Uranik Emini
Gratë bëjnë mëkate sapo të zgjohen nga gjumi. Në çdo lëvizje të tyre, në çdo mimikë të fytyrës dhe në çdo veprim që ato bëjnë, ekzistojnë mëkatet si një binom i jashtëzakonshëm. Pra, mëkatet dhe gratë në një vijë lineare, bashkëveprojnë sikurse të ishin një. Shfaqja “Gratë”, e cila medoemos mori duartrokitje të shumta nga publiku, shfaqi edhe një herë tjetër diçka për të cilën ndoshta edhe nuk bisedohet shumë, e shfaqi magjinë e teatrit dhe mënyrën se si ky i fundit mund të hy thellë në shpirtin tonë dhe të prekë vendet ku ftohtësia dhe e “keqja” ka kapluar gjithë atë pjesë, shkruan KultPlus.
Aktoret Edona Reshitaj, Gresa Pallaska, Lumnije Sopi, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili e Xhejlane Godanci me shkrime nga Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi e Ulpiana Maloku, shfaqen përpara publikut dhimbjet e përditshme të grave dhe diskriminimin e vazhdueshëm që ato përjetojnë. Fuqi, zë kumbues, lëvizje të shumta dhe këngë të ndërthurura bashkë, e plotësuan shfaqjen e mbrëmshme, që pati premierën në Amfiteatrin e Ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Që nga kohërat më të lashta, ato greke e antike, teatri ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Megjithatë, sikurse në shumë sfera të jetës, një problem në këtë fushë ishte edhe pjesa ku gratë paraqiteshin si inferiore ndaj burrave, e sikurse në ditët e sotme, roli i gruas në shoqëri ishte shumë i kufizuar në disa mënyra.
Edhe pse sot, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ekziston një grup i madh i grave që aktualisht punojnë aty dhe janë pjesë e teatrit dhe shfaqjeve të ndryshme, paraqitja e këtyre të fundit në skenë; vite më parë konsiderohej si diçka e “rrezikshme”.
Pavarësisht normave dhe traditave që u thanë grave jo, prania e këtyre të fundit në teatër po përparonte vazhdimisht gjatë viteve. Kjo ndodhi edhe në teatrin e hershëm amerikan. Kishte një numër të madh të grave teatrore, aktoreve në skenë, shfaqje me role kryesore të grave dhe gra dramaturge.
Fuqia e gruas në teatër dhe absolutikisht jo vetëm kjo, u pa në shfaqjen “Gratë”
Si mund të ndërtojmë në këtë bërllog? “Gratë”, një udhëtim kaotik teatror, është provokim për shoqërinë që refuzon t’i pranojë problemet e veta. Një shoqëri e cila i detyron gratë të heshtin! Krijuar nga një ekip i grave, artiste të jashtëzakonshme të teatrit, “Gratë” është një bashkim i hidhërimit, butësisë dhe dhembjes. Është një thirrje, një protestë teatrore, një pyetje…
Në një intervistë për KultPlus, regjisorja polake, Naztazja Domaradzka, tregon se kjo shfaqje nuk do të ekzistonte në qoftë se nuk do të ishte publiku.
“Unë mendoj se kjo është një shfaqje që nuk mund të ekzistojë pa publikun, është një shfaqje e bërë për audiencën. Unë nuk jam nga këtu dhe nuk kam idenë se çfarë do të thotë të jesh një grua nga Kosova, mund të kem të përbashkët disa gjëra, por nuk e di jetesën e një gruaje në Kosovë. Megjithatë, në bashkëpunim me aktoret dhe gjithë ekipin u munduam ta shfaqim atë në mënyrën siç duhet”.
Bashkëpunim i jashtëzakonshëm për një punë të madhe
“Bashkëpunimi ishte i jashtëzakonshëm. Ne patëm kohë vetëm 4 javë që të punojmë bashkë dhe kjo e bën edhe më të veçantë. Kur ju vini për herë të parë në Kosovë ato përshtypjet e para janë se ky është një vend shumë liberal dhe ka shumë rini, por kur hyn më thellë e shihni se gjërat nuk janë ashtu siç duken. U ndjeva shumë e befasuar që në vitin 2022 është bërë ilegale që të kontrollohet virgjëria e grave në Kosovë. Ka një tollovi të madhe që njerëzit nuk po e ballafaqojnë dhe mendojnë se çdo gjë është mirë pasi nuk bisedojnë për këto gjëra”, thotë regjisorja.
Tutje, ajo shpjegon se shfaqja shërben si një thirrje për të ndryshuar gjërat, jo vetëm nga burrat por edhe gratë.
“Mendoj se është një thirrje për të ndryshuar gjërat. Për të treguar se ne flasim vetëm për disa gjëra të caktuara. Ne kemi menduar që ta vendosim përgjegjësinë e këtyre gjërave te publiku, jo vetëm te burrat por edhe te gratë dhe të tjerët. Unë do të doja shumë që kjo shfaqje të shkonte në festivale të ndryshme, dhe njëri prej vendeve është sigurisht edhe Polonia, aty prej nga vi unë”, thotë Domaradzka.
Ajo gjithashtu tregon se bashkëpunimi mes saj, si një regjisore nga Polonia, dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës erdhi natyrshëm.
“Unë isha duke punuar me Fondacionin e Familjes Bogujevci gjatë verës, në një projekt të shkruar nga dramaturgja britanike Sarah Hehir dhe në fund të periudhës laboratorike bëmë një pushim të shkurtër. Aty rastisti të jetë edhe drejtori i TKK-së, ku folën për gjendjen e grave në art në Kosovë”, thotë regjisorja.
Një shfaqje tërësisht dhe vetëm me gra për gratë
“Mendoj se kjo është hera e parë që në TKK luhet një shfaqje vetëm me gratë e këtij institucioni dhe sigurisht që kjo është një ndryshim në vete. Unë mendoj se këto gra meritojnë më shumë projekte të tilla dhe shpresoj që kjo të jetë një nxitje për artistet kosovare që të fillojnë të punojnë së bashku më shumë dhe të fokusohen në solidaritetin femëror”, shprehet mes tjerash.
Edhe aktorja Shengyl Ismaili, thotë për KultPlus se puna në këtë shfaqje është një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë.
“Këtu janë gjashtë histori që flasin për diskriminimin e gruas ndër shekuj, e unë luaj njërën nga historitë. E trajtoj dhunën e burrave ndaj grave”, thotë ajo.
“Të punosh vetëm me gra për gra është një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë. Duke filluar nga ne aktoret e deri te regjisorja, ndriquesja, kompozitorja, skenografia, dramaturget, koreografia, pra të gjitha jemi gra dhe kjo e bën edhe më të veçantë”, shprehet Ismaili.
Laborator teatër – teksti i ndërtuar gjatë provave
Ismaili gjithashtu tregon edhe pjesën se si kjo shfaqje dhe procesi i provave ka qenë shumë i vështirë
“Procesi i provave ka qenë shumë i lodhshëm, sepse kjo shfaqje është një laborator teatër, që nënkupton se teksti është ndërtuar gjatë rrugës (pra, provave) si dhe ka pjesë autoriale të vetë aktoreve”.
Aktorja beson se ato kanë dhënë maksimumin për këtë shfaqje, derisa pret që publiku të vazhdojë ta vlerësojë atë.
Aktorja tjetër, Xhejlane Godanci, thotë për KultPlus se kjo shfaqje ka qenë një sfidë në vete, por beson që ato ia kanë dalur suksesshëm ta paraqesin atë siç duhet në skenë.
“Kemi punuar për tri javë. Jemi angazhuar bashkë edhe me dramaturget në përpunimin e tekstit që të dalë teksti shumë më i mirë. Është edhe regjisorja polake që e ka bërë tekstin dhe sigurisht është një sfidë për neve që të bëjmë shfaqje të tilla, edhe pse kam punuar edhe në të kaluarën që ishin si rrëfime. Por në këtë shfaqje u paraqiten edhe pjesa vizuele për ta kompletuar më shumë. Secila kemi qenë e angazhuar për diçka dhe mendoj që së bashku ia kemi dalë”, thotë ajo.
Thirrja që elektrizoi të pranishmit dhe shfaqi madhështinë e gjithë shfaqjes, ishte pak para fundit, kur trupa e aktoreve, po bërtisnin “Gratë”, “Gratë”, “Gratë”, “Gratë”, “Gratë” nën përcjelljen e duartrokitjeve të fuqishme nga publiku.
Përpos aktoreve, edhe gra të tjera kanë marrë pjesë në këtë shfaqje, si konsulente e dramaturgjisë Doruntina Basha, skenografe Yllka Brada, mjeshtre ndriçimi Lucia Sanchez Roldan, kompozitore Rona Berisha Castrioti, koreografe Behije Murtezi, asistente regjie Xheraldina Krasniqi dhe asistente dramaturgjike Zoga Çeta Çitaku.
“Gratë” do ta ketë reprizën sonte më 22 dhjetor dhe një tjetër më 23. /KultPlus.com