Shebenik-Jabllanicë, destinacioni turistik për vizitorët e natyrës dhe aventurës

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i mbuluar nga dëbora, fton të pasionuarit pas alpinizimit, ta vizitojnë atë.

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau sot, në rrjetet sociale, pamje nga ky park, i kthyer në një nga destinacionet turistike për vizitorët e natyrës dhe të aventurës.

“Më pak se dy orë larg me makinë prej Librazhdit, më i madhi në Shqipëri dhe një prej më mbresëlënësve. Sapo të arrini atje, do të ndjeni hyrjen në një botë tjetër, me maja të larta, liqene dhe shtigje të bukura. Plot pyje të paprekur dhe të mahnitshëm me pemë të lashta ahu”, theksoi Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Ky park në të gjitha stinët është shndërruar në destinacionin e fundjavës për ata që pëlqejnë turizmin aventurier, pasi ofron mjaft shtigje interesante për t’u eksploruar.

Dëbora e këtij muaji e ka bërë parkun Shebenik-Jabllanicë ideal për ski dhe peizazhi duket i mrekullueshëm nga bardhësia që e ka mbuluar. / atsh / KultPlus.com