Ka vdekur sot në moshën 65-vjeçare ish-futbollisti i Prishtinës, Shefqet Sinani.
Sinani ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës në vitet e 80-ta. Ish-mbrojtësi i majtë ishte pjesë e klubit nga kryeqyteti për dhjetë vjet, 1977-1987. Kishte mbyllur karrierën në moshën 31-vjeçare me më shumë se 300 ndeshje të zhvilluara.
Për vdekjen e Sinanit ka shprehur ngushëllimet e saj edhe ministrja e kulturës Vlora Dumoshi. Ajo shprehet se Sinani do të mbahet mend për cilësitë e spikatura si sportist dhe si një ndër futbollistët më të admiruar të viteve të 80-ta.
Ky është telegram ngushëllimi nga Vlora Dumoshi për vdekjen e Shefqet Sinanit.
“E nderuara familje Sinani,
Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit dhe trajnerit të shquar, Shefqet Sinani.
Shefqet Sinani punoi për vite të tëra në KF Prishtina dhe do të mbahet mend për cilësitë e spikatura si sportist dhe si një ndër futbollistët më të admiruar të viteve të 80-ta.
Sinani duke edukuar gjeneratat e reja dhe duke përkrahur talentet e futbollit në Kosovë, ka lënë gjurmë të pashlyeshme për futbollin e sportin kosovar në përgjithësi.
Në emrin tim personal dhe të MKRS-së i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Sinani, Federatës së Futbollit të Kosovës, Klubit Futbollistik Prishtina, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit sportiv në Kosovë.” / KultPlus.com