42 vjet më parë, Nëna Tereza fitoi çmimin ‘Nobel’ për Paqe

KultPlus sjell fjalimin tejet emocionues të Nënë Terezës kur kjo e fundit pranoi çmimin “Nobel” për Paqe.

Ishte 17-të tetori i vitit 1979 kur juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.

Në motivacionin e ndarjes së Çmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se: ”Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën gjithashtu një kërcënim për paqen”.

Edhe pasi u nderua me çmimin “Nobel” për paqen, ajo refuzoi të realizohej banketi tradicional, në mënyrë që paratë e harxhuara për të, të përdoreshin për personat në nevojë. As sëmundjet si pneumonia, malarja, apo sëmundjet kardiake nuk e ndalën atë. Puna e Nënë Terezës vazhdoi në mënyrë të palodhur deri në vitin 1997, në të cilin ajo ndërroi jetë. Nga 13 murgesha, të cilat i mësonte mbi besimin, në shumë pak kohë ajo arriti t’i shërbente më shumë se 5000 njerëzve në mbi 130 vende të botës.

Ende në ditët e sotme, ajo njihet si një simbol i dashurisë dhe humanizmit. Ajo është një shembull se edhe roli i një drejtuesi, mund të bëhet me mirësjellje, humanizëm dhe dashuri.

Fjalimi i Nënë Terezës me rastin e marrjes së Çmimit Nobel:

“Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, është aborti. Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur.

Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin.

Fëmijët tanë… ne i duam ata, por çfarë mund të thoni për miliona të tjerë? Shumë, shumë pak njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, për fëmijët e Afrikës, ku vdesin një numër i madh prej tyre, ndoshta nga uria, ushqimi i keq dhe kështu me radhë.

Por jo vetëm kaq! Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj në Indi, apeloj kudo!

Le t’i sjellim fëmijët përsëri dhe ky vit të jetë viti i fëmijëve. Të reflektojmë: çfarë kemi bërë ne për fëmijët?

Në fillim të vitit, kudo ku m’u dha mundësia të flisja thashë: “Këtë vit le t’i bëjmë të gjithë fëmijët e lindur dhe të palindur të ndjejnë dashuri .

Dhe tani që jemi në fund të vitit, a e kemi bërë këtë?

Nuk besoj se jemi me të vërtetë punonjës socialë. Ndoshta bëjmë punë sociale në sy të njerëzve, por në të vërtetë jemi soditës në zemër të botës, pasi ne po e prekim trupin e Krishtit 24 orë në ditë. Jemi 24 orë në prezencën e Tij, unë, po kështu dhe ju.

Edhe ju duhet të përpiqeni ta sillni prezencën e Hyjit në familjen tuaj, pasi familja që lutet së bashku, qëndron së bashku!

Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.

Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!

Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.

Të varfrit fillimisht në familjen tonë, në vendin tonë dhe në botën tonë.
Në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, Motrat tona, jeta jonë duhet të jetë e ndërthurur me lutje. Ajo duhet të jetë e ndërthurur me Krishtin, në mënyrë që të kuptohet, që të ndjehet.

Për shkak se sot ka kaq shumë vuajtje, unë ndjej se pasioni i Krishtit po jetohet përsëri.

A jemi ne atje ta ndajmë atë pasion, ta ndajmë atë vuajtje me njerëzit?

Varfëria është në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e varfra, sepse unë kam gjetur varfëri edhe në Perëndim, aty ku është ndoshta më vështirë të hiqet.

Kur marr nga rruga një person të uritur, i jap një pjatë me pilaf, një copë bukë, e ngop. Atij i heq urinë.

Por një person i lënë jashtë, që ndihet i padashur, i padëshiruar, i tmerruar, person që është përzënë nga shoqëria… ajo varfëri të vret kaq shumë dhe kaq fort, dhe kjo mua më duket më e vështirë.

Motrat tona po punojnë mes atyre njerëzve në Perëndim. Prandaj duhet të luteni për ne që të mund të jemi ai lajmi i mirë, pasi nuk mund ta bëjmë këtë pa ju. Ndërsa ju… Ju duhet ta bëni këtë këtu, në vendin tuaj. Ju duhet t’i njihni të varfrit.

Ndoshta njerëzit tanë këtu kanë të mira materiale, gjithçka, por besoj se nëse të gjithë hedhim një sy para shtëpive tona, sado të vështirë ta kemi ndonjëherë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit, duhet ta bëjmë dhe ajo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.

Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë që ka ndodhur disa kohë më parë, kur katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Ata erdhën në shtëpinë tonë dhe ne biseduam për dashurinë, dhembshurinë, pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Më thoni, nënë, ju lutem na thoni diçka që ta mbajmë mend” dhe unë i thashë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit dhe gjeni kohë për njëri-tjetrin në familjen tuaj.” Buzëqeshini njëri-tjetrit! Dhe pastaj njëri prej tyre më pyeti: A jeni e dashuruar? Dhe unë i thashë: “Po, dhe ndonjëherë më duket e vështirë t’i buzëqesh Jezusit, për shkak se ai ndonjëherë bëhet shumë kërkues.

Kjo është diçka e vërtetë dhe në atë vend ku vjen dashuria, kur dashuria është kërkuese, atëherë mund t’ia japim Atij me gëzim.

Besoj se duhet të jetojmë jetë të përsosur, pasi kemi Jezusin me vete dhe Ai na do ne.

Sikur vetëm të kujtonim se Hyji na do ne, dhe se ne kemi një mundësi për të dashur të tjerët ashtu siç Ai na do, nuk do të bënim gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë me të vërtetë meritoni Çmimin Nobel për Paqen.
Zoti ju bekoftë!
”, kishte thënë Nënë Tereza./ KultPlus.com

Në San Benedetto del Tronto do të vendoset busti i Nënë Terezës

Në San Benedetto del Tronto do të vendoset busti i Nënë Terezës. Ky bust është një vlerë e shtuar për komunitetin shqiptar që jeton në këtë zonë dhe jo vetëm.

Ishte Shoqata Shqiptare në San Benedetto, me kryetar Vasil Nushin, që ndërmori nismën për vendosjen e bustit të shenjtores shqiptare Nënë Tereza.

Kastriot Shkreta ishte sipërmarrësi shqiptar që ndihmoi në financimin e ndërtimit të monumentit të Nënë Terezës në hapësirën e caktuar.

“Në San Benedetto del Tronto në sheshin para Eurospin do të vendoset busti i Nënë Terezës.

Ky bust, i propozuar, ideuar, dhe  sponsorizuar nga  ne  si  shoqat  është  një  vlerë  e shtuar për ne si komunitet shqiptar. Është në nderin e gjithë e shqiptarëve qq banojmë e jetojmë këtu të kemi midis nesh Nënë Tereza. Kjo u  mundësua si rezultat i bashkëpunimit  të shoqatës tonë me komunën e San Benedetto del Tronto”, shkruan kryetari i Shoqatës Shqiptare Vasil Nushi. / KultPlus.com

Nëna Terezë: Ju keni sy të mirë dhe mund të lexoni, si do të ishte nëse Zoti do t’ju kërkonte para që ju fali sytë

Nga Thesaret e Nënë Terezës

“Shumë njerëz thonë: “Nënë Terezë, Ju i llastoni të varfrit, sepse u jepni gjithçka pa asnjë kundërshpërblim”.
Mirëpo, neve nuk na llaston më shumë, se sa Zoti vetë. Shikoni: Ju keni sy të mirë dhe mund të lexoni. Si do të ishte, nëse Zoti Juve do t’ju kërkonte para, që Ai ju ka falur juve sytë. Ose, shikoni përjashta, se si ndriçon dielli. Si do të ishte, nëse Zoti do të na thoshte neve, ju duhet të punoni pesë orë, që të fitoni dy orë ndriçim të diellit.”/ KultPlus.com

Nëna Terezë: Nëse ne tani nuk kemi qetësi, kjo është për arsye se kemi harruar si të shohim Zotin në njëri – tjetrin

Trazirat e viteve të 90-ta në Shqipëri patën mbuluar mediet ndërkombëtare dhe patën prekur shumë njerëz. Mbi këto trazira pat reaguar edhe Nëna Terezë, reagim që e ka sjell Don Lush Gjergji. Ai për ndjekësit e tij ka sjellë reagimin e saj që ka publikuar më 28 prill të vitit 1997, përcjellë KultPlus.

Më poshtë e keni të plotë reagimin e atëhershëm të Nënës Terezë.

“Me dhimbje të madhe në zemrën time po dëgjoj se jetat po humbën, ndërsa njerëzit po lëndohen në këto trazira… Nëse ne tani nuk kemi qetësi, kjo është për arsye se kemi harruar si të shohim Zotin në njëri -tjetrin…” (28 prill 1997)./ KultPlus.com

24 vjet nga vdekja e Nënë Terezës

Sot bëhen 24 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Shën Nënë Tereza.

Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup.

Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.

Këto janë shifrat e mesit të viteve të 80-ta, dhe deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Ajo ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë dhe janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të Lumën Nëna Terezë. / KultPlus.com

Sot, Ditëlindja e Shën Nënës Terezë

Më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më vonë si Shën Nënë Tereza, shkruan KultPlus.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katoliko, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebëra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo u vlerësua dhe u kritikua për akuza të ndryshme, të tilla si për pikëpamjet e saj për abortin dhe kontracepsionin Ajo gjithashtu ka marrë kritika për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për ata që ishin buzë vdekjes.Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chaëla dhe u botua në 1992, ajo ka qenë subjekt i filmave dhe librave të tjerë. Më 6 Shtator 2017, Tereza dhe Shën Françesk Xavier u emëruan bashkë-mbrojtës të Argjipeshkës Katolike Romake të Kalkutës. / KultPlus.com

Shën Nënë Tereza, apostulli modern i ditëve tona

Nga Argjira Ukimeri

FAKTET INTERESANTE RRETH ANJEZË GONXHE BOJAXHIUT

(Kushtuar ditë-lindjes së Shenjëtores sonë)

Nënë Tereza – misionare dhe humaniste, gjatë shërbimit të saj ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla gjithësej. Së bashku me Motrat tjera misionare, mjekuan 960.000 njerëz të sëmurë në 213 dispanseri. Gonxhe Bojaxhiu, ishte e vetmja femër që trajtonte 47.000 viktima nga sëmundja e Lebrozës, në 54 klinika. Poashtu, kujdesej për 3.400 pleq të braktisur, që ishin lënë rrugëve, duke i rehatuar në 20 shtëpi për pleq. Birësoi 160.000 fëmijë të braktisur dhe illegal.

– Shën Nënë Tereza, ishte misionare e devotshme katolike. Jetën e saj ia kushtoi të sëmurëve dhe të varfërve. Shpëtoi me mijëra jetë njerëzish, u ndihmoi njerëzve që vuanin nga uria, por edhe njerëzve që vuanin nga sëmundje të ndryshme, u ndihmoi në mjekime. Poashtu, Nënë Tereza bëri dhe shumë mrekulli të tjera. Përmes këtyre mrekullive, arriti të shenjtërohej me datën shtator nga Selia e Shenjtë në Vatikan. Sot, Shën Nënë Tereza llogaritet ndër femrat më të famshme dhe më të fuqishme në botë.

– Gonxhe Bojaxhiu (Shën Nënë Tereza), u lind në Shkup. Edhe pse, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Indi si pjesë e misionit të saj që ngriti çështjen e personave në nevojë, asnjëherë nuk e mohoi origjinën e saj shqiptare. Interesimi dhe kureshtja e shumë gazetarëve për prejardhjen e saj, përgjigja ishte lapidare: Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane, dhe me zemër i përkas Krishtit.

– Familja Bojaxhiu ishte aq patriotike sa që ka dhënë mjaftë vlera kombëtare dhe patriotike për popullin tonë. Ndikimi i kësaj familje në shoqërinë tonë, pasqyroi jetën dhe edukimin e Nënë Terezës. Vlen të përmendet që familja e Nënë Terezës ka jetuar në Tiranë. Varret e Nënës Drane dhe të motrës Age Bojaxhiu, ndodhen në varrezat e Shales në Tiranë.

– Në periudhën e komunizmit, Shën Nënë Tereza nuk arriti asnjëherë që të takonte nënën e saj Dranen, plotë 45 vjet. Enver Hoxha, diktatori që ia refuzoi vizitën e saj në Tiranë kur nëna e saj ishte sëmurë rëndë dhe në pleqëri të thellë. Për këtë rast, kishin ndërhyrë presidenti francez Charl De Gaulle, dhe zonja e parë e SHBA-së Jasqueline Cennedy. Mirëpo, diktatori nuk e pranoi një gjë të tillë. Dëshmitarët e asaj kohe kishin shkruar kështu: E kemi parë duke qarë dhe duke thënë: “O Zot unë e kuptoi dhe e pranoi këtë vuajtje të nënë lojës sime, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron aagjë tjetër, përpos të më shohë edhe njëherë” – kishte thënë Nënë Tereza.

– Në jetën e saj si Misionare e dashurisë dhe Humaniste e dalluar, Nënë Tereza mori gjithësej 9 çmime. Mendohet që çmimi më i rëndësishëm në jetën e saj ishte Çmimi Nobel për Paqe më 17.10.1979. Ky çmim, ishte përafërsisht 1 milion dollar. E gjithë kjo shumë shkoi për të varfërit dhe të sëmurët. Poashtu, Nënë Tereza u vlerësua edhe me këto çmime: Damian Dutton, Ramon Magsasay – 1962, Çmimi Templeton – 1973, Çmimi Balzan – 1978, Çmimi Bharat Ratna – 1980, Çmimi Medal of Freedom – 1985. Ndërsa në SHBA, u vlerësua me titullin “QYTETARE NDERI I SHBA-ve”. Ndërsa në Kosovë, në vitin 1996 u shpallë qytetare nderi e Kosovës. Shteti shqiptar , poashtu jep dekoratë të veçantë me emrin e saj.

– Bamirësia nuk njehë kufi as armiqësi. Miqësitë e Nënë Terezës ishin përtej oqeaneve. Miqësia më unike e saj ishte me ikonën e bamirësisë princesën Lady Dayana. Aspak nuk ishin të rralla kronikat e stacioneve më prestigjioze ndërkombëtare për marrëdhëniet në mes të dy humanisteve. E veçanta e “Zonjave të Hekurta”, është vit-vdekja e njëjtë e tyre.

– Për herë të parë, Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë nga 14-17 gusht të vitit 1989. Edhe pse regjimi komunist nuk ishte rrëzuar akoma, zemërgjerësia e saj ishte e atillë. Sepse i kishte falur të gjithë, për atë se çfarë i kishte shkaktuar familjes dhe kombit të saj diktatori Enver Hoxha. Madje, Nënë tereza e kishte takuar edhe të venë e diktatorit Nexhmije Hoxha. Bashkë me të kishte vendosur lule në varrin e bashkëshortit të saj.

– Vlerësimi më real, dhe më i bukur, ishte ai i ish presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton. Ai ishte shprehur kështu për humanisten: “Nënë Tereza, ishte personi i parë që më bëri ta dua më tepër kombin shqiptar. Me vdekjen e sa, mbarë rruzulli tokësor humbi një gjigant të epokës sonë. Ku në të njëjtën kohë ishte një frymëzim dhe një sfidë për të gjithë. Mbretëreshat dhe mbretërit, presidentët, kryeministrat, partiakët dhe Papët vijnë dhe ikin. Por Nënë Tereza, është një. Jetoi në brezin tonë, në shekullin tonë, ku ne të gjithë jemi mirënjohës për këtë.

– Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, Nënë Tereza tha kështu: Shkatërrimi më i madh sot është, e qara e një fëmije të pafajshëm, që nuk lindi kurr. Nëse një nënë mund të vrasë një fëmijë brenda barkut të saj, çfarë ka mbetur për ty dhe mua? Të vrasim njëri tjetrin.

– Në fillimet e saj si Misionare, Nënë Tereza shqetësohej shumë nga varfëria dhe problemet që shihte në Kalkutë. Prandaj që nga viti 1946, vendosi që të jetoi atje për të jetuar me ta, dhe me problemet që kishin. Ajo punoi edhe si mësuese, për ngritjen arsimore dhe intelektuale të këtij vendi.

– Çdo mëngjes i Nënë Terezës, ishte i bekuar. Sepse çdo mëngjes, lutej dhe dilte rrugëve të Kalkutës, për të gjetur të varfër dhe për të ushqyer ata. Vizitat në familje, kujdesi për të sëmurët dhe fëmijët e prekur nga tuberkuloza, vizita për të moshuarit, e bënin infermierën më humane dhe më njerëzore.

– Në të gjitha intervistat e dhëna, Nënë Tereza asnjëherë nuk e kishte mohuar prejardhjen e saj shqiptare. Përveç gjuhës amtare shqipe, dhe asaj serbe, Humanistja fliste edhe anglisht. Në bazë të hulumtimeve dhe kërkimeve të shumta në arkivat e disa shteteve europiane, një ditë para shenjtërimit të saj, Nëna Tereza kishte shkruar një letër për shqiptarët. Në këtë letër shkruhej kështu: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që Paqja e Tij te vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”. Kjo letër u shkrua në dhjetor të vitit 1979, gjatë qëndrimit të Nënë Terezës në Oslo. Përveç kësaj, Nënë Tereza u shkroi letër edhe motrës dhe vëllaut të saj. Në këtë letër thuhej: “Vllau jem dhe Maria e dashtun. Mbaj uzdaj (shpresë) se je mir dhe që operacioni asht marue. Motrat dhe unë jemi tuj u lut shum për ty. me shumë dashuni vëllau i jem, t’puthi fort – Motra jote Tereza”

– Qysh në moshën 18 vjeçare, kur e la familjen Nënë Tereza nuk u kthye më kurrë.

– Në moshën 8 vjeçare, Nënë Tereza humbi të atin (Babain) Nikollë (shkurt – Kolë) Bojaxhiu. Dyshohet që është helmuar nga kundërshtarët e tij politikë, në atë kohë.

– Shën Nënë Tereza, humanistja dhe shenjëtorja e dashurisë dhe mirësisë, la gjurmë të thella në mendjen globale. Me veprat e saj, arriti të zhdukë urrejtjen duke mbjellë dashuri, varfërinë duke e kthyer në shpëtim si dhe dëshpërimin në buzëqeshje. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, arriti që për plotë 18 herë të bëhet gruaja më e dashur, më e adhuruar e mbi të gjitha “SHPËTIMTARJA E BOTËS”.

JETA DHE VEPRIMTARIA E SHËN NËNË TEREZËS

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind në më 26 gusht 1910 në Shkup. Prindërit e saj Kolë Bojaxhiu ishte me prejardhje nga Mirëdita e Shqipërisë, ndërsa nëna Drane ishte nga Novosella e Gjakovës. E njohur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ishte fëmiu i gjashtë i familjes. Një ditë pas lindjes, u pagëzua në Kishën e Zemrës së Krishtit, nga famullitari Dom Zef Ramaj. Poashtu, pirndërit e Gonxhes, kishin 5 fëmijë, ku dy prej tyre vdiqën në fëmijërinë e hershme. Nënë Dranja, kishte frikë që mos rastësisht edhe Gonxha do të vdiste, sepse kishte një trup dhe një shëndet të dobët. Por me kalimin e kohës, ajo (Gonxhja) u rrit dhe u zhvillua. Gonxhe Bojaxhiu, kishte një vëlla dhe një motër. Lazri (Vëllau), studioi në Grac të Austrisë, gjegjësisht në Akademinë Ushtarake. Mirëpo, për shkaqe politike, emigroi qysh herët në Itali. Ndërsa motra e saj quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj, Kolë Bojaxhiu, merrej me tregti. Përveç tregtisë, ai mblidhte në shtëpinë e tij artistë, muzikantë dhe patriot shqiptarë. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup. Poashtu, edhe gjimnazin e përfundoi në Shkup, në gjuhën serbo-kroate. Në jetën e saj, Gonxhja kishte tri pasione: Të bëhej mësuese, Të shkruante, të recitonte poezi, dhe Të kompozonte e të luante në muzikë. Në moshën 18 vjeçare e mori emrin TEREZË, kur vendosi të bëhet murgeshë. Më 26 shtator 1928, u bë BIJË – MOTËR. Ndërsa më 12 shtator 1928, Gonxhja ia kishte shkruar një letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12. 09. 1928 ”E dashura Teze Lis! Më 26 shtator po nisem prej Shkupit. Nuk mundem mos me iu shkruaj dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, dhe dëshiroj që Zoti t’ju jap gjithçka që ju deshiron zemra. Dua t’ju fal gjërat më të përzemërta, Gonxhja”. Kjo është koha, kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Nëna Drania dhe motra Age, u kthyen në atdhe, në Shqipëri, para Luftës së Dytë Botërore. NËNË TEREZA, u vendos në Kalkuta (Indi). Në fillim u bë mësuese dhe shumë shpejtë u bë drejtoreshë e shkollës së vajzave. Nëna Tereza e Kalkutës e themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” në vitin 1951. Qëllimi i themelimit të këtij urdhëri ishte për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve në Kalkutë dhe në mbarë botën. Në vitin 1979, Nënë Tereza e mori çmimin NOBEL PËR PAQE. Përmes këtij çmimi, bota mori njohuri mbi Nënë Terezën dhe prejardhjen e saj shqiptare. Mirëpo, Republika Socialiste, nuk ia ka dhënë asnjëherë mudësinë nobelistes së ardhshme, për ta vizituar familjen. Aq më pak edhe kur nëna e saj vdiq dhe u varros në vitin 1974. Viza nuk iu dha, madje kur fama e saj arriti në katër anët e botës, madje deri në vitin 1990. Nënë Terezë, ishte shqiptarja me trup të vogël, është kthyer në legjendë të gjallë. Bujaria, Humaniteti, Zemërgjerësia, janë karakteristikat që e veçojnë një person siç është Nënë Tereza. Përmes Durimit, Shërbimit të saj ndaj Zotit dhe dashurisë që tregoi ndaj të varfërve nëpër botë, Nënë Tereza arriti të thyente autoritetin e heshtjes, dhe tregoi armën e vetme, për të zhdukur urrejten dhe hidhërimin në sytë e njerëzve. Këtë e bëri përmes dhembshurisë dhe dashurisë që kishte për ta.

SHËN TEREZA E SHQIPTARËVE – LUTU PËR NE DHE PËR BOTËN MBARË / KultPlus.com

@REUTERS/Str/Files

Shën Nëna Terezë, muzika e Zotit për shërimin dhe frymëzimin e botës së sotme

Nga Don Lush Gjergji

Lorenc Anton ka mbajtur rregullisht dhe vazhdimisht ditarin personal dhe familjar, ku pothuaj vend qendror dhe thelbësor ka Gonxhe Bojaxhiu, më vonë Nëna Tereze, me të cilën ishte në afërsi të gjakut dhe të shpirtit. Aty kam gjetur shumë hollësi dhe shënime për fëmijërinë dhe rininë e saj, për prindërit Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, për famullinë e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, për veprimtaritë dhe organizimet e ndryshme të rinisë katolike shqiptare në atë kohë, gjithmonë me qëllime edukative,bamirëse, shpirtërore, kulturore, muzikore dhe argëtuese.

Ja si e përshkruan kompozitori ynë i njohur, Lorenc Antoni, Gonxhen si vajzë të re: “Gonxhja është tejet aktive në çdo lëmi të jetës. Ka prirje edhe për letërsi. Ka shkruar dy artikuj në “Blagovest”. Unë i thashë se kishte talent për shkrim. Ajo m’u përgjigj se s’kishte talent, por që kishte dëshirë të ishte ndonjë shkrimtare. Unë sërish i thashë se kishte talent, ajo sërish më tha se nuk kishte, sepse për çdo faqe të shkruar po i harxhonte pesë faqe. Të gjithë bëjnë kështu në fillim, i thashë unë në mbarim”

Ja edhe dëshmia e Lazër Bojaxhiut, vëllait të Nënës Tereze: “Ne si fëmijë kemi marrë pjesë në jetën kulturo-zbavitëse të Qytetit”.

Gjithë anëtarët e familjes Bojaxhiu ishin shumë të talentuar për muzikë. Muzika, kënga, instrumentet muzikore, pritja e mysafirëve, bamirësia dhe bujaria ishin përvoja të rëndomta, ndërsa kënga dhe muzika, gëzim dhe harmonia familjare ishte gjë e përditshme për ata. Në një ambient të tillë familjar, në një bashkësi dhe famulli katolike mjaft aktive dhe me shumë veprimtari, kishte kaluar fëmijërinë, pjesërisht edhe rininë Gonxhja jonë.

Vetë Kolë Bojaxhiu merrej me muzikë. Ishte anëtar dhe një ndër themeluesit dhe përkrahësit financiar i Ansamblit të instrumenteve me frymë “Zani i maleve”, që nga viti 1912. Kolë Bojaxhiu ishte edhe organizator i ndërtimit të teatrit të parë në Shkup.

Drane Bojaxhiu, nëna e Nënë Terezës, merrej me punë dore. Përgatiste rroba për martesa dhe për festa të ndryshme… “Gonxhja dhe Agëja kanë kënduar kompozimin tim të parë. Atëherë unë isha gjimnazist. Kompozimi quhej “Në breg të liqenit”, sipas tekstit të Hil Mosit. Ishte kjo një akademi e organizuar më 25 mars të vitit 1928, për qëllime humanitare, pikërisht për të varfrit. Shfaqje dhe programe të tilla kishim shpesh, së paku një herë në muaj. Gonxhja vinte rregullisht në prova, ishte e para, shumë e përpiktë dhe shumë e gëzuar”, kujton kompozitori i njohur Lorenc Antoni.

Ai pastaj vë në pah edhe këtë fakt, talentin muzikor dhe zërin e bukur të saj: “Gonxhja këndonte jashtëzakonisht bukur. Ishte soprane, ndërsa Agëja këndonte alt. Gonxhen e kam mësuar që t’i binte mandolinës. Ajo këtë e mësoi mjaft shpejt dhe mirë. Kishte me të vërtetë talent për muzikë. Gjithnjë ka marrë pjesë aktive në shoqatën e rinisë katolike: shumë herë ka recituar, ka kënduar, ka marrë pjesë në shfaqje të ndryshme, në kor… Ajo ishte si qendër rreth të cilës tuboheshin të gjithë, posaçe vajzat. Ishte bërë e gjetur për organizim. Të gjitha këto aktivitete, prova i bënim në lokale të kishës, si dhe programet. Në këto lokale në fillim ushtronte edhe orkestra, si dhe jepeshin të gjitha programet. Më vonë u ndërtua një sallë tjetër, në oborr të kishës…”.

Edhe në kujtimet e të vëllait, Lazër Bojaxhiut, Gonxhja shihet si një vajzë e pasionuar ndaj dijes dhe kulturës, veçmas ndaj krijimit të poezisë. Ja si e kujton i vëllai Lazri: “Qysh në fëmijëri kishte prirje për poezi, shkruante dhe ju lexonte shoqeve”.

Lorenc Antoni e përshkruan edhe afërsinë që kishte me të. “Si fëmijë jemi rritur së bashku. Të gjithë ne jemi rritur në oborrin e kishës. Edhe në shkollë kemi qenë bashkë. Katër vitet e para i kemi kryer në gjuhën shqipe, në lokalet afër kishës. Mësues të parë kishim Engjëll Nocajn nga Shkodra. Pastaj erdhi edhe Ndue Vorfi. Në vitin e katërt kemi mësuar edhe gjuhën serbishte. Gonxhja në shkollë ka qenë shumë e mirë. Përpos kësaj ajo ishte edhe organizatore shumë e mirë”.

Në kujtimet e Lorenc Antonit vend të rëndësishëm zë edhe fshati Letnicë, shenjtërorja dioqezane “Zoja Cërnagore”, në komunën e Vitisë, në kishën e të cilës Gonxhja edhe vendosi t’i përgjigjej përfundimisht thirrjes rregulltare misionare. Lorenc Antoni vendimin e saj për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut, e përshkruante kështu: “Ne për çdo vit, të gjithë së bashku shkonim në Letnicë. Dy vitet e fundit, pra se të nisej në misione për motër, Gonxhja ishte në Letnicë edhe për ushtrime shpirtërore. Atje qëndroi gati dy muaj, ku mësonte edhe gjuhën angleze. Herën e fundit, në vitin 1928, u kthye prej Letnicës dhe prej ushtrimeve shpirtërore disa ditë para festës së Zonjës së Madhe. E kemi ditur se ajo do të bëhet motër. Njëherë kur u hidhërova diçka me të, sikur bëjnë shpesh fëmijët dhe rinia, i thashë: si mund të jesh ti kështu si shenjtëreshë? Ajo qysh atëherë ishte shumë e angazhuar për t’i ndihmuar të varfrit. Kemi mbledhur të holla, tesha, kemi dhënë edhe shfaqje në ndihmë për të varfrit”.

Sigurisht që një moment të veçantë në kujtesën e kompozitorit Lorenc Antoni shënon edhe ky shkrim në ditarin e tij: “Unë isha duke i mësuar tri vajza për muzikë, pikërisht që t’i binin mandolinës. Ato dëshironin që për këtë të më paguanin, të ma jepnin nga një dinar, por unë nuk doja t’i merrja. “Merre, merre nga një dinar e pastaj m’i dërgon mua për misione në Indi”. Ishte kjo në vitin 1927, pra, një vit para se Gonxhja të nisej për misione. Nga kjo shihet se si është përgatitur me zell e dashuri dhe si ka menduar gjithnjë për jetën e mëvonshme”.

Ndërsa takimin e fundit me të motrën, në vitin 1924, Lazri e përshkruan kështu: “Ishte një e diele. Gonxhja dhe Ageje përgatiteshin për në kishë. Më thirrën dhe mua lart në kor. Atë ditë të dyja këndonin si soliste. Ageja ishte alt, ndërsa Gonxhja sopran. Për herë të parë i dëgjova të dyja së bashku si soliste. Këndonin për mrekulli, aq bukur sa populli si dhe shoqëria i quante me simpati dhe dashuri “dy bilbilat e kishës”.

Shoqëria e saj, rinia katolike, dëshironte që në mënyrë sa më të mirë të ndahej prej saj, ta përshëndeste dhe t’i dëshironte rrugë të mbarë dhe jetë të frytshme në thirrje. Për këtë vendosën që për programin e Akademisë së Pashkëve një pikë e programit të jetë edhe një përshëndetja me Gonxhen.

Këtë program edhe e ruante gjithnjë me dashuri Lorenc Antoni. Pika e dytë e këtij programi ishte “Lamtumira” për Gonxhe Bojaxhiun, me katër pika tjera.

Në një rast Nëna Terze më tha kështu: “Dy gjëra në jetë nuk kanë nevojë për shpjegim: dashuria dhe muzika”. Thënie e bukur dhe shumë e vërtetë.

Kur isha në vizitë dhjetëditore në Kalkut në vitin 1989, përjetova një befasi të këndshme . “Misionaret e Dashurisë” në mbarim të meshës këndonin himnin e Virgjrës Mari “N’Cërnagore kem një Nënë” në gjuhën anglishte. Fill e kuptova që Nëna Tereze e kishte përkthyer dhe i kishte mësuar ta këndojnë këtë këngë vërtet të thjeshtë, por kaq të dashur për të dhe për të gjithë ne.

Do ta përfundoj paraqitjen time me poezinë e Shën Nënës Tereze kushtuar muzikës dhe këngës:

Falënderimi për muzikë dhe për këngë

Faleminderit, o Zot,
për dhuratën e këngës:
në praninë Tënde
pranojmë harmoninë e mrekullueshme të saj

Kur këndoj për Ty
të dëgjoj në këngën time.
Aleluja.

Falëminderit, o Zot,
për këngët:
dhe për Ty që je muzikë në këngë.

Kur këndoj për Ty, tashmë je i pranishëm
Në aftësinë time për këndim.
Amen.

(Ligjëratë e mbajtur në Tryezën muzikologjike në ASHAK, seksioni i arteve, 30 nëntor 2017)