Pandemia përkeqësoi shëndetin mendor në Europë

Përkeqësohet situata e shëndetit mendor ne Evropë. Më shumë se 1 në çdo 6 persona vuan nga të tilla shqetësime, ku në një popullsi prej rreth 447 milionë banorë, 87 milionë kanë një problem të tillë. Jo vetëm, por edhe kostot e mosveprimit përllogaritet të jenë 600 miliardë Euro çdo vit.

Këto janë statistikat e bëra të ditura nga Komisioni Evropian, ku theksohet se duhet një strategji e mirëfilltë, pasi pas pandemisë situata në kontinentin tonë është në përkeqësim të mëtejshëm.

Dhe për më tepër, shkaku i dytë i vdekjeve tek të rinjtë është pikërisht vetëvrasja, çka duhet të vërë në alarm të gjithë shoqërinë dhe autoritetet, raporton Klan News.

Por edhe në nivel global vërehet i njëjti trend. Duke cituar raportin e fundit të OBSH, që është edhe më i mirëhartuari dhe i ploti që nga vitit 2000, rezulton se mbi 1 milliard njerëz vuajnë nga shqetësime mendore. / KultPlus.com

40% e popullatës në Zvicër ndihet e vetmuar, ekspertët të shqetësuar

Referuar një studimi në Zvicër tregon se afro 40% e popullsisë ndjehet e vetmuar dhe ky fenomen është shqetësues për ekspertët, transmeton albinfo.ch.

Në Cyrih, psikologu Felix Hof rregullisht merret me njerëz që nuk kanë miqësi. “Shumë nga pacientët e mi thonë për veten e tyre se nuk kanë miq.” Në parim preken personat e të dy gjinive dhe nga të gjitha shtresat shoqërore. Dhe kur bëhet fjalë për moshën, do të ishin kryesisht të rinjtë midis 18 dhe 27 vjeç dhe njerëz mbi 45 vjeç.

Një studim i Zyrës Federale të Statistikave (FSO) – që daton nga viti 2017 – e konfirmon këtë: 38% e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart thonë se ndjehen të vetmuar.

Ndërkohë studimi i fundit tregon rritje të përqindjes në mbi 39% të njerëzve që ndihen të vetmuar në mungesë të shoqërisë, transmeton tutje albinfo.ch.

Referuar deklaratës së psikologut të Aargau, Thomas Spielmann, digjitalizimi luan një rol jo të vogël.

Sipas tij, kontaktet mbeten sipërfaqësore, nëse lëvizni shumë në botën digjitale, humbni kontaktin me të tjerët, shton ai.

“Ne nuk i njohim më ndjenjat e të tjerëve, por përqendrohemi në tonat. Atëherë ekziston një rrezik i madh për të mbetur pa miq”, shpjegon psikologu në jetën reale.

Nga ana tjetër, Felix Hof tregon se në 10 deri në 15 vjetët e ardhshme do të jenë vendimtare për evolucionin e shoqërisë sonë:  “Nëse nuk e trajtojmë problemin e vetmisë dhe nuk e vendosim nën kontroll, ka shumë mundësi që sistemi shëndetësor të jetë i rëndë, test se në fund ekonomia vuan jashtëzakonisht.” Katja Rost sheh gjithashtu një rrezik për demokracinë, e cila kërkon një pjesëmarrje të caktuar: “Me çdo person që e shmang atë, kohezioni social zvogëlohet, gjë që rezulton në gërryerjen e strukturave demokratike”. Njerëzit e izoluar shpesh aspirojnë të bëjnë pjesë: “Duke bërë këtë, ata shpesh gjejnë – për shembull në rrjet – një lidhje me lëvizjet ekstremiste”. / KultPlus.com

Meghan Markle flet për shëndetin mendor

Meghan Markle ka folur së fundmi për problemet me shëndetin mendor.

Në podcastin e saj, Archetypes, Dukesha e Sussex diskutoi sesi Princi Harry e ndihmoi atë të kalonte “pikën më të keqe” të jetës së saj. Ish aktorja zbuloi se si ai  i dha asaj një referim për një këshilltar të shëndetit mendor.

“Burri im kishte gjetur një person që unë ta telefonoja. Dhe unë e mora këtë grua, dhe ajo nuk e dinte që do e telefonoja“ ,tha Markle. “Ajo mund të dëgjonte gjendjen e tmerrshme në të cilën isha unë. Por unë mendoj se është për të mirën tuaj që të jeni të sinqertë për atë që ju nevojitet dhe të mos keni frikë dhe të bëni paqe me këtë.”

Markle dhe Harry folën për problemet e tyre të shëndetit mendor në një intervistë me Oprah Winfrey vitin e kaluar. Çifti zgjodhi të bënte një hap prapa nga familja mbretërore në janar 2020 dhe u transferuan në Montecito, Kaliforni me fëmijët e tyre Lilibet dhe Archie.

Në bisedën me Oprah, Meghan tregoi se si kishte mendime për vetëvra8je. “Më vinte turp ta thosha atë në atë kohë dhe më vinte turp që duhej t’ia pranoja Harry-t për shkak të humbjes që pësoi”, rrëfeu ajo.

“Por e dija që nëse nuk e thosha do ta bëja. Thjesht nuk doja të isha më gjallë”, vazhdoi Markle. “Ky ishte një mendim shumë i qartë dhe i frikshëm, i vazhdueshëm.”/Lapsi.al / KultPlus.com

Ariana Grande dhuron 5 milionë dollarë për terapi falas për shëndetin mendor

Ariana Grande ka njoftuar për partneritetin me ofruesin online të terapisë për shëndetin mendor “Better Help Sunday”, në nderim të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

Ky partneritet parasheh që këngëtarja e famshme amerikane të japë donacion në vlerë prej 5 milionë dollarësh, për terapi falas.

“Duke qenë në njohuri për barrierat kur bëhet fjalë për aksesin në burimet e shëndetit mendor, dhe derisa ky është një veprim simbolik, doja ta bëja këtë sërish me “Better Help”, me shpresë se do t’u ofrojë akses pak më shumë njerëzve, dhe ndoshta do të inspirojë dikë nga ju që të provoni diçka të re dhe ta bëni prioritet shërimin tuaj”, ka shkruar Grande lidhur me donacionin e saj.

Në qershor të vitit të kaluar, Ariana kishte bërë publike planet e saj për të dhënë 1 milion dollarë për këtë qëllim.

10 tetori është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashshendkuara si Dita Botërore e Shëndetit Mendor.

Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte. / KultPlus.com

10 tetori, Dita Botërore e Shëndetit Mendor

10 tetori është shpallur nga OKB si Dita Botërore e Shëndetit Mendor.

Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte.

Kjo datë shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta, transmeton KultPlus.

Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz./ KultPlus.com

Bebe Rexha: Jepini vetes tuaj një kompliment së paku një herë në ditë, ju e meritoni këtë

Artistja shqiptare me renome botërore, Bebe Rexha, ka zhvilluar së fundmi një bisedë virtuale me autorin e famshëm Jay Shetty në rrjetin social Facebook, transmeton KultPlus.

Rexha dhe Jay diskutuan para mijëra ndjekësve në rrjetet sociale për shëndetin mendor, duke vënë në dukje faktin se si këngëtarja shqiptare gjithmonë ka folur hapur rreth kësaj teme. Ajo madje tregoi se shumica e këngëve të saj janë frymëzuar nga jeta reale dhe konkretisht ballafaqimi me shëndetin mendor.

Nga biseda e zhvilluar me autorin e njohur, Rexha ndau me ndjekësit vazhdimisht mesazhe me qëllim motivimi dhe një prej tyre u ripublikua nga një faqe e fansave të saj në Instagram, të cilën Bebe Rexha e rishpërndau më vonë në InstaStory.

“Jepi vetes të paktën një kompliment në ditë, ti e meriton dreqi e marrtë”, shkruhej në këtë deklaratë të thënë nga artistja shqiptare. / KultPlus.com

Hemingway dhe vështirësitë e tij me shëndetin mendor

I cilësuar si një nga shkrimtarët më me ndikim të shekullit XIX, zëri letrar i prozës së Ernest Hemingway mahniti kritikët dhe lexuesit.

Personaliteti i tij i madh dhe stili “macho” e bënë atë një yll përtej faqeve të shtypura të artikujve të tij në gazeta, tregime të shkurtra dhe romane.

Prapa kësaj fasade, megjithatë, Hemingway u përball me një betejë të përjetshme kundër depresionit, alkoolizmit dhe çështjeve të shëndetit mendor, të cilat kontribuuan në vetëvrasjen e tij më 2 korrik 1961.

Hemingway kishte një marrëdhënie të trazuar me prindërit e tij

Hemingway u përpoq të lidhej me babanë e tij, i cili pavarësisht nga pamja e jashtme e qetë, mund të ishte një ngacmues i dhunshëm dhe dominues.

Ai gjithashtu kishte një marrëdhënie të ashpër me nënën e tij, e cila e veshte Ernestin si vajzë kur ai ishte fëmijë. Gruaja e tretë, gazetarja Martha Gellhorn, më vonë do t’i atribuonte vështirësitë e tij me gratë, përfshirë tradhtinë, mizorinë dhe braktisjen, në marrëdhënien e tij me të ëmën.

Vetëvrasja e babait i la një plagë të thellë

Pavarësisht jetës personale të Hemingway, ai gjeti sukses profesional, duke botuar romanin e tij të parë, The Sun Also Rises, më 1926.

Në dhjetor të vitit 1928, kur Hemingway ishte 29 vjeç, babai i tij kreu vetëvrasje, duke qëlluar veten me një revolver të familjes, pas një periudhe të gjatë të dështimeve fizike dhe financiare.

Hemingway u trondit thellë nga vdekja e babait të tij, për të cilën e fajësoi kryesisht nënën e tij.

Për shumë nga familja dhe miqtë e tij, zgjedhjet e rrezikshme të jetës së Hemingway, përfshirë fiksimet e tij me gjuetinë dhe gjakderdhjen, spektaklin e luftës me dema, si dhe nxitimin e tij për t’u bashkuar me aksionin gjatë Luftës Civile Spanjolle dhe Luftës së Dytë Botërore, pasqyruan një magjepsje ndoshta morbide mes errësirës ​​dhe vdekjes.

Vitet e fundit të Hemingway ishin të trazuara

Më 1940, Hemingway bleu një shtëpi në Kubë, dhe megjithëse ai vazhdoi të udhëtonte nëpër botë, ajo shtëpi do të ishte vendbanimi i tij kryesor për 20 vitet e ardhshme.

Ai botoi veprën e tij të fundit, duke fituar një çmim Pulitzer më 1953, dhe Çmimin Nobel për Letërsi më 1954, duke i sjellë atij një nivel të ri të famës ndërkombëtare.

Po atë vit, Hemingway gati vdiq pas dy aksidenteve me aeroplan ndërsa udhëtonte në Afrikë, duke pësuar përplasje të kafkës, këputje të mëlçisë dhe shpretkës, dy disqe të plasur, si dhe lëndime të tjera.

Aksidentet çuan në një rënie të shpejtë të shëndetit të tij fizik dhe mendor, në një Hemingway të shtrirë në shtrat duke mos marrë parasysh urdhrat e mjekëve për të frenuar pirjen e tij.

Hulumtimet e reja kanë ndihmuar të hedhin dritë mbi shkaqet kontribuuese për luftimet e Hemingway

Më 2006, Dr. Christopher D. Martin, një psikiatër dhe lexues i Hemingway, botoi një studim novator të bazuar në të dhënat mjekësore, korrespondencën, biografitë dhe intervistat që synonin të ndriçonin historinë e shëndetit mendor të Ernest Hemingway.

Ai gjeti atë që ai besonte se ishte dëshmi domethënëse që Hemingway paraqiti simptoma të çrregullimit bipolar, si dhe tipare të mundshme kufitare dhe narciste të personalitetit, të cilat u përkeqësuan nga alkoolizmi afatgjatë i tij.

Në librin e tij të vitit 2017, Hemingway’s Brain, psikiatri Andrew Farah argumentoi se simptomat e Hemingway i ngjanin më shumë encefalopatisë traumatike kronike (CTE) sesa çrregullimit bipolar.

Sipas Farah, Hemingway pësoi të paktën nëntë tronditje ose trauma të rënda të trurit gjatë jetës së tij, të cilat mund të shpjegojnë rritjen e paqëndrueshmërisë së tij./ Biography / KultPlus.com

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i dedikon muajin gusht të rinjve të Kosovës

Duke pasur parasysh mirëqenien dhe fuqizimin e të rinjve, “Muaji i Rinisë”, titullohet aktiviteti më i ri që do të organizojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nderë te Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, përcjellë KultPlus.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se programi i këtij aktiviteti do të promovojë dhe adresojë çështjet thelbësore për të rinj si aftësimin profesional dhe punësimin e të rinjve, shëndetin mendor dhe riprodhues, aktivizimin rinor në nivel lokal dhe qendror, rekreacionin dhe aktivitetet e kohës së lirë, vullnetarizmin, integrimin dhe mbrojtjen e të rinjve të margjinalizuar.

Aktivitetet e këtij muaji do të organizohen në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë nga data 2 gusht deri më datë 27 gusht.

Kjo ngjarje do të organizohet në bashkëpunim vendorë dhe ndërkombëtarë nga data 2 gusht deri më 27 gusht. / KultPlus.com

Sot drejtor i kulturës, dikur u ballafaqua me bullizmin, Adrian Berisha rrëfen dhimbjen e këtij përjetimi

Era Berisha

Në jetën e njeriut frymojnë disa momente, ekzistojnë ca çaste e rastësi nga më të ndryshmet. Ka çudira e të papritura që herë lëshohen në sekondën e fundit duke gërvishtur lëkurën brenda qenies njerëzore e lëpirë shqetësimet, vuajtjet e dhimbjet më ekzistenciale e ndonjëherë struken përgjithmonë përbrenda duke të të përndjekur në heshtje dhe duke krijuar një shtëpizë në qoshet e shpirtit të gjallë. I abonuar ndaj një historie komplekse e të ndjeshme po aq edhe inspiruese e të fuqishme, identiteti i personazhit të guximshëm siç është drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha në një intervistë ekskluzive për KultPlus ka rrëfyer për të vërtetën e tij, një e vërtetë mbi të cilën asnjëherë nuk do të vendoset pluhuri i harresës, shkruan KultPlus.

I lindur dhe rritur në Prishtinë, një qytet për të cilin ai çdo ditë jeton e punon e në të cilën ai parashikon ta dhuroj edhe frymën e fundit, kësaj radhe ka shpalosur momentet dhe çastet më të vështira e sfiduese që kanë nisur qysh në fëmijëri, për të vazhduar e lënë gjurmë ende edhe sot. Por pavarësisht pengesave, ballafaqimeve e betejave të përditshme, ndërtimi i një karriere të suksesshme dhe fuqia e tij ndaj hasjes në rrugët e mbushura me përplot gropa tinëzare, përjetimet e tij i ka shndërruar në një reflektim që i dallohej në sy qysh nga nisja e kësaj interviste.

Dashuria e madhe për qytetin e Prishtinës, rrugët me kalldrëm, aktivitetet e larmishme e të shumta kulturore, muzikën elektronike e klasike e në veçanti për jetën e ekzistencën jetësore, janë këto ndjesi që ky njeri i cili ka përballuar qëllimet e ndryshme qoftë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme të njerëzve si: dëmtimi, frikësimi, detyrimi, poshtërimi dhe lëndimi, të cilat vijnë si pasojë e bullizmit, të dyfishohen. Ndërsa, këto rrethana të krijuara gjatë periudhës specifike të jetës së tij kanë ndikuar që sot personaliteti i tij i fortë, për të cilin ai ka luftuar duke kapërcyer gardhin e përballjeve e përfunduar në triumf, kanë bërë që sot ai ta konsideroj veten si një ballon i cili është fryrë derisa ka marrë një formë dhe sot vazhdon të fryhet më lehtë. Pra, përballjet e tij të tanishme në jetë për të janë krejtësisht të lehta e normale.

Bullizmi si një dukuri shqetësuese sot është mjaft prezente jo vetëm në shkolla por edhe në shtëpi, lagje e rrugë. Të rinjtë janë gjithmonë të ekspozuar ndaj një rreziku që fshihet prapa dyerve fizike e shpirtërore, e njëri ndër këta të rinj dikur ishte edhe Berisha, i cili rrëfen për dy pikat më të rëndësishme në përvojën e tij personale.

Pika e parë fokusohet në kohën e luftës, një kohë kjo e vështirë për secilin që e ka përjetuar. Një 9 vjeçar në vitin 1999, përjetimi i tij tejet shokues me të gjitha ngjarjet si bombardimet, problemet dhe largimet e shumta kanë ndikuar përgjithësisht në shëndetin mendor të tij. Pastaj, në vitin 2001, atij i shfaqet problemi i parë në të folur, belbëzimi, manifestimi i së cilit ka evoluar jashtëzakonisht shumë përgjatë klasës së tetë e nëntë kur ai ishte në moshën 13 vjeçare. Krizat e shumta të tij në të folur, për herë të parë evokuan bullizmin nga ana e shokëve e shoqeve të klasës të cilët përmes shakave të shumta kanë krijuar ndjesinë e ndrojtjes në të folurën e tij ku guximi për tu pyetur me gojë në klasë ishte pothuajse jo ekzistues. Andaj, zgjidhja e vetme mbeteshin testet me shkrim, dukë bërë që ai të mbyllej akoma më shumë në strofullën e vet.

Vitet pasonin e problemi në të folur ishte ende pjesë e tij e përditshme e e pandashme. Vizitat tek logopedi e mjekë të ndryshëm ndihmuan që të fillonte një përmirësim gradual por gjurmët ende vazhdojnë të jenë pjesë e nënvetëdijes së tij duke i futur rrënjët në brendësinë e tij e ndikuar në karakter. Fjalimet publike, intervistat, dalja në televizione dhe fjalimet në vende të ndryshme, ende krijojnë një emocion tek ai e që shumëfishohet kur debatet fusin kokën në atmosferë dhe shkaktojnë stres e tension përbrenda duke bërë që zanoret si: a, e dhe i, të ndërlidhura me disa shkronja si: p, të jenë një vështirësi bezdisëse ndaj potencialit energjik të personalitetit të tij.

Pika e dytë fokusohet në periudhën kur pas kimioterapisë si pasojë e diagnostifikimit me sëmundjen e kancerit në moshën 15 vjeçare, për herë të parë filluan të dalin akne në fytyrën e tij duke ndikuar fuqishëm në reagimet e ndryshme të njerëzve në rrugë, shkollë e shtëpi. Shikimet e tyre, frika dhe ndrojtja e shprehur në fytyra, vinin si një thithje që kapte frymën e tij dhe e mbante pezull atë duke mos e lëshuar deri në momentin kur ai ishte përsëri vetëm. Shakatë e ndryshme rreth fytyrës, ngjasimet me karaktere të ndryshme që e kanë fytyrën e djegur, rekomandimet absurde ushqimore si mjete shërimi, fshehja e prezencës së tij nga pronarët në lokalin ku punonte, gënjeshtrat se nuk ka vend pune për të ku në po të njëjtin lokal ai vite më vonë performoi e lëshoi muzikë duke shprehur talentin e tij qoftë edhe nën hijen e një kapuçi që nuk ndahej nga koka e tij, fjalët e rënda nga personat familjar të cilat ai i cilëson si një thikë në zemër, dëshpërimi i vajzave kur shihnin atë në realitet gjatë adoleshencës ku ai kishte kuptuar rëndësinë që të shpërndash foto ashtu siç je në të vërtetë, e problemet socio-ekonomike, kanë përhapur ndjenja të ftohta e tejet rrezikuese duke bërë që ai të izolohet në vetvete, përhumbur krejtësisht në një farë depresioni që e shtyri atë që të trajtohet tek psikologu.

Për këto karakteristika të rrezikshme që janë përhapur përgjatë eksperiencave të tij të ndryshme, ekzistojnë edhe disa strategji parandaluese që ndihmojnë në këto rrethana e për Berishën, ajo se çka ndihmon më së miri është injorimi, dakordimi dhe shndërrimi i fjalëve bulliste apo ofenduese në një shkaka, si një mënyrë që personat përballë nuk do ta merrnin me mend që përdoret nga një njeri që preket emocionalisht me diçka që ai po e vuan.

Fëmijëria e tij, në një kohë kur nuk është përdorë as termi bullizëm, gjatë periudhës kohore nga viti 2004 deri në 2010, për të konsiderohet mjaft e vështirë ku ideja se shprehja e ndjenjave ndaj familjes ishte e paparamenduar për arsye se ai ndjehej si një barrë që po shkaktonte mërzi ndaj prindërve dhe gjyshes së tij duke shtyrë që eventualisht shumë vonë ai të hapte zemrën e tij po asnjëherë qind për qind ndaj gjyshes e cila ishte edhe mbështetja më e madhe për të në mesin e nënës, babait, gjyshit dhe ndonjë shoku të mundshëm.

“Më ka munguar një dashuri nga të tjerët përveç familjes dhe e vërej këtë edhe sot”, thekson ai.

Ndërsa, raporti në shtëpi ku ngushëllimet nuk mungonin nga ana e familjarëve e që në realitet atij iu dukeshin si një gënjeshtër e vogël nga ana e tyre dhe jashtë shtëpisë ku bullizimi kishte gjetur vend çdo ditë dhe ishte bërë pjesë e përditshmërisë, kanë krijuar një balancë jo të shëndetshme duke bërë që edhe ngushëllimet e fjalët e mira që vinin nga personat e dashur, ta lëndonin atë akoma më shumë.

Kurse, tani pas shumë vitesh, raportet me ata njerëz që kanë ndikuar negativisht në gjendjen emocionale të tij, ai i konsideron normale por që gjithmonë përbrenda tij ekziston një neveri ndaj atyre personave, individë këta të cilët Adriani konsideron se nuk kanë faj për shkak të problemeve sistematike në shoqëri.

Për njërën nga momentet më të vështira në rrugëtimin e ashtuquajturës ‘jetë’, e që do të mbetet në kujtesën e tij përgjithmonë e tregon vetë Berisha.

“Kujtoj një çast kur një vajzë erdhi në një lokal dhe na përshëndeti në faqe të gjithëve në tavolinë dhe në mesin e gjashtë shokëve aty, unë isha i vetmi ndaj të cilit iu zgjat vetëm dora. Ai moment ka qenë njëri nga përjetimet më të rënda në jetën time dhe sa herë e kujtoj, e kujtoj se si ka ndikuar tek unë e se si gjesti i saj më ka mbetur në kokë për dy javë rresht ku as nuk kam dal nga banesa. Ende e vërej që edhe pse 31 vjeçar, brenda meje frymojnë gjestet e tjerëve”, thotë Berisha.

Sipas tij, pajtimi me realitetin në pjesën e të folurit ka ardhur përmes ushtrimeve në frymëmarrje me gjyshen ku një përmirësim i jashtëzakonshëm u shfaq gradualisht nga porositë e përshkruara nga një mjek në Zvicër ku edhe përmirësimi në lëkurë ishte tejet i dukshëm.

“Aty fillova të çelem sepse unë isha sikur një lule e cila përbrenda ka qenë duke lulëzuar, por jashtë ka qenë tepër e vyshkur. Andaj krahas çeljes së lules, fillova me pas një kontakt me njerëz dhe fillova me kuptu që është thjesht sipërfaqësore sepse më e rëndësishmja është ajo se çfarë ke në përmbajtje, në brendësi. Mëdyshjet se unë isha i vetëm kundër botës u shndërruan në pyetjet ndaj vetes si: a je njeri i mirë dhe a ke dëshirë të shohësh botën mirë?”, shpalos Berisha.

Për të, pika më e dobët ishin dhe ende sot janë fëmijët ku dëshira e madhe për të luajtur me ta ishte në një nivel të lartë ndërsa ata iknin nga ai, andaj brenda vetes së tij ende ekziston një hezitim ndaj mënyrës se si ata reagojnë sepse gjithçka shihet në sytë e tyre e kjo ishte përjetuar shumë rëndë nga ai.

“Mesazhi im ndaj të gjithë atyre që janë duke e përjetuar të njëjtën gjë që e kam përjetuar unë do të ishte: Këmbëngulni, qëndroni vetja. E rëndësishme është ajo se çfarë keni përbrenda e jo ajo se çka jeni jashtë. Nëse je njeri i mirë dhe vepron mirë, është shumë më e rëndësishme se çfarë do tjetër. E keqja nuk mundet me të keqën por me të mirë sepse e mira gjithmonë triumfon”, thotë Berisha.

Në mesin e rrëfimit të tij, ai tregon se si në fakt ekzistojnë probleme të vazhdueshme të cilat vijnë si pasojë  e mos edukimit të duhur në aspektin që në shkolla fillore nuk ekziston një psikolog/e që tregon se është krejtësisht normale bashkëbisedimi me prind apo persona të tjerë për diçka që e shqetëson një njeri. Andaj, këshillimi tek psikologu, prindërit e shoqëria është një hapësirë ndaj të cilës mund të hapet zemra e të shprazet nga brengat e ndryshme që posedon shpirti i njeriut.

“Disa nga mënyrat më efektive për parandalimin e bullizmit në shkolla do të ishin: fushatat e edukimit brenda shkollave, programet antibulliste, shfaqja e filmave të ndryshëm që krijohen rreth dhe për bullizmin, psikologët në shkollat fillore e të mesme jo vetëm për viktimat por edhe për ata që shkaktojnë bullizëm, funksionimi i lëndës së edukatës qytetare në ndërlidhje me mësime informuese e përmbajtësore për bullizimin”, thotë Berisha.

Tutje, ai kujton edhe një histori të cilin e kishte parë në rrjetet sociale ku një gjest i arsimtarëve të një shkolle fillore apo të mesme në Spanjë kishte frymëzuar shumë njerëz për arsye se kur një djalë kishte veshur një fustan në shkollë, ai ishte ofenduar nga pothuajse të gjithë, ndërsa ishin pikërisht arsimtarët që për tre muaj rresht kishin veshur fustane në orë të mësimit për parandalimin e këtij fenomeni.

Duke pasur parasysh që seksizmi, bullizmi dhe racizmi janë shumë të përhapur në qytetin e Prishtinës , është shumë e rëndësishme që ai së bashku me Drejtorinë e Kulturës, të përdorin artin në mënyrë që të përçohen mesazhe të fuqishme drejt këtyre anëve negative të shoqërisë tonë.

“Ndoshta jo shpeshherë, por kemi diskutuar me organizata të ndryshme joqeveritare të cilat funksionojnë në qytetin e Prishtinës në krijimin e programeve parandaluese. Me datën 1 qershor janë shfaqur katër filma që kanë pasur në përmbajtje bullizmin nëpër shkolla tonat fillore dhe të mesme. Në bashkëpunim të mirë me organizatën Etea, kemi diskutuar se si mundemi me kriju programe që të shpërndahen edhe në shkolla në mënyrë që fëmijët të mos vijnë në programe por programet të shkojnë tek fëmijët. Kjo nënkupton që na duhet një flotë e njerëzve sepse ka shumë punë të mëdha logjistike”, tregon Berisha.

Emocionet e jashtëzakonshme e të një niveli të lartë që ndikon në thellësinë shpirtërore janë disa nga dhimbje të cilat Berisha i ka përjetuar e që dëshiron që askush në planet të mos ketë rastin t’i përjetoj.

“Në të njëjtën kohë, unë tani qesh me disa situata por që brenda vetes e shoh se e kam një shenjë që kur e rikujtoj, përsëri emocionohem tepër”, thekson Berisha.

Ndërsa, krejt në fund ai ka ndarë edhe disa nga krenaritë më të madhe në jetën e tij e që ai i kujtonte me shumë kënaqësi.

“Njëra nga kënaqësitë më të mëdha në jetë është kur e kam takuar nënën pas tre viteve sepse nëna ka qenë në Kanada duke u kuruar dhe kur ka ardhur në Kosovë, ka qenë një kënaqësi që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Ndërsa, çmimin e triumfit si DJ më i mirë në Kosovë, zgjedhja në Ansambël dhe pozita e drejtorit në Drejtorinë e Kulturës janë po ashtu disa nga kënaqësitë e radhës”, thotë Berisha.

Tutje, pendesa më e madhe në jetën e tij do të konsiderohej nënvlerësimi i vetes së tij në situata të ndryshme.

“Jam penduar për shumë gjëra në jetë por nga çdo gabim që e kam bërë unë kam mësuar dhe jam munduar që ato gabime mos t’i përsërisë më, por besoj që njëra prej pendesave që kam në jetë është që shpeshherë e kam nënvlerësuar veten në situata të ndryshme dhe kam lejuar që njerëzit e tjerë të kenë aq shumë ndikim tek unë saqë më kanë penguar që të zhvillohem si një lule që unë jam”, përfundon intervistën Berisha për KultPlus.

Pas kësaj interviste që u shoqërua nën prezencën e lotëve, buzëqeshjeve, rikujtimeve dhe diskutimit rreth temës së bullizmit, intervista ruajti një ton origjinal deri në fund dhe përfundoi me një dakordim se ka ende shumë gjëra që mësojmë për krijimin e një të ardhme sa më të mirë e të cilat hedhin dritë mbi terrin e pranishëm që ka kapluar vëmendjen e prindërve, institucioneve dhe shoqërisë tonë, duke lënë një dilemë mbi tërësinë se ku prehet e mira nga e keqja. / KultPlus.com

Camila dhe Shawn me projekt për promovimin e shëndetit mendor

Çifti i njohur i showbizit, Camila Cabello dhe Shawn Mendes, janë bërë bashkë për një projekt të ri i cili fokusohet tek shëndeti mendor.

Dy këngëtarët janë pajtuar të bashkëpunojnë me aplikacionin për mirëqenie, “Calm”, për të diskutuar rreth shëndetit të tyre mendor si pjesë e një projekti të quajtur “Breathe Into It”. Sipërmarrja e tyre e re do ta përfshijë gjithashtu prezantimin e një qendre, e cila ofron këshilla falas për shëndetin mendor si dhe donacione nga aplikacioni “Calm” për aktivistët, organizatat dhe të rinjtë që kanë nevojë për mbështetje.

Ylli i hitit “Havana” është krenare të flasë hapur në këtë projekt, sepse shpreson që në këtë mënyrë do të mund t’i bëjë t’i destigmatizojë bisedat rreth shëndetit mendor.

“Ballafaqimi i secilit me shëndetin mendor është ndryshe, por pavarësisht këtyre sfidave, ju duhet ta dini se nuk jeni të vetëm në këtë betejë. Meditimi dhe ndërgjegjësimi më kanë ndihmuar shumë në drejtimin e jetës sime, duke i dhënë përparësi shërimit. Duke e ndarë eksperiencën time me të tjerët, shpresoj që do të ndihmoj në vazhdimin e destigmatizimit të bisedave në lidhje me shëndetin mendor, dhe t’ua lehtësojmë të tjerëve të kërkojnë mbështetje rreth këtij problemi. Zgjerimi i qasjes në këto lloje burimesh është kaq i rëndësishëm, veçanërisht për komunitetet të cilave shpesh nuk u jepet kohë ose hapësirë ​​për t’u përqendruar në mirëqenien e tyre mendore”, citohet të ketë thënë Camila Cabello.

Kurse 22-vjeçari Mendes e lavdëroi aplikacionin “Calm”, duke treguar se ka qenë pjesë e rëndësishme në rutinën e tij të ndërgjegjësimit, gjë që ia ka përmirësuar jetën si në skenë, ashtu edhe jashtë saj.

“Aplikacioni ‘Calm” është një pjesë integrale e rutinës time të ndërgjegjësimit. Meditimi me të vërtetë ma ka ndryshuar jetën. Më ka bërë një performues më të mirë si dhe më ka ndihmuar jashtëzakonisht edhe jashtë skenës. Qëllimi im është që t’i bëjë edhe të tjerët të ndihen të fuqishëm për t’i pranuar këto mjete në jetën e tyre, për të krijuar rutina të shëndetit mendor dhe për t’iu ndihmuar të tjerëve”.

“Calm” është një përvojë e plotë kushtuar shëndetit mendor, me përmbajtje e cila ka për qëllim ta mbështetë çdo hap të individëve që kërkojnë ndihmë përmes këtij aplikacioni, duke përfshirë këtu meditimin, histori të gjumit, muzikë origjinale dhe më shumë. / KultPlus.com

‘Ombrella’ nga Ben Apolloni shfaqet në Festivalin e Filmit në Berlin

Filmi i metrazhit të shkurtë ”Ombrella” me regji të Ben Apollonit, do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër mbi Shëndetin Mendor që mbahet në Berlin, përcjell KultPlus.

Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të festivalit në rrjetin social Instagram.

”Po ju paraqesim një film të shkurtër nga Kosova, nën regjinë e Ben Apollonit. ”Ombrella” paraqet historinë e një gruaje e cila së bashku me vajzën pret burrin e saj të kthehet nga lufta”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Një në tre persona të prekur me COVID-19 pëson edhe në shëndetin mendor

Një në tre persona që ka vuajtur nga koronavirusi është diagnostikuar me probleme neurologjike ose psikiatrike brenda gjashtë muajsh pas infektimit, ka gjetur një studim i ri.

Një hulumtim, më i madhi i kësaj natyre, ka mbledhur të dhënat elektronike të 236 mijë pacientëve, kryesisht nga Amerika, dhe ka gjetur se 34 për qind e tyre kanë pasur probleme në shëndetin mendor, pas infektimit me virus. Problemi kryesor ishin ankthet, me 17 për qind të njerëzve që e raportuan problemin.

Ekspertët kanë paralajmëruar se sistemet shëndetësore në botë duhet të përgatiten për t’u kujdesur për pacientët e prekur, duke marrë parasysh shkallën e larët të infektimit. Ndikimi i virusit në shëndetin mendor pritet të zgjasë për shumë vjet.

Diagnozat neurologjike si sulmi apo dementia ishin më të rralla, por jo të pazakonshme tek ata që kishin qenë të sëmurë rëndë si pasojë e virusit. Te ata që ishin të pranuar në kujdesin intensiv, 7 për qind përjetuan sulm në tru dhe gati 2 për qind u diagnostikuan me dementia, shkruan “The Guardian”.

Studimi, i publikuar në “Lancet Psychiatry”, ka gjetur se këto diagnoza ishin më të zakonshme te pacientët me COVID-19 se tek ata që kishin infektime të traktit respirator apo edhe gripa të tjerë, në periudhën e njëjtë kohore.

“Këto janë të dhëna reale nga një numër i madh i pacientëve. Ato konfirmojnë shkallën e lartë të diagnozave psikiatrike pas COVID-19 dhe tregojnë çrregullimet serioze që prekin sistemin nervor po ashtu”, ka thënë Paul Harrison nga Universiteti i Oksfordit, që ka udhëhequr studimin. / KultPlus.com

Princi Harry u largua nga familja mbretërore pasi shtypi britanik po i shkatërronte shëndetin mental

Princi Harry ka thënë se ai është larguar nga familja mbretërore vitin e kaluar pasi shtypi britanik “ishte gati të shkatërronte” shëndetin e tij mental.

Gjatë një interviste në “The Late Late Show” me James Corden, Harry duke folur për kënaqësitë e jetës mbretërore dhe largimin e tij nga familja, tha se kishte vendosur që ishte më mirë të largonte familjen e tij nga familja mbretërore, shkruan CNN.

“Ne të gjithë e dimë se si është shtypi britanik dhe kjo po më shkatërronte shëndetin mental”, tha ai duke shtuar se “konsiderova se kjo ishte diçka helmuese prandaj bëra atë që do të bënte secili bashkëshort apo secili baba”.

Princi Harry dhe bashkëshortja e tij, dukesha e Sussexit Meghan Markle janë larguar nga familja mbretërore në janar të vitit 2020, një hap ky që shkaktoi kriza brenda institucionit mbretëror.

Atë kohë, çifti ishte vendosur të jetonte në Los Angjelos duke zgjeruar familjen. Ata kanë një djalë ndërkohë që janë në pritje të një fëmije tjetër. /Koha/ KultPlus.com

Shëndeti mendor dhe emocional i fëmijëve i rrezikuar nga pandemia

Shëndeti mendor dhe emocional vazhdon të jetë diçka me të cilin shumë njerëz vazhdojnë të përballen gjatë pandemisë, dhe ky problem ka filluar të bëhet serioz dhe i pashmangshëm, edhe për fëmijët. Por ekspertët e kësaj fushe thonë se ekzistojnë gjëra të cilat prindërit mund t’i bëjnë për të ndihmuar.

Për pothuajse një vit, pandemia e koronavirusit i ka pushtuar tërësisht rutinat tona të përditshme, dhe ndërsa disa njerëz e kanë pasur të vështirë të përshtaten me realitetin e ri, adaptimi me këto ndryshime mund të jetë i vështirë për fëmijët.

Ekzistojnë dy gjëra që janë shumë të rëndësishme për fëmijët, ato janë struktura dhe socializimi, dhe përgjatë këtij viti ata i kanë humbur te dyja këto gjëra. Pavarësisht se është normale që fëmijët herë pas here të kenë probleme me disa gjëra, është më se e rëndësishme që prindërit të sigurohen për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Gjërat për të cilat duhet të jeni të vëmendshëm, janë ndryshimet në sjelljet apo personalitetet e fëmijëve.

Por t’i bësh fëmijët të shprehen dhe të flasin për ndjenjat e tyre, nuk është gjithmonë e lehtë, prandaj ekspertët ju këshillojnë të jeni të qëllimshëm në mënyrën si ua parashtroni pyetjet. Gjithashtu duhet të jeni të vëmendshëm ndaj shenjave joverbale, shikoni a janë të buzëqeshur kur flasin me ju, apo janë kryesisht në disponim të keq. Ata mund të thonë se gjithçka është në rregull, por sipas ekspertëve ju duhet të insistoni të flasin hapur me ju, si dhe të mos i gjykoni në ato që thonë.

Sipas mjekëve, është gjithashtu e rëndësishme që në rast se vëreni që fëmija juaj vuan nga depresioni apo ankthi, të kërkoni ndihmë profesionale për trajtimin e tyre tek këshilltarët shkollor ose profesionistët e shëndetit mendor.

Ndërsa në shtëpi, sugjeroheni që t’i inkurajoni fëmijët të flasin për gjëra pozitive nga jeta e tyre e përditshme, apo gjërat që mezi presin t’i bëjnë në një të ardhme të afërt. / KultPlus.com

Sinéad O’Connor ka folur për shëndetin e saj mendor

Sinéad O’Connor ka folur rreth një videoje shqetësuese të cilën e kishte postuar në rrjetet sociale në vitin 2017, duke thënë se vërtetë ka besuar që është e rrezikuar nga vdekja, transmeton Koha.net.

Në videon e postuar në Facebook, O’Connor shfaqej e shqetësuar dhe duke folur haptas për shëndetin e saj mendor. Po ashtu, këngëtarja e kishte pranuar se po i shkon mendja të vetëvritet.

Por, në një deklaratë përcjellëse të lëshuar nga zëdhënësit e saj, fansat ishin informuar që ylli irlandez i muzikës po ndihej më mirë, e sigurt dhe jo e rrezikuar nga vetëvrasja. Po ashtu, ata e kishin konfirmuar se O’Connor ishte e rrethuar dhe nën kujdesin e më të dashurve të saj.

Së fundmi, këngëtarja në një intervistë për emisionin “The Tommy Tiernan Show”, ka folur për këtë ngjarje duke thënë se e kishte postuar videon në fjalë, në përpjekje për të kërkuar ndihmë.

“Atëkohë, në jetën time po ndodhnin shumë gjëra si pasojë e së cilave pësova krizë nervore. Isha në depresion të thellë dhe vuaja nga histerektomia radiale e cila do ta çmendte secilin person. Sot, mund të qeshi dhe të flas për atë periudhë të jetës, por atëkohë ishte një përjetim i tmerrshëm për mua. Nuk më pëlqen të vuaj në atë mënyrë,” citohet të ketë thënë O’Connor.

Këngëtarja e njohur për hitin “Nothing Compares 2 U”, e cila vjetëve të fundit është konvertuar në Islam dhe tani njihet me emrin Shuhada Sadaqat, ka deklaruar se më nuk vuan nga krizat mendore. /Koha /KultPlus.com