duke garantuar standardet e shërbimit dhe pastërtisë”, tha Rama.

Në shkrimin e publikuar në “Daily Mail”, fshati bregdetar i Dhërmiut është quajtur “perla e fshehur e Evropës”.

Blogerët e udhëtimeve Scott dhe Sal, nga Britania e Madhe, dokumentuan qëndrimin e tyre në Dhërmi, të cilin e konsideruan ”Balin evropian”.

“Ndërsa shumë vizitorë evropianë po vërshojnë në plazhet e mbushura me turistë grekë dhe italianë, të tjerë kanë rezervuar një udhëtim në qytetin spektakolar, i cili është cilësuar si një nga vendet e fshehta në kontinent. Aventurierët po shkojnë drejt perlës së fshehur të ëndërruar, i ngjashëm me Balin, që ofron plazhe të kristalta të pastër, peizazhe mahnitëse, bare, hotele dhe restorante luksoze”, thuhet në artikullin e “Daily Mail”.

Ndërsa Euronews promovon ofertën turistike që ofron Riviera shqiptare, ndërsa fton vizitorët të zbulojnë këtë xhevahir të fshehur të Mesdheut.

Në artikullin e “Euronews” Shqipëria konsiderohet si një destinacion ende i panjohur në skenën turistike europiane.

“Nëse jeni në kërkim të plazheve më të bukura, drejtohuni në Rivierën shqiptare, e cila shtrihet nga Vlora në Ksamil. Nuk do të zhgënjeheni duke vizituar Dhërmiun, një nga plazhet më të gjata dhe më të njohura në Shqipëri. Edhe pse është e gjallë me bare, mund të tërhiqeni lehtësisht në një cep të qetë për të shijuar qetësinë e detit.

Nëse dëshironi të eksploroni më shumë, drejtohuni në jug për në Ksamil, ku do të shpërbleheni me ujëra të pastër kristal dhe tre ishuj të vegjël që janë afër. Kjo parajsë e vogël është e përkryer për udhëtarët që kërkojnë aventura”, thuhet në artikullin e Euronews./atsh/KultPlus.com

Parkut Arkeologjik i Bylisit përgatitet për sezonin turistik


Parkut Arkeologjik i Bylisit po përgatitet për hapjen e sezonit turistik.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli sot në rrjetet sociale një album fotografik me pamje nga Bylisi antik.

“E nisim javën me punët e mira të punonjësve të Parkut Arkeologjik të Bylisit, të cilët po përgatiten për hapjen e sezonit turistik”, shkruan ministrja Margariti.

Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis është pa dyshim një nga më të bukurit në Shqipëri, me mozaikë dhe pamje madhështore. Ai është i vetmi në Shqipëri me mbi 1000 m² mozaikë të periudhës së antikitetit të vonë. Një hapësirë që tërheq vëmendjen e studiuesve dhe vizitorëve.

Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis ka thesarin e mozaikëve paleokristian, të shekullit V – VI, më të bukur e të mëdhenj jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkan.

Vazhdimisht aty janë kryer ndërhyrje si dhe sistemime të mbetjeve të ngurta, të dala nga gërmimet arkeologjike ndër vite. Gjithashu është punuar me ringritjen e blloqeve përreth monumenteve të qytetit antik për të rritur vizibilitetin e sitit./ atsh / KultPlus.com

“Shqipëria që nuk prisja”, turisti italian befasohet nga Korça

Gjatë këtij sezoni turistik, rrugët e Shqipërisë janë mbushur me turistë nga e gjithë bota.

Bukuria e natyrës, çmimet e lira, promovimi i vendit dhe mungesa e kufizimeve anti Covid kanë tërhequr mijëra shtetas të huaj. Shumë prej tyre, vijnë në Shqipëri për herë të parë, por jo të fundit.

I tillë është rasti i një turisti Italian, që ka ardhur në Korçë. Fabiano e ka ndarë eksperiencën e tij në rrjetet social, ku nuk e ka fshehur habinë. “Djema, kjo është surprizë e madhe”, thotë ai.

“Erdha në Korçë, qytet në juglindje të Shqipërisë, në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Korça është një nga qytetet më të mëdha në vend. Është shumë pastër këtu. Kjo është Shqipëria që nuk prisja të shihja”.

INSTAT llogariti se deri në fund të korrikut kanë hyrë në vend mbi 2.8 milionë vizitorë të huaj, duke iu përafruar niveleve të vitit 2019-të. / Top Channel / KultPlus.com

Sezoni turistik në rrezik, BE ende pa vendimmarrje për pasaportat e Covid

Parlamenti Evropian po përgatitet që të miratojë dhënien e pasaportave dixhitale të Covid, për të qenë gati në nisjen e sezonit të ri turistik.

Pasaporta do të mundësonte që cilido i vaksinuar kundër Covid, ose që ka rezultuar negativ, ose është rikuperuar kohët e fundit nga virusi, të udhëtojë nëpër të 27 vendet anëtare të BE.

Planet për një certifikatë të BE nisën pak muaj më parë si një përpjekjeve për të shpëtuar sezonin e turizmit veror. Një numër vendesh aktualisht po përdorin dokumente të ngjashëm për të lehtësuar bllokimet lokale.

Nga ana tjetër Spanja ka bërë publike planet e saj për të lejuar të udhëtarët jashtë shtetit që janë vaksinuar, testuar negativisht ose të rikuperuar kohët e fundit nga Covid, të mund të shkelin territorin e saj.

Fernando Valdés, sekretari i shtetit i Spanjës për turizmin, në një konferencë tha se “Spanja do të jetë gati në Qershor për t’u treguar të gjithë udhëtarëve në të gjithë botën se ju mund të na vizitoni“.

Por edhe pse planet për turizmin kanë nisur, sërish BE nuk ka marrë një vendim përfundimtar për sa i përket pasaportave dixhitale. / KultPlus.com

Kosovarët dhe lindorët shpresë për sezonin turistik në Shqipëri (VIDEO)

Sezoni turistik në Shqipëri ka nisur prej tre javësh, por janë ende fundjavat ato që mbushin plazhet.

Në Ksamil mbërritën grupet e para të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa në plazhet publike të qytetit mbizotërojnë vendasit.

”Turistët që vijnë po, ata mbajnë shezlogë, çadra.”

Për herë të parë në plazhet publike nuk paguhet, ndërsa koronavirusi i mbërritur tashmë edhe në jug, ka ndikuar në ndërgjegjesimin për masat e sigurisë.

”Ka e gjithë bota, mos të kemi ne?”

Në Vlorë, operatorët turistikë kanë ulur çmimet deri në 30%, por prenotimet thonë se mbeten në kuotat minimale në krahasim me vitin e kaluar.

”Presim të jenë më shumë nga Shqipëria, apo nga trevat Kosova. Maqedonia. Normalisht kemi bërë oferta më tunduese për këtë klientelë.”

Të vetmet njësi hoteliere të cilat e shohin me shpresë situatën, janë ato të cilat e kanë mbështetur çdo vit turizmin me vendet e Europës Lindore.

”Një fluks shumë i madh rezervimi nga partnerët tanë për Shqipërinë.”

Për shkak të pandemisë numri i pushuesve mbetet i ulët edhe në Shëngjin.

Atje edhe bizneset janë prapa me përgatitjet.

Pjesa më e madhe e bizneseve në këtë zonë turistike ende nuk i kanë ngritur stacionet e plazhit.

Thonë se burokracitë në marrjen e lejes për shfytëzimin e rërës për plazh kanë sjellë këto vonesa.

Dritan Kondakçiu, operator turistik: ”Unë kam 12 ditë që kam aplikuar për të vënë çadrat dhe akoma nuk kemi një përgjigje.”

Ben Lekaj, operator turistik: ”Si puna e rradhës së qumështit. I marrim me rradhë. Nuk ma merr mendja se janë 500 veta që do i shqyrtojnë këto gjëra.”

Veç vonesës që shkaktoi në çeljen e sezonit, turizmi në Shqipëri duket se ende mbetet peng i situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. /oranews.tv /KultPlus.com

Evropa konfirmon: Do të kemi sezon turistik këtë verë

Një hapje graduale e kufijve është propozuar nga krerët e Bashkimit Europian, në mënyrë që dëmi në industrinë e turizmit prej pandemisë, të mos jetë fatal.

Pavarësisht të gjithave, ata bëjnë me dije se edhe pse në krizë, do të ketë verë dhe turista, si çdo vit tjetër. 

“Duam t’ju themi se do të kemi një sezon turistik edhe këtë verë. Do të jetë i limituar dhe me masa strikte, por do të kemi.”- është shprehur komisioneri europian për çështjet ekonomike.

Kufijtë vijojnë të jenë të mbyllura deri në një tjetër vendim, por shtetet kanë nisur rihapjen e ngadaltë.

Ditën e premte u vendos se kufijtë europianë do të jenë të mbyllura deri në 15 qershor, kur pritet që njerëzit t’i kthehen normalitetit të ri. /KultPlus.com

Shqipëria synon të jetë vendi i parë në rajon që pritet të hapë turizmin

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi deklaroi sot në një intervistë në media se vendi ynë në krahasim me Kroacinë, Greqinë dhe Turqinë favorizohet nga strukturat e vogla hoteliere të cilat menaxhohen më lehtë.

Sipas tij, parashikohet që fluturimet e para charter me turistë të huaj të mbërrijnë në fund të këtij muaji, ndërkohë që do të synohet që kufiri tokësor të hapet përpara kësaj date për të pasur më shpejt turistë nga vendet e rajonit.

“Nuk do të kemi shifrat e vitit 2019, por do të kemi turistë të huaj këtë sezon. Bashkë me ministrin Ahmetaj që menaxhojmë situatën e krizës së pandemisë, do t’i propozojmë qeverisë hapjen e kufijve tanë tokësorë për të pasur mundësinë e lëvizjes së turistëve nga vendet fqinjë dhe do të synojmë që në fund të muajit maj të kemi çarterat e parë me turistë të huaj. Janë disa vende me të cilat ne kemi komunikim të shpeshtë si Çekia, Polonia, vendet Skandinave, Ukraina, Bjellorusia, që janë të gatshme të dërgojnë çartera nëse ne si struktura shtetërore e hoteliere i garantojmë standarde të higjienës.

“Po synojmë hapjen e parë në rajon”, deklaroi ministri i Turizmit.

Klosi tha se do të synohet së pari një turizëm rajonal për të shpëtuar sektorin nga kriza. Jemi qeveria e parë në rajon, nënvizoi ministri Klosi që kemi ofruar një paketë mbështetëse për industrinë e turizmit. Lidhur me ligjin që do të përcaktojë rregullat për funksionimin e plazheve, ai tha se pritet të jetë gati brenda kësaj jave.

Ministri Klosi vuri në dukje se protokolli i paraqitur për rregullat e pushimeve është pranuar nga 95% e operatorëve turistikë, ndërsa shtoi se ka disa elementë që pritet të ndryshohen.

Beautiful turquoise spring Blue Eye (Syri i Kalter) near a town of Muzine, Albania. The spring is very powerful, cold and deep and is a source of a river Bistrice

“Është një proces që ministria e ndjek shpesh, pra materiali është shpërndarë për mendim. E gjithë ideja e këtij manuali, është që turizmin ta kemi jo vetëm një mjet kënaqësie, por ta kemi edhe industri. Është një industri që mban me mijëra njerëz në punë, që mban rrjete të tjera industrish me punë dhe kemi mundësitë, falë investimeve që janë kryer në këtë industri, që të dalim të parët në treg”, u shpreh Klosi.

Ai theksoi se ky draft dhe ky protokoll masash është hartuar për kushtet në të cilat jemi, por nëse situata do të ndryshojë, Klosi tha se masat do të lehtësohen. /atsh / KultPlus.com

Sezoni turistik, 500 aktivitete festive nga veriu në jug

Zonat turistike në të gjithë vendin nga veriu në jug, më shumë sesa kurrë më parë, vijnë me një kalendar festash dhe aktivitete argëtuese për të gjithë pushuesit.

Kështu, kalendari i festave numëron plot 500 festa për sezonin veror, 300 prej të cilave janë konsumuar me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pushuesve dhe banorëve të zonave që kanë shprehur interes të madh kundrejt tyre. Shifrat u bënë publike nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi.

‘Viti 2018 ka sjellë risi në gjallërimin e të gjitha zonave turistike nga veriu në jug përmes një programi shumë të pasur festash dhe aktivitetesh argëtuese. Kalendari i festave numëron plot 500 festa për sezonin veror, 300 prej të cilave janë konsumuar me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pushuesve dhe banorëve të zonave të cilët kanë ndjerë që ky është një moment shumë interesant jo vetëm për të zhvilluar imazhin turistik të zonave të tyre por edhe për të ngritur biznesin e vogël, e për të pasur mundësi riaktivizimi të burimeve të brendshme të komunitetit . Edhe gjatë muajit gusht do të vazhdojë ky kalendar sipas dakordësisë që kemi midis institucioneve tona”, tha Klosi.

Më tej, ai vuri në dukje se një nga projektet më interesant me të cilën ky sezon vjen është Smile Albania, ku të huajt mirëpriten në zonat kufitare nga të rinjtë e vendit, me buzëqeshje dhe informacione orientuese per ta.

”Programi ynë i ri, Smile Albania është aktiv në të gjitha zonat hyrëse të vendit tonë me përparësi zhvillimi të turizmit. Duke pasur parasysh që 1 mijë të rinjtë në 26 pikat e info-point të dhurojnë buzëqeshje, informacion mbi bukuritë natyrore të vendit tonë, potencialin turistik dhe të bëjnë edukimin e munguar mjedisor në konceptin e turizmit shqiptar”, -përfundoi Klosi./ ata

Sezoni turistik vjen me aktivitete të larmishme në të gjitha qendrat urbane (VIDEO)

Aktivitete të shumta kanë gjallëruar qendrat urbane dhe fshatrat nga veriu në jug me festat e traditës, festat e kulinarisë dhe festat e muzikës, duke i dhënë ngjyra fantastike këtij sezoni.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama shpërndan një video me pamje nga disa prej qyteteve të Shqipërisë gjatë këtij sezoni tursitik.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të aktiviteteve të shumta që këto dy muaj kanë gjallëruar qendrat urbane dhe fshatrat nga veriu në jug me festat e traditës, festat e kulinarisë, festat e muzikës duke i dhënë ngjyra fantastike këtij sezoni, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Rama.