Në qytetin e Pejës do të promovohet libri “Fisniku i Baletit: monografi për Ahmet Brahimajn” nga autori Shaban Maxharraj.
Promovimi mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në nderim të jetës dhe veprës së balerinit dhe ish drejtorit të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj – Artist i Merituar!
Në pjesën e dytë të ngjarjes do të ketë performancë nga balerinët e BKK, Aulonë Nuhiu dhe Fatmir Smani.
Ndërsa me “Unë biri yt Kosovë” do të paraqiteti edhe sopranoja Adelina Paloja, nën e përcjelljen e pianistes Alba Muçolli.
Promovimi bëhet në kinoteatrin “Jusuf Gërvalla”, më 7 maj 2024, duke filluar nga ora 19:00/ KultPlus.com
Sot janë bërë 9 vite nga vdekja e albanologut, delegatit të Kongresit të Drejtëshkrimit dhe akademikut shqiptar Shaban Demiraj, shkruan KultPlus.
Shaban Demiraj ka qenë gjuhëtar, albanolog dhe akademik i njohur shqiptar. Ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë gjatë viteve 1993 – 1997.
Demiraj u lind në Vlorë më 1 janar 1920. Kreu medresenë në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955).
Në vitet 1948-1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite, çka përbën në vetevete rekord të këndshëm.
Është njëri prej pedagogëve që ka mbajtur kurse leksionesh për një numër të qenësishëm lëndësh albanistike dhe albanologjike, si për morfologjinë e gjuhës së sotme shqipe, për gramatikën historike të gjuhës shqipe, për historinë e gjuhës së shkruar shqipe (shekujt XVII-XIX), si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Për këto lëndë hartoi tekstet përkatëse, që u botuan si dispensa e libra më vete, me të cilët punojnë edhe sot Universitete të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, etj. Ai drejtoi me aftësi shkencore dhe administrative për 27 vjet katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1962-1989).
Në vitet 1962-1966 ka qenë zëvendës-dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai do të mbetet në historinë e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe të Universitetit të Tiranës si drejtues që u shqua për punë të pakursyer dhe të një cilësie të lartë.
Ai i përket yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave. Jeta dhe vepra e vet flet për dashuri ndaj gjuhës shqipe, ndaj gjuhëve, madje ndaj Gjuhës vetë, për pasion, durim e këmbëngulje shembullore në rrugën e kërkuesit, të shkencëtarit të palodhur.
Ai u zgjodh anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Ndërsa titujt dhe postet të cilat iu dhanë ndër vite janë: titujt e lartë Profesor (1972), Mësues i Popullit (1977), Profesor i merituar 1990, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1989), kryetar i saj (1993-1997), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1996), anëtar i Akademisë Qendrore Europiane të Shkencave dhe të Arteve (1997), anëtar nderi i Akademisë Diplomatike të Londrës (2000), nënkryetar i A.I.E.S.E.E. (Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Europës Jug-lindore (1994-1998). Laureat i dy Çmimeve të Republikës, të klasit të dytë (1979) dhe të klasit të parë (1989). Është dekoruar me Urdhërin Mjeshtër i Madh i Punës (2000). Është Qytetar Nderi i Vlorës (2001).