Botohet monografia e autorit Bekim Ramadanit që sjell portretin muzikor të Hanife Sejfulla Recani dhe Shahindere Bërlajolli Stafai

Është botuar monografia e autorit Bekim Ramadani me titullin “Hanife Sejfulla Recani dhe Shahindere Bërlajolli Stafai, dy zërat e paharrueshëm të këngës shqipe”, monografi kjo që ka ndriçuar jetën dhe veprën e dy këngëtareve të shquara nga Gostivari në skenën e muzikës popullore shqiptare. Kjo monografi paraqet një portret të pasur dhe të hollësishëm të Hanifes dhe Shahinderes, duke theksuar ndikimin e tyre të pazëvendësueshëm në traditën muzikore shqiptare.

Studimi i autorit përfshin transkriptimet notale të këngëve, duke e bërë atë një burim të rëndësishëm për të kuptuar strukturën dhe thellësinë e krijimtarisë së tyre artistike. Nëpërmjet fotografive dhe afisheve të përfshira në monografi, lexuesit janë të ftuar të hedhin një vështrim në botën e pasur të aktiviteteve të këtyre këngëtareve, brenda dhe jashtë kufijve vendore.

Recensuesi i kësaj monografie, etnomuzikologu Krenar Doli nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, ka dhënë një vlerësim pozitiv, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm dhe interesantë për studiuesit e muzikës shqiptare. Ky studim sjell në pah urtësinë e pashtershme të këtyre këngëtareve, duke rikujtuar dhe vlerësuar kontributin e tyre të pamohueshëm në pasurimin e trashëgimisë muzikore kombëtare.

“E vlefshme, sepse synon të plotësojë një tablo apo një mozaik ende të mangët (madje të munguar) në kuptimin e një paraqitjeje me natyrë shteruese të kësaj problematike, pa anashkaluar përpjekjet e çmuara nga emra të nderuar të shkencës shqiptare. Me mjaft interes, sepse tema për kulturën muzikore të një qyteti, në një rrafsh gjithëpërfshirës, është universale, e identifikuar në një hapësirë specifike siç është qyteti i Gostivarit. Në pamje të përgjithshme, ky material trajton një problematikë të rëndësishme e cila lidhet me përgjithësime të domosdoshme mbi historinë e muzikës, sepse më në fund për të pasur një histori të sistemuar, për të pasur brezat e ardhshëm një njohje të qartë mbi atë se çka është bërë dhe çka po bëhet sot, është i domosdoshëm ky lloj dokumentacioni, ky lloj sistematizimi”, është shprehur Doli.

Kjo monografi ia ka arritur qëllimit ta bëjë objekt interesi këtë çështje dhe të krijojë një tablo shumë përfshirëse në terrenin muzikor të qytetit të Gostivarit, një tablo shumë përfshirëse për historinë e zhvillimeve të vjetra edhe të reja të këtij qyteti me personazhet kryesore të veprimit muzikor – Hanife Sejfulla Reçanin dhe të Shahindere Bërlajolli Stafain. Gjithçka që trajtohet në këtë monografi është interesante dhe i shërben përgjithësimeve mbi kulturat autentike kombëtare (që është shumë e rëndësishme), sepse mbi bazën e tyre do të nxirren përgjithësime të tjera.

“Është me shumë interes dokumentimi i këtyre vlerave, sepse vlerat ekzistojnë, ato janë, por nëqoftëse ato nuk dokumentohen, nuk arkivohen, ato në një kohë tjetër e humbasin kuptimin. Ndërkaq të dokumentuara kështu dhe të trajtuara me kaq përkushtim dhe dashuri, ato mbeten do të çmuara për çdo gjeneratë”, thotë Doli.

 Kënga njihet si gjinia që i përgjigjet në mënyrë më të mirë pasqyrimit të jetës, ngjarjeve, andaj ajo mbetet vlera më e çmuar e kulturës në gjithë kompleksitetin e vlimit të saj në një vepër arti. Kjo karakteristikë i jep asaj avantazhin që të prijë në zhvillimet artistike, por nga ana tjetër, është pikërisht ajo që e ndjen më fortë se gjinitë tjera shoshën seleksionuese të kohës. E duke qenë e tillë, gjykojmë se të gjithë këto këngë të kënduara nga këto dy interpretuese e të transliteruara sipas metodologjisë shkencore nga ana e profesor Bekimit, kanë faqet e veta me vlerë që lidhen kryesisht me njohjen dhe afirmimin e këtyre dy artisteve në një truall, jo thjesht, patriotik dhe luftarak, por edhe të ndjeshëm, të kulturuar në ndjeshmërinë e vet.

“Unë e lavdëroj në mënyrë të veçantë autorin që ka ditur ta evidentoj dhe ta bëjë të njohur për lexuesit e vëmendshëm. Pastaj, është e rëndësishme se këto trajtime nuk janë të fiksuara në momente të veçanta, të dhëna njëherë e përgjithmonë në kapituj të mbyllur të historisë dhe të jetës muzikore, përkundrazi, ato janë të shtrira në gjithë historinë e këtij qyteti dhe dëshmojnë pasurinë e paçmuar që Gostivari ka trashëguar në këtë drejtim. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse llogaritet një nga resurset e brendshme që i ka vetë qyteti, që i kanë vetë njerëzit dhe ato nuk zhbëhen, por mund të zhvillohen ashtu si zhvillohen realisht në jetën e përgjithshme”, shprehet Doli.

Me të gjitha këto që u thanë dhe të tjerat që do të shkruajë historia, ato padyshim se do të ngelen simbol i kulturës dhe artit në vendin tonë. Puna kërkimoro-shkencore e hulumtuese e profesor Bekimit e bënë atë një nga studiuesit më serioz dhe më pasionant të muzikës tradicionale shqiptare. Ai shquhet për këmbënguljen e pashoq në realizimin e aspiratave të tij përmes parimeve profesionale. Te ky studiues vërehen në mënyrë të qartë dashuria e zjarrtë dhe ndjenja e thellë për trashëgiminë muzikore të trevave të ndryshme shqipfolëse. E veçantë tjetër e tij është respekti që ka për muzikën tradicionale mbarëshqiptare, si dhe aftësia e hulumtimit të çështjeve problemore të muzikës popullore. / KultPlus.com