Klubi ‘Butrinti’ shpallet kampion kombëtar në shah

 Klubi i shahut “Butrinti” është shpallur sërish kampion kombëtar, në Kampionatin e 49-të Ekipor të Shahut. Pas 7 ndeshjeve të zhvilluara, me 6 fitore dhe vetëm 1 barazim, ekipi i Butrintit ka treguar se është i pandalshëm.

Kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi ka falenderuar ekipin e shahut dhe trajnerin, për përkushtimin dhe pasionin e tyre të paepur. “Jemi shumë krenarë për ju”, shkroi Çaçi në rrjetet sociale, duke bërë edhe premtimin se Bashkia Sarandë do të vazhdojë të jape mbështetjen e saj për këtë sport.

“Bashkia Sarandë do të vazhdojë të mbështesë talentet tona dhe sportin që përfaqëson Sarandën me dinjitet në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka deklaruar Çaçi.

Ky është i dyti vit radhazi që “Butrinti” i Sarandës fiton titullin kampion. Në vend të dytë u rendit “Teuta” e Durrësit dhe në vend të tretë “Partizani”./atsh/KultPlus.com

Shkarkohet nga puna komentatori i shahut, bëri komente seksiste gjatë ndeshjes

Një komentator shahu është shkarkuar nga Federata Ndërkombëtare e Shahut për komente seksiste, përcjell KultPlus.

Ish-shahisti tani komentator, Ilya Smirin, pranoi në transmetim se kishte thënë se shahu “ndoshta nuk është e duhur për gratë” – dhe gjithashtu në dukje lavdëroi një grua që luante si burrë.

Federata kërkoi falje dhe i quajti komentet e zotit Smirin fyese dhe të turpshme.

Smirin, i lindur në Bjellorusi – i cili dikur renditej një nga 20 lojtarët më të mirë në botë – po debutonte si komentator në gjuhën angleze në Astana, Kazakistan.

Të gjithë shahistët – meshkuj dhe femra – mund të bëhen mjeshtër të madh, që është titulli më i lartë që mund të arrijë një shahist, nëse ata kanë një vlerësim prej 2500 e lart. Këtë titull e kanë shahistët më të mirë.

Titulli i mjeshtrit të madh për gra është vetëm për gra dhe kërkon një vlerësim më të ulët prej 2,300.

Komentatorët po diskutonin nëse Zhu Jiner mund të bëhej mjeshtër i madh, kur z. Smirin tha: “Ajo është një grua mjeshtër e madhe apo çfarë?…Pse dëshiron të jetë si mjeshtër e madhe burrash në këtë rast?”

Z. Smirin vazhdoi duke u shfaqur duke pranuar se ai kishte thënë privatisht “shahu ndoshta nuk është për gratë”.

Komentatorja tjetër Fiona Steil-Antoni i tha: “Ti po thua, e di, “shahu mbase nuk është për gratë”, dhe z. Smirin u përgjigj: “Unë nuk e thashë hapur… në bisedë private.”

Dhe ai gjithashtu dukej se pranoi duke thënë se një tjetër lojtare femër – mjeshtër e madhe Aleksandra Goryachkin – kishte “luajtur si një burrë”, shkruan BBC.

Duke e sfiduar përsëri, zonja Steil-Antoni e pyeti: “Çfarë lidhje ka kjo me të luajturit si burrë, vetëm burrat mund të luajnë mirë?”

“Jo, jo,” u përgjigj zoti Smirin. “Por ajo po luan me stil, stil pozicioni… Por OK, unë jam gjithmonë kurioz, pse gratë mund të luajnë me burra, por burrat nuk mund të luajnë me gratë në turnetë e grave? Pyetje interesante.”

Në deklaratën e saj, FIDE – Federata Ndërkombëtare e Shahut – i quajti komentet “shumë të turpshme”. /KultPlus.com

Shahisti 16 vjeçar nga India mposhti shahistin numër një në botë

Shahisti 16-vjeçar nga India, Rameshbabu Praggnanandhaa mposhti shahistin numër një në botë, Magnus Carlsen në një turne.

Që në moshën 10-vjeçare, ai kishte marrë titullin “mjeshtër”, duke thyer rekord në këtë sferë, ndërsa u përball me norvegjezin Carlsen, numër 1 në renditjen botërore, në një turne online Kampionati Meltwater me shpërblim prej 1.5 milionë dollarë.

Sportisti indian i cili në vitin 2018 u bë “mjeshtër i madh”, kundërshtarin 31-vjeçar me 5 kampionate botërore të fituara, e mundi me 39 lëvizje duke arritur një sukses të rëndësishëm.

Praggnanandhaa u bë sportisti më i ri që ka fituar Carlsen-in që nga viti 2013 kur u bë kampion botëror.

Sportisti norvegjez, më parë kishte humbur edhe ndaj mjeshtërve të mëdhenj indianë si Viswanathan Anand dhe Pentala Harikrishna. / KultPlus.com

Shahisti më i mirë mes shkrimtarësh

Mjeshtri i penës, Ivan Sergejeviç Turgenjev, tri vjet më i madh se Fjodor Dostojevski dhe dhjetë vjet më i madh se Lev Tolstoi, ishte më perëndimori nga tre romancierët e mëdhenj, që bënë lavdinë e letërsisë ruse në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të.

Në shumë mënyra, Turgenjev ishte më enigmatiku mes tyre. Realist, edhe pse i tërhequr drejt simbolizmit dhe të mbinatyrshmes në karrierën e mëvonshme. I njohur për përshkrimet autentike të jetës ruse, ai kaloi periudha të gjata në Evropë. Edhe pse qëndroi larg politikës, çështjet kryesore politike të Rusisë së shekullit të nëntëmbëdhjetë janë qendrore në krijimtarinë e tij. Interesi për Turgenjevin mbetet i fortë në shekullin XXI, jo vetëm falë përgjegjshmërisë së punës ndaj qasjeve kritike bashkohore, po edhe nga njohja e vazhdueshme e rëndësisë së këndvështrimit që ai kishte mbi kompleksitetin e përhershëm të marrëdhënieve Rusi-Evropë.

Ai e përshkruan jetën ashtu siç është, duke zgjedhur tema nga çështjet më të nxehta aktuale. Turgenjev di të jetë qytetar pa qenë tendencioz, duke ndërthurur të vërtetën me poezinë dhe bukurinë. Tregimet e shkurtra, përfshi “Dy miqtë” (1853), “Qoshku i qetë” (1854), “Asja” (1857), “Dashuria e parë” (1860) – janë kryevepra freskie dhe poezie. Nuk reshti së shkruari deri në fund të jetës, edhe pse puna e tij mori një drejtim të ri. Në “Ngadhënjim i dashurisë” (1881), “Klara Milic” (1882), ai u kushton rëndësi forcave fantastike dhe okulte. Në “Senilia” (1879-1882), mbledhur nën titullin “Prozë poetike”, autori shpreh agnosticizmin pesimist të ndikuar fuqishëm nga Shopenhauer.

Gustav Floberi e konsideronte “mjeshtër” Turgenjevin. “Sa më shumë të studioj, aq më shumë aftësia jote më lë pa fjalë”, – i shkroi ai romancierit në 1863. Kurse William Dean Howells, në 1895, shkroi: “Jeta m’u shfaq me ngjyra të ndryshme” pasi lexova Turgenjevin. “Kush tjetër përveç Turgenjevit, – vazhdon, – e ndjeu kuptimin e larmishëm dhe të pikëlluar të ajrit të natës që hynte në dritaren e hapur, të zjarreve që përflaken në errësirë në fushat e largëta?”.

Romani “Etër dhe bij” ishte një nga veprat më të njohura, njëherazi konsiderohet një nga romanet më të mirë të shekullit të 19-të. Kur botoi “Etër dhe bij” të dyja segmentet politike, e majta dhe e djathta ruse, nuk i besuan. Të parët mendonin se romani ishte shumë kritik ndaj revolucionarëve të rinj, të dytët se nuk ishte mjaftueshëm kritik.

Megjithëkëtë, për një kohë të shkurtër romani e shndërroi atë në dekanin e letërsisë ruse në sytë e Perëndimit. Turgenjev ishte i gjithanshëm, përpos gjuetisë, letërsisë dhe muzikës, ishte i dhënë pas shahut. Madje, u quajt shahisti më i mirë midis shkrimtarëve. Kujtesa fenomenale, vëmendja, dëshira për fitore – këto cilësi e bënë Turgenjevin një lojtar të patejkalueshëm.

“Mumu”, ndoshta nga tregimet më të njohura të Turgenjevit, histori të cilën e shkroi pas vdekjes së mikut të ngushtë Gogol, bazohet në ngjarje reale, duke përshkruar njerëz të njohur në rininë e tij. Një shërbëtor shurdhmemec humbet vajzën që dashuron, kur detyrohet të martohet me një tjetër. Më pas, e urdhërojnë të vrasë qenin e dashur, sepse të lehurat shqetësonin gjumin e zonjës së tij. Duke ngjallur keqardhje për shurdhmemecët, Turgenjev qartazi e vendos fajin për këtë padrejtësi njerëzore dhe sociale në derën e zotërinjve të pandjeshëm. Me fizik shtatlartë, ai kishte një zë jashtëzakonisht të lartë, një karakter të dashur dhe të përkushtuar dhe nuk u martua kurrë.

Miku i Floberit dhe Mopasanit, lindi në Rusi, në 1818, jetoi në Bougival (Yvelines) nga viti 1874 deri në vdekje. Shtëpia e tij është kthyer në muze. Forma, përmbajtja, realizmi jashtëzakonisht i matur, shija, talenti i tij për përgjithësim pa pedantizëm, janë cilësi ndaj të cilave askush nuk mund të qëndrojë indiferent.

Filozofia e Turgenjevit mund të përmblidhet: që nga lindja, njeriu është fajtor; ekzistenca e tij është vetëm shlyerja e këtij faji të parë dhe ai kurrë nuk mund të falet për këtë mëkat. Për më tepër, liria e individit nuk është e tillë që ai të mund të jetojë ndonjëherë jetën që dëshiron: karakteri, nxitur dhe nga rrethanat, e detyrojnë vazhdimisht të marrë udhën e zgjedhur jo domosdoshmërisht me vetëdije. Nga ky këndvështrim, mund të themi se është pikëllimi ai që dominon dhe se vetëm iluzioni mund të lejojë, pra, të durojë një ekzistencë të atillë. /Konica.al / KultPlus.com

12-vjeçari bëhet mjeshtri më i ri i shahut në histori

Vetëm 12-vjeç, Abhimanyu Mishra është bërë mjeshtri më i ri në historinë e shahut.

Mishra, nga New Jersey, theu rekordin e Sergey Karjakin që e mbante për 12 vjetë në Hungari, raporton CNN, transmeton KultPlus.

Për t’u bërë mjeshtër në shah, lojtari duhet të arrijë tre norma mjeshtri – një çmim për performancën më të lartë në turneun e shahut, vlerësimi nga Federata Ndërkombëtare e Shahut dhe renditja që e rregullon garën ndërkombëtare.

Pas fitores ai shkroi një mesazh në Twitter: “Më në fund shah-mat për kundërshtarin më të madh (pandeminë) që më ndaloi për 14 muaj. Faleminderit të gjithëve”.

Thyerja e rekordeve është diçka e zakonshme për Mishran.

Kur ai ishte 7-vjeç u bë eksperti më i ri i Federatës së Shahut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com