Shën Sofia, katundi arbëresh ku gjuha antike gërshetohet me traditën

Katundi arbëresh Shën Sofia  (Ital: Santa Sofia d’Epiro, me mbi 2500 banorë në provincën e Kozencës në Kalabri është një vend plot shije, stil e bukuri. Arbëreshët e këtushëm në masë ruajnë traditat nga etërit shqiptarë, siç janë gjuha antike, riti bizantin, zakonet dhe traditat tipike.

Sot kur shumica e fshatrave arbëreshe në Italinë e Jugut edhe më tej gjenden në një lloj mbylljeje, sa i përket aktiviteteve kulturore, e sidomos manifestimet tradicionale arbëreshe, një mbyllje e tillë është e vështirë sidomos për këtë qytezë arbëreshe, ku gjatë periudhës së mëhershme kishte një aktivitet të gjallë kulturo artistik e sportiv. Krahas mbishkrimi në gjuhën italiane e shqipe hasëm një vajzë që shëtiste me shqipen dy krenare në çantat e krahut me mbishkrimin “Shqiponja”, sipas emrit  të grupit të këtushëm të këngëve dhe valleve.  Është ky grupi artistik që pata rast ta njoh për dy-tri vite ta shoh në manifestimin tradicional në “Festën e Valleve” në Çifti/ Qivita, ku grupi “Shqiponja i Shënë Sofisë thuaja se ishte kurora e kësaj ngjarje të madhe kulturore arbëreshe.

Nga një shkrim i Dr. Bexhet Asanit, me banim në Amerikë (një adhurues i madh i arbëreshëve), mësojmë se: Grupi popullor “Shqiponjat” lindi në komunitetin arbëresh të Shën Sofis së Epirit në pranverën e vitit 1994 dhe u bë një shoqatë 10 vjet më vonë. Qëllimi i grupit të valleve dhe këngëve arbëreshe “Shqiponjat” është ruajtja dhe përhapja e trashëgimisë artistike, historike dhe kulturore e arbëreshëve në përgjithësi dhe të arbëresheve të Shën Sofisë në veçanti…” Mësojmë gjithashtu se ky grup artistik synon edhe përmes prezantimeve e koncerteve, të : “mbajnë të gjallë adetet, zakonet, veshjen, muzikën, vallet, këngët, fenë dhe trashëgiminë tradicionale kulturore kombëtare arbëreshe, e cila është unike në thelb, pa marrë parasysh nuancat që dallojnë nga fshati në fshat apo nga qyteti në qytet në krahinat e Kalabrisë dhe të Sicilisë”…

Përndryshe, veshja në kulturën arbëreshe, luan rol të veçantë e sidomos këtu në Shën Sofia, ku edhe janë edhe stolitë më të veçanta gjatë manifestimeve kulturore artistike, aq më parë që çdo katund arbëresh ka stilin e vet në bërjen e rrobave  tradicionale thuaja se tërësisht me dorë. E veçanta tjetër është se popullsia e varfër, ata që mbërritën në Kalabri nga Shqipëria, megjithatë varfëri nuk hoqën dorë nga bukuria dhe mbretëria e rrobave të tyre. Kjo më së miri dëshmohet edhe përmes muzeut shumë të pasur me kostume arbëreshe në katundin e Shën Sofisë.

Muzeu i Kostumit në Shën Sofia apo Santa Sofje d’Epiro është ngritur në Palazzo Bugliari, një ndërtim i mesit të shekullit XIX, i njohur më mirë si Kultura Palazzo della dhe ku është edhe selia e Bibliotekës Komunale. Pra vet veshja, në kulturën arbëreshe, është një nga manifestimet më kulturore artistike. Dihet se çdo qendër arbëreshe ka stilin e vet në bërjen e rrobave të saj tradicionale tërësisht me dorë: duke parë të gjitha së bashku, matrica e zakonshme njihet qartë, por në të njëjtën kohë identifikohen veçantitë e secilës veshje. Megjithëse popullsia e varfër, ata që mbërritën në Kalabri nga Shqipëria nuk heqin dorë nga bukuria dhe mbretëria e rrobave të tyre.

Përmes muzeut dhe revyve me veshje kombëtare përmes manekineve ju mund të vëzhgoni historinë e një populli nga një këndvështrim sigurisht i pazakontë, por shumë tërheqës; ekspozita në fakt përfshinë rroba të përditshme, rroba festash, gjysmë feste, dasmë, zi dhe zi.

Vendasit arbëresh, përfshi edhe këta të Shën Sofisë mësojmë se si ende ruajnë me dashuri traditat e sjella nga baballarët shqiptarë, siç janë gjuha antike, riti bizantin, zakonet, zakonet dhe traditat tipike.

Gjatë vizitës së këtij lokaliteti arbëresh ja vlen të vizitoni Muzeun e territorit dhe kostumi arbëresh, si dhe bibliotekën e këtushme.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati / KultPlus.com

Shën Sofia, pas rënies në duart e sulltan Mehmetit II Fatih


Shkruan: Paulin Zefi.

Banorët e qytetit, që kishin kërkuar më kot strehim në Katedralen e Shën Sofisë, u kapën dhe u kthyen në skllevër, ose u vranë menjëherë sapo turqit-osmanë depërtuan brenda këtij objekti religjioz përrallor, duke shkallmuar portat, të cilat i çanë me sëpata. Brenda në Katedrale u zhvilluan skena tmerri të papërshkrueshme: Ikonat e shenjta u thyen, pasi iu morën gurët e çmuar, u plaçkitën të gjitha reliket, objektet e arta dhe të argjendta, teshat e meshës u përdorën për mbulesa kuajsh, kryqit iu vu një skufje jeniçerësh dhe u shëtit për t’u tallur. Sipas jetëshkruesit më të njohur të sulltan Mehmetit II, historianit gjerman Franz Babinger: “Altarët u shërbyen ushtarëve turq si krevate, djepa, tavolina ku hanin vetë, ku u jepnin tagji kuajve dhe mbi to bënin orgji me djem dhe me vajza bizantine¹.” Pasi mbaruan punë me pushtimin e qytetit, për tre ditë me rradhë barbarët aziatikë iu përveshën punës për plaçkitjen e çdo kishe, banese private dhe gjithçkaje tjetër që u dilte përpara syve. Gjatë këtyre tri ditëve, qyteti i lashtë ju nënshtrua orgjive, therjeve dhe masakrave të pamëshirshme². Nëse nuk iu besojmë kronistëve bizantinë, që ndonjë historian turkofil i trajton me rezerva, atëhere po i referohemi kronistit osman dhe dëshmitarit okular, Tursun Beu, i cili përcjell panoramën e plotë të këtyre ngjarjeve. “Gazinjtë shtynin përpara turma me djelmosha e vasha kërthizëkristalta, sikurse luanët e leopardët ndjekin pas kopenë e gazelave. Nga pallati i princit(Pallati i Kostandinit XI – P.Z.) dhe nga shtëpitë e të pafeve të pasur e të begatë u nxorën aq shumë orendi e enë ari dhe argjendi, gurë të cmuar, lloj-lloj sendesh e cohërash, saqë faqja e dheut të sillte ndërmend vargun: “Do t’i nxjerrë dheu jashtë të vdekurit e vet.” (Kurani 99:2). “Dhe do të thotë njeriu: Ç’të ketë vallë?!” (Kurani 99:3) prej habisë nga ai bollëk pasurish e të mirash³.” Në pasditen e 30 majit 1453, Sulltan Mehmeti II hyri në Kostandinopojën e lashtë, të cilën tashmë e quajti me emrin turk Stamboll, kaloi me kalë nëpër qytet deri pranë Katedrales së Shën Sofisë, ku edhe u fal, sipas ritit islamik⁴. Por gjëja e parë që i panë sytë brenda këtij objekti madhështor, ishte një ushtar turk, që me një tërbim të egër po shkallmonte me sëpatë pllakat e mermerta të dyshemesë së Katedrales. Sulltan Mehmeti II, e pyeti se përse po i shkatërronte pllakat dhe turku iu përgjigj: “Se janë të të pafeve!” I zemëruar në kulm me këtë lloj barbarie, Mehmeti II e goditi atë me shpatë, duke i bërtitur: “Nuk ju mjafton gjithë kjo plaçkë dhe robër? Ndërtesat e qytetit më përkasin mua!” dhe ushtarin e pagdhendur e tërhoqën menjëherë prej këmbësh, duke e hedhur jashtë në rrugë⁵.” Që nga kjo ditë, gjysëmhëna zëvendësoi kryqin dhe katedralja e Shën Sofisë u kthye në xhami⁶.Festimet për pushtimin e Kostandinopojës nga turqit-osmanë kulmuan pranë pallatit perandorak bizantin. Vetë Mehmeti II dhe turqit e tjerë, u dehën me verë dhe kaluan në orgji me femra e meshkuj, ashtu siç kishin vepruar një ditë më parë në Katedralen e Shën Sofisë. Kufomës së perandorit të fundit bizantin, Kostandini XI, që u gjet midis një grumbulli kufomash pranë Portës së Romanosit, iu pre koka, të cilën turqit e vendosën mbi majën e shtyllës së Augusteumit, dhe më pas e futën në një kavanoz të çmuar.

E mrekullueshmja dhe e papërsëritshmja “Shën Sofia”, e ndërtuar me urdhër të perandorit ilir të Bizantit, Justiniani I, midis viteve 532 – 537 mbi themelet e dy kishave më të hershme dhe e projektuar nga Isidori i Miletit dhe Antemiusi i Tralesit, katedrale që nga vetë emri Sancta Sophia(lat.) ose Αγία Σοφία(gre.), do të thotë “Urtësia e Shenjtë” dhe që i kushtohet Jezu Krishtit, që nga ajo ditë do të njihej si xhamia turke Ayasofya. Më 27 dhjetor të vitit 537, gjatë ceremonisë solemne të inaugurimit të Shën Sofisë, Justiniani i Madh i ngriti sytë e duart lart nga qielli, duke thirrur: “Solomon, ta kam kaluar!” Këtë thirrje të mbushur me krenari të merituar para Zotit dhe para njerëzve, ai ia drejtoi djalit të Davidit, Solomonit, mbreti i tretë i Izraelit dhe njëri ndër 48 profetët, sipas Talmudit hebraik, i cili gjatë mbretërimit të vet në vitet 970 – 931 p.k. ndërtoi Tempullin e Parë ose Shtëpinë e Parë të Zotit mbi tokë, në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Por a mundej ta imagjinonte Justiniani i Madh i Ilirisë nga Tauresium i Dardanisë, që pikërisht në këtë Katedrale përrallore të ndërtuar prej tij për të rivalizuar mbretin Solomon të Izraelit, 916 vite më vonë, një pushtues barbar me origjinë nga malet Altai të Mongolisë, me hordhitë e tij, do ta përdhoste këtë vend të shenjtë, duke e kthyer në një vend orgjie dhe që në vijim këtu do të praktikoheshin ritualet e një besimi të ri, doktrinë, e cila në kohën e tij akoma s’kishte lindur?!… Sidoqoftë, sulltan Mehmeti II, i mahnitur nga bukuria e kësaj kishe, urdhëroi transformimin e saj në xhaminë kryesore të kryeqytetit të ri dhe të të gjithë Perandorisë Osmane e pasi u hoqën kryqet së bashku me statujat dhe ikonat, por nuk u dëmtuan afresket, të cilët u mbuluan me suvá; u planifikua t’i shtohej një minare e parë në pjesën juglindore. Burimet arkivore veneciane me titull “Acta Albaniae Veneta, XXII, No.5989” (“Archivio di Stato di Venezia”) na njoftojnë se kur të dërguarit e Senatit Venecian e përcollën në Romë lajmin e hidhur për rënien e Kostandinopojës, më 8 korrik 1453, Papa Nikolla V thirri me zë të lartë, duke u shprehur me fjalët: “Turpi i Krishtërimit…!” dhe më pas uli kokën duke u shkrehur në vaj⁷.

I magjepsur nga bukuria e saj gjatë vizitës së zhvilluar më 20 tetor të vitit 1931, At Gjergj Fishta i shkruan provincialit françeskan, At Vinçens Prenushit (1885-1949), se: “Sh. Sofija âsht nji mrekullí arti e madhníje. Jam bindë kúr e kam pá⁸”. E tillë ajo vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, ndërkohë që R. T. Erdogan kërkon të ndjekë shembullin e sulltan Mehmetit II Fatih, për ta kthyer këtë aset kaq të çmuar të Trashëgimisë Kulturore Botërore, në xhami!… / KultPlus.com

UNESCO: Keqardhje e thellë për ndryshimin e statusit të Shën Sofisë

Keqardhje e thellë për vendimin e autoriteteve turke, të marrë pa diskutime paraprake, për të ndryshuar statusin e Shën Sofisë nga muze në  xhami, pas një vendimi të gjykatës turke të publikuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, thuhet në një njoftim të UNESCO-s.

“Shën Sofia është një kryevepër arkitekturore dhe një dëshmi unike e ndërveprimeve midis Europës dhe Azisë ndër shekuj. Statusi i tij si një muze pasqyron natyrën universale të trashëgimisë së saj dhe e bën atë një simbol të fuqishëm për dialog”, tha drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s Audrey Azoulay.

Gjykata turke anuloi dje një vendim të 24 nëntorit të vitit 1934, sipas të cilit xhamia e Shën Sofisë shndërrohej në muze.

Ndërkohë, zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin deklaroi se Shën Sofia do të vazhdojë të jetë pjesë e trashëgimisë botërore dhe e hapur për vizitorët.

”Hapja e Shën Sofisë për adhurim nuk i heq statusin e trashëgiminë botërore”, deklaroi Kalin./ atsh/ KultPlus.com