Në Ditën e të Dashuruarve, DPA ka zgjedhur një mënyrë krejtësisht të veçantë për të kremtuar këtë ditë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka ndarë në rrjetet sociale letrat e dashurisë së disa prej kolosëve të letrave shqipe, Poradecit, Migjenit etj, duke përcjellë pasionin e tyre.
“Përmes letrave, një nga format më të hijshme të shprehjes së ndijimeve, klasikët tanë kanë përjetësuar muzën e veprave të tyre, gruan”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Në përputhje me simbolikën e ditës së Shën Valentinit, DPA sjell një buqetë kartolinash me vargjet e autorëve të mirënjohur, duke ftuar lexuesit të përzgjedhin njërën prej tyre, për t’ia shprehur dashurinë njeriut të zemrës. DPA shton se, në erën digjitale letrat cilësohen anakronike, por mbeten gjithsesi mënyra më autentike e shprehjes së emocioneve.
Kartolinat e përzgjedhura janë shkruar nga Lasgush Poradeci, Llukë Karafili, Migjeni, Mit’hat Frashëri e Andon Z. Çajupi. / KultPlus.com