Pablo Picasso, artisti që influencoi artin e shekullit XX

Sot është datëlindja e Pablo Picasso-s, një nga artistët më të vlerësuar dhe që influencuan më së shumti artin e shekullit të 20-të.

I lindur më 25 tetor të vitit 1881, në Malaga të Spanjës, Picasso arriti majat e suksesit në pikturë, skulpturë, qeramikë, skenografi etj. Së bashku me Georges Braque ai hyri në Historinë e Artit si krijuesi i Kubizmit. Emri i plotë i këtij artisti të shumanshëm ishte po aq i veçantë sa edhe arti i tij:  Pablo Diego José Francisco de Paula Juan Nepomuceno Crispín Crispiniano María Remedios de la Santísima Trinidad Ruiz Picasso.

Pablo Picasso ishte djali i José Ruiz Blasco, një profesor i vizatimit, dhe Maria Picasso López. Aftësia e tij e pazakontë për vizatim filloi të shfaqej herët dhe shumë shpejt tejkaloi  aftësitë e babait të tij.

Puna e Pikasos, e cila përfshin më shumë se 50,000 piktura, vizatime, gdhendje, skulptura dhe qeramika të prodhuara gjatë 80 viteve, përshkruhet në një seri periudhash të mbivendosura. Periudha e tij e parë e dukshme “periudha blu” filloi menjëherë pas ekspozitës së tij të parë në Paris. Në vepra të tilla si Kitaristi i Vjetër (1903), Picasso pikturoi me tone blu për të evokuar botën melankolike të të varfërve. Periudha blu u pasua nga “periudha e trëndafilave”, në të cilën ai shpesh përshkruante skena cirku, dhe më pas nga puna e hershme e Pikasos në skulpturë. Në vitin 1907, Picasso pikturoi veprën novator Les Demoiselles d’Avignon, e cila, me paraqitjen e saj të fragmentuar dhe të shtrembëruar të formës njerëzore, shkëputi nga arti i mëparshëm evropian. Les Demoiselles d’Avignon demonstroi ndikimin tek Picasso të artit afrikan të maskave dhe Paul Cezanne.

Në kubizëm, i cili ndahet në dy faza, analitike dhe sintetike, Picasso dhe Braque vendosën parimin modern se vepra arti nuk duhet të përfaqësojë realitetin për të pasur vlerë artistike.

Veprat kryesore kubiste nga Picasso përfshinin kostumet dhe skenat e tij për Balet Russes të Sergey Diaghilev (1917) dhe Tre Muzikantët (1921). Eksperimentet kubiste të Picasso dhe Braque rezultuan gjithashtu në shpikjen e disa teknikave të reja artistike, duke përfshirë kolazhin.

Pas kubizmit, Picasso eksploroi temat klasike dhe mesdhetare dhe imazhet e dhunës dhe ankthit shfaqeshin gjithnjë e më shumë në punën e tij. Në vitin 1937, kjo prirje arriti kulmin me kryeveprën Guernica, një vepër monumentale që ngjalli tmerrin dhe vuajtjet e duruara nga qyteti bask i Guernica kur u shkatërrua nga avionët luftarakë gjermanë gjatë Luftës Civile Spanjolle. Picasso mbeti në Paris gjatë pushtimit nazist, por ishte kundër fashizmit dhe pas luftës iu bashkua Partisë Komuniste Franceze.

Puna e Picasso-s pas Luftës së Dytë Botërore është më pak e studiuar se krijimet e tij të mëparshme, por ai vazhdoi të punonte me ethe dhe pati sukses komercial dhe kritik. Ai prodhoi vepra fantastike, eksperimentoi me qeramikë dhe pikturoi variacione në veprat e mjeshtërve të tjerë në historinë e artit. I njohur për shikimin e tij intensiv dhe personalitetin dominues, ai pati një sërë marrëdhëniesh dashurie intensive dhe të mbivendosura gjatë jetës së tij. Ai vazhdoi të prodhojë art deri në vdekjen e tij në 1973, në moshën 91-vjeçare. / atsh / KultPlus.com

Picasso, Pablo; Weeping Woman (Femme en pleurs); Tate; http://www.artuk.org/artworks/weeping-woman-femme-en-pleurs-201236

53 vjet nga vdekja e Erich Maria Remarque, njërit prej shkrimtarëve më të shquar të shekullit XX

Erich Maria Remarque ishte romancier gjerman që krijoi shumë vepra rreth tmerreve të luftës. Romani i tij më i njohur, “Të gjithë të qetë në Frontin Perëndimor” (1928), për ushtarët gjermanë në Luftën e Parë Botërore, u bë filmi fitues i Oskarit. Libri i tij e bëri atë një armik të nazistëve, të cilët djegën shumë nga veprat e tij, shkruan KultPlus.

Në çdo kohë ka breza të humbur, rini të djegura. Dhe Erih Maria Remark, e dinte fare mirë këtë. Jo sepse ai ishte profet, por sepse përjetoi dy luftëra, pa t’i shuheshin një nga një shokët, prej çmendurive të nazizmit. “Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës-derisa e kuptova se kishte edhe disa që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, – shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari. Në 25 shtator 1970, Erich Maria Remark vdiq në një spital të Lokarnos nga një atak në zemër . Një shkrimtar, vepra e të cilit nuk njeh moshë. Një vepër humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” e që vijoi si një fill lidhës në gjithë krijimtarinë e tij. Një vepër anti luftë, që do të bëhej shkak i përndjekjeve nga nazistët, të cilët pasi i morën vitet më të bukura të rinisë në luftë, e detyruan të largohej nga vendi, i konfiskuan dhe dogjën librat, e dënuan në mungesë, i vranë të motrën, madje i hoqën dhe nënshtetësinë. “Do të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta edhe dhjetëvjeçarë, dhe Remarku do të vazhdojë të lexohet nëpër botë, sepse, fatkeqësisht, breza të humbur, do të ketë në njëfarë mënyre gjithmonë”, – shkruan përkthyesi Robert Shvarc në pasthënien e romanit “Obelisku i Zi”, një ndër 5 veprat e përkthyera prej tij në shqip (“Tre shokët”, “Shkëndija jete”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” dhe “Obelisku i zi”) .

Remarku lindi në 22 qershor 1898 në Osnabryk të Gjermanisë. Një vit, pasi kishte filluar kolegjin si mësues, në nëntor të vitit 1916 shkruhet në ushtri. Plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, krahun e djathtë dhe në qafë. Atëherë fillon të punojë për një roman mbi luftën. Del nga spitali, për të kaluar në batalionin e parë të këmbimit, në regjimentin 78 të ushtrisë në Osnabrück. I jepet medalja “Ylli i Ferrit”, klasi i parë, në Duisburg nga ana e Këshillit të Punëtorëve dhe Ushtarëve të Osnabrückut, por shkarkohet nga ushtria dhe heq dorë nga medaljet dhe dekorimet. Rifillon studimet e lëna për gjysmë dhe më pas punon për pak kohë si mësues filloreje.

Në 29 janar të vitit 1929, publikohet si libër “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” në Berlin. Ndërkohë punon për dy vepra paralelisht. Në 29 prill vjen shfaqja e parë e filmit “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” me regji të Lewis Milestone, i cili për herë të parë shfaqet në Gjermani në muajin dhjetor. Ka reagime nga nacional-socialistët e Gjermanisë të udhëhequr nga Joseph Goebbels. Fimi ndalohet dhe çohet për kontroll në Berlin. Në vitin 1931 propozohet për Çmimin Nobel për paqen. Një vit më vonë fillon punën për një nga kryeveprat e tij “Tre shokët”. Në 10 maj ndalohen të gjitha librat e Remarkut në Berlin dhe në nëntor policia konfiskon “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Në vitin 1938 publikohet në gjermanisht “Tre shokët” në Amsterdam dhe në 20 maj vjen shfaqja e parë kinematografike e këtij romani me regji të Frank Borzage.

Në 4 korrik çatdhetarizohet nga Gjermania dhe disa muaj më vonë edhe bashkëshortja e tij Ilse Jutta Zambona. Nis punën për “Harkun e Triumfit”. Në shtator të vitit 1939 shkon në Los Angelos ku do të nisë një histori dashurie me Marlene Dietrich. Atje njihet me Greer Garson, Orson Welles, Igor Straëinsky, Arthur Rubinstein, Lion Feuchtwanger, Emil Ludwig, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Cary Grant, Luggi Wolff e Brigitte Neuner-Wolff dhe shumë artistë të tjerë emigrantë. I jep fund lidhjes së ngushtë me Marlene Dietrich dhe disa muaj më vonë do të krijojë një lidhje të shkurtër me Greta Garbo. Në shtator të vitit 1942 zhvillon një takim me zv/ presidentin amerikan Wallace për të diskutuar mbi një aksion të mundshëm anti-fashist. Në tetor të vitit 1943 vendoset përfundimisht në New York. Në 15 dhjetor: Elfriede Remarque (e motra) dënohet me vdekje nga Gjykata Naziste për “sabotim” dhe vritet në Berlin, lajm të cilin shkrimtari e mësoi dy vjet më vonë. Në 25 gusht 1944 përfundon versionin e parë të “Harkut të Triumfit”, i cili botohet në muajin dhjetor në Neë York dhe disa muaj më vonë edhe në gjermanisht.

Shumë shpejt fillon të punojë mbi romanin “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Është koha kur shëndeti i tij fillon të lëkundet. Fillon mjekimet dhe mëson se ka diabet. Në janar të vitit 1952 botohet romani “Shkëndijat e Jetës” në New York, ndërsa në gjermanisht botohet në muajin korrik. Në dhjetor fillon punën mbi romanin tjetër “Obelisku i Zi”, i cili botohet në vitin 1956. Interpreton rolin e mësuesit në filmin e bazuar mbi romanin e tij “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Në vitin 1962 boton “Qielli nuk ka preferenca”, ndërsa dy vjet më vonë “Një natë në Lisbonë”. Në 25 prill të vitit 1967 i jepet “Großes Verdienstkreuz”, Medalia e vlerave më të larta nga Republika Federale e Gjermanisë. Në 25 shtator 1975 vdes në klinikën Sant’Agnese në Locarno. /KultPlus.com

50 vjet nga vdekja e poetit nobelist, Giorgos Seferis

Giorgos ose George Seferis, pseudonimi i Georgios Seferiades ishte një poet dhe diplomat grek. Ai ishte një nga poetët më të rëndësishëm grekë të shekullit të 20 -të, dhe fitues i çmimit Nobel.

Seferis ishte një diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm Grek, duke kulmuar me emërimin e tij si Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, një post të cilin e mbajti nga 1957 deri në 1962.

Në vitin 1963, Seferis iu dha Çmimi Nobel për Letërsinë “për shkrimet e tij të shquara lirike, të frymëzuara nga një ndjenjë e thellë për botën helene të kulturës.”

Seferis ishte greku i parë që mori çmimin (i ndjekur më vonë nga Odisea Elytis, i cili u bë nobelist në vitin 1979). Por në fjalimin e tij të pranimit, Seferis zgjodhi më tepër të theksojë filozofinë e tij humaniste, duke përfunduar: “Kur ishte në rrugën e tij drejt Tebës, Edipi takoi Sfinksin, përgjigjja e tij në enigmën e tij ishte:” Njeri “. Ajo fjalë e thjeshtë shkatërroi përbindëshin. Ne kemi shumë përbindësha për të shkatërruar. Le të mendojmë për përgjigjen e Edipit. “

Ndërsa Seferis nganjëherë është konsideruar një poet nacionalist, ‘helenizmi’ i tij kishte të bënte më shumë me identifikimin e tij të një fillesë unifikuese të humanizmit në vazhdimësinë e kulturës greke dhe letërsisë.

Pesë finalistët e tjerë për çmimin atë vit ishin W. H. Auden, Pablo Neruda (fituesi i vitit 1971), Samuel Beckett (fituesi i vitit 1969), Yukio Mishima dhe Aksel Sandemose.

Më poshtë KultPlus ju sjell disa poezi të zgjedhura nga Jorgos Seferis pikërisht në përvjetorin e vdekjes së këtij poeti nobelist:

MYTHISTOREMA

1.
Engjëllin –
tre vjet e pritëm, me vëmendje të fiksuar,
tek vëzhgonim nga pranë
pishat bregun yjet.
Dikush me plor parmende, dikush me kiç t’anijes
rrëmonim të gjenim dhe një herë farën e parë
që drama e kahmotit të mund t’ia niste prapë.

Në shtëpitë tona u kthyem rraskapitur,
gjymtyrëmpirë, buzëplasur
prej shijes së ndryshkut, prej ujit të njelmët.
e kur u zgjuam ecëm drejt veriut, të huaj
mbështjellë në mjegullën e flatrave të panjolla të mjellmave që na kishin plaguar.
Netët e dimrit na marroste e forta erë e lindjes
behareve humbnim n’agoni të ditëve që s’dinin të vdisnin.

Sollëm me vete këto
relieve të gdhendura të një arti modest .

2.
Ja dhe një tjetër pus brenda në shpellë.
Dikur na ish kaq lehtë të pikturonim idhuj edhe ornamente
e të kënaqnim ata pak miq që qëndruan besnikë.

Litarët janë këputur; veç gdhendjet në buzë të pusit
na kujtojnë për lumturitë që kanë shkuar:
gishtat në buzë të pusit, siç do thoshte poeti.
Gishtat ndjejnë për pak çaste ftohtësinë e gurit,
Pastaj ethja trupore ngadhënjen mbi të
e shpella vë në lojë shpirtin e saj dhe e humbet
në çdo moment, me heshtje plot, e ujë asnjë pikë

3.
Mbaji mend banjat ku të kanë vrarë
U zgjova me kët’kokë mermeri në duar;
m’i lodhka bërrylat e s’di se ku ta lëshoj.
Po zhytej në ëndërr bash kur unë po dilja prej saj
kështu që jeta jonë u bë një e vështirë do ta ketë të ndahet sërish.

Shikoj sytë: as të hapur, as të mbyllur
i flas gojës që rreket e rreket të flasë
mbaj faqet që lëkurën tashmë e kanë thyer.
Kaq mundem të bëj.

Duart më zhduken dhe vijnë drejt meje
të gjymtuara.

4.

Argonautë

Dhe një shpirt
në dashtë ta njohë vetveten
duhet të kqyrë
brenda shpirtit të vet:
të huajin dhe armikun, se atë e kemi parë në pasqyrë.

Ata qenë të mirë, shokët, kurrë nuk u qanë
për punën a etjen a ngricën,
ata qenë të qëndrueshëm si pemët a valët
që mbajnë dhe shiun dhe erën
që mbajnë dhe natën dhe diellin
pandryshuar në mes të ndryshimit.
Qenë shumë mirë, për ditë të tëra
djersitën tek rremat me sytë e përulur
frymëmarrje ritmike
dhe gjaku iu përskuqte një lëkurë të nënshtruar.
Ndonjëherë këndonin, me sytë të përulur
ndërsa lundronim ishullin e shkretë plot gjembaçë bregdeti
drejt perëndimit, përtej kepit të qenve
që lehin.
Në dashtë të njohë vetveten, thanë
duhet të shohë në shpirtin e vet, thanë
dhe rremat përplasen me arin e detit
në perëndim.
Ne lamë pas shumë kepe shumë ishuj dete
që çonin në dete të tjera, zgalemë e lundra.
Ndonjëherë gratë e dëshpëruara vajtonin
qanin fëmijët e tyre të humbur
të tjerë të hutuar kërkonin Aleksandrin e Madh
dhe lavditë e varrosura në thellësi të Azisë.

Ankoruam në brigje përplot ndodhi-nate
zogj që këndonin, me ujëra që na lanë nëpër duar
kujtimet prej një lumturie të madhe.
Por udhëtimet nuk mbaruan.
Shpirtrat e tyre u njësuan me rremat e kllapat e rremave
me fytyrën solemne të bashit
me fletën e timonit
me ujin që ua thyente imazhet copë-copë.
Shokët vdiqën një nga një
me sy të përulur. Rremat e tyre
shënojnë vendin ku prehen në brigje.

Askush s’i mban mend. Drejtësi

5.
Ne nuk i njihnim
thellë brenda nesh, neve shpresonim
t’i kishim njohur që kur ishim foshnjë.
I kemi parë një a dy herë, më pastaj ata morën detin:
ngarkesa me qymyr, me grurë edhe miqtë tanë
humbën përgjithnjë matanë oqeanit.
Agu na kap tek rrimë karshi kandilit
tek vizatojmë në letra dhimbshëm edhe panatyrshëm,
anije sirena apo guaska deti;
muzgjeve zbresim poshtë tek lumi
se ai na e rrëfen kah rruga për në det;
e netët i kalojmë bodrumeve, era katran.

Miqtë na kanë lënë
ndoshta s’i kemi parë kurrë, ndoshta
i kemi pjekur veç atëherë kur gjumi
ende na çonte drejt valës që merr frymë
ndoshta ne deshëm miq sepse kërkonim një jetë tjetër
përtej statujave.

6.
M.R.

Kopshtin me shatërvanë nëpër shi
ke për ta parë veç përtej mjegulltisë së xhamit
të dritares poshtë. Dhoma jote
do të ndriçohet veç prej flakës së oxhakut
dhe ndonjëherë të largmet vetëtima kanë për të nxjerrë në pah
rrudhat në ballin tënd, o Miku im i vjetër.

Kopshti me shatërvanë që në pëllëmbët e tua
ish ritm’i jetës tjetër përtej të plasariturave
statuja e përtej kollonave tragjike
përtej valles në mes oleandrave
pranë guroreve të reja –
qelqi i avullt tash e ndan prej jetës tënde.
Ti s’do të marrësh frymë; dheu dhe rrëshira e drurëve pranë
do të rrjedhin prej kujtesës tënde e do të godasin
këtë dritare që bota e jashtme
po e godet me shi.

7.
Era e jugës

Kah perëndimi deti bëhet njësh me një vargmal.
Majtas fryn juga që po na marros,
ajo soj ere që dhe ashtin zhvesh prej mishit.
Shtëpia jonë rri mes pishash edhe mes bishtajash.
Dritare të mëdha. Tryeza të mëdha
për të të shkruar letrat që filluam të shkruajmë
tash sa muaj, letra që i hedhim
në honin që zë vend mes nesh, e derisa të mbushet.

Yll i agimit, kur ti i ule sytë teposhtë
orët tona qenë më të ëmbla se vaji
mbi plagë, më të ëndshme se uji i ftohtë
në gjuhë, më paqtuese se flatrat e mjellmës.
Ti mbajte jetën tonë në pëllëmbë të dorës.
Pas bukës së hidhur të syrgjynosjes,
netëve nëse rrimë ballë murit të bardhë
zëri jot qaset si shpresa për një zjarr;
edhe sërish kjo era po na kthehet
e nervat na i pret, njëjtë si me brisk.

Prej nesh secili të shkruan ty të njëjtën gjë,
nga ne secili hesht kur në prani të tjetrit,
duke parë, secili, të njëjtën botë ndaras
dritën dhe terrin mbi maja t’vargmalit
edhe ty.
Kush do t’na i zhveshë zemrat prej dhimbjes që i ka mbuluar?
Mbrëmë ra shi i rrebeshtë, edhe sot sërish
qielli i vranët na brengos. Mendimet tona –
si halat e pishave që soll rrebeshi i djeshëm që
janë bërë kapicë të panevojshme mu në prag të derës –
do të ngritnin një kullë që rrënohet.

Në këto katunde të dhjetuara
në kët’grykë mali, që e rreh fort juga
ndërsa i rrimë karshi vargmalit e të fshihemi,
kush do ta çmojë për ne dënimin me harresë?
Kush e pranon flijimin tonë tash që vjen fundi i vjeshtës?

8.
Çfarë po ndjekin shpirtrat tanë që udhëtojnë
hipur mbi anije të rrëgjuara
stërmbushur me gra çehreverdha e kalamaj që qajnë
që s’mbërrijnë dot t’ia heqin mendjen vetes as me peshqit fluturues
as me yjet drejt të cilëve direkët kanë kthyer majat;
gërvishtur në disqe gramafonesh
përkushtuar pelegrinazheve të paqena, padashje
pëshpëriten copëza mendimesh nga gjuhë të panjohura.

Çfarë po ndjekin shpirtrat tanë që udhëtojnë
mbi dru të kalbur, zhytur n’ujë të njelmët
prej portit – në port?

Duke shmangur shkëmbinjtë e thyer, duke thithur
freskinë e pishave çdo ditë e më vështirë,
duke notuar në ujërat e këtij deti
dhe të atij deti,
pa ndjesinë e prekjes
pa njerëz
në një vend që s’është më i joni
as i yti.

E dinim që ishujt qenë të mahnitshëm
këtu, thuajse diku afër ku ledhatonim
paksa më poshtë a paksa më lart,
një hapësirë të vockël.

9.
Limani është i vjetër, tash s’mundem më të pres
mikun që shkoi prej ishullit plot pisha
mikun që shkoi prej ishullit plot rrape
mikun që shkoi e dol në det të hapur.
Ledhatova topat e ndryshkur, ledhatova rremat
që ta këndell trupin e të marr vendim.
Velat që bien vetëm kundërmim
kripe prej stuhisë që kaloi.

Në zgjodha të rri vetëm, ajo që doja
qe vetmia, e jo ky soj padurimi,
shpirtin grimcuar përmbi horizont,
këto linja, këto ngjyra, kjo heshtje.

Yjet e territ më kthejnë tek Odiseu,
që i priu të vdekurve në fusha t’asfodelit.
Lundruam gjer këtu me shpresën që mes asfodeleve do gjenim
ujin që rrodhi prej plagës s’Adonisit.

10.
Vendi ynë është i mbyllur, gjithandej male
që ditë e natë kanë për tavan qiellin e rëndë.
S’kemi lumenj, s’kemi puse, s’kemi burime,
vetëm ca sterna që ne i adhurojmë – dhe ato bosh – e aty kumbon zëri.
Tingull i ndenjtur e i zgavërt, njëjtë si vetmia jonë
njëjtë si dashuria jonë, njëjtë si trupat tanë.
Duket habi se si dikur qemë në gjendje të ndërtonim
shtëpitë tona, tbana edhe vatha.
Martesat tona, kurorat dhe unazat
u bënë enigma që s’ia shpjegojmë dot shpirtit.
Si lindën fëmijët tanë, si u rritën kaq të fortë?

Vendi ynë është i mbyllur. Dy të zinj Symplegadë
e kanë zënë. Kur zbresim poshtë
te portet ditëve të diela që të marrim frymë lirisht
ne shohim, kur ndriçon agimi,
anije të shkatërruara prej udhëtimesh që kurrë s’mbaruan,
trupa që tash nuk dinë më si dashurohet.

11.
Ndonjëherë gjaku të ngrin siç ngrin hëna
në natën e paanë gjaku yt
shpërhap flatrat e tij të bardha mbi
shkëmbinjtë e zinj, mbi silueta pemësh e shtëpish,
me pakëz dritë prej kohës kur ishim të vegjël.

12.
Shishe në det

Tre shkëmbinj, ca pisha të përzhitura, një këmbanore vetmitare
dhe më përpjetë
e njëjta pamje e përsëritur fillon edhe një herë:
tre shkëmbinj në formën e një shtegu, ngjyrë ndryshku
ca pisha të djegura, zezë dhe verdhë,
dhe një kupolë katrore lyer me gëlqere;
akoma më lart, shumë herë përsëritet
e njëjta pamje rishfaqet shtresë përmbi shtresë
gjer në horizont, gjer në qiellin e agimtë.

Këtu e ankoruam anijen që të riparojmë rremat që u thyen
që të pimë ujë e të flemë.
Deti shijehidhur mbet i thellë e i panjohur
shtjellë paskajshëm në qetësi.
Këtu, mes zajeve gjetëm një monedhë
luajtëm zarat se kush kish për ta marrë.
Më të riut i ra shorti, e menjëherë u zhduk.

Dolëm në det sërish, me rremat tanë të thyer.

13.
Hydra

Delfinë, flamuj dhe topa që gjëmojnë.
Deti, dikur për shpirtin tënd i hidhur shumë
bartte anijet që feksnin ngjyrashumë
i l’kundte, i shkundte e i rrotullonte, i gjithi blu e flatrabardhë
dikur për shpirtin tënd qe kaq i hidhur
e tash plot ngjyra deti shndrit nën diell.

Vela të bardha rreze dielli e direkë të lagur
godasin me ritm tupanash valët që u platitën.

Sytë e tu, po të shihnin dot, do t’ishte bukuri
krahët e tu, po të dilnin dot, do të shkëlqenin drite,
buzët e tua do të ngjalleshin, siç ishin mësuar,
po të shihnin këtë mrekulli:
ti gjithë kërkoje ta shihje kët’ditë
këtë deshe të shohësh kur ke qenë ballë shkrumbit
apo në shi, në mjegull e stuhi
madje edhe kur dritat shkonin drejt venitjes
dhe qyteti po mbytej e në sheshin e gurtë
e Nazareni kur ta rrëfeu zemrën,
çfarë po kërkoje? pse s’vjen? çfarë po kërkoje?

14.
Tre pëllumba të kuq nën diell
shkruajnë fatin tonë nën rreze
me ngjyrat dhe gjestet e njerëzve
që dikur deshëm.

15.
Quid πλατανων opacissimus *

Gjumi të fshtolli me gjethe të gjelbra si pemë
merrje frymë si pemë nën qetësinë e rrezeve
në dritën e pranverës unë ta kundroja f’tyrën:
qepallat e mbyllura, qerpikët që fërkonin ujin.
Në barin e butë gishtërinjtë e mi gjetën gishtat e tu
ta preka pulsin për një çast
e ndjeva që zemra jote tjetërkund dhemb.

Nën rrap, pranë ujit, mes pemëve të dafinës
gjumi të mor me vete edhe të shpërndau
rreth meje, pranë meje, e qenia ime e paaftë të të prekte tërësisht –
një, ashtu si ishe me heshtjen tënde;
të shihte hijen tënde tek rritej e zvogëlohej,
tek humbte në hije të tjera, në tjetrën
botë që të la të shkoje e gjithsesi të mbajti veç për vete.

Jetën që na dhanë të rronim, e jetuam.
Gjynah ca që pritën me kaq shumë durim
humbur në dafina gjethezeza, poshtë rrapesh hijerëndë
dhe ata, vetmitarë, që flasin me sterna e puse
dhe mbyten në rrathë të zërit.
Gjynah shokët që ndamë skamjen dhe djersën
dhe u zhdukën drejt diellit si korbat që shkuan tej gërmadhave
pa shpresën e mbërritjes së shpagimit.

Falna, veç gjumit, qetësinë.

*Si e kam rrapin hijerëndë? (Plini i Ri, Letër Kanin Rufit)

16.
Emri është Orest

Udhëtim, sërish udhëtim, udhëtim,
kush e di sa herë, sa prehër njollosur n’gjak, sa zezona
që radhiten; njerëzit që më shohin,
që më kanë parë asokohe kur prej koçisë
ngrija dorën, fitimtar, e ata brohoritnin triumfalisht.

Më habisin kuajt që nxjerrin shkumë, kur do të lodhen kuajt?
Rrotat kërcasin, rrotat nxehen, kur do të digjen rrotat?
Kur do të këputen frerët, kur do të shkelin thundrat
e kuajve pak më ngadalë mbi dhe
mbi barin e butë, mes lulëkuqeve
aty ku në pranverë ti këpute një luledele
ishin të këndshëm sytë e tu, po ti s’dije ku të vështroje
as unë s’dija ku të vështroja, unë, pa një atdhe,
unë që vazhdoj përleshjet këndejpari, e kushedi sa herë?
i ndjej gjunjtë tek i lëshojnë udhë boshtit të koçisë
dhe rrotave, i hapin udhë pistës
gjunjtë thyhen lehtësisht kur kështu duan zotat,
askush s’shpëton dot, s’të hyn në punë forca, s’i shpëton
dot detit që të ka përkundur foshnje, detit që kërkon
në këto kohë gjykimesh, ndërsa kuajt turfullojnë,
me frerët që tingëllonin vjeshtave nota në shkallë lidiane
detin që nuk e gjen dot, sado që të vraposh e t’endesh
sado të vërtitesh tej Eumenideve të zeza e t’mërzitshme,
i pafalur.

17.
Astyanaks

Tash që po shkon, merre me vete djalin,
birin që dritën e pa përposh rrapit,
atë ditë kur frynin trumbetat dhe armët vizllonin
dhe kuajt e djersitur epoheshin që të preknin me flegrat e njoma
syprinën gjelbëroshe të ujit.

Pemët e ullinjve mbajnë rrudhat e etërve tanë
shkëmbinjtë mbartin urtësinë e tyre
e gjaku i vëllezërve ende i njomë mbi dhe
një gaz jetëdhënës, një udhë kaq e plotë
për shpirtra që e dinë kujt t’i luten.

Tash që po shkon, tash që dita e shpagimit
lind, sot kur askush s’e di
kë do të vrasë a si do të vdesë,
merre me vete djalin që dritën së pari pa
nën gjethet e atij rrapit
edhe mësoje që t’i njohë mirë pemët.

18.
Më vjen keq që mes gishtash lashë një lumë të gjerë të më rridhte
e s’piva as dhe një pikë ujë.
Tash po zhytem në shkëmb.
Një fidan pishe mbjellë në dhe të kuq
e vetmja shoqëri që kam.
Gjithçka desha u zhduk bashkë me shtëpitë
që ishin të reja verën që shkoi
e që u rrënuan nën erëra vjeshte.

19.
Edhe nëse fryn era për ne s’ka freski
e vogël është hija që lëshojnë selvitë
e kodrat rreth e rrotull që ngjiten gjer në male;

barrë mbi shpinë i mbajmë
miqtë që tashmë nuk dinë më si të vdesin.

20.
Prapë m’hapet plaga që kam në krahëror
kur yjet vijnë poshtë e m’i motërzohen trupit
kur heshtja rrëzohet nën hapa njerëzorë.

Këta shkëmbinj që zhyten në kohë më zvarrisin pas tyre – sa larg?
Detin, detin, kush do të mundë ta zbrazë e ta terë?
Shoh duar të shkunden tërhequr nga zhgaba e skifterë
i lidhur siç jam pas shkëmbit që timin e ka bërë vuajtja
shoh pemët, frymëmarrin të zezën qetësi të të vdekurve
e pastaj kaq të ngrirat buzëqeshje të statujave.

21.
Ne q’u nisëm për pelegrinazh
duke parë statujat e thyera
u habitëm dhe thamë se jeta s’përhumbet kaq lehtë
se vdekja ka shtigje të pazbuluara ende
dhe drejtësinë e saj të veçantë;

domethënë që kur ne, teksa ende më këmbë, po vdesim,
të lidhur në shkëmb
bashkuar në ashpërsi e dobësi,
të vdekurit e vjetër dolën prej zinxhirit e tash janë ringritur
buzëqeshin mes heshtjes allasoj.

22.
Kaq shumëçka kaloi para syve tanë
sa asgjë s’na panë sytë veç përtej
dhe përmbas qe kujtesa si një çarçaf i bardhë që mbështjell gjithë një natë
kur na u shfaqën vizione dhe më të çuditshme se ti,
që kalojnë dhe zhduken në gjethnajën e ngrirë të piperit të zi;

meqë e dinim kaq mirë ç’fat na priste
tek endeshim mes thepave të shkëmbinjve për tre a gjashtë mijë vjet
tek kërkonim në rrënoja që dikur ndoshta kanë qenë shtëpitë tona
duke u përpjekur të kujtojmë data e bëma heroike:
a do të mundemi?

teksa na kanë lidhur e na kanë shpërndarë
ndërsa ne luftuam, siç na thanë, me vështirësi të paqena
humbur, pastaj e rigjetëm një udhë plot regjimente të verbra
tek mbytemi në moçalet e liqenet e Marathonës
vallë do jemi në gjendje që të vdesim siç duhet?

23.
Pak m’andej
ne do të shohim lulet e bajames tek çelin
shëndritjen e mermerit përnën diell
detin tek copëtohet nëpër valë

pak m’andej
le të ngrihemi pak më lart.

24.
K’tu mbyllen punët e detit, punët e dashurisë.
Ata që ndonjëherë do jetojnë këtu ku po e mbyllim ne –
në iu errësoftë gjaku e në ua përmbyttë kujtesën –
le të mos i harrojnë shpirtrat tanë të brishtë në mes asfodelesh,
le t’ua kthejnë viktimave kokat drejt Erebit:

Ne që s’patëm hiç do u japim mësim, kështu, qetësisht.

“MËLLENJAT”

O pjellë fluturake e një demoni të lig dhe e një ore të ashpër
pse m’detyron të them çka do t’ish mirë për ty që kurrë mos ta dije.
(Sileni i drejtohet Midës)

A.

SHTËPIA PRANË DETIT

Shtëpitë që kisha m’i morën. Kohët
duket se qenë të papërshtatshme: luftë, shkatërrim, syrgjynosje;
ndonjëherë gjahtari shtje mbi shpezët që shtegtojnë,
ndonjëherë del huq. Gjuetia
shkonte mirë në vaftin tim, shumë i rrokën saçmat;
të tjerë fluturonin nëpër rrathë apo çmendeshin në foletë e tyre.

Mos m’i dëfte mua bilbilin apo laureshat
apo bishttundësin që
me bishtin e tij vizaton figura nëpër dritë;
S’di shumë për shtëpitë
E di që kanë natyrën e tyre, asgjë tjetër.
Në fillim të reja, si foshnjat
që luajnë në kopshtije me xhufkat që lëshon dielli.
ditës ia qëndisin
tenda ngjyrëplota dhe dyer që shëndrisin.
Kur arkitekti mbaron punë, ato ndërrojnë,
vrenjten a qeshin, a bëhen kokëforta
me ata që ndenjtën, me ata që shkuan
me të tjerët që do të ktheheshin po të kishin mundësi
a me ata që u zhdukën, tani që bota është bërë
një hotel i pafundmë.

Nuk di shumë për shtëpitë,
Mbaj mend gazmendet dhe trishtimet e tyre
ndonjëherë kur ndal të mendoj;
sërish
ndonjëherë, pranë detit, në dhoma të zhveshura
veç me një shtrat të hekurt e asgjë që të më përkasë
ndërsa shoh merimangat mbrëmjes, unë imagjinoj
që dikush po bëhet gati e po vjen, e që
po e veshin
me rroba të bardha e të zeza, me xhevahirë shumëngjyrësh,
rreth tij zonja të adhurueshme
flokë të përhime dhe shaje dantellash, që murmurisin zëulët,
se ai po bëhet gati të vijë e të më thotë lamtumirë;
apo se një grua – qepallapërpëlitur, belhollë,
tek kthehet prej limaneve të jugut,
Smirnës Fodit Sirakuzës Aleksandrisë,
prej qyteteve të mbyllura si grilat në kohë dielli,
me aromë frutash të arta dhe barërash –
ngjit shkallët pa vënë re
ata që i zu gjumi përfundi shkallëve.

Shtëpitë, e dini, bëhen lehtë kokëforta kur i zhveshin
cullak.

B.

ELPINORI SENSUAL

E pashë dje ke rrinte aty te dera
poshtë dritares sime; ishte thuajse
ora shtatë; me vete kish një grua.
Dukej bash si Elpinori para se të binte
e të copëtohej, mirëpo s’qe i pirë.
Po fliste shpejt, dhe ajo
shihte e përhumbur andej nga gramafonët;
herë pas here e ndërpriste dhe thoshte ndonjë fjalë
pastaj shihte e padurimtë
andej nga po fërgohej peshku: si macet.
Ai turfullonte me një bisht cigare nëpër buzë:
– “Dëgjo. Kam dhe këtë. Në dritën e hënës
statujat ndonjëherë përkulen si kallinjtë
kur piqet kohë e korrjes – statujat;
dhe flaka mund të shndërrohet në oleandër të bukur
e kam fjalën, flaka që të djeg.”
– “Është thjesht dritë… hijet e natës.”
– “Ndoshta është natë që çahet e hapet, si një shegë blu,
një kraharor i errët që të mbush me yje,
ngjitur pas kohës.
E prapëseprapë statujat
përkulen ndonjëherë, e ndajnë dëshirën në dy pjesë,
si një pjeshkë; dhe flaka
bëhet një puthje në gjymtyrë, një psherëtimë,
pastaj një petal i bukur që tutje e fryn era;
përkulen; bëhen të lehta sa një trup njerëzor.
Mos e harro.”

– “Statujat janë në muze.”

– “Jo, ato po të ndjekin, pse s’mundesh t’i shikosh?
e kam fjalën, me gjymtyrët e tyre të thyera,
me formën prej një kohe të qëkurshme, një formë që ty s’të
kujton gjë
mirëpo dije.
Është sikur
në ditët e fundme të rinisë të kesh dashur
një grua që ish ende e bukur, e të kesh qenë gjithnjë i trembur,
kur lakuriq e përqafoje në mesditë,
e prej kujtimeve që ringjalleshin nga përqafimi jot;
t’zu frika se puthja mund të t’kish tradhtuar
në shtretër të tjerë, që tash kanë shkuar
që gjithsesi mund të t’përndjekin
kaq lehtësisht, kaq lehtësisht, t’i japin jetë
imazheve nëpër pasqyrë, trupa dikur të gjallë:
sensualitetin e tyre.
Është sikur
tek kthehesh në shtëpi prej një vendi të huaj e të ndodh
që të hapësh
një sënduk të vjetër që ka qenë kyçur për një kohë të gjatë
e të gjesh rrobat e rreckosura që ke pas veshur dikur
në raste gëzimesh, në festivale ku drita shumëngjyrëshe
pasqyroheshin, e tash janë zbehur,
dhe gjithçka që mbet është aroma e mungesës
së një forme të re.
Vërtet them, ato statuja nuk janë
fragmente. Vetë ti je relike;
që të përndjekin me një virgjëri të çuditshme
në shtëpi, në zyrë, në pritjet që mbahen për raste celebrimi,
në terrorin e parrëfyer të gjumit;
ata flasin për gjëra që ti do të doje të mos ishin
apo që të ndodhnin shumë vjet pasi të kishe vdekur,
dhe kjo është shumë e vështirë sepse…”

– “Statujat janë në muze
Natën e mirë.”

– “…sepse statujat nuk janë më
fragmente. Ne jemi të tillë. Statujat përkulen lehtësisht… Natën
e mirë”.

Në këtë çast ata u ndanë. Ai mori
rrugën që çonte përpjetë, drejt veriut
e ajo lëvizi drejt plazhit përmbytur me dritë
ku valët janë zhytur në zhurmën e radios:

RADIOJA

– “Si velat që flladi prin
mendimet në tru lëvrijnë.
Aromë pishash, qetësi
melhelm shpirtin përtëri
tash detari në det del
trishtil, trumcak, harabel.
O grua, moj e shastisur
Dëgjo erën që ka nisur”.

“Qyp’i arit është sosur
edhe dielli është rreckosur
që një zonjë e mban gjerdan
e që kolla po e ngan;
ajo qan behar’n e shkuar
vithe e sup flori mbuluar.
Grua moj, dritëshkurtër moj
Këngën të verbrit dëgjoja”.

“Mbylli grilat, dolën yjtë;
prej kallamat e gdhend fyejt
mos ua hap sado trokasin:
s’kanë se ç’thonë sado bërtasin.
Merr çiklamina dhe zambakë,
yje deti për merak;
O grua pa mjaltë në hoje
shpirtin e ujit dëgjoje…”

– “Athinë. Populli e mori vesh
lajmin me alarm; frikësohesh
mos afrohet kriza. Kryeshefi
deklaroi: “Nuk ka kohë sa t’ju dojë qejfi…”
Merr çiklamin… hala pishe
Zambakë… hala pishe…
O grua…
– … është shumë më e fortë
Lufta…”

C.

RRËNOJAT E “MËLLENJËS”

“Kjo erë që më freskon ballin
në orët kur damarët m’i nxeh mesdita
lulëzon në tjera duar. Merre, po ta fal;
shih, është dru i pemës së limonit…”
Ia dëgjova zërin
ndërsa këqyrja detin e rrekesha të përfytyroja
një anije që fundosën vjet më parë;
quhej “Mëllenja”, një rrënojë e vogël; direkët,
e thyer, shpërndarë më kahe të pazakonta thellë nën ujë, si
tentakula,
apo si mbamendje ëndërrore, që shënojnë kiçin:
gojë e mjegullt e kufomës së një bishe detare gjigande
që ka vdekur në ujë. Qetësia shpërndahet ngado.

Dora-dorës i vjen radha zërave të tjerë që erdhën më pas
pëshpërima të holla e të etura
që mbijnë prej anës tjetër të diellit, prej anës së errët;
mund të mendosh se i ka marrë malli për të pirë një pikë gjak;
zëra të njohur, po s’po mundja t’i dalloja njërin prej
tjetrit.
Dhe atëherë zëri i një burri erdh pranë meje; e ndjeva
qetë-qetë tek binte në zemër të ditës,
thuajse i palëvizshëm:
“Dhe në më dënofsh që të pi farmak, të falënderoj.
Ligjet e tua do të jenë ligjet e mia; e si mund të shkoj
e të endem nga një shtet i huaj në tjetrin, një gur
që gremiset.
më mirë të vdes.
Kush ia del më mirë, zoti e merr vesh”.

Vendet e diellit, e prapë përballë s’i dilni diellit
Vendet e njerëzve, e prapë përballë s’i dilni njeriut.

DRITA

Ndërsa viti shkon
gjyqtarët që të dënojnë shtohen në numër;
vitet ikin, e ti bisedon me gjithnjë e më pak zëra,
e sheh diellin me sy të tjerë:
ti e di se ata që ndenjtën pas po të mashtronin
deliri i mishit, vallëzimi i dashur
që përfundon në zhveshje.
Ngjan sikur, ndërsa merr kthesë natën në një autostradë të zbrazur,
sheh befasisht sytë e një kafshe që shëndrijnë,
sy tashmë të shkuara; prandaj ndjen sytë e tu:
sheh diellin, pastaj përhumbesh në terr.
Kitoni dorik
që valëzonte si malet kur e prekje me gishta
statujë mermeri me trupin në dritë, po me kokën n’errësirë.
Dhe ata që e braktisën stadiumin për të kapur armët
qëlluan vrapuesin e maratonës
që e pa pistën tek lundronte mbi gjak,
botën që zbrazej si me qenë hënë,
kopshtijet e fitores largohen
i sheh në diell, përtej diellit.
Dhe djemtë që kridhen nga kiçet e anijeve
si furka që ende spërdridhen,
trupa të zhveshur që zhyten në dritën e zezë
me një monedhë ndër dhëmbë, dhe ende notojnë
ndërsa dielli me gjilpërën e artë qep
vela dhe dërrasa të njoma dhe ngjyrat e detit;
edhe sot ata shkojnë thellë në drejtim të lakuar
shtamba të bardha
drejt zajeve në shtrojën e detit.

Dritë, engjëllore dhe e zezë,
qeshje e valëve në shtigje të detit
qeshje e larë me lot,
lypësi plak po të sheh
ndërsa ecën për të kaluar përtej fushave të padukshme –
drita pasqyrohet në gjakun e tij,
gjaku që i dha jetë Eteoklit dhe Polinikut.
Ditë, engjëllore dhe e zezë;
shija e kripur e gruas që helmon të burgosurin
del përmbi valë një degë interesante zbukuruar me pika.
Këndo Antigonë e vogël, këndo, o këndo…
S’po të rrëfej gjëra që kanë shkuar, po flas
për dashuri;
zbukuroji flokët me gjemba diellorë,
vajzë e errët;
zemra e Akrepit ka lindur
tiranin e nxorën prej trupit të njeriut
dhe gjithë vajzat e detit, Nereidat, Graiat
nxitojnë drejt shkëlqimit të perëndeshës që po lind
ai që s’deshi kurrë do të dashurojë
në dritë:
do ta gjesh veten
në një shtëpi të madhe, me shumë dritare të hapura
tek bredh nga dhoma në dhomë, pa ditur ku të
shohësh më parë
sepse pishat do të zhduken, dhe malet e pas-
qyruara, dhe cicërimat e zogjve
deti do të thahet, qelqe të thyera prej veriut në jug
sytë e tu do të zbrazen dritës së ditës
njësoj si gjinkallat që befasisht, të gjitha bashkë, heshtin.

Përktheu: Arbër Zaimi / KultPlus.com

Revista “Mësuesi”, në ndihmë të arsimtarëve të shekullit të kaluar

Revista “Mësuesi”, drejtuar nga Karl Gurakuqi, ishte një revistë didaktike në shërbim të mësimdhënies që përfshinte artikuj të ndryshëm ndihmues dhe këshillues për mësuesit dhe botohej në vitet ’20 të shekullit XX.

Artikujt trajtonin tema të ndryshme mësimore, çështje të didaktikës, metodikës etj.

Veç tyre revista përcillte edhe informacione zyrtare të dobishme lidhur me arsimin. / KultPlus.com