Prej ditësh kanë nisur përgatitjet për edicionin e 12-të të Festivalit Vjetor Shqiptar në Waterbury, CT (Albanian Festival in Waterbury, CT) i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër.
Ky aktivitet i përvitshëm do të mbledh bashkë nën ritmet e muzikës tradicionale shqiptare bashkatdhetarë të shumtë. Gjithashtu prej ditësh ka nisur përgatitjet për gatime tradicionale shqiptare, që nuk do të mungojnë gjatë ditëve të festivalit.
Organizatorët kanë njoftuar se në këtë edicion do të ketë edhe një performancë nga grupi i valltarëve ditën e shtunë në orën 17:00.
Gjatë këtyre viteve kanë qene pjesë e këtij manifestimi kulturor shqiptar më shumë se 5 mijë pjesëmarrës.
Siç kanë njoftuar edhe më herë organizatorët, eventi do të organizohet në përputhje me rregullat anti-covid.
Eventi i përvitshëm përfshin aktivitete kulturore, muzikë dhe kuzhinë shqiptare. Përmes këtij aktiviteti, komuniteti shqiptar prezanton kulturën, muzikën, traditat dhe ushqimet e autentike shqiptare në komunitetin amerikan të Greater Waterbury, SHBA. / KultPlus.com
Shtëpia e Bardhë njoftoi se udhëtarët e vaksinuar nga 26 vendet e zonës Shengen, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, do të lejoheshin të hynin në tokën amerikane në fillim të muajit Nëntor. SHBA do të lejojë hyrjen për ata shtetas evropiane që janë vaksinuar me një nga vaksinat të cilat janë miratuar nga agjencia federale amerikane e Ushqimit dhe Barnave të cilat janë Moderna, Pfizer dhe Janssen e kompanisë “Johnson & Johnson”.
Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar të tre këto vaksina, si dhe vaksinën Astra Zeneca.
Kjo është arsyeja pse shumë udhëtarë shqetësohen se vaksina Astra Zeneca, me të cilën shumica e britanikëve dhe 70 milionë shtetas të BE’së janë vaksinuar, mund të mos pranohet për udhëtime në SHBA kur të hiqet ndalimi i udhëtimeve.
Pavarësisht kësaj, burime jo zyrtare nga FDA u kanë konfirmuar mediave amerikane se person i vaksinuar do të konsiderohet çdo person që është vaksinuar plotësisht me një vaksinë të miratuar nga FDA ose Organizata Botërore e Shëndetit. Nese kjo ndodh lista e vaksinave shtohet edhe me vaksinat kineze Sinopharm dhe Sinovac.
Komisioni i BE’së dhe organizatat ndërkombëtare të udhëtimit prej muajsh kanë bërë thirrje për heqjen e ndalimit të hyrjes për në SHBA, masë që është në fuqi për rreth një vit e gjysmë. Brenda BE-së, Portugalia tani është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit. Rreth 84% e popullsisë prej 10.3 milionë banorëve në këtë vend tani është plotësisht e vaksinuar.
Qëllimi i Portugalisë për të vaksinuar me dy doza 85% të popullsisë së saj tani është i arritshëm dhe vendi pritet të lehtësojë disa nga masat e vendosura për të frenuar përhapjen e sëmundjes. / KultPlus.com
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen dhe t’i ulin tensionet menjëherë.
Në një reagim në Twitter, Ambasada amerikane deklaroi se i bashkohet thirrjes që Bashkimi Evropian ia bëri Kosovës dhe Serbisë, pas tollovisë së krijuar në pikat kufitare si pasojë e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targa.
“Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian në thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i ulin tensionet –menjëherë, pa vonesë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
We join the European Union in calling on Kosovo and Serbia to exercise restraint, refrain from further unilateral actions, and reduce tensions–immediately, without delay.
Më herët, zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët dhe se dialogu duhet shfrytëzuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.
“Jemi duke e vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj se liria e lëvizjës është kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe t’i ulin tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, ka deklaruar Stano.
Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.
Shumë automjete janë ndalur në pikët kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërsa Policia e Kosovës nuk e ka lejuar asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.
Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ndërkaq një pjesë e veturave që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.
Mëngjesin e sotëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosvës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës kanë shkuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës. /KultPlus.com
660,000 flamuj të bardhë në nderim të 660 mijë viktimave që humbën jetën në SHBA për shkak të COVID-19 u vendosën para Qendrës Kombëtare në Uashington.
Ekspozita e titulluar, “Në Amerikë, mbaje mend” synon të rrisë ndërgjegjësimin për pasojat që po shkakton pandemia e cila ende vret mesatarisht rreth 2,000 qytetarë çdo ditë.
Ndërkohë që Londra ka lehtësuar masat e kufizimeve anti-Covid për udhëtarët.
Nga 4 tetori, personat e vaksinuar nuk do të kenë më nevojë të testohen para se të nisen për në Angli, me kusht që ata të mos vijnë nga vendet të përfshira në listën e kuqe.
Më shumë se dhjetë mijë të rinj midis moshës 12 dhe 15 vjeç u vaksinuan të premten. Mijëra të tjerë priteshin gjatë fundjavës në qendrat e vaksinimit dhe zyrat e mjekëve. / KultPlus.com
Shtetet e Bashkuara thonë se po analizojnë njoftimin e talebanëve për një qeveri të përkohshme në Afganistan dhe se “e kanë bërë të qartë qëndrimin se populli afgan meriton një qeveri gjithëpërfshirëse.”
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga Talebanët që të respektojnë angazhimin për të lejuar largimin e sigurt për shtetasit e huaj dhe afganët me dokumente udhëtimi, përfshirë lejimin e fluturimeve për avionët që janë gati shkojnë jashtë Afganistanit në destinacionet e mëtejshme për të cilat është rënë dakord,” i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“Ne gjithashtu përsërisim se presim që talebanët të japin siguri që territori afgan të mos përdoret për të kërcënuar ndonjë vend tjetër dhe të lejojë qasje humanitare në mbështetje të popullit afgan. Bota po e ndjek me vëmendje situatën”, tha zëdhënësi.
Talibanët shpallën të martën një qeveri islamike të përkohshme, duke thënë se ajo do të drejtohet nga Mullah Hasan Akhundi, një bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të lëvizjes islamike, Mullah Omar.
Njoftimi erdhi një ditë pasi talebanët deklaruan se kishin pushtuar provincën veriore të Panjshirit, duke i dhënë fund bazës së vetme të rezistencës së armatosur ndaj sundimit të tyre në vendin e shkatërruar nga konflikti.
Zëdhënësi kryesor i talebanëve Zabihullah Mujahid tha në një konferencë shtypi në Kabul se të gjitha emërimet ishin në detyrë dhe se krerët e ministrive të tjera do të emërohen së shpejti.
Akhund, që besohet të jetë në të 60-at, vjen nga provinca jugore afgane e Kandaharit, ku është themeluar lëvizja Talebane. Ai kishte udhëhequr këshillin drejtues të grupit, i cili kishte urdhëruar sulme kryengritëse kundër Shteteve të Bashkuara dhe forcave aleate gjatë gati 20 viteve të luftës.
Mulla Abdul Ghani Baradar, kreu i zyrës politike të grupit, do të shërbejë si zëvendëskryeministër në qeverinë e përkohshme. Sirajuddin Haqqani do të jetë ministër i brendshëm.
Amir Khan Muttaqi do të jetë ministër i jashtëm dhe Mohammad Yaqoob, i biri i Omarit, do të jetë ministri në detyrë i mbrojtjes, shtoi zëdhënësi Mujahid.
Haqqani është kreu i rrjetit Haqqani, i përfshirë nga Shtetet e Bashkuara në listën e organizatave terroriste globale.
Uashingtoni ka ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacionin që ndihmon për arrestimin e Haqkanit nën akuzat për drejtimin e sulmeve vdekjeprurëse kundër forcave amerikane dhe aleate në Afganistan. SHBA e denoncon rrjetin Haqqani si “grupi kryengritës më vdekjeprurës dhe më i sofistikuar”.
Shefi i talebanëve Hibatullah Akhundzada do të jetë udhëheqësi suprem i përgjithshëm i qeverisë, ose “Emiratit Islamik të Afganistanit,” tha Ahmadullah Wasiq, ministri në detyrë i informacionit, ndërsa fliste me gazetarët pas konferencës për shtyp të së martës.
Grupi radikal rimori pushtetin në Kabul muajin e kaluar pasi pushtoi pjesën tjetër të vendit në një javë përparimi të shpejtë në fushën e betejës ndërsa trupat amerikane dhe aleate tërhiqeshin nga vendi. Mungesa e mbështetjes vendimtare ushtarake të huaj çoi në kolapsin e forcave të qeverisë afgane.
Talebanët që atëherë kanë siguruar afganët dhe vendet e huaja se do të vendosin një “qeveri gjithëpërfshirëse” në vend dhe nuk do të rikthejnë sundimin e tyre të ashpër islamik të viteve 1990, të shoqëruar nga një sistem brutal i drejtësisë dhe ndalimi i grave dhe vajzave nga jeta publike. Deri tani, të gjithë personat e emëruar në kabinetin kujdestar janë anëtarë talebanë.
Presidenti amerikan Joe Biden, kur u pyet të hënën nëse administrata e tij do të njihte talebanët, tha: “Jo. Është një rrugë e gjatë.”
Të martën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki përsëriti se nuk kishte nxitim për njohje.
“Do të varet nga hapat që ndërmarrin talebanët. Të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të shikojnë nëse do të lejohen qytetarët amerikanë dhe qytetarët e vendeve të tjera të largohen, nëse lejojnë individët që duan të largohen nga vendi të largohen, si i trajtojnë gratë dhe vajzat në të gjithë vendin. “
SHBA dhe komuniteti global në përgjithësi u kanë kërkuar talebanëve të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ndërpresin lidhjet me terroristët e Al-Kaidës dhe të përfshijnë në përfaqësim të gjitha etnitë afgane nëse duan të mbeten pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.
Kombet e Bashkuara theksuan të martën, ndërsa reaguan ndaj njoftimit të talebanëve, se vetëm një zgjidhje e negociuar dhe gjithëpërfshirëse do të sjellë paqe të qëndrueshme në Afganistan.
“OKB -ja mbetet e angazhuar për të kontribuar në një zgjidhje paqësore; mbështetja e të drejtave të njeriut të të gjithë afganëve, veçanërisht grave dhe vajzave; nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm; dhe sigurimi i ndihmës humanitare jetike dhe mbështetja kritike për civilët në nevojë”, tha zëdhënësi i OKB -së Farhan Haq në konferencën e përditshme të shtypit në Nju Jork.
Michael Kugelman, zëvendës drejtor i programit të Azisë në Qendrën Wilson, vuri në dukje se në të gjitha pozicionet kryesore janë emëruar udhëheqësit talebanë. “Nuk është aspak gjithëpërfshirëse dhe kjo nuk është për t’u habitur. Talebanët nuk kishin lënë kurrë të kuptohej se mes ministrave të kabinetit të tij do të përfshiheshin elementë të tjerë përveçse nga lëvizja e tyre,” shkruante Kugelman në Twitter.
Të paktën 10 persona në kabinetin 33-anëtarësh Talebanë të shpallur të martën ishin pjesë e ekipit të grupit që negocioi marrëveshjen e paqes të shkurtit 2020 me SHBA-në, që i hapi rrugën tërheqjes së të gjitha forcave të huaja nga gati 20 vjet luftë në Afganistan. Tërheqja ushtarake përfundoi më 31 gusht, në përputhje me direktivat e presidentit Biden. / KultPlus.com
Gezim Gashi do të publikoj librin e tij debutues më 29 nëntor të këtij viti, me ç’rast libri i titulluar ”Unlocked: the power of you”, do të jetë i disponueshëm në Amazon në mbarë botën si dhe në libraritë në ShBA, përfshirë këtu edhe bibliotekën prestigjioze ‘New York Library’, shkruan KultPlus.
”Unlocked: the power of you” është një libër që përfshihet në kategorinë ‘self-help books’ dhe ka të bëjë me mënyrën se si të plotësoni 12 hapa për gjetjen e çelësit për veten tuaj të vërtetë dhe se si të nxjerrim potencialin e juaj më të madh.
Libri ende nuk ka një datë të planifikuar për botim në Kosovë, por është menduar gjatë vitit 2022. Po ashtu, Gezimi pritet të zhvillojë një turne nëpër botë, e njëra ndër ndalesat e tij patjetër që do të jetë Prishtina.
Teksa autori ndante historinë e tij të jashtëzakonshme duke filluar nga ikja e gjenocidit në Kosovë e deri tek të folurit në Universitetin e Harvardit si shqiptari-suedez i parë që krijoi një institut arti dhe argëtimi në Los Anxhelos, e po ashtu si një mentor global i muzikës dhe këshilltar i menaxhimit, Gezim Gashi harton rrugën drejt suksesit dhe përmbushjes personale.
Historia e Gezimit dëshmon se zhbllokimi i vetes sonë autentike nxjerr potencialin tonë më të madh në një botë pa kufij, e sidomos tani pas pandemisë. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin social facebook ka bërë të ditur se Kosova ka pranuar gjithsej 503 mijë vaksina të dhuruara nga SHBA-të, e të cilat kanë arritur sot, përcjellë KultPlus.
“Nuk ka asnjë arsye për mos vaksinim! Të rinj, pleq, mësues, shtatzëna, gra e burra, vaksinimi shpëton jetë! Vaksinohu edhe TI të shpëtosh veten, më të dashurit e tu, ekonominë dhe të ardhmen tonë!”, shkruan Osmani.
KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:
503 mijë vaksinat e dhuruara nga SHBA-të e të cilat arritën sot në vendin tonë janë 503 mijë shanse shtesë për të mbrojtur e shpëtuar jetë nga virusi. Nuk ka asnjë arsye për mos vaksinim! Të rinj, pleq, mësues, shtatzëna, gra e burra, vaksinimi shpëton jetë! Vaksinohu edhe TI të shpëtosh veten, më të dashurit e tu, ekonominë dhe të ardhmen tonë! Faleminderit Presidentit Biden dhe popullit amerikan që na u gjindën sërish pranë, ashtu sikurse gjithherë. / KultPlus.com
Kjo është një fotografi që gjendet në arkivat e Bibliotekës së Kongresit Amerikan e cila tregon për gatishmërinë e shqiptarëve, në atë kohë emigrant të rinj në SHBA, për ti ardhur në ndihmë vendlindjes.
Sipas skedës shoqëruese fotografia mendohet të jetë realizuar në Shqipëri midis viteve 1915 -1920. Në të janë përjetësuar një grup i madh shqiptaro-amerikanësh të cilët janë vullnetar të Kryqit të Kuq dhe kanë ardhur të ndihmojnë në Shqipëri.
Shqipëria e fillim shekullit të XX ishte në një emergjencë shëndetësore. Shkëputja nga Perandoria Osmane, qeveria e brishtë e sapoformuar e Ismail Qemalit, dhe nisja e Luftës së Parë Botërore ishin ngjarje zinxhir të cilat ndikuan në jetën e shqiptareve,
Dokumentet e kohës tregojnë për praninë e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe që në vitet 1914 në Shqipëri. Gjatë luftës së parë botërore 1914-1918 janë vitet kur u shfaqen në vend edhe organizmat e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të ushtrive ndërluftuese.
Ishte viti 1919 kur nisi veprimtarinë e tij humanitare në Shqipëri një mision i Kryqit të Kuq Amerikan, kryesisht në fushën e shëndetit, atë sociale dhe të arsimit. Dega e Kryqit të Kuq Shqiptar u themelua më 4 tetor 1921, por vetëm në vitin 1923 u njoh zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një takim virtual me nën sekretaren e shtetit amerikan për Çështje Politike, Victoria Nuland, si dhe zv. sekretaren e shtetit, Wendy R. Sherman, lidhur me çështjen e strehimit të afganëve në Kosovë.
Një gjë të tillë e ka bërë me dije zyra e kryeministrit me anë të një komunikate dërguar medieve, teksa ka bërë të ditur se shpenzimet për të strehuarit do t’i mbulojë SHBA’ja.
“Ata shprehën vlerësimin e tyre të thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sherman potencoi se të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Në mbledhjen 26-të, Qeveria ka miratuar kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme të personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Ende nuk dihet numri i saktë i afganëve që do të strehohen në Kosovë, ndonëse ekspertë të fushës së sigurisë kanë vlerësuar se shteti mund t’iu bëjë vend rreth 3,500 personave.
Dy vendet të cilat janë përfolur për strehimin e personave që vijnë nga Afganistani është Parku Inovativ në Prizren, si dhe kampi i KFOR-it francez në Vushtrri. / Gazeta Express / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.
Përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t`u dalë në ndihmë të strehuarve.
Presidentja Osmani nga ana tjetër ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.
“Ne jemi të hapur për t`i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik- SHBA-në ”, ka theksuar Presidentja Osmani. / KultPlus.com
Memorandum i “Shoqërisë Çamëria” në SHBA drejtuar Konferencës së Paqes në vitin 1919 ku kërkohej bashkimi me Shqipërinë, është një dokument i publikuar nga Hasan Bello, doktor i shkencave në histori.
Pjesë e emigracionit shqiptar në SHBA në dekadat e para të shek.XX ishin dhe shqiptarët e Çamërisë. Për shkak të represionit që shteti grek ushtronte mbi këtë popullsi që në vitet e Luftërave Ballkanike 1912-1913, një pjesë e tyre ishte detyruar të merrte rrugët e mërgimit. Por aspak indiferentë ndaj çështjes kombëtare, shqiptarët e kësaj krahine filluan të organizoheshin.
Një nga këto ishte dhe “Shoqëria Çamëria” e krijuar në qytetin Worcester, në shtetin e Massachusetts të SHBA-ve. Pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin njëkohesisht pjesë e Partisë Kombëtare Shqiptare e krijuar në SHBA nga Kristo Dako dhe personalitete të tjera.
Më 22 janar 1919 “Shoqëria Çamëria” i drejtoi kryeministrit të Francës dhe njëkohësisht Presidentit të Konferencës së Paqes në Paris, Georges Clemenceau një memorandum, ku kërkohej korrigjimi i vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës së vitit 1913 dhe bashkimi i Çamërisë me Shqipërinë.
“Shkëlqesi
Të nënshkruarit, përfaqësues të shqiptarëve të rrethit të Janinës, duke përfshirë Prevezën, Filatin, Igumenicën, Paramithinë dhe Margëlliçin, me organizatën e tyre “Shoqëria Çamëria” dhe që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i luten Shkëlqesisë s`uaj të hidhet poshtë vendimi i Konferencës së Londrës, që preu këto vende shqiptare nga trupi i mëmëdheut tonë të dashur dhe ia dha Greqisë, nga e cila kemi pësuar persekutime të papërshkrueshëm.
Në emër të parimit të kombësive, për të cilën kaq gjak po derdhet dhe për hir të paqes në të ardhmen në Ballkan, lusim Shkëlqesinë t`uaj të përdorni influencën t`uaj, për t`ia kthyer këto vende mëmëdheut tonë Shqipëri të cilës i përkasin si nga pikëpamja etnografike, e ndjenjave, e gjeografisë, si dhe historisë.
Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ka falënderuar shtetet që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e mijëra afganëve.
Albright përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter ka përmendur edhe Kosovën në mesin e shteteve që trëguan gatishmëri për të ndihmuar në strehimin e afganëve.
“Ne duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin këtë shembull”, ka shkruar Albright.
We must focus on saving lives in Afghanistan. As the US works to evacuate those at special risk from the Taliban, I am grateful to Albania, Canada, Kosovo and North Macedonia for offering refuge to Afghan allies, esp women & civil society leaders. I hope & expect others to follow
Albright falenderon Kosovën që u tregua e gatshme t’i pranojë afganët
Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ka falënderuar shtetet që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e mijëra afganëve.
Albright përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter ka përmendur edhe Kosovën në mesin e shteteve që trëguan gatishmëri për të ndihmuar në strehimin e afganëve.
“Ne duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin këtë shembull”, ka shkruar Albright.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka folur për kërkesën e ShBA-së për strehimin e përkohshëm të afganëve, duke theksuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kossnet. Ajo tha se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin, për siç e quan – operacion humanitar.
Osmani thotë se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani.
Tutje, Osmani thotë se Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, “ka formuar grupin punues që merret me cështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë”.
Ajo shprehet se askush më mirë sesa Kosova nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur. / KultPlus.com
Artisti shqiptar Edon Molla, jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij në Nju-Jork të ShBA-ve. Molla është një kantautor i suksesshëm, i cili ka krijuar kolona zanore edhe për filma të nominuar në çmimet Oscar.
Së fundmi ai është pjesë e filmit “The hurt we share” me muzikën e tij. Ka qenë vetë artisti që ka bërë të ditur lajmin.
“Shumë i lumtur që kam qenë pjesë e këtij filmi. “The hurt we share” dhe Vega. Gjithmonë kam ëndërruar të kem emrin tim në një billboard, faleminderit që më ndihmuat tia dal. Kjo është një fotografi e shkrepur nga @rinaa.ko! Faleminderit që kapët këtë moment për mua”, shkruan Edoni.
Edon Xhavit Molla (lindur më 8 Mars, 1994) është një këngëtar, kompozitor, producent regjistrimesh, kitarist dhe pianist shqiptaro-amerikan. Kënga e tij e parë “Lotët” (Tears) u publikua më 6 janar 2019, së bashku me videoklipin e tij të parë muzikor. Përpara muzikës, Edon ishte një basketbollist. Ai ishte i ftuar të luante për ekipin kombëtar të basketbollit të Kosovës. Ai luajti basketboll gjatë shkollës së mesme për trajnerin legjendar Bob Hurley në shkollën St. Anthony në Jersey City, New Jersey.
Familja e tij u largua nga Kosova për shkak të persekutimit të shqiptarëve të filluar me shpërbërjen e Jugosllavisë. Familja e tij u zhvendos në Brooklyn, Neë York në 1996 kur Edon ishte dy vjeç. Molla filloi të luante kitarë dhe piano kur ishte 14 vjeç si hobi, por u përqëndrua në basketboll derisa u takua me këngëtaren legjendare Roberta Flack në vitin 2016 dhe ajo i kërkoi atij të rishihte veten e tij mes basketbollit dhe muzikës. Falë trajnimit të këngëtares së njohur, Edoni u tërhoq nga basketbolli për tu fokusuar në muzikë. / KultPlus.com
Whittier është një qytet krejtësisht i qetë në Alaska, SHBA. Veçantia e tij qëndron në faktin se thuajse të gjithë banorët jetojnë në të njëjtën ndërtesë.
Ndërtesa 14-katëshe, e njohur si Kullat Begich i ngjan një hoteli të vjetër, ku banojnë rreth 200 persona. Zyra postare, stacioni i policisë, klinika shëndetësore dhe marketi ndodhen aty. Po ashtu, ka edhe një kishë.
Banorët thonë se dimri është tejet i ashpër dhe erërat janë brutale, ndaj ata janë munduar ta bëjnë jetën e tyre sa më praktike. / Express / KultPlus.com
Kosova do të jetë në mesin e tri shteteve të para që do pranojë nga SHBA’ja kontigjente vaksinash të dhuruara për imunizimin ndaj koronavirusit. Përzgjedhja e shteteve është bërë në bazë të miqësisë dhe prioritetit.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Ambasada e SHBA’së në Gjeorgji nëpërmjet një komunikate, derisa ka thënë se shteti respektiv, Kosova dhe Ukraina do jenë tri shtetet e para që do marrin vaksinat, shkruan Gazeta Express.
“Këtë javë Presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndajë vaksinat COVID-19 me Gjeorgjinë. Gjeorgjia, Ukraina dhe Kosova janë tre vendet e para evropiane që marrin vaksina nga Shtetet e Bashkuara, bazuar në përparësitë dhe partneritetet rajonale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Ndonëse nuk është bërë me dije numri i vaksinave që do dhurohen, presidentja Vjosa Osmani përpara disa ditësh ka bërë me dije se më 19 prill iu është pranuar kërkesa për dhurim dozash të vaksinave.
“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, pati njoftuar Osmani.
Në komunikatë, tutje thuhet se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të përkushtuara për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia në këto vende. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Arta Gashi, artistja shqiptare në New York, në një intervistë flet për veprimtarinë e saj artistike dhe planet e saj në vazhdim. Ajo nëpërmjet punëve të saj artistike, ruan traditat autoktone shqiptare larg vendit të origjinës. Arta është lindur dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka një pasion për pikturën dhe frymëzimi i saj më i madh është kultura shqiptare.
“Ky pasion ka nisur nga familja, nga gjyshërit. Jemi rritur në New York, po jemi shumë të lidhur me traditat dhe kulturën shqiptare. Arti ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Është frymëzim dhe çlirim shpirtëror për tú shprehur. Gjithashtu shkollën dhe studimet i ka mbaruar në fushën e artit”, shprehet Arta Gashi në emisionin “Vizioni i Pasdites”.
E pyetur për letrat e veçanta që ajo krijon, Gashi tregon se ato janë unike dhe ndërkohë që luan, njohësh dhe me kulturën shqiptare: “Letrat që unë krijoi për lojë janë të veçanta dhe të ndara sipas grupmoshave. Gjyshja ime ka qenë tropojane dhe gjithmonë i ka ruajtur traditat, që mi ka përcjell edhe mua, sepse interesi im ishte shumë i lartë për këtë pjesë të kulturës. Këtu në New York ka njerëz nga popuj të ndryshëm, të gjithë festojnë festat e tyre, është një lloj krenarie të ruash traditat e vendit të origjinës. Ekspozita ime e parë është hapur në vitin 2008, bashkë me disa miq amerikanë, ndërsa ekspozita e dytë ishte e realizuar me shumë shqiptarë të tjerë dhe ishte një atmosferë shumë e bukur shqiptare. Unë jam rritur këtu, por e ndjej veten shumë shqiptare.”
Artistja Arta Gashi tregon se ka dhe shumë shqiptarë të tjerë që merren me punimin e veshjeve artizanale dhe punime dore, sepse i pëlqen të kultivojnë traditat e vendlindjes.
“Po punoj të krijoi një ekspozitë me miqtë e mi shqiptaro-amerikanë, sepse është dhe një mundësi e mirë për t’u bërë bashkë”, tregon Gashi. / KultPlus.com
Akreoma do të thotë perëndia e Diellit, e duket se shkëlqimi i saj është “vulosur” që në lindje. Balerina shqiptare Akreoma Saliu tashmë po shkëlqen në skenat botërore teksa prej pak vitesh është vendosur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ka studiuar për balet klasik në Shqipëri, por e ka gjetur veten dhe të shprehurin e ndjenjave më së miri në dancin kontemporan. Pikërisht për shkak të pasionit për këtë të fundit dhe talentin të rrallë, për të cilin është ushtruar që në moshën 5-vjeçare, balerina e njohur vendosi të zhvendoset në qytetin e mundësive të mëdha.
Në këtë intervistë për “Diaspora Shqiptare“, Akreoma rrëfen edhe projektin e radhës i cili është një film, teksa rrëfen se në pasionin e saj për artin bën pjesë dhe fotomodelingu.
Të lësh vendlindjen, skenën dhe publikun tënd është një vendim i vështirë. Shqipëria është vendi ku ti u formove dhe u rrite artistikisht. Skena e parë që u ngjite, shfaqja e parë që vure vete në skenë. Përse vendose të rifillosh në Amerikë?
Vendosa të rifilloj në Amerikë për mundësi më të mira, sepse pashë që ky vend mund të më japë më shumë sesa vendi im. Dhe tashmë jam tepër e lumtur që e mora atë vendim.
Vështirësia e fillimit është në çdo profesion. Për ty cila ka qene sfida më e madhe (deri tani) në SHBA?
Vështirësia më e madhe ka qenë periudha e fillimit të pandemisë, mbylljet e shkollave e teatrove këtu.
Aty ky njerëzit kanë pasur pikën më të dobët dhe vështirësitë më të mëdha pra të komunikimi, për ty besoj do të ketë qenë më e lehtë. Pasi komunikimi me gjuhën e trupit është universal?
Unë nuk komunikoj vetëm me gjuhën e trupit këtu. Unë jam gjithashtu mësuese baleti, që do të thotë që çdo gjë që e komunikoj me trupin tim, ja shpjegoj me fjalë studentëve. Të jesh balerinë për mua nuk komunikon vetëm me gjuhën e trupit. Ti quhesh artist, ti edukon një publik të tërë që vjen e të mbështet, ti duhet patjetër të jesh i kompletuar.
Bota e artit është në një konkurrence të vështirë dhe të përhershme me kërkesa shumë të larta. Si ja doli një vajzë nga Shqipëria (me bazat e një shkolle lindore, pasi baleti në Shqipëri i përket shkollës lindore) të përshtatet dhe të shkëlqeje në botën perëndimore të artit. Ishte ndihmë apo pengesë shkolla lindore?
Patjetër që bazat që kam marrë në Shqipëri kanë qenë ndihmesë shumë e fortë për mua, sepse ne marrim baza të forta klasike nga shkolla ruse, e unë vërej që këtu kam bërë dallim nga të tjerët fatmirësisht.
Prej disa vitesh tashmë jeni larguar drejt SHBA-së. A ka të bëjë kjo zgjedhje me profesionin tuaj, duke qenë se baleti kontemporan nuk të ofron shumë mundësi në Shqipëri?
Po, kjo zgjedhje ka të bëjë me profesionin. Në New York më janë ofruar më shumë mundësi.
Krahas baletit kemi parë shumë foto tuajat që na lënë pa fjalë, ku keni bashkëpunuar me të madhin Fadil Berisha dhe fotografin e njohur Ilir Rizaj. Sa vend zë në pasionet e tua bota e fotografisë dhe modelingut?
Po mundohem ti bëj paralel baletin dhe fushën e modeling. Afrohem në gjithçka që ka lidhje me artin.1 nga 5
Cili është projekti i radhës i Akreomës dhe a përfshihet Shqipëria?
Projekti i radhës : do të marr pjesë së shpejti në një film këtu në New York. Në fakt, gjithmonë i mbaj lidhjet me Shqipërinë se është vendi im dhe gjithmone e them me krenari. Para 2 muajsh ne organizuam një koncert për pavarësinë e Kosovës, dhe ndonëse ishte kohë pandemie globale ne u mblodhem dhe servirem një koncert me vlera për vendin tonë.
Le të flasim pak për jetën tuaj. Na bën përshtypje emri i veçantë, Akreoma. Çfarë domethënie ka dhe kush ua ka vendosur këtë emër?
Akreoma vjen nga greqishtja e lashe dhe do të thotë perëndia e diellit. Personi më i rëndësishëm në jetën time, BABI, ka menduar të më vendosë këtë emër kaq të veçantë. Cila është e përditshmja juaj në një vend të madh e të zhurmshëm si New York? Unë e dua shumë New York. Jam mësuar tashmë këtu, jam mësuar me zhurmën, vështirësitë, kaosin, bukurinë e sakrificat që New York më ofron. Mundohem shumë të merrem me aktivitet fizik jashtë shtëpisë në ajër të pastër, punoj për planet e mia të ardhshme gjithashtu. Ditet e javës janë tepër të ngarkura në New York, ndonjëherë them që nuk më mjaftojnë 24 orë.1 nga 5
A keni krijuar kontakte me shqiptarë të tjerë dhe sa i mbani lidhjet me Shqipërinë. Patjetër që kam krijuar kontakte dhe me shqiptarë të tjerë, përfshirë këtu artistë shqiptarë.
Cili është mesazhi juaj për rininë shqiptare? Mesazhi për rininë shqiptare: Është shumë e rëndësishme të ndjekim pasionin, ëndrrat tona, edhe të punojmë fortë për to! Puna gjithmonë shpërblehet. Shqiptarët në fakt, gjjthmonë bëjnë diferencë në çdo vend të botës, sepse janë shumë punëtorë./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Shqiptarët ishin populli evropian që iu drejtuan të fundit Amerikës, për shkak të traditës së vjetër për të emigruar në vendet evropiane.
Shqiptari i parë që shkeli në Amerikë është një qytetar i paidentifikuar nga qyteti i Korçës i cili arriti në SHBA në vitin 1876. Pas tij në nëntor të vitit 1877 shkoi në Amerikë prifti shqiptar Prend Doçi.
Shtetasi i parë shqiptar që u vendos në Amerikë shërbeu si bërthamë magnetike për emigrantët e tjerë shqiptarë. Ishte Kolë Kristofori nga fshati Katund i Korçës që arriti në Amerikë më 1884-ën. Pas gjashtë vitesh Kolë Kristofori u kthye ne fshatin e lindjes. Por më 1892, ai u rikthye në Amerikë së bashku me 17 bashkëfshatarë të tij, të cilët formuan bërthamën e Diasporës shqiptare në SHBA. Më 1900 shumë shqiptarë të tjerë iu drejtuan Amerikës.
Numri i shqiptarëve të regjistruar si të tillë figuron të jetë 4105 për periudhën 1900-1932. Shifrat reale janë edhe më të larta, por për shkak të regjistrimit si shtetas të perandorisë osmane ose grekë është vështirë të bëhet një numërim i saktë i shqiptarëve të emigruar në ato vite në SHBA. Ndër këta shqiptarë përmendim mbiemra si: Mortati, Braçe, Luarasi, Peci, Konica, Noli, Millone, Flloqi, Kirkoa, Cikozi, Dishnica, Idrizi, Ymeri, Kamburi, Pandele etj..
Kategoritë e emigrantëve
Emigrantët e parë shqiptarë në SHBA mund të ndahen në dy kategori: në emigrantë ekonomikë, të cilët largoheshin nga atdheu për të fituar para dhe në emigrantë politikë, të cilët detyroheshin të largoheshin për arsye politike. Lidhur me çështjen se cila kategori e emigrantëve ishte mbizotëruese, ka patur mendime të ndryshme. Disa autorë janë të mendimit se emigrantët ekonomik formonin masën kryesore të emigracionit shqiptar në SHBA. Autorë të tjerë mendojnë të kundërtën.
Vitet 1904-1905
Valët më të fuqishme të emigracionit u përkasin viteve 1904-1905 dhe 1909-1912, vite këto të karakterizuara nga tensione të forta politike të krijuara nga ngjarje që sollën shpalljen e pavarësisë, si dhe vitet 1913-1914, veçanërisht vera e vitit 1914 kur Shqipëria e jugut u pushtua prej ushtrisë greke. Në këtë periudhë shqiptarët vijonin të ishin shtetas të Perandorisë Osmane dhe shkonin në Amerikë me pasaporta osmane, prandaj edhe në listat e emigracionit të zyrave amerikane ata figuronin si shtetas osmanë. Një pjesë tjetër regjistroheshin si grekë për shkak të lidhjeve fetare me Patriarkanën e Stambollit dhe prej koncepteve zyrtare të shtetit osman, i cili shqiptarët e besimit ortodoks i konsideronte grekë për nga kombësia. Madje, shumë emigrantë erdhën edhe nga vendet ballkanike, Bullgaria, Rumania, etj, ku kishin emigruar prej kohësh. Si të tillë ata erdhën në Amerikë me dokumente identifikimi jo shqiptare.
Numri i saktë
Si rrjedhojë e të gjithëve këtyre faktorëve, është e vështirë të gjesh numrin e saktë të emigranteve shqiptarë që u vendosën në Amerike në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX. Sipas dokumentacionit zyrtar federal të vitit 1910, në SHBA ndodheshin 625 shqiptare. Gjatë viteve 1911-1914 në ShBA mbërritën 1528 shqiptarë, ndërsa në vitet 1915 deri 1919 numri i tyre bie ndjeshëm në 694 vetë. Në strukturën demografike të Diasporës shqiptare të Amerikës, mbizotëronin burrat, sepse ata, duke dashur të riktheheshin përsëri në atdhe, nuk i merrnin gratë dhe pjesën tjetër të familjes së tyre. Numri i grave shqiptare në SHBA erdhi duke u rritur pas vitit 1920, kur shumë shqiptarë vendosën të qëndrojnë atje si banorë të përhershëm.
Gazeta “Kombi”
Sipas gazetës ‘Kombi’ i pari fëmijë me prindër shqiptarë lindi në janar të 1908-ës në familjen e Kristo Koçit nga Korça. Pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë që vinin në SHBA ishin nga Shqipëria e jugut. Fuqizimi nga ana ekonomike i këtyre emigrantëve nxiti edhe mjaft shqiptarë të tjerë t’i drejtoheshin Amerikës. Pas vitit 1905, interesat tregtare bënë që të hidheshin hapa të rëndësishëm drejt një emigracioni të organizuar të shqiptarëve në SHBA.
Ku u vendosën emigrantët?
Megjithëse ligji amerikan i emigracionit në vitin 1907 ndalonte ardhjen e emigrantëve në SHBA me para të marra borxh, shqiptarët të cilët në të shumtën e rasteve udhëtonin me para të siguruara në këtë mënyrë, mund t’i bënin ballë atij në pjesën më të madhe, duke deklaruar para doganës amerikane se paratë e udhëtimit i kishin siguruar prej prindërve ose të afërmve të tyre që ndodheshin në SHBA. Shqiptarët e parë që erdhën si emigrantë në Amerikë, u vendosën në pjesën më të madhe të tyre në qytetin e madh të Bostonit dhe pikërisht në pjesën jugore dhe perëndimore të qytetit. Pas Bostonit ata u vendosën në qytete apo qyteza të tjera të shtetit Masaçustes. Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë Anglia e re (New England).
Jetesa
Për një periudhë relativisht të shkurtër një pjesë e emigrantëve shqiptarë, sigurisht më të zotët, arritën të zbulonin të fshehtat e funksionimit të ekonomisë së një vendi që ofronte mundësi pa kufi, ata filluan të merreshin edhe me tregti. Sipas gazetës ‘Kombi’ deri në fund të vitit 1907 shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane. Shumë domethënëse, për integrimin e shqiptarëve në SHBA ishin dhe reklamat që publikoheshin në faqet e gazetës ‘Kombi’, të cilat u bënin jehonë biznesmenëve shqiptarë që jetonin në qytete të ndryshme të Amerikës. Shumë interes paraqet edhe mënyra e jetesës së emigrantëve shqiptarë. Të gjithë bashkëfshatarët ose bashkëqytetarët grumbulloheshin si rregull, në të njëjtat qendra banimi. Kjo dukuri lidhet me faktin se një fshatar apo një qytetar shqiptar i ardhur në Amerikë kthehej shumë shpejt në një pikë tërheqëse për bashkëfshatarët apo bashkëqytetarët e tjerë. / Diaspora Shqiptare / KulPlus.com
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Utah të Shteteve të Bashkuara, ku një 47-vjeçare ka mbijetuar 4 muaj në një kanion të humbur, duke ngrënë vetëm bimësinë e rrallë që ndodhej aty, bar dhe myshk, dhe ujin e një përroi.
Gruaja, identiteti i të cilës nuk është bërë ende i ditur, ishte zhdukur 4 muaj më parë, dhe kërkimet kishin filluar që kur autoriteteve i kishte bërë përshtypje automjeti i saj i parkuar për kohë të gjatë në parkun e izoluar, i quajtur Diamond Fork Canyon, që do të mbyllej gjatë sezonit dimëror.
Asnjë denoncim nuk kishte ardhur kështu që misteri i automjetit u harrua, deri në rihapjen e parkut, pak ditë më parë. Gjatë inspektimit të territorit me reliev të vështirë, policia pyjore gjeti një çadër kampingu të vogël me gruan në brendësi, në gjendje të vështirë shëndetësore dhe dukshëm nënpeshë, por jashtë rrezikut për jetën.
Gruaja u transportua në spital ku tregoi për historinë e saj, edhe pse ende në gjendje konfuze. Gruaja i ka rezistuar dimrit të ftohtë të kanioneve dhe ushqimit tejet të kufizuar, edhe pse rrëfeu që disa turistë i kishin lënë në fillim disa ushqime.
Sipas autoriteteve gruaja , që nuk rezulton të ketë një familje që ta kërkojë, mund të mos ketë humbur, por të ketë vendosur të rrijë aty disa kohë dhe më pas të ketë llogaritur keq forcat fizike, duke mos pasur më fuqi për të kërkuar ndihmë./a2/ KultPlus.com
Prej 15 vitesh Ardita Sopi ushtron profesionin e saj si infermiere në Bronx, SHBA. Media amerikane “News12” ka realizuar një intervistë me infermieren shqiptare, e cila në vitin 2020 u nderua nga spitali ku punon më çmimin “Punonjëse e vitit për 2020-ën”.
Ardita Sopi është pjesë e emigrantëve në kohën e luftës së Kosovës dhe ka përjetuar shumë humbje në atë periudhë të vështirë. Tashmë me pandeminë ato ndjenja trishtimi për shumë humbje jete duket sikur i janë rikthyer sërish.
Për tetë vite Sopi ka qenë pjesë e në Spitalin St. Barnabas dhe së fundmi ajo punon si infermiere në Departamentin e Shërbimeve Shëndetësore në këtë spital.
Vitin e kaluar, spitali e nderoi Ardita Sopin si “Punonjësen e vitit për 2020-ën” për punën e saj duke siguruar mbështetje fizike dhe emocionale për stafin – disa prej të cilëve ndërruan jeta nga koronavirusi.
“Unë kam jetuar në një zonë lufte dhe me të vërtetë në ato kushte jeton me frikën nëse do zgjohesh të nesërmen, nëse do shkosh në shkollë dhe për më tepër nëse do kisha mundësi të diplomohesha”, tregon Sopi.
Sopi arriti në Shtetet e Bashkuara në 1999 pasi jetoi për disa muaj në një kamp refugjatësh në Maqedoni. Ajo thotë se nuk fliste anglisht, por kuptoi që Amerika i ofroi asaj një mundësi për të përmbushur ëndrrën e saj për të qenë një infermiere si nëna e saj.
“Duke u rritur me shembullin e nënës sime e cila me punën e saj si infermiere jepte maksimumin nga vetja për të ndihmuar të tjerët, unë u ushqeva me të njëjtën frymë dhe doja patjetër të bëja të njëjtën gjë, të kisha një profesion me anë të cilit të ndihmoja të tjerët. Periudha e pandemisë, më solli në kujtesë luftën e Kosovës, ku nuk e dinim se çfarë na pret ditën tjetër, por nuk mungonte solidariteti”, tha Sopi.
Ajo thotë se qëllimi i saj i ardhshëm është marrja e një doktoraturë dhe kontribuimi në shoqërinë amerikane, për të cilën ajo thotë se tashmë i ka dhënë kaq shumë. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Virgjinia Perëndimore e Shteteve të Bashkuara do t’u ofrojë kursime prej 100 dollarësh të rinjve që e marrin vaksinën kundër Covid-19.
Autoritetet e këtij shteti thonë se shpresojnë që kjo pagesë për personat e moshës 16- deri në 35-vjeçare do t’i motivojë të rinjtë që ta marrin vaksinën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
“Fëmijët tanë ndoshta nuk e kuptojnë vërtet se sa të rëndësishëm janë ata që t’i jepet fund kësaj”, tha guvernatori i Virgjinias Perëndimore, Jim Justice, të hënën.
Virgjinia Perëndimore ka qenë në mesin e shteteve amerikane me shkallët më të larta të vaksinimit, por progresi është ngadalësuar në javët e fundit.
Nisma e re nënkupton që personat e grupmoshës së caktuar që vaksinohen mund t’i tërheqin 100 dollarët plus shkallën e interesit në një datë të mëvonshme. Nga kjo shumë do të përfitojnë edhe ata që janë vaksinuar më parë e që nuk janë nën 16 vjeç e mbi 35 vjeç.
Virgjinia Perëndimore është e gjashtëmbëdhjeta në ShBA për shkallën më të lartë të rasteve për numër banorësh. Rreth 52 për qind e 1.5 milion personave të përshtatshëm për vaksinim tashmë e kanë marrë të paktën njërën dozë, por guvernatori tha se rreth 40 për qind e popullsisë mund të ngurrojë që ta marrë vaksinën. / KultPlus.com
Shqiptarët ka vite që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe po zhvillojnë bizneset e tyre.
Një prej tyre është edhe Mergim Lala, i cili ka mbi tre dekada që jeton dhe vepron në Houston të Texasit.
Ai udhëheq me sukses një biznes familjar të picerisë, “Brother’s Pizza”, i cili vlerësohet shumë nga komuniteti amerikan, por edhe policia e këtij vendi.
Lala vendosi që gjatë ditës së sotme të qeras me pica uniformat e kaltra në shenjë të mirënjohjes për punën që bëjnë në “District 1”.
“Vazhdoni me punën e mirë në District 1. Komuniteti juaj ju vlerëson”, shkruan në llogarinë zyrtare të picerisë.
Ndryshe, piceria kohë pas kohe i shpërblen pjesëtarët e tjerë që shërbejnë në dobi të komunitetit, të tillë, si zjarrfikësit./KultPlus.com
Organizata jo qeveritare “Rrënjët Shqiptare” në SHBA, drejtuar nga Marko Kepi ka inaguruar një tjetër statujë në Nënë Terezës në Brooklyn New York, ku jetojnë më shumë se 20 mijë shqiptarë.
Kujtojmë se në vitin 2016 Në platon e Kishës Saint Anthanasius, në Brooklyn u inagurua një tjetër statujë e Nënë Terezës nga po e njëjta organizatë. Në 2016 u organizua një ceremoni e madhe inagurme me shumë shqiptarë të pranishëm.
Monumenti i të Shejtes Nënë Tereza në Brooklyn do të jetë i disati në New York.
Monumente të ngjashme janë ngritur, ndër të tjera , në New York dhe Detroit në Shtetet e Bashkuara,e tjerë.
Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910, kur ai ishte pjesë e Perandorisë Otomane, ndërsa vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, në Indi.
Në vitin 1928 u largua nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Ajo më pas u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare
Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën./ KultPlus.com
Ambasadori amerikan Philip Kosnett ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si Presidente e Kosovës.
Konsett përmes një postimi në Twitter ka shkruar se SHBA mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Republikën e Kosovës.
“Përgëzime për Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si President, dhe për ata deputetë që kryen detyrën e tyre si anëtarë të Kuvendit. SHBA mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Kosnett.
Vjosa Osmani është zgjedhur sot Presidente e Kosovës, në raundin e tretë të votimit në Kuvendin e Kosovës ku nga 82 deputetë të pranishëm mori 71 vota. / KultPlus.com