Nesër hapet ekspozita në nder të ditëlindjes së Shën Terezës

“Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë”, nesër do të hapin ekspozitën “Fryma e Dashurisë” për nder të ditëlindjes së Shenjtores, Nënë Tereza.

Në njoftim është bërë e ditur se kjo ekspozitë e cila vjen si reflektim mbi vlerat e dashurisë dhe humanizmit do të hapet në sheshin e kryeqytetit “Nënë Tereza”.

“Kjo ngjarje e veçantë është organizuar për nder të shenjtores Nënë Tereza dhe do të jetë një mundësi e mrekullueshme për të reflektuar mbi vlerat e dashurisë dhe humanizmit që ajo përfaqësonte”, thuhet në njoftim.

Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë nga ora 12:00 deri në 18:00./ KultPlus.com

Kisha e Shën e Premtes në Përmet, dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike

Kisha e Shën e Premtes (ndërtuar më 1776) është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së parë në vitin 1963 dhe ndodhet në Zonën e Mbrojtur të Qendrës Historike të qytetit të Përmetit.

Kisha është e tipit bazilikë me përmasa 22 metra e gjatë, 16 metra e gjerë dhe 8 metra e lartë.

Mbishkrimi i gdhendur mbi një pllakë guri, tregon për ndërtimin e kishës më 1776, nga kryemjeshtri Ilia Kristo.

Afresku me skena nga shkrimet e shenjta është realizuar më 1808 nga piktori Terpo Zografi. Ikonostasi dhe gdhendjet në dru, janë punuar artistikisht nën drejtimin e Dhimitrit, mjeshtrit shqiptar nga Konica.

Në vitin 1964, Kisha e Shën e Premtes është përmbytur prej përroit që kalon aty pranë. Uji i përzier me baltë shpërtheu derën jug-perëndimore të narteksit dhe mbushi naosin deri në lartësinë 3 metra, duke shkaktuar dëme të mëdha në pikturën murale të kishës.

Punimet për kullimin e ujërave filluan në vitin 1967. Më pas u restaurua narteksi dhe naosi. Gjithashtu muralet e kishës janë restauruar edhe në vitet 1981-1982./atsh/ KultPlus.com