Xhemile Hysenaj
Instrumentet e vjetëruara, mungesat e instrumentistëve në orkestër, mungesa e valltarëve dhe këngëtarëve, boshllëku ligjor që pamundëson përtëritjen e grupit të valleve, janë vetëm disa nga problemet me të cilat Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ po përballet tash e sa vite. Kërkesa dhe ankesa të shumta i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga ky Ansambël që funksionon si institucion i varur nga kjo Ministri, mirëpo deri më sot, shumica nga këto ankesa e kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër, shkruan KultPlus.
Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, i cili njihet për kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore, duke qenë ndër asetet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, për një periudhë tejet të gjatë, është duke funksionuar në kushte jo dhe aq të mira. Disa nga instrumentet që i nevojiten orkestrës së këtij Ansambli mungojnë, poashtu mungojnë edhe instrumentistë, valltarë e këngëtarë. Mungesa këto që domosdoshmërisht duhet të plotësohen me bashkëpunëtorë të jashtëm, gjë kjo që e komplikon realizimin e planit artistik dhe organizimin e trupës së Ansamblit.
Ndër kriteret elementare për çdo Ansambël profesional, është që të ekzistojnë dy formacione valltarësh me nga tetë çifte, ndërkaq në Ansamblin ‘Shota’ pothuajse ka ngelur vetëm një formacion. Siç ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus, janë gjashtë vende të punës të “humbura” që nga viti 2014, pasi vendet e punëtorëve që janë pensionuar apo janë larguar jashtë vendit nuk janë zëvëndësuar me punëtorë të rinj, pasi MKRS nuk ka hapur akoma asnjë konkurs për Ansamblin dhe sigurisht këto vende janë zënë me punëtorë të Ministrisë apo departamenteve tjera.
‘Vetëm për pozitën e Koreopetitorit të Ansamblit, i cili ka dal në pension në vitin 2018, i kemi bërë deri më tani 23 kërkesa për këtë periudhë dy vjeçare, drejtuar Ministrisë për të hapur konkurs. Dhe asnjëherë kjo nuk ka ndodhur, dhe për me tepër as nuk kemi marrë pergjigje (zyrtare) për këtë qështje’, shprehet tutje Gjocaj për KultPlus.
Ajo çfarë me ngulm kërkon Gjocaj, është pavarësia totale e Ansamblit dhe Institucioneve tjera qendrore të kulturës nga Ministria. Në Nëntor të vitit të kaluar është proklamuar pavarsia e këtyre institucioneve nga ana e Ministrës së Kulturës, duke funksionalizuar fillimisht Kodin Buxhetor. Gjocaj konsideron se varshmëria ndaj Ministrisë ka shkaktuar probleme tejet të mëdha. Për Kodin Buxhetor, i cili këtij Ansambli i takon edhe me ligj, Gjocaj thekson se është vetëm një hap i vogël dhe i domosdoshëm, por hapat e tjerë janë të nevojshëm në mënyrë që Ansambli të mos menagjohet nga MKRS, por nga menagjmenti i zgjedhur i tij.
‘Përveç mos’hapjes së konkurseve dhe mungesës së organogramit, që nuk na lejohet ta bëjmë ne, ne kemi probleme edhe me ndërrimin e gjeneratave, pasiqë, për shkak të mos’harmonizimit të ligjit të Ansamblit me ligjin e pensioneve, edhe përkundër që në ligj eshtë saktësisht e përcaktuar, ne nuk mund t’i dërgojmë njerëzit në pension dhe rrjedhimisht na ngelet që për 3/4 vite, grupi i valleve të ngjitet në skenë i përbërë nga pleqtë. Po ashtu ndarja e buxhetit për Ansamblin, është paushalle dhe e pa bazuar në kerkesat që bën ansambli: “Kurrë nuk kemi marrë ndonjë arsyetim se përse Ministria e Kulturës i ka ndarë aq mjete për institucionet përkatëse dhe në cka janë bazuar, pasi në kërkesës tonë, që mbeshtetet me planin detaj te punes dhe ate buxhetor, jo se jo. Për më keq, ne nuk e dijmë sa kem mallra shërbime, nuk mund të realizojmë investime apo blerje kapitale. Investimi i fundit kapital në “Shotë” është bërë në vitin 2008, kur është rindërtuar objekti i Ansamblit”, deklaron Gjocaj për KultPlus.
Sipas Nenit të 27 në Ligjin për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ dhe për Ansamblet e tjera, ‘Shota’ është e obliguar që të ketë arkivin e vet, ku duhet të ruaj, pasurojë dhe kultivojë lëndën arkivore. Mirëpo, siç potencon Gjocaj, këtë gjë ai e ka kërkuar tash e gjashtë vite, me kot.
“Ka gjashtë vite që unë kërkoj të realizohet Arkivi i Ansamblit dhe kjo gjë kërkon një shumë modeste. E kemi bërë kalkulimin dhe komplet projekti kushton diku 50.000 euro dhe duhet pranuar një specialist të Arkivit i cili njëkohësisht e njeh edhe teknologjinë informative, në mënyrë që kjo gjë të bëhet si është më së miri. Të gjithë ministrat që kanë qenë, prej kur jam unë drejtor i ‘Shotës’,e kanë pas këtë kërkesë në tavolinë, të gjithë kanë premtuar se ky projekt do të realizohet, por asnjëherë nuk është bërë asgjë. Një institucion me një traditë 70 vjeçare, të mos ketë arkiv të vetin, është e dhimbshme”, deklaron tutje Gjocaj.
Udhëheqësi Artistik i këtij Ansambli, Ylber Asllanaj ka treguar për KultPlus se është bërë kërkesa për minimumin 24 anëtarë që do të kompletonin trupën artistike, ndërkaq për sa u përket instrumenteve të nevojshme, ai konsideron se ky është një problem qe pret te zgjidhet se shpejti, pasi Ministria e ka shpallur tenderin dhe dikush tashmë e ka marrë përsipër këtë gjë.
“Neve na mungon infrastruktura humane, nuk e kemi stafin artistik të kompletuar edhe valltarë meshkuj edhe femra, ne nuk e kemi korin as sektorin e solistëve vokal të konsoliduar, vitet e fundit janë pensionuar dy nga katër, tani i kemi vetëm dy që as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e ansamblit. Është shumë e vështirë kur ti deri në momentin e fundit planifikon të prezantohesh me dikë, i cili eshte bashkepunëtorë i jashtëm dhe nuk e ka obligim që të përmbushë kërkesën e Ansamblit dhe mund të mos paraqitet fare. Sigurisht se ata lirohen prej obligimit moral sepse ka nga ata bashkepunëtorë që, për shkak të procedurave banale dhe në mungesë të Kodit Buxhetor, ne nuk kemi mundur tua paguajmë mëditjen e para dy viteve. Për neve është shumë e vështirë”, ka theksuar Asllanaj për KultPlus.
Ai poashtu, shprehet se nuk e mohon vullnetin të cilin Ministria edhe mund ta ketë, por në fund rezultati nuk është i kënaqshëm. Pasi siç potencon ai, ka kohë që nga Ministria premtohen shumë dhe asnjë nga kërkesat e Ansamblit për të cilat Asllanaj tregon se janë minimale, nuk janë përmbushur pak e hiç.
Ndër të tjera, Asllanaj është shprehur tejet mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me Ansamblin ‘Shota’.
“Nuk dua të humbas rastin t’i falënderoj të gjithë ata që në mënyrë shumë të sinqertë e dashamirëse, bashkëpunojnë me Ansamblin, përndryshe në këtë situatë në të cilën jemi, e kemi të pamundur mbajtjen e koncertit, sepse derisa të ndërrohen për një koreografi valltarët, neve na duhen së paku katër këngë e ne i kemi vetëm dy këngëtarë. Pra, teknikisht është e pamundur të funksionojmë pa bashkëpunëtorë”, ka deklaruar Asllanaj.
KultPlus ka kontaktuar edhe me Ibër Alajn, sekretarin e përgjithshëm në Ministri të Kulturë Rinisë dhe Sportit, i cili për sa i përket Arkivit të Ansamblit ‘Shota’ theksuar se aktualisht janë duke u ndërmarrë masa për realizimin e këtij projekti.
‘Në planifikimet buxhetore të Departamentit të Kulturës për vitin 2021 është planifikuar edhe krijimi i arkivit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Aktualisht janë duke u ndërmarrë masat e nevojshme për realizimin e këtij projekti’, ka potencuar Alaj për KultPlus.
Ndërkaq, në pyetjen se kur saktsisht pritet që ‘Shota’ të funksionojë si institucion në vete pasi MKRS kishte premtuar që një gjë e tillë të ndodhë në janar të këtij viti. Alaj është përgjigjur si në vijim: Bazuar në Ligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2021, institucionet e kulturës, përfshirë edhe Ansamblin Shota kanë kodet e veçanta buxhetore. / KultPlus.com