Mbreti shqiptar Ahmet Zogu, nga të katër vilat e tij në Shqipëri, më për qejf e kishte atë të Durrësit. Do ta ketë ndjellë magjia e detit, si kundërshti e ashpërsisë së bjeshkëve nga e kishte origjinën ai. Pak kohë para se Shqipëria të aneksohej nga Italia fashiste, pa e njoftuar Gardën, braktis vilën e zbret në plazh. Zogu nuk i shpëtoi syrit të oficerit kosovar, Shefqet Bylykbashi, me origjinë nga një familje fisnike nga Baica e Kolshit të Drenicës, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë, në drejtimin e Artilerisë në Romë.
Sipas studiuesit Bajram Mjeku, gjatë bisedës mbreti Zog i tha besnikut të tij: “Kam ba një gabim historik dhe shqiptarët s’do t’ma falin kurrë. Në vend se të lidheshim me Anglinë, gabuam e u lidhëm me Italinë”!
Më shumë se nga lajmësit e tij nga Roma, mbreti Zog kuptoi se ishin çastet e fundit kur Italia fashiste do ta okuponte Shqipërinë. Me një ushtri të armatosur dobët dhe të paorganizuar mirë, okupimi ishte i paevitueshëm.

“Mbreti shqiptar sigurisht ishte në dijeni për idenë e Haxhi Zekës, që Shqipëria para se të pavarësohej, për njëzet vjet të mbetej nën protektorat anglez. Detajin e bisedës midis mbretit Zog dhe Shefqet Bylykbashit e dëshmon djali i tij, Fuat Bylykbashi”, thotë Mjeku. “Shefqet Bylykbashi gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte komandant i artilerisë në vijën kufitare Prapashticë- Preshevë, në mbrojtje të kufirit nga forcat serbe në kuadër të Regjimentit të Katërt të Ushtrisë Shqiptare, i cili komandohej nga Fuat Bej Dibra. Shefqet Bylykbashi, për të nderuar komandantin, e pagëzoi djalin e tij me emrin Fuat”.

Në Kosovë, Shefqet Bylykbashi njihet me nofkën Shefqet Kapetani. Një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij. Në vitin 2010, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Presidenca e Kosovës, dekoroi major Shefqet Bylykbashin me urdhrin Medalja e Artë e Lirisë./ Telegrafi/ KultPlus.com
