SHBA ndihmon me 800 mijë dollarë për restaurimin e kalasë së Krujës

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka zhvilluar një takim ditën e sotme me Ministren e Kulturës Elva Margariti.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Kim shprehet se SHBA do të shpenzoje 800,000 dollarë për restaurimin e kalasë së Krujës nga dëmet e pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit, si dhe për zonat historike në Durrës dhe Prezë.

Në fund ambasadorja tha se SHBA do qëndrojë gjithmonë në krah të Shqipërisë. /KultPlus.com

View image on Twitter
View image on Twitter

89 vjet më parë SHBA-ja u bë me himn kombëtar

Më 3 mars të vitit 1931 një akt i Kongresit shpalli këngën “The Star Spangled Banner” himn kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Kënga ishte tepër e dëgjuar për shumë dekada me radhë para se të merrte këtë status. Teksti i saj ishte shkruar nga Francis Scott Key gjatë luftës së vitit 1812 gjatë bombardimeve britanike të kështjellës Fort McHenry në Baltimorë të shtetit Maryland.

Autori i tekstit ishte vete dëshmitar i bombardimeve. Mëngjesin pas sulmit Key u frymëzua kur pa flamurin me 15 yje të valëvitej ende mbi fortesë.

Flamuri tregonte se fortesa nuk ishte dorëzuar dhe se ishte e gatshme të vazhdonte qëndresën. Flota britanike më pas u largua duke i dhënë kështu fund rrezikut për Baltimorën, përcjell ksp.

Fjalët e poemës së Key u kombinuan më vonë me muzikën e një kënge britanike që ishte shumë e dëgjuar më Shtetet e Bashkuara duke krijuar kështu atë që tani është himni kombëtar amerikan. / KultPlus.com

Inteligjenca artificiale rikthen pamje mahnitëse të New Yorkut (VIDEO)

Videoja e vitit 1911 me titull ‘Një udhëtim nëpër qytetin e New Yorkut’ është rikthyer në jetë më shumë se njëqind vjet më vonë nga inteligjenca artificiale.

Sekuencat nga një kompani suedeze për prodhimin e filmave me pamjet bardh e zi janë rikthyer të krijuara në një version të ngjyrosur dhe më të mprehtë të filmit bardh e zi, njofton Klan Kosova.

Klipi prej tetë minutash kthen shikuesit përsëri në kohë në Statujën e Lirisë, Battery Park, Portin e New Yorkut dhe ndërtesën e famshme të Flatironit në Fifth Avenue.

Denis Shiryaev postoi videon e re në faqen e tij, e cila tani është në cilësi 4K me 60 korniza për sekondë, shkruan Daily Mail. / KultPlus.com

Muzika shqiptare studiohet në një universitet në ShBA

Kultura dhe tradita shqiptare studiohet dhe ruhet edhe në Universitetin Shtetëror Montclair në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Ministri i Shtetit për Diasporën në Shqipëri, shkruan KultPlus.com

“Muzika shqiptare në një universitet amerikan. Studentë shqiptarë e të huaj studiojnë e performojnë muzikën shqiptare, si pjesë e Ansamblit Ballkanik në Universitetin Shtetëror Montclair në New Jersey. Ansambli është themeluar nga artisti i njohur i muzikës shqiptare Raif Hyseni, me qëllim promovimin e folklorit dhe kulturës shqiptare në SHBA”, thuhet në postimin e Ministrisë së Diasporës së Shqipërisë në Facebook. /KultPlus.com

“Ne nuk mund t’i ndihmojmë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojnë dikë”

Roland Reagan ka lindur më 6 shkurt të vitit 1911 në Tampico të shtetit Ilinois, shkruan KultPlus.

Reagan pati një karrierë të shumëllojshme, nga komentator sporti, në aktor filmash, zëdhënës konservator, guvernator i Kalifornisë e më në fund President i Shteteve të Bashkuara.

Ai vlerësohet për kontributin e tij për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë me ish-Bashkimin Sovjetik.

Ronald Reagani ka qenë popullor jo vetëm për konservatorët por edhe për shumë amerikanë të të gjitha bindjeve politike. Njihej për aftësitë e vecanta komunikuese me njerëzit.

Sot shënohet përvjetori i 109 i lindjes së tij, dhe KultPlus sjell disa nga thëniet e tij më të njohura.

Politika nuk është një profesion i keq. Nëse keni sukses ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër.

Liria përparon kur feja është e gjallë dhe sundimi i ligjit nën Perëndinë është pranuar.

Pikëpamja e qeverisë për ekonominë mund të përmblidhet në një fjali të shkurtër: Nëse lëviz, tatoje atë. Në qoftë se ajo vazhdon të lëvizë, rregulloje atë. Dhe në qoftë se ajo ndalon së lëvizuri, subvencionoje atë.

Unë kam menduar shumë kohë se si do të dukeshin Dhjetë Urdhërimet në qoftë se Moisiu do t’i kishte dhënë nëpërmjet Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Ne nuk mund t’i ndihmojnë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojnë dikë.
Si mund të përkufizoni një komunist? E po, ai është dikush që lexon Marksin dhe Leninin. Dhe si mund të përkufizoni një anti-komunist? Ai është dikush që e kupton Marksin dhe Leninin.

Fjalët më të tmerrshme në gjuhën angleze janë: Unë jam nga qeveria dhe ndodhem këtu për të ndihmuar.

Një popull që është i lirë të zgjedhë, gjithmonë do të zgjedhë paqen.

Recesioni është kur një fqinj humb punën e tij. Depresioni është kur ti humb punën tënde.

Për demokracinë ia vlen të vdesësh, sepse kjo është forma më shumë e nderuar e qeverisë e hartuar ndonjëherë nga njeriu.

Brenda kapakëve të Biblës janë përgjigjet për të gjitha problemet me të cilat njerëzit ballafaqohen.

Të rrish duarkryq duke shpresuar se një ditë, disi, dikush do të bëjë drejtësi, është sikur të shkosh në gojën e krokodilit, duke shpresuar se ai do të të hajë ty të fundit.

Nëse duam vendin tonë, ne duhet gjithashtu të duam bashkatdhetarët tanë.

Ne kurrë nuk do të mposhtemi, nëse nuk do të heqim dorë nga Zoti.

Kur ju nuk mund t’i bëni ata të shohin dritën, bëjini ata të ndjejnë ngrohjen. /KultPlus.com

Festivali i vitit 1987: Kur Shqipëria dhe ShBA-të ishin bashkë në një skenë

Endri Fifo ka shpërndarë në rrjetin e tij social, disa fotografi të vjetra, ku tregohen arritjet dhe sukseset e Asamblit Kombëtar në arenën ndërkombëtare.

Në këto foto, që shikoni më poshtë, tregojnë Asamblin Folklorik të Korçës në Festivalin Ndërkombëtar të Samsunit në Turqi.

Sipas tij, kjo ishte hera e parë që Shqipëria dhe SHBA-të ishin bashkë në një skenë.

Postimi i plotë:

Korrik 1987 Ansambli Folklorik “Skenderbeu” i Korces ne Festivalin Nderkombetar te Samsunit ne Turqi Drejtues muzike prof Josif Minga, koreograf Ali Beli, Soliste Nevruz Nure(Lulushi), Aferdita Zonja dhe Endri Fifo

Ky festival ishte i vecante per ne sepse Shqiperia mori pjese per here te pare ne konkurim ne te jejten skene me SHBA, Rusine dhe Izraelin. E gjithe trupa tregoi nje nivel te larte artistik duke narre vleresimin maksimal te publikut. /KultPlus.com

Ambasada e ShBA-së në Shqipëri me aktivitete për Javën Ndërkombëtare të Arsimit

Sot fillon Java Ndërkombëtare e Arsimit teksa Ambasada Amerikane në Tiranë njofton për disa aktivitete në Shqipëri, shkruan KultPlus.com

“Sot nis Java Ndërkombëtare e Arsimit, një nismë e përbashkët e Departamentit amerikan të Shtetit dhe Departamentit amerikan të Arsimit, për të festuar përfitimet e arsimit ndërkombëtar dhe shkëmbimeve në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Katër shqiptarë fitojnë mandate në zgjedhjet në ShBA

Në zgjedhjet e mbajtura ditën e djeshme në SHBA kanë dalë fitues katër shqiptarë, shkruan KultPlus.com

“Jetlir Kulla ka fituar mandatin e tij të tretë për Këshillin Bashkiak të qytetit Waterbury, Donna Colorio do të jetë pjesë e Këshillit të Qytetit të Worcester-it, Robert Gjonaj Donovic është shpallur fitues për Këshillin e Qytetit në Livonia, Michigan ndërsa Vedat Gashi do të përfaqësojë shqiptarët në Bordin e Legjislatorëve në Westchester. Në këto zgjedhje kandiduan shtatë shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Në Shqipëri mbahet koncert për diasporën në ShBA


Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Ministri i Shtetit për Diasporën janë bërë bashkë për të organizuar një koncert për diasporën në ShBA.

“Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Ministri i Shtetit për Diasporën organizojnë të dielën më 8 shtator koncertin “Diaspora Artistike dhe Shkencore – ShBA”, me pjesëmarrjen e pianistit shqiptar që jeton në SHBA Redi Llupa dhe violonçelistit argjentinas Juan Sebastian Delgado”.

Tutje, thuhet që në këtë koncert do të ketë një repertor të pasur muzikor me kompozitor të mirënjohur shqiptar.

“Koncerti përmban një repertor të pasur muzikor me pjesë të kompozitorëve shqiptarë të njohur si Thomas Simaku, Vasil S Tole, Tonin Harapi, Thomas Simaku, si dhe pjesë të njohura nga kompozitorët Astor Piazzola, Manuel de Falla etj. 

Koncerti “Diaspora artistike dhe shkencore SHBA” mbahet në sallën ”Aleks Buda”, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, të dielën ora 19:00”. / KultPlus.com

Shkollë shqipe edhe në Bronx, SHBA


“Shkolla shqipe “Alba Life” së shpejti me një shkollë tjetër shqipe në Bronx, SHBA”, tha sot ministri i Shtetit për Disporën, Pandeli Majko.

Shkolla Shqipe “Alba Life” në 11 vitet e shkuara e ka ushtruar aktivitetin e saj në Staten Island, Brooklyn, Manhatan e Queens dhe këtë vit parashikon të fillojë aktivitetin edhe në Bronx, në New York.

Misioni i shkollës shqipe “Alba Life” e themeluar nga Qemal Zylo është zhvillimi dhe ruajtja e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës, kulturës së origjinës si dhe njohja me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar.

Programet e shkollës janë mbështetur në programet e përgatitura nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës. / atsh / KultPlus.com

SHBA: Të gjithë duhet të ndjekin shembullin e Kosovës për riatdhesimin e pjesëtarëve të ISIS-it

Koordinatori amerikan për kundërterrorizmin, ambasadori Nathan A. Tales, thotë se Kosova është një nga vendet e para në riatdhesimin e qytetarëve të vetë, që kanë luftuar për ISIS-in.

Në një konferencë për shtyp, mbajtur të enjten (01.08) në Departamentin e Shtetit, ambasadori Tales tha: “Sa i përket riatdhesimit dhe gjykimit të luftëtarëve të huaj ne kemi pasur disa suksese dhe duam që ato të shtohen. Vende si Kazakistani dhe Kosova kanë qenë në gjendje të riatdhesojnë dhjetëra dhe në disa raste qindra luftëtarë dhe familjarë të tyre, kanë dënuar ata që kanë bërë krime dhe kanë dërguar në qendra rehabilitimi fëmijët dhe familjarët, të cilët marrin pjesë në programe çradikalizimi dhe integrimi”, raporton DW.

Duke përmendur Italinë, e cila ka thënë së fundmi se do të riatdhesojë një luftëtar të huaj, i cili do të gjykohet për vepër penale, ambasadori Tales kërkoi që më shumë vende perëndimore të bëjnë të njëjtën gjë.

“Çdo vend është i detyruar të zgjidhë problemin e qytetarëve të vet, që kanë shkuar për të luftuar për ISIS-in. Asnjë vend nuk duhet të presë që SHBA-ja ose SDF-ja, forcat demokratike siriane, të zgjidhin këtë problem për ta. Ky është një problem që ka të bëjë me vendin ku janë radikalizuar më parë këta luftëtarë të huaj”, tha Tales.

ISIS-i i përhapur në gjithë botën

Ai theksoi se i ashtuquajturi ISIS Kalifat është shkatërruar, por lloje të tjera të ISIS-it vazhdojnë të jenë të gjalla në gjithë botën. Ai përmendi Afrikën dhe Azinë juglindore si shembuj ku shihen rreziqe për shembull në Nigeri, Egjipt dhe Sri Lanka e Afganistan.

Konferencën e shtypit Tales e mbajti së bashku me ambasadorin James Jeffrey, të dërguarin special për koalicionin botëror kundër ISIS-it, i cili foli për rezultatet e luftës kundër ISIS-it në Siri dhe Irak. Në Siri lufta kundër ISIS-it ka pasur sukses, por në pjesë të ndryshme të vendit ISIS-i vazhdon të jetë aktiv. Edhe në Irak ka grupe terroriste të lidhura me ISIS-in.

Çlirimi i disa zonave të Sirisë ka prodhuar një numër të madh luftëtarësh të huaj dhe terroristësh që mbahen në kampe. 70 mijë vetë mbahen në al Hawl. 60 mijë prej tyre janë sirianë dhe irakianë dhe 10 mijë janë nga vende të treta dhe i janë bashkuar 2 mijë luftëtarëve të huaj terroristë. “Aty ekziston problemi i radikalizimit. Ne duam që t’ i largojmë këta njerëz nga andej dhe t’i kthejmë tek komunitetet e tyre”, tha ambasadori Jeffrey.

SHBA-ja ka riatdhesuar pesë të rritur, katër meshkuj dhe një femër, të cilët janë akuzuar për vepra penale të lidhura me terrorizmin dhe mbështetjen e ISIS-it. Një person është dënuar. Proceset e tjera nuk kanë përfunduar.

“Deklarimi i Pavarësisë”, piktura e famshme kushtuar 4 Korrikut

Piktura e famshme e John Trumble, “Deklarimi i Pavarësisë” është piktura e parë e bërë në shtetin që sapo ishte formuar nga George Washington dhe gjeneralët e tij, shkruan KultPlus.

Në pikturë shihen të gjithë baballarët që e themeluar kombin amerikan si George Washington, Alexander Hamilton, John Adams, Arron Burr, James Madison dhe Thomas Jefferson.

Kjo pikturë ka nisur me 4 korrik, pra gjatë shpalljes së pavarësisë, por ka zgjatur gati 5 vite që të përfundohet.

Menjëherë pas kësaj konference, është mbajtur mbledhja e parë e kabinetit të parë qeveritar me president George Washington. /KultPlus.com

Në 243 vjetorin e pavarësisë së SHBA, në Prishtinë sot ngrihet flamuri amerikan

Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës sot do të ngrejë flamurin e SHBA-së në Prishtinë për nder të 243 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ngritja e flamurit do të bëhet në Sheshi që mban emrin e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, në ora 11:00.

Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32-vjeçari Tomas Xheferson.

Dokumenti i shpalljes së pavarësisë së SHBA-ve është njëri ndër dokumentet politike më me rëndësi në botë, që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetesën dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 243 vjet më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre, ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.

Por prej nënshkrimit të këtij akti dramatik më shumë se dy shekujsh, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, prapë se prapë ekziston vetëdija se mbetet shumë për t’u bërë dhe se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Perëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverisë e cila ka për detyrë t’i mbrojë dhe jo të shkatërrojë li ritë dhe të drejtat e popullit. / KultPlus.com

Një CD e hedhur nxjerr foto të reja të 11 Shtatorit (FOTO)

Persona që merren me mbledhjen e CD-ve kanë gjetur rastësisht, në një shtëpi që po shitej, 2400 foto të reja nga “Ground Zero” në Nju Jork, të shkrepura pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001.

Fotot duket se janë bërë nga një punëtor ndërtimi që ka ndihmuar me pastrimin e rrënojave pas sulmit terrorist.

Disqet nuk ishin në gjendje të mirë, por megjithatë u morën shumë foto, të cilat janë të veçanta pasi kanë marrë pamje nga lart si dhe brenda ndërtesave të shkatërruara, përcjell tch.

Më 11 shtator të vitit 2001, terroristët islamikë të Al Kaedas, të drejtuar nga Osama Bin Laden, rrëmbyen avionë me udhëtarë dhe u ndryshuan kursin, duke i përplasur pas kullave binjake të “Qendrës Tregtare Botërore”, dy nga ndërtesat më krenare dhe simbolike të Nju Jorkut, të cilat u shembën plotësisht.

Bebe Rexha e ftuara e nderit te Michelle Obama

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha është lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vazhdon karrierën e saj të suksesshme duke u kthyer në një emër të rëndësishëm në industrinë e muzikës botërore.

Rexha së fundmi ka befasuar studentët në Universitetit të Tampas në Florida, duke performuar para tyre në atë njihet si “Dita e Këndimit në Kolegje”.
Këngëtarja shqiptare ka qenë njëra ndër të ftuarit e nderit e organizatores Michelle Obama, bashkëshortja e ish-presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, që qeverisi në SHBA përgjatë viteve 2009-2017.

Teksa është takuar dhe fotografuar me ish-zonjën e parë, Bebe Rexha publikoi një fotografi në rrjetin social nga ky takim, në mbishkrimin e së cilës i ka dhënë një epitet të veçantë Michelles.
“Me presidenten time të ardhshme, zonjën Michelle Obama”, janë fjalët e këngëtares shqiptare në mbishkrimin e fotografisë.

Mesa duket Bebe Rexha shpreson se ashtu si bashkëshorti i saj, edhe Michelle të ketë një të ardhme të ndritur në politikë./KultPlus.com

Promovimi i Shqipërisë nëpër botë, 41 aktivitete nga SHBA në Japoni

Promovimi i turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë do të ketë një rëndësi të veçantë gjatë vitit 2019, teksa do të ketë një program eventesh që do të shtrihen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në Japoni.

Një prej arritjeve të Samitit të Dytë të Diasporës, të mbajtur në datat 28 shkurt-2 mars në Tiranë, ishte dakordësimi i një kalendari të përbashkët të eventeve, për promovimin e turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë.

Aktualisht, janë 41 evente të planifikuara, por lista e tyre pritet të zgjerohet me vende të tjera gjatë vitit, ndërkohë që edhe në Shqipëri do të mbahen për herë të parë një numër konferencash/panairesh/eventesh me fokus promovimin e imazhit të vendit tonë dhe forcimin e lidhjeve të biznesit.

Konkretisht, kalendari i eventeve nisi në Milano në muajin shkurt, me një event për artizanatin, duke vijuar me Tel Avivin dhe Berlinin.

Gjatë marsit, evente që promovojnë turizmin dhe vlerat e tjera shqiptare do të zhvillohen në Berlin, Kiev, Prishtinë dhe Lajpcig.

Në prill, kalendari i eventeve parashikon ndalesa në Moskë, Dubai, Bruksel dhe Toronto.

Do të vijohet në maj me Torinon, Kanën, Venecian, Zvicrën, Bakunë dhe Lisbonën, ndërsa në qershor, vëmendja zhvendoset në Kinë, në një panair të madh ndërkombëtar.

Pas ndalesës verore, vëmendja do të përqendrohet në shtator në Tokio dhe në disa qytete italiane.

Në tetor, ndalohet në Këln, Paris dhe Rimini. Ndërsa në nëntor, në Dyseldorf, Varshavë dhe pjesëmarrja në prestigjiozen e “Fiera di Milano”.

Dhjetori përmbyllet me evente në Itali dhe një event dedikuar diasporës shqiptare në Nju Jork.

Këtë vit, një vend të veçantë do të zërë edhe promovimi i kulinarisë shqiptare, ku në 6 mujorin e parë të vitit do të organizohen 10 evente, në Vienë, Amsterdam, Londër, Francë, Zvicër, Athinë, Selanik dhe tre qytete italiane.

Ndërsa eventi “Ditët e Shqipërisë”, do të zhvillohet në Poloni, Çeki, Gjermani, Bullgari dhe një listë vendesh të tjera ku vendi ynë ka një potencial të madh zgjerimi në fushën e turizmit./gj.mima/ KultPlus.com

2018, viti i gruas në SHBA

2018 u quajt Viti i Gruas në Shtetet e Bashkuara, pasi një numër rekord grash u zgjodhën në organe legjislative kombëtare, shtetërore e vendore në mbarë vendin.

Në këtë grup, siç thekson VOA, gjen dhe gra të cilat për herë të parë u përfshinë në politikë kur paraqitën kandidaturën për zgjedhjet e 6 nëntorit, në përgjigje të politikave të administratës Trump. Në janar, në Kongres do të bëjnë betimin një numër rekord grash, plot 126. Që nga fillimet e administratës aktuale, komentet e Presidentit Donald Trump mbi gratë, si dhe politikat e tij nxitën mijëra gra të dilnin në protesta, e disa prej tyre i frymëzuan të konkurronin për poste ku të mund të punonin për ndryshim.

“Marshimi i grave në janar 2017 shënoi fillimin e kësaj lëvizjeje. U shndërrua në një aktivizëm të përqendruar, ku shumë gra u përfshinë të nxitura nga revoltimi i shkaktuar nga komentet e Presidentit dhe nga qëndrimet e tij”, thotë Guian McKee i Universitetit të Virxhinias.

Ajo që e ngacmoi akoma më shumë revoltën e femrave ishin ngacmimet seksuale në vendin e punës, çështje kjo që ndezi një debat mbarëkombëtar dhe u kthye në shkëndijë për lëvizjen #MeToo. Pavarësisht rrugës së gjatë përpara, aktivistët për të drejtat e grave parashikojnë se Viti i Gruas do të vazhdojë përtej 2018-s.


Librat shqip shpërndahen edhe në shkollat shqipe në SHBA

Librat shqip për shkollat shqipe në SHBA janë shpërndarë edhe në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Dallas. Kjo qendër promovon kultivimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptar përmes mësimdhënies së gjuhës shqipe, përcjellë Kul tPlus.

“E filluam fushatën e vizitave në shkollat shqipe dhe shpërndarjen e librave me Dallasin, ku së bashku me Komunitetin Shqiptarë atje, përuruam Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane”, shprehet ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli-Faber.

“Ky Komunitet, me një vizion të qartë dhe një qëllim “kultivimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptarë” me përpjekje të përbashkët dhe punë serioze, tashmë posedon një Qendër dinjitoze ku do të mësohet gjuha shqipe, historia, gjeografia dhe kultura shqiptare, për brezat e rinj të këtij komuniteti”, thekson ajo.

“Ishte kënaqësi e veçantë të shihje një Interes kaq të madh për regjistrimin në shkollë të nxënësve, që deri më tani kishte arritur në 80 fëmijë dhe kjo falë punës dhe përkushtimit të Drejtuesve, Bordit dhe Mësuesve të Qendrës”, u shpreh tutje ajo.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Faber falënderoi drejtuesit për investimin e vyer në realizimin e këtij projekti tepër funksional. Një qendër Kulturore është një investim për fëmijët e sotshëm dhe për brezat e së ardhmes. Ndër të tjera, Ambasadorja shprehu vlerësimet dhe mirënjohjen për vizionin e qartë dhe afatgjatë kundrejt të ardhmes së përbashkët të Komunitetit me një koncept gjithëpërfshirës ku bëjnë pjesë biznesi, të rinjtë profesionistë, roli i pazëvendësueshëm i grave dhe edukatorët e brezit të ardhshëm.

Gjjthashtu, Ambasadorja ftoi të gjithë prindërit të vijojnë të regjistrojnë fëmijët e tyre dhe të kultivojnë tek fëmijët krenarinë e identitetit kombëtar dhe i uroi suksese nxënësve në këtë vit shkollor.

Aktiviteti vijoi me bashkëbisedime me të pranishmit dhe me një tur në ambientet e shkollës ku gjithçka kishte “ngjyrë shqiptare”. Të gjithë duhet të japim kontributin tonë, ndaj Ambasada furnizoi shkollën me tekste shkollore, një kontribut modest për këtë shkollë, por me mjaft vlerë që ndihmon fillimin e menjëhershëm të mësimit./ ata

Rugova i kishte kërkuar Albright-it që Kosova të bëhet shteti i 51-të amerikan

Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit historik, Ibrahim Rugova ditë më parë ka publikuar një fotografi derisa po lexonte librin “Zonja sekretare” të Madeleine Albright, shkruan KultPlus.

Ai ka veçuar një pjesë të librit nga viti 1998 kur Albright e përshkruan atmosferën gjatë takimit me Rugovën, ku ai i kishte kërkuar me shaka që Kosova të bëhej shteti i 51-të amerikan.

“Ri lexim: Kosova shteti i 51-të amerikan! “Gjatë takimit u zhgënjeva kur pashë mimikën e kolegëve të RUGOVËS, të cilët rrinin si të ngrirë, madje bënin edhe gjeste mosmiratimi gjatë kohës sa ai fliste. Gjithsesi, RUGOVA foli hapur. Tha se kushtet në Kosovë po keqësoheshin çdo ditë e më shumë dhe kërkoi që NATO-ja të krijonte një zonë ndalimfluturimi, që të mos lejonte sulmet me helikopter të serbëve. Ai vuri në dukje se qëllimi i shqiptarëve ishte pavarësia, por se mund të pranonin të kishte një status të përkohshëm si protektorat ndërkombëtar apo madje, bëri shaka ai, të bëheshin shteti i pesëdhjetenjëtë amerikan”, shkruhet në librin e Albright./ KultPlus.com

Shqipërimet e panjohura të Nolit gjenden te shqiptarët në SHBA

Pesë botime të shqipëruara nga Fan Noli janë gjetur në Amerikë nga studiuesi i historisë Niko Kotherja.

Botimet e 5 pjesëve të “Don Kishotit të Mançës”, përkthimet brilante të Fan Nolit, botuar me 1932 në Boston janë gjetur mes shqiptarëve të Amerikës.

Studiuesi i historisë Niko Kotherja në Boston ka mundur te gjejë këto gjurmë të rëndësishme, me vlerë të pazakontë sa i takon periudhës kur janë botuar, por edhe si dëshmi e përpjekjeve për të ruajtur gjuhën shqipe. Pas një udhëtimi në Amerikë mes radhëve të shqiptarëve, Kotherja ka arritur që këto vëllime të rrugëtojnë në Korçë.

Botimet e hershme të Nolit janë dëshmi e përpjekjeve të tij për të njohur lexuesin shqiptar me autorët botërorë dhe veprat e njohura të kohës, ndërkohë që janë konservuat me kujdes nga shqiptarët e Amerikës, ku sipas Kotheres gjenden edhe shumë botime të tjera me vlerë. / KultPlus.com

Këtë vit Kosova u vizitua më së shumti nga shqiptarët, turqit dhe amerikanët

Sipas anketës “Statistikat e Hotelerisë TM1-2018” të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tre muajt e parë të vitit në 187 hotele të Kosovës kanë qëndruar mbi 64 mijë persona, dhe më shumë se gjysma e tyre ishin vizitorë të huaj.

“Në tremujorin e parë të vitit 2018 (TM1 2018) pjesë e anketës ishin 187 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës. Pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, Prizrenit, etj. Sipas anketës, kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi ishte 12.38%”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e parë 2018, në këto hotele ishte 64.501. Prej tyre, 42.69% ishin vizitorë vendorë, kurse 57.31% ishin vizitorë të jashtëm.

Ndërkaq, numri i bujtjeve në TM1 2018 ishte 86.227 bujtje, ku 40.70 % e bujtjeve ishin nga vendorët dhe 59.30% nga të huajt. Sipas ASK-së, numrin më të madh të vizitorëve dhe netëqëndrimet e tyre e ka rajoni i Prishtinës me 29.487 vizitorë dhe 41.224 netëqëndrime.

Përveç vizitorëve nga Shqipëria, ASK radhit vizitorët nga Turqia dhe ShBA.

“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Turqia, ShBA, etj.”, thekson ASK.

Bebe Rexha thyen rekord, arrin vendin e dytë në Billboard

Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha po arrin suksese të jashtëzakonshme në tregun muzikor ndërkombëtar.

Ylli i muzikës sapo ka thyer rekord, duke u renditur në vendin e dytë të “Billboard Charts” për herë të parë.

Ajo është këngëtarja e parë shqiptare që ka arritur këtë sukses. Me këngën “Meant to be”, në bashkëpunim me Florida Georgia Line, Bebe ka lënë pas shumë emra të njohur të muzikës ndërkombëtare si Bruno Mars, Ed Sheeran, ndërsa vendin e parë e kryeson prej disa javësh Drake me “God’s plan”./ KultPlus.com