Më shumë se 145,000 njerëz janë pa energji elektrike në disa shtete juglindore të SHBA dhe mijëra fluturime janë anuluar për shkak të motit të keq.
Virxhinia, Xhorxhia dhe Karolina e Veriut dhe e Jugut kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Shërbimi për Motin në SHBA, ka thënë se në disa rajone pritet të ketë mbi 30 centimetra borë.
“Bora dhe akulli mund të rrezikojnë udhëtimet dhe furnizimin me energji elektrike ”, ka thënë Shërbimi për Motin.
Sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press janë shënuar qindra aksidente automjetesh.
Më shumë se 3,000 fluturime brenda dhe jashtë SHBA u anuluan të dielën, sipas faqes që vëzhgon fluturimet FlightAware.
Aeroporti Ndërkombëtar Charlotte Douglas në Karolinën e Veriut është ndër më të goditurit, pasi pothuajse 90% të fluturimeve janë anuluar. / KultPlus.com
Një burrë amerikan është bërë personi i parë në botë që ka transplantuar zemrën nga një derr i modifikuar gjenetikisht, shkruan BBC, përcjell KultPlus.
David Bennett, 57 vjeç, është mirë tre ditë pas procedurës eksperimentale shtatë-orëshe në Baltimore, thonë mjekët.
Transplanti u konsiderua si shpresa e fundit për t’i shpëtuar jetën zotit Bennett, megjithëse nuk është ende e qartë se cilat janë shanset e tij afatgjata për të mbijetuar.
“Ose vdisje ose bëje këtë transplant,” shpjegoi zoti Bennett një ditë para operacionit. “E di që është një goditje në errësirë, por është zgjedhja ime e fundit”, tha ai.
Mjekët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland-it iu dha një leje e veçantë nga rregullatori mjekësor i SHBA-së për të kryer procedurën, me bazën se zoti Bennett përndryshe do të kishte vdekur. /KultPlus.com
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka pranuar sot zyrtarisht detyrën e tij të re, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Hovenier, është shprehur shumë i nderuar që ka dorëzuar kredencialet e tij presidentës së Kosovës, Vjosa Osmanit.
“Jam i nderuar t’i dorëzoj kredencialet e mia Presidentes, Vjosa Osmanim sot si ambasador i re i SHBA-së në Kosovë”, shkroi ai në “Twitter”.
Tutje, Hovenier shtoi se është i përkushtuar për ndërtimin dhe forcimin e partneritetit të qëndrushem ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Presidenti, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të Kosovës Hovenierin në korrik të vitit të kaluar. /KultPlus.com
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, do të marrë sot detyrën e tij të re, përcjell KultPlus.
Presidenti Joe Biden ka emëruar Hovenier në këtë post gjatë muajit korrik të vitit të kaluar, derisa vendimi u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.
Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Hovenier luajti një rol të rëndësishëm në negociatat që dërguan përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Derisa, kjo do të jetë hera e parë që ai shërben si ambasador i SHBA-së. /KultPlus.com
I ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka reaguar për raportimet në media lidhur me martesën e vëllait të një deputeteje.
Giacobbe ka shkruar se homofobia dhe format tjera të diskriminimit me urrejtje s’kanë vend në shoqëritë demokratike.
“Homofobia dhe format tjera të diskriminimit urrejtës s’kanë vend në shoqëritë moderne, të shumëllojshme e demokratike. Ne të gjithë ndajmë përgjegjësi të barabarta për të siguruar që çdo e drejtë themelore njerëzore e secilit person janë të mbrojtura dhe të respektuara”, ka shkruar ai. / KultPlus.com
Homophobia and other forms of hateful discrimination have no place in modern, diverse, democratic societies. We all share equal responsibility to ensure every person’s fundamental human rights are protected & respected. https://t.co/4UaeRYYrTj
— Chargé d’Affaires Nicholas J. Giacobbe, Jr (@USAmbKosovo) January 4, 2022
Zyrtarët federalë të imigracionit kanë refuzuar kërkesat e qindra afganëve për hyrje të përkohëshme në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare. Aktivistët e imigracionit thonë se administrata e Presidentit Biden nuk e ka mbajtur premtimin për të ndihmuar afganët e lënë mbrapa pas tërheqjes së trupave amerikane dhe rënies së vendit në duart e talebanëve.
Që nga tërheqja e trupave amerikane, zyrtarët e imigracionit thonë se kanë pranuar mbi 35 mijë aplikacione bazuar në rregullin e pranimit të emigrantëve për arsye humanitare. Prej tyre, rreth 470 aplikime janë refuzuar dhe më pak se 150 janë miratuar. Ky rregull pak i njohur është rezervuar për emergjenca ekstreme, kur shqyrtimi i aplikimeve për viza të rregullta nuk është një alternativë dhe kur të huajt kanë nevojë të hyjnë shpejtë në vend.
Haseena Niazi i kishte varur shpresat e saj për ta tërhequr të fejuarin e saj nga Afganistani përmes kësaj dispozite të imigracionit.
24-vjeçarja që banon në Masaçusets ishte pothuajse e sigurt se kërkesa e për emigrim në bazë humanitare do të miratohej nga qeveria amerikane, duke marrë parasysh provat që ajo ofroi mbi kërcënimet nga talebanët që mori ndërsa punonte për çështjet e shëndetit të grave në një spital afër Kabulit.
Por këtë muaj, kërkesa e saj u refuzua, duke e lënë çiftin të tronditur pas muajsh ankthi.
“Ai kishte gjithçka që ata dëshironin”, tha zonja Niazi me origjinë nga Afganistani, e cila është e pajisur me kartën jeshile. “Refuzimi i kërkesës nuk është i logjikshëm. Kjo është si një ëndërr e keqe. Ende nuk mund ta besoj.”
“Ky është një zhgënjim i madh”, thotë Caitlin Rowe, avokate nga Teksasi, e cila tha se kohët e fundit kishte marrë pesë refuzime për klientët e saj, duke përfshirë kërkesën e një oficeri afgan policie që ndihmoi në trajnimin e trupave amerikane dhe u rrah nga talebanët. “Këta janë njerëz të pambrojtur, që me të vërtetë menduan se kishte shpresë. Unë nuk mendoj se ka shpresë për ata.”
Që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, Agjencia Amerikane e Imigracionit ka marrë më shumë se 35 mijë aplikime të bazuara në dispozitën për emigrim në SHBA për arsye humanitare, nga të cilat ka refuzuar rreth 470 dhe ka miratuar me kusht më shumë se 140, tha këtë javë Victoria Palmer, një zëdhënëse e agjencisë.
Programi pak i njohur, i cili nuk ofron një rrugë drejt qëndrimit të përhershëm në vend, zakonisht merr më pak se 2,000 kërkesa çdo vit nga të gjitha kombësitë, nga të cilat Agjencia amerikane e Imigracionit miraton mesatarisht rreth 500, tha ajo.
Zonja Palmer theksoi gjithashtu se pranimi i njerëzve bazuar në dispozitën humanitare është përgjithësisht i rezervuar për emergjencat ekstreme dhe nuk synon të zëvendësojë procesin e pranimit të refugjatëve, “që është rruga tipike për individët jashtë Shteteve të Bashkuara që kanë ikur nga vendi i tyre i origjinës dhe kërkojnë mbrojtje”.
Ndërkohë, qeveria amerikane vazhdon të ndihmojë afganët e pambrojtur, duke evakuuar më shumë se 900 shtetas amerikanë dhe 2200 afganë të tjerë që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, shkruan voa. Departamenti i Shtetit tha se pret të ndihmojë në sistemimin e rreth 95,000 njerëzve nga Afganistani këtë vit fiskal, një proces që përfshin kontrolle rigoroze të biografisë dhe gjendjes shëndetësore. / KultPlus.com
Më 28 dhjetor 1856 lindi Thomas Udru Uillson (Thomas Woodrow Wilson), presidenti i njëzet e tetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Udru Uillson ishte anëtar i Partisë Demokratike të SHBA-ve dhe, përpara zgjedhjes në postin e presidentit, pati shërbyer si president i Universitetit të Prinstonit dhe si guvernator i shtetit të Nju Xhersit.
Më 1913 fitoi mandatin e parë të presidentit, të cilin e pasoi një i dytë. U largua nga detyra e presidentit më 1921. Në politikën amerikane të kohës Presidenti Uillson njihet si liberal dhe reformator, duke sjellë zhvillime pozitive në politikat e brendshme të vendit. Kurse në politikën ndërkombëtare, Uillsoni njihet si njëri prej politikanëve më të vendosur në dobi të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Konferencën e Paqes në Paris, si dhe propozuesi dhe hartuesi i projektit të Konventës së Lidhjes së Kombeve. Për shqiptarët figura e Presidentit Uillson lidhet mirëfilli me njohjen ndërkombëtare të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe të integritetit territorial të Shqipërisë.
Fjalët e tij “Albania ought to be independent”
(“Shqipëria duhet të jetë e pavarur”) ishin thelbësore në njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Mes dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror që lidhen me figurën e Presidentit Uillson veçojmë një letër të disa studentëve shqiptarë në Vjenë, të cilët kërkojnë mbështetjen e Presidentit në dobi të Shqipërisë. Letra mbyllet me këto fjalë:
“Zotërië President!
Në qoftë se në vendimin e paqës nji komb lihet i pa njojtun edhe do të përdoret kaq pa-drejtësisht, a mundet kurrë n’atë anë të botës të sigurohet paqa? Shqipnia, sikundër Konferenca e Londonit e kufizoj, kurrë s’mundei të rronte, kishte farën e vdekjes në gjakun e saj që në lindien e vetë. Me këtë mënyrë, Zotërie, deri tash bota na ka përdorurar mizorisht, prandaj ngremë zërin tonë tek Ju, si mbrojtësi i njerëzimit, duke e ditur sigur se marria pjesë e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqien të drejtë e të ndershme të Zotërisë s’Uaj në Kongresin e Paqës, drejtësia do të përmbushet dhe shqiptarët duke pasur të drejtën e vetvotimit për formën e qeverimit të tyre do të kenë lejen, si një komb i lirë, të hyjn në Lidhien e Kombëve.
Në emër të studentëve shqiptarë në Wien, të përvujtunit, Jan Basho, Remzi Baçe, H. Hifzi, Nush Bushati, Djevat Korça, Luigj Kakariqi, Gjovalin Gjiadri, Raku Buda, Fuad Aslan.
Wien, Austrie, 15/12/918“.
Fotografitë: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave / KultPlus.com
Autoritet në Nju Jork po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët pasi ka patur një rritje të fëmijëve të prekur me koronavirus të cilët po shtrohen në spital. Numri i tyre është katërfishuar që nga fillimi i dhjetorit. Ndonëse niveli i vaksinimit mes të rriturve është i lartë në Nju Jork, ai i fëmijëve është shumë i ulët.
Zyrtarët e Departamentit të Shëndetësisë në Nju Jork thanë se rritja së fundmi me katërfish e shtrimeve në spital të fëmijëve, e cila nisi prej 5 dhjetorit, ishte e përqendruar në qytetin e Nju Jorkut dhe zonat përreth, ku varianti tejet ngjitës Omicron po përhapet me shpejtësi.
Komisionerja në detyrë e shtetit për Çështje të Shëndetësisë, Doktoreshë Mary T. Bassett tha të hënën se niveli i vaksinimit tek fëmijët vazhdon të jetë shumë i ulët në të gjithë shtetin. Një situatë që siç tha ajo, duhet të ndryshojë.
“Të dhënat e njoftuara të premten nuk kishin qëllim të tregojnë se ka një epidemi infeksionesh në mesin e fëmijëve, por të motivojnë pediatrit dhe familjet që të nxisin vaksinimin në mesin e tyre. Shumë njerëz kanë menduar dhe vijojnë të mendojnë se fëmijët nuk infektohen me COVID. Kjo nuk është e vërtetë. Fëmijët infektohen dhe disa prej tyre shtrohen në spital“, tha ajo.
Zonja Basset tha se prindërit duhet t’i mbrojnë fëmijët që janë 5 vjeç e lart duke i vaksinuar plotësisht, ndërsa ata më të vegjël, duke u siguruar që të gjithë personat rreth tyre të jenë vaksinuar, e të marrin masa të tjera mbrojtëse, përfshirë vendosjen e maskave, shmangien e turmave të njerëzve e testimin.
Duke përforcuar mesazhin e zonjës Bassett, Guvernatorja Kathy Hochul u kërkoi njujorkezëve të përdorin periudhën e festave, kohë kur fëmijët nuk janë në shkollë, për t’i imunizuar ata. Ajo garantoi se shteti është më i përgatitur për t’u përballuar me një rritje të rasteve, sesa ishte një vit më parë.
“Ne po inkurajojmë Administratës Amerikane të Ushqimit e Barnave të japë miratimin që edhe fëmijët nën moshën pesë vjeç të vaksinohen, padyshim me një dozë më të ulët, pasi ne duan t’i mbrojnë fëmijët. Por aktualisht mënyra se si mund t’i mbrojmë ata, është që vëllezërit e motrat më të mëdhenj të vaksinohen”.
Javën e kaluar u njoftua vendimi për një reduktim të periudhës së karantinës për punonjësit e kujdesit shëndetësor që infektohen me koronavirus. Bëhet fjalë për ata persona të vaksinuar që nuk shfaqin simptoma, të cilët mund të kthehen në punë pas 5 ditësh dhe jo 10 sa parashikohet për pjesën tjetër të popullsisë. Zyrtarët e shtetësisë thonë se po përpiqen të shmangnin mungesat në personel mjekësor në një periudhë të vështirë, me synimin për të mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit./ VOA / KultPlus.com
Muzeu Diplomatik Ndërkombëtar Amerikan krenarë të prezantojë ekspozitën e tyre të re online me koleksionin Madeleine Albright, transmeton KultPlus.
“ReadMyPins: Koleksioni Madeleine Albright” – ekspozita paraqet më shumë se 200 karfica që Albright përdorte për të përcjellë mesazhe rreth politikës së jashtme dhe për të komunikuar mesazhe diplomatike.
Ish-sekretarja e shtetit të Amerikës luajti një rol kyç në çlirimin e Kosovës dhe shënimin e Pavarësisë së vendit më të ri në Evropë.
Kjo ekspozitë do të jepet në formën online, dhe mund të shikohet duke klikuar këtu. /KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se, “një nga çështjet më prioritare të qeverisë është krijimi i një kornize të shëndosh ligjore kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore”.
Duke marrë fjalën sot, në seancën plenare të Kuvendit, Margariti vuri në dukje se, nuk bëhet fjalë vetëm për një memorandum por për një sërë aktesh nënligjore, që forcojnë luftën pa kompromis kundër trafikimit të pasurive tona kulturore.
Sipas saj, që prej 2018 Ministria e Kulturës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kanë nisur punën për hartimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi në respekt të Konventës së UNESCO-s, 1970, që u finalizua me nënshkrimin e memorandumit në muajin gusht në Uashington, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Kulturën dhe Edukimin, Matthew Lussenhop, duke zyrtarizuar kështu angazhimin tonë për të qenë krah për krah në një luftë, që nuk na përket vetëm ne.
Gjithashtu vijoi ministrja, një hap tjetër i rëndësishëm në krijimin e kësaj kornize ishte edhe vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe mënyrave të administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura”, një proces i nisur me miratimin e ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, që lidhet direkt me mënyrën e administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, të hyra ose të dala në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë”.
Margariti vuri në dukje se, “hartimi i kuadrit ligjor vjen sipas eksperiencave ndërkombëtare, siç është skema e bazës së të dhënave e miratuar nga Interpol, si dhe sistemi në zbatim në Itali, që përmban një informacion të mjaftueshëm për krijimin e pasaportave të sakta, sipas një modeli të miratuar nga UNESCO për çdo objekt që rezulton i trafikuar në mënyrë të paligjshme”.
Ajo theksoi se, “viteve të fundit është forcuar bashkëveprimi me Interpolin, Europolin, pikat doganore dhe po punohet ngushtësisht me vendet fqinje për identifikimin dhe kthimin e veprave që rezultojnë të vjedhura”.
“Aktualisht jemi duke çuar përpara një proces delikat atë të kthimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut të 27 ikonave të identifikuara tashmë. Me përfundimin e procedurave këto vepra do të kthehen në vendin e origjinës. Ndërsa kemi edhe të tjera çështje të hapura për vepra me origjinë Shqipërinë, të kapura në vende të tjera, të cilat do të kthehen në vend. Në historinë e saj të afërt dhe të largët, Shqipëria ka kaluar momente kritike në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Gjatë viteve 1991 dhe 1997 u grabitën dhe u trafikuan vlera të rëndësishme të trashëgimisë materiale. Por tanimë Shqipëria e ka kaluar fazën e tranzicionit, ka dalë nga listat e zeza të trafikimit”, deklaroi Margariti.
Ministrja deklaroi se, “Shqipëria është një vend me një trashëgimi të pasur kulturore materiale dhe jomateriale, që po bëhet gjithnjë e më tepër tërheqëse për të huajt, që numëron mbi 2220 monumente kulture e mijëra artefakte. Ndaj edhe duhet t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë ruajtjes, mbrojtjes, konservimit dhe menaxhimit të pasurisë sonë, për ta shndërruar atë në një burim ekonomik të qëndrueshëm për vendin tonë”.
Ajo vuri në dukej se, ratifikimi i memorandumit me SHBA është padyshim një nga ato gurë themeltarë për nënshkrimin e së cilit jemi sa të kënaqur aq edhe të vetëdijshëm në përmbushjen e tij.
“Mbi bazën e këtij Memorandumi Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të luftojnë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe ta mbrojnë atë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kufizojnë importimin të kategorive të caktuara të materialit arkeologjik, që datojnë nga 300,000 vite më parë deri në vitin 1750 P.K. dhe kategori të caktuara të materialit etnologjik, nga viti 400 P. K. deri në vitin 1913, që mund të jenë elemente arkitekturore nga strukturat historike ose fetare; objekte funerale; rituale dhe ceremoniale; piktura; dokumente të shkruara; tekstile; si edhe armë e parzmore të identifikuara në listën që do të shpallet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç rasteve kur Republika e Shqipërisë vërteton se ky eksportim nuk është i paligjshëm”, tha ministrja.
Margariti deklaroi se, objektet e konfiskuara në SHBA do të rikthehen në Shqipëri. Nga ana tjetër, Shqipëria do të ndajë informacione rreth gërmimeve të paautorizuara, vjedhjeve të pasurive kulturore, trafikimit të pasurive kulturore dhe kërcënimeve të tjera që rrezikojnë trashëgiminë e saj kulturore.
“Pas miratimit në Këshillin e Ministrave të ratifikimit të memorandumit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “Vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”, tashmë është momenti që të votohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe jam e bindur, që do të gjejë mbështetjen tuaj të plotë, pasi ky nënshkrim me partnerin tonë strategjik, SHBA, përbën një hap mjaft i rëndësishëm në luftën kundër trafikimit të trashëgimisë kulturore”, përfundoi Margariti. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin për Demokraci, i cili do t`i zhvillojë punimet virtuelisht më 9-10 nëntor dhe në të cilin do të marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga mbarë bota.
Hapja e Samitit do të bëhet nga presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ndërkaq Presidentja Osmani në fjalën e saj në këtë Samit do t’i paraqes pikat kryesore të zotimeve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.
“Në këtë Samit do të marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata nga sektori privat, ndërkaq është paraparë të diskutohet për: forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen kundër autoritarizmit, mbrojtjen e institucioneve demokratike, kundërshtimin e autoritarizmit digjital dhe afirmimin e vlerave demokratike”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës.
Ftesa për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci i është dërguar Presidentes Osmani nga presidenti Biden më 9 nëntor. Presidentja ka përshirë në delegacionin e saj që do të marrin pjesë virtuelisht në samit edhe përfaqësues të institucioneve të tjera publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. /KultPlus.com
Senatori Bob Dole, i cili kishte vizituar Kosovën për herë të parë, ka vdekur pas kancerit që u paraqit në mushkërit e tij, përcjellë KultPlus.
Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë gjatë ditës së sotme.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
Mendja e tij gjeniale dhe aftësitë njohëse në ligjvënie, e kanë karakterizuar Dolen, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës.
Kosova kishte përuruar një pllakë përkujtimore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për nderë të senatorit. /KultPlus.com
Gezim Gashi i cili tash e sa kohë ka korrur sukses të madh nëpër botë, ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin social Facebook se libri i tij i titulluar ”Unlocked: the power of you”, ka zënë vendin e parë në kompaninë ‘Amazon’ në ShBA, përcjell KultPlus.
Librin i tij debutues u publikua më 29 nëntor të këtij viti, me ç’rast libri i titulluar ”Unlocked: the power of you”, u bë i disponueshëm në Amazon në mbarë botën si dhe në libraritë në ShBA, përfshirë këtu edhe bibliotekën prestigjioze ‘New York Library’.
”Unlocked: the power of you” është një libër që përfshihet në kategorinë ‘self-help books’ dhe ka të bëjë me mënyrën se si të plotësoni 12 hapa për gjetjen e çelësit për veten tuaj të vërtetë dhe se si të nxjerrim potencialin e juaj më të madh.
Libri ende nuk ka një datë të planifikuar për botim në Kosovë, por është menduar se do të botohet gjatë vitit 2022. Po ashtu, Gezimi pritet të zhvillojë një turne nëpër botë, e njëra ndër ndalesat e tij patjetër që do të jetë Prishtina.
Teksa autori ndante historinë e tij të jashtëzakonshme duke filluar nga ikja e gjenocidit në Kosovë e deri tek të folurit në Universitetin e Harvardit si shqiptari-suedez i parë që krijoi një institut arti dhe argëtimi në Los Anxhelos, e po ashtu si një mentor global i muzikës dhe këshilltar i menaxhimit, Gezim Gashi harton rrugën drejt suksesit dhe përmbushjes personale.
Historia e Gezimit dëshmon se zhbllokimi i vetes sonë autentike nxjerr potencialin tonë më të madh në një botë pa kufij, e sidomos tani pas pandemisë. / KultPlus.com
Jeffrey Hovenier do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ku do të trashëgojë punën e bërë nga Philip Kosnett, shkruan KultPlus.
Mandati i Kosnett përfundon në fund të vitit dhe qysh nga viti 2022, Kosova do të jetë me një ambasador të ri nga SHBA-ja.
Shteti më i fuqishëm në botë, është konfirmuar nga Senati amerikan, i cili ka një karrierë të shërbimit të jashtëm amerikan.
Presidenti Joe Biden dhe miqësia e tij me Kosovën daton qysh moti, e ky i fundit edhe ka propozuar emrin e Hovenier si ambasador të shtetit më të ri në Evropë. /KultPlus.com
Poetja Vlora Konushevci ka bërë të ditur se ka dalur në shtyp antologjia me titull “Alternative War” nga shtëpia botuese “B Cubed Press” në Shtetet e Bshkuara të Amerikës, ku prezantohet ajo dhe poezia e saj për luftën në Kosovë, shkruan KultPlus.
Konushevci ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në llogarinë zyrtare “Facebook”, ku edhe ka treguar emocionet që i ndjeu në publikimin e poezisë së saj.
“Ndoshta s`mund të bëjmë shumë, por mund të bëjmë çdo ditë ngapak që shtetin dhe historinë tonë ta vendosim në harta ndërkombëtare për të mirë”, shkroi ajo.
Kosova përmendet edhe në njoftimin e botuesit ku ndër tjera thuhet: “Alternative War” është një përzierje e fantashkencës dhe ngjarjeve aktuale. Lufta dhe pasojat e saj i lidhin fort këto histori në një vëllim të përpiluar me shumë kujdes. Autorët që janë luftëtarë, diplomatë, politikanë, mësues e shumë çka tjetër, këtu rrëfejnë copëza të historisë së tyre.
Linkun në Amazon për blerje të librit është në vijim si dhe poezia e autores në anglisht mund ta shihni duke klikuar KËTU./KultPlus.com
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Ned Price, tha se autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e afganëve përkohësisht të strehuar në Kosovë, para se t’u lejohet vendosja në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë vend të tretë.
Ai i bëri këto komente në takimin e rregullt me gazetarë i pyetur rreth statusit të qytetarëve afganë që janë të strehuar në Kosovë.
“Si pjesë e procesit të vazhdueshëm të verifikimit”, tha ai “disa nga ata, rastet e të cilëve kishin nevojë për përpunim shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya, që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë, ku ekipet ndërinstitucionale atje po punojnë për të përfunduar verifikimin për pranimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, ose për rivendosjen në një vend të tretë”.
Mbi një mijë e 300 shtetas afganë u strehuan në Kosovë që nga fundi i muajit gusht, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan. shumica e tyre janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.
Price ritheksoi mirënjohjen për qeverinë e Kosovës ndërsa nënvizoi se po bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të rehatshëm në kampin e trupave amerikane Bondsteel, ku janë vendosur të strehuarit, ndërkohë që po vazhdon verifikimi i tyre.
Gati gjysma e të strehuarve në Kosovë janë larguar ndërkohë, me katër fluturime në periudha të ndryshme drejt Shteteve të Bashkuara. / KultPlus.com
Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), paralajmëruan ndihmë urgjente për Kosovën në vlerë prej 2.5 milionë dollarë amerikanë kundër COVID-19.
Përmes një njoftimi për media, nga USAID-i thuhet se kjo ndihmë do të sigurojë mbështetje gjithëpërfshirëse në realizimin e vaksinimit kundër COVID-19, duke ndihmuar përpjekjet për të promovuar pranueshmërinë dhe qasshmërinë e vaksinave të sigurta COVID-19 te të gjitha popullatat e kualifikueshme për t’u vaksinuar dhe do të forcojë sistemin shëndetësor në tërësi, duke përfshirë zëvendësimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë.
“Kjo ndihmë është një donacion zemërgjerë nga populli amerikan për popullin e Kosovës. Nuk janë vaksinat si të tilla ato që do të ndalojnë virusin, por është vaksinimi me to. Prandaj, vendosni maskat, përvilni mëngët dhe bëni atë që duhet bërë për të siguruar se si ju vetë, ashtu edhe të dashurit tuaj të jeni të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të luftuar këtë virus tinëzar së bashku me partnerët tanë, që do të thotë me ju. Bashkërisht, ne mund të luftojmë këtë virus dhe të ndalojmë përhapjen e COVID-19”, tha drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.
Njoftimi i plotë:
Sot, Shtetet e Bashkuara — përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) — paralajmëruan ndihmë urgjente Kosovës në vlerë prej 2.5 milion dollarë amerikan për COVID-19. Kjo ndihmë do të sigurojë mbështetje gjithpërfshirëse në realizimin e vaksinimit kundër COVID-19, duke ndihmuar përpjekjet për të promovuar pranueshmërinë dhe qasshmërinë e vaksinave të sigurta COVID-19 tek të gjitha popullatat e kualifikueshme për t’u vaksinuar, dhe do të forcojë sistemin shëndetësor në tërësi duke përfshirë zëvendësimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë.
“Kjo ndihmë është një donacion zemërgjërë nga populli amerikan për popullin e Kosovës. Nuk janë vaksinat si të tilla ato që do të ndalojnë virusin, por është vaksinimi me to. Prandaj, vendosni maskat, përvilni mëngët dhe bëni atë që duhet bërë për të siguruar se si ju vetë ashtu edhe të dashurit tuaj të jeni të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të luftuar këtë virus tinëzar së bashku me partnerët tanë — që do të thotë me ju. Bashkërisht, ne mund të luftojmë këtë virus dhe të ndalojmë përhapjen e COVID-19,” tha Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.
Kjo ndihmë shtesë, e cila do të implementohet përmes UNICEF-it, ndërton mbi bazën e më shumë se 2.6 milion dollarë amerikan ndihmë për COVID-19 dhuruar Kosovës përmes USAID-it gjatë pandemisë. Që kur Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19, USAID-i ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19. Vitin e kaluar, USAID-i shpërndau 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore; 7,750 komplete higjienike për familjet dhe 2,400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Me fillimin e vitit shkollor, USAID-i gjithashtu u dhuroi komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme.
Krahas kësaj, Shtetet e Bashkuara dhuruan 50 respiratorë fare të rinj dhe të papërdorur si pjesë e një pakoje mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinare online. Shtetet e Bashkuara dërguan pajisje laboratorike të testimit dhe skanerë termik për vendosje në terminalet hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore. Rishtazi, USAID-i paralajmëroi një partneritet në vlerë prej 1 milion dollarësh amerikan me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen në informim publik në Kosovë lidhur me parandalimin dhe vaksinimin kundër COVID-19, dhe në emër të Qeverisë së SHBA-së lehtësoi shpërndarjen e 538,200 dozave të vaksinës Pfizer.
Qeveria e SHBA-së, parësisht përmes USAID-it, ka investuar mbi 10 milion dollarë amerikan në ndihmë shëndetësore Kosovës gjatë 20 viteve të kaluara. Këto përpjekje ndërtojnë mbi bazën e dekadave të punës jetëshpëtuese dhe lidershipit amerikan në ballafaqimin me krizat shëndetësore globale.
Sëmundjet nuk njohin kufinj. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë në partneritet me Kosovën për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19, zbutur pasojat e saj shkatërrimtare sociale dhe ekonomike, dhe rindërtuar një botë edhe më të përgatitur ndaj shpërthimeve të sëmundjeve në të ardhmen. / KultPlus.com
Shtetet e Bashkuara kanë rihapur kufijtë për vizitorët e huaj duke i dhënë fund një ndalimi 20-mujor të hyrjes për shkak të pandemisë së COVID-19.
Ndalimi u vendos nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
Masa kishte prekur qytetarët jo-amerikanë nga mbi 30 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe shtetet e Bashkimit Evropian.
Shumë familje ishin ndarë dhe turizmi ishte bllokuar.
Tani, linjat ajrore po presin të ketë një vërshim nga vizitorët pasi kufizimet janë hequr për ata që janë plotësisht të vaksinuar dhe i nënshtrohen testimit dhe gjurmimit të kontakteve.
Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, kufijtë e SHBA fillimisht u mbyllën për udhëtarët nga Kina në fillim të vitit 2020.
Kufizimet më pas u shtrinë në vende të tjera.
Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të tregojnë prova të vaksinimit përpara se të fluturojnë, të marrin një rezultat negativ të testit COVID-19 brenda tre ditëve nga udhëtimi dhe të dorëzojnë informacionin e tyre të kontakteve. Ata nuk do të duhet të hyjnë në karantinë.
Bashkimi Evropian rekomandoi lejimin e hyrjes së udhëtarëve amerikanë në muajin qershor, ndërsa vizitorët nga SHBA-ja kanë qenë në gjendje të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar që nga 28 korriku. / KultPlus.com
Shqipëria ka ratifikuar një memorandum bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do t’i shërbejë qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se në mbledhjen e sotme të qeverisë është ratifikuar memorandumi me SHBA për vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnografike shqiptare.
Sipas saj, puna për hartimin e memorandumit ka nisur që në 2018-ën.
“Ministria e Kulturës ka bashkëpunuar me Departamentin Amerikan të Shtetit për hartimin e këtij memorandumi, i cili sjell në vëmendje nevojën e Shqipërisë për t’u pozicionuar në luftën e trafikimit të pasurive kulturore”, tha ministrja.
Sipas ministres, pjesëmarrja në konventën e UNESCO-s të vitit 1970, një sërë aktesh nënligjore dhe udhëzimesh, si dhe ky memorandum, e pozicionojnë Shqipërinë ndër vendet aktive në luftën e trafikimit të pasurive kulturore.
Margariti u shpreh se tashmë Shqipëria ka një database me listën e pasurive kulturore të vjedhura, ndërsa do të krijohet edhe një database tjetër ku do të përfshihen koleksionistët dhe tregtarët e veprave të artit.
Për këtë ajo tha se do të bashkëpunohet si me gjendjen civile, edhe me Policinë e Shtetit.
Margariti deklaroi se tashmë Shqipëria nuk është më në listat e zeza të trafikimit të pasurisë.
Në zbatim të memorandumit, ministrja bëri të ditur se do të ngrihet një grup ekspertësh nga Ministria e Kulturës dhe Policia e Shtetit që do të bashkëpunojnë me Departamentin Amerikan të Shtetit në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore.
“Ky memorandum do të çojë luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore në një stad tjetër dhe do të kompletojë kuadrin ligjor”, tha Margariti.
Ajo vlerësoi se bashkëpunimi me SHBA është një tregues për rezultateve në këtë lufte. / atsh / KultPlus.com
Kosova i ka ofruar mundësinë Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.
Ky propozim, në emër të Qeverisë së Kosovës, është dhënë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, i cili në Pentagon zhvilloi takim me nënsekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl.
Sipas një njoftimi për media, ministri Mehaj ka thënë se krijimi i një baze të tillë do t’i kontribuonte “shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”.
Kampi Bondsteel në Ferizaj është kampi më i madh ushtarak që SHBA-ja ka në Kosovë.
Ndërkaq, nënsekretari Kahl, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike, “duke theksuar se vizioni i presidentit amerikan, Joe Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare”.
Po ashtu, Mehaj dhe Kahl kanë biseduar edhe për punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, teksa nënsekretari Kahl ka premtuar se përkrahja e shtetit të tij për FSK-në do të jetë e vazhdueshme.
Të dy e kanë vlerësuar lart partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt dhe pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen e forcave të NATO-s “Defender- Europe’21”.
Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, dërgoi në mars në Kuvajt një kontingjent të FSK-së, që është misioni i parë jashtë vendit i kësaj force./ KultPlus.com
Dita e Shkopit të Bardhë nëpër botë shënohet më 15 tetor, ndërkaq ka për qëllim vetëdijësimin për vështirësitë me të cilat përballen personat e verbër dhe ata me shikim të dobët, shkruan KultPlus.
Pikërisht në këtë datë të vitit 1964 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi një rezolutë të përbashkët, e cila e përcaktoj shënimin e kësaj dite dhe identifikimin e shkopit të bardh si mjet ndihmës për personat që kanë probleme me syrin.
Shkopi i bardhë tanimë është kthyer në symbol të lirisë, pavarësisë dhe besimit. Ajo mundëson lëvizjen e lirshëm në mjedise të hapura të personave të cilët kanë nevojë për të. Ndërkaq historia e përdorimit të saj daton që nga viti 1921, atëherë kur fotografi anglez James Biggs verbohet pas një aksidenti. Për shkak të trafikut të madh përreth shtëpisë së tij, Biggs filloj ta përdor atë, pikërisht me ngjyrë të bardhë në mënyrë që të dallohet me lehtë nga të tjerët.
Personat e verbër nuk mund të shohin asgjë, ndërkaq ata me shikim të dobët mund të kenë probleme për të parë dritën, ngjyrën ose ndonjë formë. / KultPlus.com
Mbushen sot plot 30 vjet nga hapja e ambasadës amerikane në Tiranë. Historiani Kastriot Dervishi, sjell fotografi dhe të dhëna interesante rreth datës 1 tetor 1991, kur Chris Hill, ambasadori I parë I SHBA në Tiranë, shfaqet në ngritjen e flamurit amerikan në Ambasadë.
Chris Hill, zyrtarisht paraqiti letrat kredenciale në 21 dhjetor 1991, por ambasada u hap në 1 tetor.
Në fotot e sjella nga Kastriot Dervishi, shihet një grua që ngre flamurin amerikan. Ka edhe ajo historinë e vet. Quhet Andromaqi Adami, bashkëshortja e Loni Adamit. Ky i fundit, vdiq në hetuesi I keqtrajtuar nga komunistët në 30 qershor 1947. Andromaqi, e kujtonte fare mirë vendin se ku ishte ulur për herë të fundit flamuri amerikan në 14 nëntorin e vitit 1946, madje për këtë, familja Adam ka edhe foto. Ndaj kur u hap ambasada, Hill shikonte i përmalluar zonjën Adam, teksa kjo e fundit ngrinte flamurin amerikan në të njëjtin vend.
Misioni diplomatik amerikan i kryesuar nga Hendersoni së bashku me 9 diplomatë të tjerë ishte larguar mes peripecish nga Durrësi më 14.11.1946. Jo vetëm i trajtuar keq, por gjatë kësaj ikjeje i etiketuar me shpifje, përbuzje e fyerje që nuk i meritonte i kurrë.
Pasi Shqipëria pranoi pluralizmin politik dhe zgjedhjet parlamentare ishin në prag, më 15.3.1991 u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të dokumentit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Muhamet Kapllani dhe ndihmëssekretari i shtetit Raymond G.H. Seitz (sekretari i shtetit ndodhej në një turne jashtë vendit).
Grupi i parë diplomatik amerikan që erdhi në Tiranë për të hapur ambasadën (e cila këtë kohë shërbente si seli e shtetit italian), ishte delegacioni i kryesuar nga David Sëartz (i cili qëndroi rreth një muaj), që mbërriti disa ditë përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991, në përbërje të të cilin ishin edhe diplomatët Richard Muller e Susan Sutton dhe Frank Shkreli nga “Zëri i Amerikës”. Më 24.4.1991 mbërritën në Shqipëri Ëilliam Ryerson dhe Chris Hill. Ryerson qëndroi në Tiranë deri në korrik 1991. Misionin amerikan deri në emërimin e ambasadorit e drejtoi Chris Hill. Presidenti Bush e dekretoi ambasador Ryersonin më 28.10.1991.
Ai filloi punë zyrtarisht më 2.12.1991, por më 21.12.1991 i paraqiti letërkredencialet presidentit të Shqipërisë. Chris Hill organizoi edhe ceremoninë e hapjes zyrtare së ambasadës amerikanë në Tiranë më 1.10.1991. Gruaja e Loni Adamit (vdekur në hetuesi i keqtrajtuar nga komunistët më 30.6.1947), zonja Andromaqi, i tregoi të ngarkuarit me punë vendin ku ishte vendosur flamuri amerikan, i ulur në 14 nëntorin e vitit 1946 (fotot janë ruajtur nga familja Adam). Hill shihte i përmalluar ngritjen e flamurit nga zonja Adam. Një epokë e re nisi në marrëdhëniet midis dy vendeve, pas një dimri të egër komunist.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i madh i kombit dhe shtetit shqiptar. Mbeten arritje të mëdha të shekullit të kaluar mbrojtja e vendit nga copëtimi në vitin 1920 prej presidentit Wilson dhe lufta e Kosovës në vitin 1999. Urojmë që interesi amerikan ndaj Shqipërisë të mos zbehet kurrë. /Nga Kastriot Dervishi / KultPlus.com
Takimi që do të mbahet këtë javë, në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pas situatës së krijuar në veri të vendit, ka ngritur edhe një çështje tjetër diskutimi, nëse zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit amerikan, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në këtë takim
Kjo, meqë dje nga Ambasada e SHBA’së në Prishtinë është konfirmuar që ai do të marrë pjesë në diskutime, derisa nga Brukseli kanë thënë se në diskutime janë vetëm tri palë (Kosova, Serbia dhe BE-ja), dhe se të tjerët e mbështesin dialogun vetëm nga jashtë.
Gazeta Express i është drejtuar përsëri Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, për t’i pyetur rreth modaliteteve të pjesëmarrjes së zv.ndihmësit të Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, në diskutimet që do të zhvillohen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Një zëdhënës i kësaj ambasade, në një përgjigje të shkruar për Gazetën Express, ka ripërsëritur se Escobar do të udhetojë drejt Brukselit dhe se mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si palë e interesuar në këto diskutime dhe partnere e Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dy palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime. Përderisa udhëhiqet nga palët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si palë e interesuar në këto diskutime dhe si partnere e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet gjithashtu në përgjigje.
Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, i pyetur nga Gazeta Express rreth pjesëmarrjes së Gabriel Escobar në disktuimet që pritet të mbahen në Bruksel, ka thënë se në dialog janë vetëm tri palë, Kosova, Serbia dhe BE-ja, derisa ka thënë se të tjerët vetëm e mbështesin dialogun nga jashtë.
“Jo, z.Escobar nuk do të jetë prezent në dialog. Dialogu ka 3 pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë dhe BE’në). Të gjithë të tjerët vetëm e mbështesin atë (dialogun) nga jashtë”, ka thënë Stano.
Ndërkohë dje nga Ambasada e SHBA’së është konfirmuar që Gabriel Escobar do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në diskutimet mes Kosovës dhe Serbisë./KultPlus.com
Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, ka konfirmuar se gjatë kesaj jave do të ketë takim në Bruksel në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, takim në të cilin do të marrë pjesë edhe zv.ndihmësi i sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar.
Ky takim në Bruksel vjen pas situatës së krijuar në veri të Republikës së Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit të targave.
“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka thënë ky zëdhënës i Ambasadës së SHBA në Prishtinë për Gazetën Express./KultPlus.com