Sonte publikohet dokumentari rreth Princeshës Diana

Një seri e dokumentarëve në lidhje me jetën e Lady Dianas dhe ndikimin që ka pasur ajo në shekullin e 20-të, do të nisin të publikohen të enjten në ITV.

Dokumentari do të përmbajë tri episode, ku secili do të bazohet në epoka të ndryshme të jetës së Dianas, ndërkohë që në episodin e parë që do të publikohet sonte, fokusi do të jetë në takimin e saj me Princin Charles dhe bashkimin me Familjen Mbretërore.

Sipas dokumentarit, Diana ishte magjepsur me Charlesin ndonëse nuk e njihte shumë mirë dhe vetëm pas disa takimeve, ata edhe ishin fejuar dhe ajo ishte shpërngulur në Pallatin Kensignton. Mirëpo, me kalimin e kohës, një prej femrave më të famshme në botë, kishte filluar të kishte dyshime se Charlesi kishte lidhje me Camilla Parker Bowles, e cila tani edhe është bashkëshortja e Princit, shkruan Express.co.uk, transmeton Koha.net. Kështu, Diana kishte filluar të ndihej e palumtur dhe po mendonte të linte gjithçka mbrapa, vetëm dy ditë para se të martohej me Charles.

Princi Charles dhe bashkëshortja aktuale Camilla Parker Bowles/Foto: AP

Dokumentari thekson se ishin motrat e saj, Lady Sarah McCorquodale dhe Jane, ato të cilat i kishin folur duke i thënë se tashmë ishte shumë vonë që të kthehej mbrapa.

Duke folur për televizionin italian Tv2000, ekspertja Elena Mora, sqaron se Diana e kishte kuptuar që nuk donte të martohej dhe se po planifikonte t’i jepte fund edhe fejesës.

“Të gjithë e dinë se Diana dëshironte të ikte vetëm dy ditë para ditës së dasmës dhe të shpëtonte. Mirëpo motrat i thanë: e dashur, fytyra jote është tashmë në të gjithë filxhanët dhe peshqirët e Pallatit. Është pak vonë”, ka rrëfyer Mora.

Siç thuhet, edhe Princi i Walesit ishte i pajtimit që t’i jepte fund rrugës për në martesë me Dianan dhe po synonte të merrte mbështetjen e shoqërisë me një letër që babai i tij, Princi Philip i kishte shkruar, ku kinse ai e kishte obliguar atë që të martohej me Dianan.

“Edhe Charlesi dëshironte të shpëtonte”, ka shpjeguar Mora.

Vetëm dy ditë para ditës së dasmës, ai u kishte treguar shokëve të tij një letër në të cilën babai në fakt e urdhëronte që për nder të vajzës dhe për mbrojtje të familjes, të martohej me të.

“Dhe ai e kishte përdorur këtë si një alibi për të thënë se ishte i detyruar të martohej. Kjo nuk ishte në rregull, ai ishte princ, një zotëri 30-vjeçar. Nuk duhej të pajtohej me martesën që nuk e donte”, ka vazhduar Mora.

Pavarësisht dyshimeve nga të dyja palët, megjithatë martesa u zhvillua në sytë e miliona njerëzve anë e mbanë botës dhe bëri bujë të madhe.

Dasma e Princit Charles me Lady Diana/Foto: AP

Episodi i parë i dokumentarit për Dianan tregon se si ajo kishte pësuar depresion pas lindjes së fëmijës së parë, Princit William në këtë martesë.

Nga viti 1986, Charles kishte rifilluar lidhjen e tij me Camillan, gjë që e shtyu Dianan të largohej edhe më shumë, dhe nganjëherë madje, edhe të hidhej në krahët e meshkujve të tjerë, siç ishte rasti me instruktorin e saj të kalërimit James Hewitt.

Ndërkohë, në vitin 1992, lidhja mes Dianas dhe Charlesit ishte thyer në mënyrë të pakthyeshme gjë që kishte çuar në një marrëveshje dypalëshe që të ndaheshin. Divorci i tyre u finalizua në vitin 1996, dhe vetëm një vit më vonë, Diana kishte vdekur tragjikisht, në një aksident komunikacioni në Paris.

Ajo ka lënë pas dy fëmijë, Princin William dhe Princin Harry. Ata të dy tashmë janë të martuar. William ka tre fëmijë ndërkaq Harry dy. / Koha.net / KultPlus.com

Princi William dhe Princi Harry në përurimin e shtatores së nënës së tyre, Diana, muajin e kaluar/Foto: AP
Foto: AP