Presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq

Presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq dhe Spitalin “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, me motivacionin për kujdesin, shpejtësinë e reagimit, solidaritetin dhe humanizmin e shtetit kroat në rastin e aksidentit tragjik të 25 korrikut të këtij viti në afërsi të Sllavonski Brodit, kur humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës dhe u lënduan 26 të tjerë.

Me të njëjtën medalje, Presidentja Osmani ka dekoruar edhe Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit për humanizmin, përkushtimin dhe profesionalizimin e dëshmuar në trajtimin e të aksidentuarve.

Në takim me kryeministrin Plenkoviq, Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet me shtetin kroat dhe është angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre. Presidentja ka falënderuar z.Plenkoviq edhe për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës me një sasi vaksinash anticovid.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se roli i Kroacisë për Kosovën është si partner strategjik rajonal dhe njëherësh edhe si mbështetëse e rrugës evropiane të vendit tonë. Ajo ka përmendur se të dy shtetet kanë intensifikuar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian.

Ndërkaq duke folur për situatën aktuale politikë në Kosovë e më gjerë, Presidentja Osmani ka përmendur rrezikun e destabilizimit të rajonit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentë të tyre në Serbi.

Sipas Presidentes Osmani, dialogu më Serbinë duhet të marrë fund me njohjen e ndërsjellë, teksa ka hedhur poshtë çfarëdo ideje, e cila synon trajtim jo të barabartë të Kosovës në kontekstin rajonal.

Ajo ka theksuar se Kroacia është vend mik, nga i cili Kosova pret mbështetje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Aktualisht Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar rreth 30 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë e bashkëpunimit më fushën e mbrojtjes, politikës së jashtme, ekonomisë, si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm. / KultPlus.com

Shën Nënë Tereza kishte rreth 4000 motra, në 610 shtëpi bamirësie në 123 vende të botës

19 Tetori, Dita e Lumturimit të Nënë Terezës

Gonxhe Bojaxhi (1910-1997) ka lindur më 27 Gusht 1910 në Shkup. Në nëntor të vitit 1928, kur ishte në moshën 18-vjeçare, hyri në kongregacionin “Motrat e Loretos” në Irlandë ku morri emrin Mari Tereza për nder të Shën Terezës. Më 6 janar 1929 Mari Tereza shkon si misionare në Kalkuta të Indisë. Atje filloi të jepte mësim në kolegjin e vajzave St. Maryderisa në vitin 1944 u emërua drejtoreshë. Më 17 gusht të vitit 1948 ajo veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe pasi përfundoi një kurs mjekësie pranë Motrave Misionare në Patna, u kthye përsëri në Kalkuta. Aty vizitoi lagjet e varfëra duke ushqyer të uriturit dhe mjekuar të sëmurët. Menjëherë rreth saj filluan të bashkoheshin edhe shumë nga ish nxënëset e kolegjit. Në vitin 1960 motrat e Nënë Terezës qenë të përhapura në të gjithë Indinë. Ndërsa në harkun kohor ndërmjet viteve 1980-1990 Nënë Tereza hapi shtëpi misioni nëpër vendet e kampit socialist duke përfshirë Republikat e ish Bashkimit Sovjetik, Kubë, Shqipëri etj. Për punën bamirëse asaj i janë akorduar shumë çmime, duke filluar që nga Çmimi Indian Padmashri në vitin 1962 dhe deri tek Çmimi Nobel për Paqen në vitin 1979. Në vitin 1997, Nënë Tereza kishte rreth 4000 motra, të cilat kryenin misionin në 610 shtëpi bamirësie në 123 vende të botës. Tërë jetën e saj ia kushtoi të varfërve dhe njerëzve në nevojë derisa ndërroi jetë më 5 Shtator 1997.

Pa kaluar as dy vjet nga vdekja e shenjtores, Papa Gjon Pavli II lejoi të fillonte procedura e kanonizimit. Kështu më 20 Dhjetor 2002 u miratua dekreti për mrekullitë e shenjtores. Data e zhvillimit të ceremonisë së beatifikimit të Nënë Terezës u vendos që të ishte 19 tetori i vitit 2003. Ky vendim i Papës Gjon Pali II erdhi menjëherë pas aprovimit nga Kongregacioni i Selisë së Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit. Nënë Tereza ka shëruar një grua indiane, e cila quhej Monika Bersa që vuante nga një tumor. Dita e lumturimit të Nënë Terezës

përkonte me 25-vjetorin e ngjitjes në fronin e Vatikanit të Papës Gjon Pali II.

Më 05 Shtator 2016 u bë edhe shenjtërimi i Nënë Terezës./ KultPlus.com

Instalacioniet e Skënderbeut, Shën Terezës dhe Musine Kokalarit, ‘mesazhe’ qytetarëve për korrupsionin

Siluetat e 11 heronjve, si Skënderbeu, Ismail Qemali, Shën Tereza, Shote Galica, Musine Kokalari dhe shumë të tjerë, janë ekspozuar në Kalanë e Tiranës.

Përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare kanë shënuar mbi secilën prej tyre nga një mesazh që u drejtohet qytetarëve dhe ka në fokus korrupsionin në vend. Përmes mesazheve heronjtë, që kanë lënë gjurmë në vendin tonë kërkojnë një premtim nga cilido që do të firmos mbi siluetën e tyre.

“Ajo që do donim është që të ndërgjegjësonim dhe të krijonim një hapësirë për një debat publik për ato çështje që më së paku debatohet. Ne jemi të bombarduar nga rastet korruptive, si koncesionet, tenderët apo aksione politiket, që shpesh i komentojmë jo në të mirë të interesit publik”, shprehet aktivisti Migen Qiraxhi.

Aktivisti Migen Qiraxhi, i cili është dhe një nga ideatorët e kësaj nisme, na rrëfen mesazhin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, i cili la karrigen e deputetit në Perandorinë Osmane për t’i dhënë Shqipërisë Pavarësisë, me aspiratën për të ndërtuar një administratë 100 për qind në shërbim edhe interes të popullit shqiptar.

 “Do të donim që qytetarët të shikojnë se heronjtë e tyre kanë sakrifikuar shumë, dhe kërkojnë pak sot. Ky instalacion është edhe për zyrtarët, pasi ne i trajtojmë në aspektin njerëzor-qytetarë, ku nga komshinj që jetojnë me ne, në një moment të caktuar marrin një post dhe krijojnë procesin e korrupsionit. Isamil Qemali, i cili la administratën në Perandorinë Osmane për të bërë një administratë që do u shërbente qytetarëve shqiptarë kërkon që kushdo që firmos në siluetën e tij, t’i premtojë se nëse është zyrtarë i shtetit, të mos u marr ryshfete qytetarëve”, tregon Qiraxhi.

Mes këtyre 11 heronjve tre janë figura femërore, si Shën Tereza, Shote Galica dhe Musine Kokalari. Pasi, aktivisti mendon se rinia shqiptare si njeh mjaftueshëm intelektualët që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e shtetit shqiptar

“Ne jemi jo vetëm në një komunikimin për çështjen e korrupsionit, por edhe për të përçuar tek të rinjtë shqiptarë kontributin e këtyre figurave, që duhet të njihet. E kemi pas të vështirë me siluetën e Musine Kokalarit, do të ishte edhe më e vështirë nëse do të realizonim edhe siluetën e Sabiha Kasimatit. Për të shmangur këtë mungesë njohurie, që kanë të rinjtë kemi zgjedhur ato figura, portretet e të cilave janë të dallueshme”.

Pas Tiranës, ekspozita do të çelet edhe në qytetin e Korçës. /shqiptarja/ KultPlus.com

Në vendin ku ka lindur Shën Tereza, vendoset pllakata në gjuhën shqipe (FOTO)

Në qytetin e Shkupit sot është vendosur pllakata në gjuhën shqipe tek vendi ku ka linduar Shën Nënë Tereza, shkruan KultPlus.

Artisti shkupjan Blerim Grubi në profilin e tij në Facebook, ai ka postuar disa fotografi ku shihet vendosja e kësaj pllakate për personalitetin madhor të Shën Terezës.

“Sot u vendos pllaka e shkruajtur në gjuhën shqipe te vendi ku ka lindur Shën Nëna Tereze- Gonxhe Bojaxhiu. Në zemër të Shkupit u fitua edhe një betejë në trashëgiminë kulturore për të dëshmuar një personlitet botëror me gjak Shqiptareje, siq e ka theksuar ajo me fitimin e çmimit Nobel”, ka shkruar ai. /KultPlus.com

Një lutje e mahnitshme e Shën Terezës shqiptare

Shën Tereza, krenaria e të gjithë shqiptarëve, sot njihet në mbarë planetin për të bëmat e saj por edhe për kujdesin ndaj të varfërve dhe predikimet e saj të fuqishme.

Nënë Tereza e Kalkutës, siç e njohin të gjithë, është ende shpirtërisht e gjallë ndër njerëzit tek të cilët ajo predikoi lutjet e saj, dëshirën e saj për shëndet e mundësi të mirë jetese, shkruan KultPlus.

Po e sjellim në këtë mëngjes një pjesë të një prej lutjeve dhe predikimeve më të pastërta dhe njerëzore të Shën Terezës shqiptare.

“Në jetë mos fajëso askënd. Njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japin eksperiencë, të gabuarit të japin mësim, të dashurit të japin kujtime të paharrueshme…”

Sa e mundur është ti japësh vetes bekimin e kësaj paqeje shpirtërore që na e predikon e shenjta Nënë Terezë? Sa e magjishme dhe sa e hyjshme është ta rrokim me këtë urtësi momentin kur trazimi na i errëson sytë na e ndërkryen turrin, kur zemërata na cingërin nervat dhe gjuhën na helmon.
Nënë Tereza: Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

Meshë falënderimi për Shën Terezën në Londër (FOTO)

Në Kishën e Apostujve të Shejt në Londër, sot është mbajtur Meshë e Falënderimit kushtuar Shën Nënë Terezës, në shenjë të njëzetë vjetorit të vdekjes dhe një vjetorit të shenjtërimit të saj, shkruan KultPlus.

Në këtë meshë ka marë pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci i cili edhe ka njoftuar për këtë ngjarje.

“Sot kisha nderin të marr pjesë në Meshën e Falënderimit kushtuar Shën Nënë Terezës, në përkujtim të 20 vjetorit të vdekjes si dhe një vjetorit të shenjtërimit të saj. Në meshë, e cila u mbajt në Kishën e Apostujve të Shejt në Londër, morën pjesë komuniteti katolik shqiptar në Britani të Madhe dhe Belgjikë. Mesha u kryesua nga Ipeshkvi i Katedrales së Southëark, Peter Smith. Një falënderim i veçantë i dedikohet Meshtarit të komunitetit katolik shqiptar, Atë Gary Walsh”, ka shkruar ai./KultPlus.com