Dy njerëz zbresin prej malit. Njëri mbart, si një muze shëtitës, të ndodhurat e së shkuarës; tjetri, prej së shkuarës, ravijëzon të ardhmen në synim dhe përfytyrim. Sipër Shkëlzeni “shkëlqen e xeh”; teposhtë Ereniku sjell shqetësime të moçme.
Kështu nis, thënë përmbledhtazi, romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i Jusuf Buxhovit.
Kushdo që dëgjon emrin e Gjon Nikollë Kazazit, zbulues i “Mesharit të Gjon Buzukut”, përgatitet të lexojë një histori bibliotekash me libra të humbun e zbulime të befta pergamenash, por jo…
Dy kontekstet
Qysh në fillim të leximit në vepër dallohen qartë dy kontekste: a)Konteksti i rrëfimit b)Konteksti i rrëfimtarit
E para shtrihet në kohën historike të Perandorisë Osmane, vendi i pushtar nga një pushtues që nuk njeh rregulla, për shkak të origjinës dhe synimeve. Origjina nga një vend me qytetërim më të prapambetur se qytetërimi ilir i truallit të pushtuar; synimet mëtojnë kah zhdukjes dhe zëvendësimit të racës së lashtë dhe vendase, me racën e të ardhurve të etur për të plotësuar mungesat e gjithanshme të prejardhjes.
Një pushtues është superior pasi zotëron forcën dhe egërsinë, ndërsa i pushtuari është superior në : pozitën gjeografike, natyrën më të bukur e më pjellore, kulturë më të lashtë e më të zhvilluar. Inferiori është gjithmonë në mësymje për të plotësuar mungesën shpirtërore dhe materiale me cilësitë e të pushtuarit, por koha ka treguar që inferiori mbetet gjithmonë inferior.
Shpesh është shtruar pyetja: Pse ilirët nuk kanë pushtuar kënd, por vetëm kanë lëshuar territore? Sepse Iliria ka pasur natyrë të mrekullueshmë e pozitë gjeografike të lakmueshme, burime natyrore të pashterrshme, kulturë shpirtërore të zhvilluar qysh në shpërgejtë e njërëzimit, ndaj nuk kanë pasur kurrfarë nevojë t’ia rrëmbejnë ato tjetrit.
E dyta, pra konteksti i rrëfimtarit, shtrihet në një periudhë po ashtu pushtimi, kur vendlindja dhe vendbanimi i shkrimtarit lëngonte nën Sërbi. Edhe kjo periudhë historike karakterizohet nga dëbime masive, represion genocidist në fushën ekonomike dhe sidomos kulturore.
Ushqyer nga këto dy burime, romani të tërheq tronditshëm në një prozë brilante me karaktere të fytyrëzuara plot detaje, zëra dhe ngjyra, që lundrojnë në një mjedis gjithmonë në lëvizje, me ngjarje të mirëkonfiguruara, me prapakthime të befta dhe histori njerëzore që depërtojnë deri në thellësitë e psikoanalizës.
Ngjarjet vendosen brenda qytetit të Gjakovës, në një hapësirë që vorbullohet nga kisha katolike ku përgatitet qëndresa shpirtërore e vendasve; tek sarajet e pushtuesit ku merren dhe zbatohen vendimet e tragjike për zhdukjen e popullsisë vendase dhe zëvendësimin me popullatë aziatike; duke u zhvendosur mandej tek Çarshia ku gëlon e rritet forca shpirtërore dhe qëndresa e vendasve dhe spitali i të sëmurëve, që qëndron si kërcënim permanent mbi jetën e banorëve.
Romani, që në përshtypjen e pare duket si një narrativë klasike, në të vërtetë është një vepër imazhiste. Sipas “shpikësit” të imazhizmit Ezra Pound: “Imazhi është ai që paraqet një kompleks intelektual dhe emocional në një moment të caktuar të kohës.”
Në një prej poezive të tij imazhiste lexojmë:
“Ngjis bedenat një nga një E vështroj tokën barbare: Shkretëtira paanë, qielli, shkretë kështjella. Këtij fshati s’i ka mbetur mur. Kocka që zbardhin nga një mijë ngrica, Pirgje të larta mbuluar nga pemët dhe bari; Gjithë këto kush i solli? Kush i ndolli rraqet luftarake, daullet? Mbretërit barbarë…” (Nga “Kanto të zgjedhura” shqipëroi Edion Petriti)
Ndërsa në veprën e Buxhovit lexojmë: “Mjeku Shefki aga rrinte pas me thika të gjata, të cilat i pehaste furishëm dhe nga ajo pehatje krijohej gjak i cili bëhej si lumë…” (Botim i “Naim Frashërit” faqe 42)
Më tej:
“Një dervish u shkëput nga korri i dervishëve dhe filloi të sillej me një flamur të gjelbër. Po e përqafonte dhe e sillte në ajër. Pas tij doli një tjetër me një flamur të kaltër… Një oficer pastaj filloi të çirrej dhe t’i përmendte me rradhë emrat e flamujve që mbanin dervishët…Ca kishin hajmali, rruaza dhe fjalë të shkruara në arabisht dhe persisht”. (Po aty faqe 133)
Këto rrëfime, të një narrative epike, krijojnë një vorbull imazhesh tek lexuesi dhe ai rrëmbehet duke përjetuar realisht në fantazinë e tij këto skena djallëzore prej mbretërish e pushtuesish barbarë.
Invazioni i së padukshmes
Boshti i ngjarjeve të romanit tirret tek sëmundja e murtajës. Bota e ka përjetuar shpesh këtë sëmundje me një agoni të tmerrshme, sidomos në Mesjetë. Letërsia e ka përshkruar me metafora të zymta e epitete të sëmurë në vepra të herëpashershme.
I pari shkrimtar që ka paraqitur një situatë murtaje është Homeri, “Iliada” hapet me një epidemi të tillë në kampin e akejve. Kjo epidemi shpërndahet prej shgjetave të infektuara të hyut Apolon, i mërzitur prej veprimeve të ndyra të Agamemnonit:
“Po cili zot këtë armiqësi ua ngjalli? Biri i Letosë e i Zeusit, pse, i zemëruar me prijsin, çoi ndër rradhët e ushtrisë murtajë shfaruese dhe polemi vdiste…” (Kënga e parë vargjet 10-13, shqipëroi Pashko Gjeçi)
Homerti shpjegon se sëmundja ngjitej prej kafshëve tek njerëzit:
“Më parë goditi mushkat e qentë e shpejtë, pastaj mbi njerëz t’rreptat shigjeta hodhi dhe i shfarosi. Kudo grumbuj t’mëdhenj kufomash digjeshin…” (po aty)
Në veprën “Shënime të Gjon Nikollë Kazazit” , murtaja vjen nga lindja prodhuar në kazanet diabolikë të perandorisë, prej dietarësh diallëzorë , që projektojnë dhe eksperimentojnë shfarrosjen e popujve rebelë. Të pakënaqur nga mbijetesa e popullit shqiptar, që nuk mposhtet nga hordhitë e çallmave me shpata, heshta e hanxharë të përgjakur, ata përgatisin invazionin e tmerrshëm të sa padukshmes.
Kjo murtajë futet tinëzisht në qytetin e Gjakovës, me qerre të maskuara nën një petk të zi, në errësirrën e zezë të natës. Përhapet nga minjtë mbartës dhe shpërndahet në ajrin e qytetit duke u përgatitur të sulmojë me një invazion të llahtarshëm vdekjeprurës shpirtrat e pamposhtur të atij qyteti.
Beteja zhvillohet në dy kampe, në atë të padukshmes që përmendëm më sipër dhe në realen e së përditëshmes, aty ku autorët e këtij makabriteti, përplasen sy më sy me qëndrestarët. Dy vështrime që përpiqen të demontojnë njëri-tjetrin: Njëra palë forcën e pushtetit të pakufizuar;
Pala tjetër mënçurinë mijëravjeçare të eksperimentuar dhe provuar suksesshëm në laboratorin e qëndresës së përjetshme.
Natyrshëm këto ndërthurren e më pas shkrihen në një. Dy brezat që përmendëm në fillim: muzeu shëtitës i së shkuarës, me njeriun e së ardhmes. Të dy këta personazhe, si në një bosht ku pështillen tradita, besa, shkrimi , gjithçka që vjen prej një qytetërimi të lashtë me një lidhje të pashkëputur me të tashmen historike dhe të ardhmen; bashkuar si tufa e thuprave të Kastriotit, mposhtin me turp të keqen.
Ndërthurrur në linja subjekti mes së vërtetave historike dhe imazheve dramatike, romani i Buxhovit më shumë përjetohet sesa lexohet. Ai të rrëmben, të ngërthen, të cfilit duke të hedhur rresht më rresht, faqe më faqe e kapitull më kapitull. Në fund ke ndjesinë sikur ke dalë prej një ankthi dhe ke dëshirë të nisesh e të shëtisësh nëpër Gjakovë, të dalësh m’at anë Erenikut dhe të shohësh se sa shumë humbës kaluan këtej pari, duke lënë vraga të thella në trupin dhe shpirtin tonë.
Pakëz krahasim
Në vend të epilogut do të doja të ndalesha shkurt në disa konsiderata të mija rreth një shkrimi krahasimtar që është bërë ndërmjet “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të Jusuf Buxhovit me “Kështjella” të Ismail Kadaresë, nga Aleksandar ZOTO . Autori krijonte përqasje të shumta midis dy veprave dhe kjo gjë m’u duk disi e pastudiuar, pasi: Këto vepra mund të ngjajnë me njëra tjetrën vetëm nga fillesa e temës së “luftës të popullit shqiptar kundër perandorisë osmane”, ndërsa në shtjellim janë larg njëra- tjetrës, për disa arsye:
1.”Kështjella” shpalos tablo të gjera me ushtri qindramijëshe, ngarkuar me armatime të rënda, me çadra e logjistikë të paanë pushtuese.
“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” përkundrazi fushën e betejës e vendos më së shumti në hapësirat e së padukshmes, me invazione infektuese mikrobesh armikë.
2.”Kështjella” ka përplasje trupash me heshta dhe shpata të përgjakura
“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, përkundrazi, zhvillohen më tepër në fushën e inteligjencës sesa në sheshmejdan.
Ajo që është më kryesorja: “Kështjella” e sheh izolimin si një mjet shpëtimtar për shqiptarët, i izoluari nuk pëson asnjë dëm , përkundrazi del më i fortë prej izolimit.
Tek “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” nuk është kështu: Në faqet e tij izolimi përshkruhet si bartës i një të keqeje aq të madhe sa edhe vetë murtaja,madje atë që s’mund ta bëjë murtaja e plotëson izolimi.
Thënë përmbledhtazi: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” është një roman me fyturën e vet të pangjarë në letërsinë shqipe, por edhe në atë të huaj.
“…Unë, Gjon Nikollë Kazazi, i biri i Pjetrit, i lindun në Gjakovë në ditën e dytë të motit të madh njëmijë e shtatëqind e dy, me ndjenjën e përulësisë ma të thellë para të Madhit si dhe të përgjegjësisë së plotë që ka njeriu për të vërtetën, duhet të dëshmoj rreth një të keqe të madhe që na ka ra mbi kokë…
Na pra, i madh e i vogël, nga dita e sotme, i jemi nënshtrue një rrethimi të tmerrshëm, që vjen fare papritun me kërcënimin që të mbesim të shkëputun përgjithmonë nga bota…
Ky kërcënim lidhet me shfaqjen e murtajës për të cilën thuhet se ndodhet midis nesh, sado që ajo ende nuk ashtë dëshmue…
Sprovat e Zotit janë të mirëseardhuna dhe të mirëprituna, por shumëçka që këtu lidhet me sëmundjen, len me dyshue se ajo ashtë pjellë e ligësisë së robit…
Me gjithë që, me kohë çdo gja ka me u sqarue, na duhet me gjetë forcë për me i ba ballë të ligës që vjen nga robi, ngaqë këtë e kemi për detyrë pa marrë parasysh rreziqet me të cilat ballafaqohemi…
Në këtë rrugë kemi për detyrë për me ushqye shpresën, por edhe për me gjetë mundësitë që çojnë deri të zgjimi i ndjenjës së kundërvënies së ligës që na kërcënon deri në asgjasim…
Nuk kemi me e pasë të lehtë, por nuk kemi shtegdalje tjetër…
Natën e mirë, trishtim, por edhe shpresë…”
Shënimin e vendosa te vargjet “Lutjet e Mëngjesit” nga Katekizmi:
“Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem,
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës
se më ke kriuom
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë
prej ndonji mortje së pakujtueshme.
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh sod
e për gjithë her
prej gjith fajesh e mpkatesh…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982.)
Romani i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” është roman i situatës, roman i një gjendjeje. Themi kështu meqë motivi kryesor i romanit është një gjendje epidemiologjike e shkaktuar nga futja e murtajës. Kjo situatë bëhet më e veçantë nga e dhëna se epidemia është shkaktuar nga pushtuesi osmanë me pretendimin që të thyejë, pra të nënshtrojë, një ambient të caktuar, që në rastin tonë ka të bëjë me një qytet (Gjakovën). Fjala, pra është për një rast nga e kaluara (shekulli XVIII), kur popullatës së asaj ane i futet murtaja shkatërruese. Dhe, e gjithë atmosfera e kushtëzuar nga futja e sëmundjes zhvillohet në bazë të sistemit të qëndresës: pra që infektimit me murtajë t’i bëhet qëndresë e organizuar. Mbase kjo “mbulesë” e motivit nuk do të ishte gjithaq e rëndësishme po qe se nuk do të bëhej fjalë për idenë e pasojave të mëdha, që rrjedh nga kjo gjendje, që e pasqyruar me fjalorin e sociomaterializmit bëhet fjalë për një sëmundje kolektive, ku fati individual në tërësi varet nga fati kolektiv. Në këtë gjendje sëmundja kolektive e përmasave shkatërruese, ose shfarosëse, inicion një proces aktiv mbrojtës, i cili duhej të ishte i tillë, ngaqë turqit osmanlinj, në kuadër të metodave të tyre shkatërruese, përdornin edhe përhapjen e sëmundjeve, duke e sjellë mikrobin e saj fshehtas, në mënyrë që ia të bëjë punën e tyre. Dhe këtë marifet ata e bëjnë me sjellje dyfytyrëse: në njërën anë, në emër të “etikës” për ta luftuar sëmundjen vdekjeprurëse, haptas shpallën si mbrojtës të popullatës së rrezikuar, ndërkohë që fshehtas e përhapin atë. Po ashtu, në emër të etikës së përkujdesjes, përveç qeveritarëve, popullatës u ndalohet çfarëdo veprimi mbrojtës. Në këto rrethana, pra “të përkujdesjes”, qytetit i vihet shtetrrethimi, duke e shkëputur atë nga pjesa tjetër e botës, në mënyrë që sëmundja të mbahet e mbikëqyrur bashkë me shkatërrimin, që pastaj të bartet, po ashtu e mbikëqyrur, edhe në pjesët tjera. Por, edhe përkundër kësaj, kur qyteti duhej të mbetej në “duart e sëmundjes” dhe të fatit, qytetarët fillojnë t’i kundërvihen kësaj gjendjeje. Me këtë rast shfrytëzohet mençuria e vet dhe vetëdija kolektive. Kështu, në kushtet tepër të rëndë të sprovës të rrosh apo mos të rrosh, me shumë gjeturi, del në pah një atmosferë e veçantë ekzistenciale çfarë është ajo e rrethanave të murtajës. Një atmosferë të tillë, në letërsinë botërore, ndeshim te “Murtaja” e Alber Kamysë, ku shfaqet një gjendje thuajse e njëjtë, por me qëllime fare të ndryshme. Te romani i Kamysë, epidemia e murtajës shfaqet pa ndonjë shkaktar të jashtëm, pra si sëmundje që prek njerëzit, ndërsa në rastin tonë, pra te romani i Buxhovit, shfaqet në mënyrë tepër perfide me qëllim të shkatërrimit fizik dhe të shthurjes psikike të një popullate, gjë që epideminë e kthen në një absurd midis atij biologjik dhe historik.
2. Intelektuali dhe roli i tij
Në këtë gjendje të mbrojtjes kolektive rol të veçantë luan intelektuali, i cili në situatën e dhënë përfaqësohet nga një figurë reale historike – Gjon Nikollë Kazazi. Autori nuk ngurroi që ta inkarnojë figurën e intelektualit real që ta theksojë rolin dhe vendin e intelektualëve në shoqëri, pra në rrethin ku ai jeton dhe vepron. Atij, madje, në roman i takon roli kryesor, ai i rrëfyesit dhe i kronistit, ku nëpër mes tij njihemi me gjithë situatën. Por, me zhvillimin romanesk të ngjarjes ne harrojmë në tërësi intelektualin real dhe kalojmë në sferën teorisë së përgjithshme rreth rolit të intelektualit si personazh artistik. Pra, intelektuali i këtij romani në të vërtetë paraqet tipin e intelektualit që është i lidhur ngushtë me fatin e vendit dhe të mjedisit, dhe në këtë gjendje të rëndë, personaliteti i tij ngrihet në gjithë kompleksitetin.
Në planin praktik të organizimit të mbrojtjes kundër epidemisë, pra kundër murtajës, Kazazi, duke shfrytëzuar ogurin e së keqes së madhe, por mbi të gjitha, përkatësinë e njëjtë etnike, ia del që në atë organizim të përfshijë njerëzit e të gjitha besimeve dhe të profesioneve. Kështu, roli i tij prej intelektuali, del në pah çastin që ai përqendrohet për të gjetur metodën e kundërvënies sëmundjes vdekjeprurëse, duke iu kthyer historisë së shkruar, në mënyrë që prej andej të gjejë përvojën e sjelljes në situatat e ngjashme, me anën e të cilave ishte siguruar mbijetesa, gjë që e gjitha nxjerrë në pah dimensionin historik të ekzistencës. Dhe në saje të përvojës së shkruar, pra të shkrimeve, duke lexuar tekstet latine rreth gjendjeve të njëjta, ai i kthehet antikës, sheh se ajo nëpër të cilën po kalohej, ishte një formë e përsëritur për rrënime të caktuara fizike dhe metafizike shoqërore. Në këtë rropatje me tekstet e vjetra, Kazazi, sheh shumë ngjashmëri midis ideve asimiluese dhe shkatërruese (romakëve dhe osmanëve), që u kanë shërbyer për t’i arritur qëllimet e tyre historike. Aty, jo rrallë, shfaqen sëmundjet si metoda tinëzare, të cilat, në shumë raste, bëjnë më shumë se sa armët. Natyrisht, se duke u ballafaquar me luftërat të tilla të fshehta, popujt e rrezikuar, kanë zhvilluar metodat mbrojtëse, që u kanë mundësuar mbijetim. Natyrisht se Kazazi, do t’u kthehet metodave autoktone, të cilat rrjedhin nga tradita dhe përvoja shekullore. Në këtë punë, Kazazi, pasqyron fuqitë dhe karakterin e intelektualit të njëmendtë, duke vepruar në atë mënyrë që tinzaritetit të pushtuesit, i cili ka në dorë gurin dhe arrën, t’i kundërvihet me punë dhe veprime të hapura publike, të cilat janë në përputhje me të drejtën e mbrojtjes nga sëmundja shkatërruese, të drejtë këtë që as pushtuesi nuk mund ta mohojë publikisht. Natyrisht se Kazazi, punën, pra mbrojtje, do ta marrë në dorë, pasi që do t’ia dalë të zbulojë rrënjët e së keqes që vinte nga jashtë në forma të ndryshme, e ku frika dhe përçarjet shfaqeshin si gjendje psikologjike të veçanta, të cilat i duheshin secilës fushatë. Për t’i eliminuar këtë faktorë, Kazazi, duke i kthyer vlerave të përbashkëta shpirtërore dhe frymës së tyre, do t’ia dalë që t’i bashkojë që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh dallimet e brendshme. Kështu, në planin intelektual përkrah ka poetin Pader Coli dhe këngëtarin popullor Selami Taraku. Te i pari tragjika shfaqet në elementin shpirtëror si fuqi e përbashkët identifikuese, ndërsa te Selamiu ajo paraqitet në një formë ndryshe, e cila nuk largohet nga elementi i përbashkët ekzistencial. Sepse, që të dy i lidh e njëjta vegez e gjendjes ekzistenciale që ka të bëjë me revoltën krijuese, e cila nuk është hiç më e vogël nga gjendja e rezistencës së përgjithshme. Pra, përderisa Kazazi, personazhi kryesor i romanit, paraqet tipin e intelektualit që mendon (racionalistit) – krijuesit dhe studiuesit në funksion të ideologjisë dhe të idesë së qëndrueshmërisë së përbashkët, të dy poetët, në planin tjetër, paraqesin tipin e intelektualëve kreativë, të cilët me amplituda kreative zbulojnë të vërtetë rreth një veprimi tjetër nga ai intelektualit studiues. Në këtë mënyrë, del në pah natyra e intelektualit i cili ndjenë, mendon dhe vepron në përputhje me gjendjen, por edhe me rrethanat që imponon momenti i caktuar. Kështu, rreth personazhit kryesor (Kazazit), zhvillohet organizimi i rezistencës, por që merr jetë në saje të një rrethi të gjerë i bashkëvepruesve, që kthehen në bashkëmendimtarë të tij. Ndërkohë që poetët vetëm sa plotësojnë dhe forcojnë figurën e tij, duke ia krijuar asaj oreolin e punës së përbashkët, si një veprimtari ku bashkëveprojnë dhe bashkëdyzohen shpirtërorja me realen. Kjo vlen veçmas për Padës Colin.
3. Empiria popullore
Gjatë hulumtimeve për të gjetur mundësi që kanë të bëjë me qëndresën, ku mbrojtja kundër epidemisë së murtajës kthehet në një preokupim ekzistencial, personazhi kryesor i romanit, Kazazi, hedh shikimin në fushën e mençurisë popullore, që mbështetet në empirinë e tij, pikërisht te çështjet që kanë të bëjë me përvojën e ekzistencës aktuale dhe asaj historike. Në bazë të kallëzimeve popullore dhe të njohurive të ndryshme, por edhe duke u bazuar në burimet e shkruara, Kazazi vjen deri te përfundimi se në ato troje edhe më parë kishte murtajë ose mort, gjë që kjo do t’ia bëjë me dije se vazhdimi i ekzistencës lidhet me ndonjë fshehtësi e cila ruan çelësin e përballimit të asaj të keqe, siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën. Duke hulumtuar, Kazazi, mëson se edhe në të kaluarën, në pjesët e Malësisë murtaja ishte përballuar më lehtë në saje të njëfarë gërrithje, e cila ishte përdorur nga malësorët, dhe se kjo mbrojtje, kishte qenë fare e thjeshtë: kur nga i sëmuri (hundët) ishin nxjerrë dregëza, të cilat pastaj ishin fërkuar në lëkurën e gërrithur të njeriut të shëndoshë, pasi që prej saj të ishte liruar pak gjak, gjë që e gjitha kishte paraqitur një përzierje të mikrobit në organizëm, ku ai ishte kthyer në mbrojtës të saj. Gërrithjen si mënyrë mbrojtëse, që në Malësi ishte ruajtur me fshehtësi, Kazazi, po ashtu, fshehtas e merr dhe e bart në qytet me anën e “plakave gërrithëse”, të cilat veprojnë fshehtas për kundër murtajës. Po qe se kjo “fshehtësi” shpjegohet me anën e mjekësisë së stome, atëherë kjo paraqet një lloj vaksinimi, që populli e ka përdorur për t’u mbrojtur nga sëmundjet shkatërruese.
E kemi përshkruar këtë mënyrë të rezistencës ndaj epidemisë për ta theksuar jo vetëm forcën e një “mrekullie” popullore, por për me tepër të të nxjerrë në pah çështjen e forcës intelektuale si dhe rolit të saj në jetën e një populli, si një faktor i brendshëm, i cili është vendimtar për t’u fituar jo vetëm imuniteti fizik, por edhe ai shpirtëror, mbi të cilin konsiston secila rezistencë dhe secili qëllim.
4. Dokumenti dhe fakti
Konturat e romanit, që i theksuam këtu, në të vërtetë janë fryt i narracionit romansier, e cila formohet dhe ruhet me anën e rrëfimit të personazhit kryesor, Kazazit. Këtu Jusuf Buxhovi tregoi aftësitë e tij, ngaqë me maturi dhe përpikëri shfrytëzoi dokumentin. Dhe ç’është edhe më e rëndësishme, ai ia doli që nga dokumenti të nxjerr dhe të realizojë faktin, që ia mundësoi të formësojë botën e dokumentit si botë artistike të romanit. Këtu bëhet fjalë për “shndërrimin” e dokumentit në dobi të fitimit të faktit, prej nga pastaj kyçja e dokumentit ndërlidhet me aktin e ngritjes artistike. Duke u parë si analogji me prosede real që krijon përshtypjen e “iluzionit të realitetit”, autori krijon “iluzionin e dokumentit” (dokumenti që krijon kronika e Kazazit) sipas prosedeut të romanit bashkëkohor.
Faktor i rëndësishëm i vlerës së rrëfimit artistik të Jusuf Buxhovit gjithsesi është edhe ndërlidhja dokumentare në raport me përmbajtjen: vetë romani është një dokument artistik, që bazohet dhe zhvillohet mbi bazat e dokumetaritetit, pikërisht të atij dokumentariteti që kërkon njohjen e dokumentit. Kjo shihet më së miri nga personazhi kryesor: Kazazi është personazh i dokumentit, i cili mbështet mbi realitetin që buron nga hulumtimi i ekzistencës së vazhdueshme që manifestohet me anën e dokumenteve të shkruara, të cilat njëherësh vinë si pjesë të kujtesës së kozervuar në dëshmi, por që duhet zbuluar në mënyrë që prej tyre të nxirret përvoja e caktuar.
Një faktor tjetër i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me atë se Jusuf Buxhovi nuk e komplikon shumë narracionin në dëm të romanit, por se duke shfrytëzuar përshkrimin dhe efektet e dokumentit në planin e linjës lineare, krijon një shkrim analitik, i cili i ndihmon leximit të lirshëm të romanit, duke e bërë atë të afrueshëm dhe të kuptueshëm.
E gjithë kjo shkon në dobi të autorit dhe bën të ditur se ai përnjëmend gjendet në kontakt me të arriturat e romanit tonë bashkëkohor dhe romanit në përgjithësi, gjë që me këtë roman ai dëshmoi se është mjeshtër i trajtimit dhe të përpunimit të dokumentit, në mënyrë që në këtë drejtim edhe më tutje duhet të mbetet.
Duke përmbyllur këtë vështrim të shkurtër për këtë roman, duhet thënë se Jusuf Buxhovi ia ka dalë që faktin e dokumentit ta kthejë në një universalizëm artistik, që tregon se është një romansier tejet me përvojë dhe njëherësh një prozator që shquhet si rrëfimtar tejet i mirë. Nëse në romanet e tij të mëparshme (Matankrena dhe Loja) merret me simbolikën e tekstit, në këtë roman, e vazhdon atë, por me një dozë më të madhe të konkretizimit, çka e dallon nga romanet paraprake. Duke pasur parasysh disa nga elementet që u theksuan më lartë e që lidhen me përvojën krijuese dhe përvojën romaneske në gjithë spektrin artistik të refleksioneve të këtij autori, mund të thuhet pa hamendje se për nga cilësitë, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” mund të radhitet ndër romanët tona më të mira bashkëkohore.
(Parathënie për botimin në serbokroatisht të romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”- ‘Zapisi Đona Nikolle Kazazija’ nga shtëpia botuese “Jedinsvo”Prishtinë dhe “Nolit” e Begoradit, 1986, përkthyer nga dr. Engjëll Sedaj)./ KultPlus.com
Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” vepër emblematike e letërsisë shqipe
Sot në Shkodër, në bibliotekën “Marlin Barleti” u bë promovimii veprave “Sënimet e Gjon Nikollë Kazazi” dhe “Kosova – histori e shkurtër.
Rreth romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi” folën Gjovalin Çuni dhe Zija Vukaj”. Referruesit në fjalët e tyte kishin si emërues të përbashkët vletësimin se ky roman është ndër më të rëndësishmit e letërsisë shqipe.
Për Zija Vukajn romani “Shënime te Gjon Nikollë Kazazit” si i tillë është emblematik, meqë ia del që errësirën historike ta kthejë në një dramë ezistenciale të veçantë në letrat tona.
Në këtë adpekt Vukaj theksoi se autori ia ka dalë që disa koncepte filozofike t’i implenentojë në diskursin letrar duke i dhënë veprës një dimension të historisë shpirtërore ndër më të thellat, ku edhe fenomeni i laramanisë, nuk paraqet siç thuhet përpjekjen për mbijetim një si pakt zotot dhe pushtuesin, por paraqet filozofinë e kozmogonisë të ruajtur te shqiptarët si një fuqi civilizuese.
Autori Buxhovi duke fomë për “Kosovën historinë e shkurtër” tha se kjo vepër është sintezë e tetë vëllimeve, por edhe me disa pasazhe të rishkruara. Autori foli në mënyrë kritike për mungesën e vullnetit që historiografia institucionale të lirohet nga diskursi ideologjik dhe ai i ktheyrave të histpripgrafisë dë Beogradit./ KultPlus.com
Romani i njohur ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nga shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, i cili së fundmi ka dalur nga shtypi nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’ dhe është përkthyer edhe në gjuhën italiane, ka marrë një jehonë të re dhe sukseset e tij duket sikur nuk po kanë një fund, shkruan KultPlus.
Romani për herë të parë u botua në vitin 1982 dhe u përkthye në disa gjuhë botërore, tani ka ardhur me ndryshime të cilat dallojnë nga pesëmbëdhjetë botimet e deritanishme, për arsye se aspekti përmbajtësor dhe gjuhësor është plotësuar akoma më shumë. Ndërsa përkthimi në gjuhën italiane i ka dhënë romanit një frymë të re të shoqëruar me një sukses të jashtëzakonshëm në Itali ku çdo ditë e më shumë po i bëhet jehonë.
Mbrëmë, në promovimin e këtij libri në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, Buxhovi ka shpalosur një lajm ekskluziv.
Buxhovi ka treguar se libri i tij do të shndërrohet në film botëror në gjuhën italiane dhe për këtë nismë tashmë shkrimtari kosovar ka nënshkruar disa parakontrata me një ndër shtëpitë filmike më të njohura në itali.
Tutje Buxhovi ka njoftuar se njëri nga producentët është tejet i njohur, përderisa filmi pritet të realizohet nga dy prej regjisorëve më të njohur italianë me renome ndërkombëtare, emrat e të cilëve ende nuk mund t’i zbulojë.
Ndërsa, tani për tani libri është në duart e dy skenaristëve të cilët para dy dite kanë marrë përsipër të kthejnë romanin në skenarë. Ndërsa, sipas Buxhovit, i gjithë procesi pritet të përfundojë në shtator.
“Ruajtja e karakterit të personazheve dhe aspektit të librit, ngritja e botës shqiptare në nivel botëror, projektimi kulturor i historisë shqiptare, përfshirja e Kosovës, Malësisë dhe Shqipërisë, janë këto disa nga arsyet kryesore që producenti italian dhe i gjithë ekipi kanë vendosur ti shpalosin në një film të vetëm ku synohet të tregohet fuqia e një populli të tërë”, thotë Buxhovi.
Buxhovi njofton se italianët kanë treguar një interesim shumë të madh që bota shqiptare të ngrihet në nivel botëror dhe padyshim që për të është nderë që ky film do të jetë i përmasave të tilla.
“Ky film do të jetë një film ku tregohet shpirti, mentaliteti dhe bota shqiptare. Po ashtu, italianët përmes këtij filmi dëshirojnë të krijojnë një pasqyrë të vërtetë të popullit shqiptar dhe historisë së tij. Frika ime e vetme mbetet shteti i Kosovës, për të cilën shpresoj që nuk do të jetë pengesë sepse për 15 vitet e fundit, Kosova nuk ka dhënë shenja që dëshiron të tregojë historinë e vet”, ka thënë krejt për fund Buxhovi. / KultPlus.com
Romani i njohur ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nga shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, i cili së fundmi ka dalur nga shtypi nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’ ka marrë një jehonë të re dhe sukseset e tij duket sikur nuk po kanë një fund, me ç’rast promovimi i këtij libri mbrëmë u bë edhe në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Por surpriza e mbrëmshme ishte edhe përkthimi në gjuhën italiane i cili sapo kishte arritur dhe kështu autori e bëri një promovim të dyfishtë të veprës në të dyja gjuhët.
Romani për herë të parë u botua në vitin 1982 dhe u përkthye në disa gjuhë botërore, ndërsa tani ka ardhur me ndryshime të cilat dallojnë nga pesëmbëdhjetë botimet e deritanishme, për arsye se aspekti përmbajtësor dhe gjuhësor është plotësuar akoma më shumë. Ndërsa përkthimi në gjuhën italiane i ka dhënë romanit një frymë të re të shoqëruar me një sukses të jashtëzakonshëm në Itali ku çdo ditë e më shumë po i bëhet jehonë.
Jusuf Buxhovi, në këtë libër është fokusuar tek çështja e polikromit fetar tek shqiptarët, duke e pasqyruar atë jo vetëm si bashkëjetesë të besimeve nga familjet deri te individi, por të ndërlidhur me elementet e kozmogomisë të trashëguara nga dijet e vjetra, të cilat gjenden në vetëdijen kulturore dhe historike të shqiptarëve si një faktor i veçantë, që atë e ka përballur edhe me trysninë e vazhdueshme të garës së qytetërimeve, ku për t’u shkatërruar ky element identitar, është përdorur edhe lufta biologjike, me virusin e murtajës, mbi të cilin ngritet edhe drama e romanit në dimensionin gjithëkohor dhe gjithnjëzor, format e të cilit pasqyrohen edhe sot për qëllime politike dhe hegjemoni.
Po ashtu, autori e ka kthyer paskajorën dhe disa morfema të gegnishtës, që pasqyrojnë fuqinë shpirtërore që mbështetet mbi gjuhën e mirëfilltë.
Të pranishmit mbrëmë ishin në numër të madh dhe patën rastin të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë në lidhje me përpunimin e këtij romani që autori e ka risjell në një version më të plotësuar dhe i cili këtë mbrëmje ia ka kushtuar shkrimtarit që tani nuk është më në mesin tonë, Ramadan Musliut. Andaj, nën moderimin e aktores Vlora Merovci, fillimisht për disa fjalë rasti mbi librin, foli botuesi Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’.
“Botimi i parë i librit ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’, ka ndodhur në vitin 1982 dhe pas kësaj edhe në Rilindje është ribotuar shumë herë. Libri ka bërë një rrugë të gjatë e të rëndësishme deri tek lexuesi dhe këtë e dëshmojnë ribotimet e deritashme në gjuhë të ndryshme”, ka thënë Rrahmani.
Në vazhdim, Ardian Haxhaj, lexoi shkrimin e tij në qasjen kritike e që është titulluar ‘Mbi triumfe’, ku sipas tij përshkruhet lufta e jetës dhe vdekjes, të mirës e së keqes dhe errësirës e dritës.
“Në konsolidimin kulturor që me botimin e parë të romanit në vitin 1982, romani shqip në Kosovë shënjoi një momentum reprezentativ kulturor. I shkruar në formë të shënimeve, mundësohet që përvoja e leximit të këtij romani të shfaqet në shumë dimensione. Është koha e Perandorisë Osmane në Ballkan, në trojet shqiptare, diku në mesin e shekullit të 18-të dhe Gjakova është vendi ku zhvillohet ngjarja”, thotë Haxhaj.
Sipas tij, narratori dhe protagonisti kryesor, Gjon Nikollë Kazazi e përshkruan një kohë të jashtëzakonshme të përballjes së qytetit të tij me rrethinë, me ethet e mortajës që rezulton të jetë në shumë pikëpamje se prej nga vinte epidemia. Ai i takonte provincës fetare të kohës ku ai ishte udhëheqës shpirtëror i besimtarëve por në romanin e Buxhovit, del në dimensionin e prirjes së liderit shpëtimtari.
“Përsiatjet e Gjon Nikollë Kazazit i tejkalojnë përsiatjet teologjike. Si pjesëtar i një rrethine të mbërthyer nga një perandori, ai preokupohet me tema e veprime ekzistenciale, merr masa se si të shpëtohet nga mortaja që dyshohet se pushtuesi e ka sjell qëllimshëm për shkatërrimin e popullatës vendase. Andaj, ky roman mbetet në listën e romaneve më të qëndrueshme në letërsinë shqipe”, përfundon Haxhaj.
I pranishëm ishte edhe Don Lush Gjergji, i cili me një qëndrim të jashtëzakonshëm shpalosi disa fjalë rreth librit e ekskluzivisht ai foli për përkthimin e librit në gjuhën italiane sepse edhe ishte më afër atij zhvillimi.
“Janë pesë vlera universale që paraqiten në popullin tonë të stërlashtë, ilir arbnor dhe shqiptar. Romani i Buxhovit ka një titull jashtëzakonisht të bukur në përkthimin italisht ‘Për ty toka ime’, një ngjarje e rëndësishme për ne si popull shqiptar. Njerëzit tanë kanë qëndruar, kanë luftuar, kanë bërë çmos që mos të tjetërsohen e të mos shkrihen”, thotë Gjergji.
Sipas tij, vetë fakti që jemi gjallë e jemi shqiptarë, kemi vitalitet dhe e duam jetën, konsiderohet një mrekulli dhe është një ngjarje e tejkalimeve të përballimeve dhe vështirësive.
Ndërkohë, shkrimtari, historiani dhe publicisti Jusuf Buxhovi, tregoi arsyen e tij për ripërpunimin e romanit dhe promovimin e tij që i dedikohet shkrimtarit dhe intelektualit Ramadan Musliut.
“Ky promovim i kushtohet shkrimtarit dhe intelektualit Ramadan Musliut, i cili ka qenë redaktor i librit dhe punës time ia ka dhënë një kornizë përmbajtjesore dhe konceptuale. Krijuesi gjithmonë është në lëvizje dhe idetë janë një sfidë e veçantë. Janë dy arsye pse unë i jam rikthyer Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit”, thotë Buxhovi.
Sipas tij, ripunimi i këtij romani ka qenë i rëndësishëm që në planin ideor, të intonohet një çasje e re në këtë mbijetimin tonë. Ai e ka përjetuar mbijetimin dhe pranimin e feve si diçka e natyrshme.
“Gjuha është ajo që bastardohet më së lehti dhe në esencë neve po na kanoset koha e mortajës së Gjon Nikollë Kazazit. Një popull nuk mund ta tregojë identitetin jashtë kulturës dhe krijimtarisë, andaj për mua ka qenë e rëndësishme që ky faktor të forcohet edhe më shumë”, thotë Buxhovi.
Kështu, krejt në fund Buxhovi ka falënderuar gazetën KultPlus për mundësinë e promovimit të romanit, e në veçanti kryeredaktoren e gazetës Ardianë Pajaziti.
“Këtu nuk është herë e parë që vijmë, vijmë sepse për mua e të tjerët, ky është një kënd i cili ofron kulturë dhe për fat të keq është dashur të kemi shumë më shumë ambiente të tilla. Por këtë duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë dhe andaj doja të falënderoja për mundësinë që ofrohet, që së paku këtu ta ndjej veten si krijues”, përfundon Buxhovi.
Në fund, duartrokitjet ishin ato që zëvendësuan fjalimet ku të pranishmit patën rastin të marrin falas nga një kopje të librit dhe autografin e autorit. Pastaj, nata vazhdoi tutje me biseda mes miqsh dhe artdashës të cilët u shoqëruan me nga një gotë verë nën meloditë e këngëve shqiptare. / KultPlus.com
Jusuf Buxhovi me “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” do të prezantohet në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Jusuf Buxhovi, autori i romanit do të bashkëbisedoj me të pranishmit në lidhje me përpunimin e këtij romani që e ka risjell me një version më të plotësuar, dhe i njëjti do të shpërndajë libra falas për të pranishmit, të cilët do ti marrin librat edhe me autografet e autorit.
Ky organizim i cili mbahet të mërkurën me datën 16.06.2021, do të filloj në orën 19:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 22:00. Ngjarja do të jetë e hapur për të gjithë dhe do të mbahet duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19./ KultPlus.com
Versioni i plotësuar i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, që doli këto ditë nga shtypi, sot u promovua në Gjakovë, pikërisht në ditën e njejtë që kjo vepër e përkthyer në italisht, promovohet në Romë nga botuesi i njohur italian “Armando”.
Vepra deri më tash është përkthyer në sllovenisht, serbisht, frengjisht, ndërsa është në përkthim e sipër në anglisht, polonisht, gjermanisht, spanisht dhe rumanisht.
Nga botimi i parë në nivitn 1982, romani ka pasë dhjetra ribotime në Kosovë dhe dy botime në Shqipëri. Si i tillë, hyn në romanët më të sukesshme të letërsisë shqipe.Promovimi u në Bibliotekën Komunale “Ibrahim Rugova” / KultPlus.com
Nesër në Romë, promovohet romani i Jusuf Buxhovit “Per te terra mia – Le Confessioni di Gjon Nikola Kazazi” (Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit) i botua këto ditë në italisht nga shtëpia e njohur botuese e Romës “Armando” në përkthimin e Liljana Cuka-Maksuti.
Botuesi italian ka bërë të ditur se më 3 qershor, në orën 16, nën moton “Historia e zhdukjes së një populli”, do të promovojë romanin para një audience reprezentative kulturore dhe intelektuale italianë, e ku pritet të marrin pjesë edhe ambasadorët e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës dhe të arbëreshëve nga Italia.
Në prononcimin e botuesit, pos tjerash thuhet se “bëhet fjalë për një roman të madh nga një periferi, nga aty ku historikisht politika dhe feja luftojnë për hapësirën dhe mbikëqyrje” Më tutje thuhet se “ardhja e murtajës, mbyllja, mosbesimi ndaj fuqisë, marrëdhënia me Zotin dhe nevoja për të organizuar një “rezistencë”, morale dhe efektive, kundër një autoriteti që dëshiron të asgjësojë një popull me dinjitet dhe nder në mënyrë që të krijojë ” njeriun i ri perandorak.
Historia, tepër e fortë dhe plot ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, por në të njëjtën kohë është gjithashtu një histori e besimit dhe mosbindjes si një mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë një fill i hollë i herezisë.
Është gjithashtu një luftë kundër ndjenjës së pafuqisë që njeriu ndien përpara një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën mund të shohim shumë ngjashmëri me të tashmen.
Liria ose vdekja – është udhëkryqi para të cilit gjenden protagonistët, të burgosurit e një bote në të cilën politika dhe feja garojnë për hapësirën dhe prozelitët. / KultPlus.com
Këto ditë, shtëpia botuese “Faik Konica” nxori nga shtypi romanin e njohur “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, të botuar për herë të parë në vitin 1982 dhe të përkthyer edhe në disa gjuhë botërore, përcjellë KultPlus.
Ky botim, megjithatë dallon nga pesëmbëdhjetë të deritanishmit, ngaqë është i plotësuar nga aspekti përmbajtësor dhe ai gjuhësor.
Autori është thelluar te çështja e polikromit fetar tek shqiptarët, duke e pasqyruar atë jo vetëm si bashkëjetesë të besimeve nga familjet deri te individi, por të ndërlidhur me elementet e kozmogomisë të trashëguara nga dijet e vjetra, të cilat gjenden në vetëdijen kulturore dhe historike të shqiptarëve si një faktor i veçantë, që atë e ka përballuar edhe me trysninë e vazhdueshme të garës së qytetërimeve, ku për t’u shkatërruar ky element identitar, është përdorur edhe lufta biologjike, me virusin e murtajës, mbi të cilin ngritet edhe drama e romanit ne dimensionin gjithëkohor dhe gjithnjëtëzor, format e të cilit pasqyrohen edhe sot për qëllime politike dhe hegjemoni. Po ashtu, autori e ka kthyer paskajorën dhe disa morfema të gegnishtës, që pasqyrojnë fuqinë shpirtërore që mbështetet mbi gjuhën e mirëfilltë. / KultPlus.com
Vështrim rreth romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të shkrimtarit Jusuf Buxhovi së fundmi është botuar edhe në italisht. Më poshtë do vijojmë me një analizë të veprës, me një panoramë të përgjithshme por edhe me veçantitë e saj.
Nga Xheni Shehaj
Dy fjalë për subjektin e romanit:
Ngjarjet janë vendosur në kohën e pushtimit osman. Gjakova dhe malësitë përreth ziejnë nën thundrën e pushtuesit. Rrëfyesi i ngjarjeve është prifti Gjon Nikollë Kazazi. Përmes optikës dhe rrëfimtarisë së tij lexuesi njihet me ngjarjet e asaj kohe, personazhet, botëkuptimin e vendasve, qëndresën dhe forcën e popullit. Hera – herës rrëfimi ndërthuret me ditarin e rrëfyesit – personazhit kryesor Gjon Nikollë Kazazit. E gjithë vepra sillet e rrotullohet rreth murtajës, sëmundjes vdekjeprurëse që vendi e mori dhuratë nga turqit. 1.Në libër flitet për një spastrim, një shfarosje masive që osmanët duan t’i bëjnë popullatës vendase. Një popull i fortë, qëndrestar, që nuk jepet kurrsesi duhet goditur në forma e mënyra nga më të ndryshmet. “Fillova të shfletoja dhe pas pak hasa shënimin se si qysh në kohën e Egjiptit të vjetër, pastaj në kohën e Lekës së Madh dhe deri tek Perandoria e Romës, sëmundja ishte përdorur si mjet lufte.” E kështu turqit pa bërë bujë, përhapën murtajën me shpresën se sëmundja do bënte kërdinë dhe ëndrra e tyre për një shfarosje masive të shqiptarëve do të bëhej realitet. Spastrimi, asgjësimi i shqiptarëve u zgjodh të realizohej përmes dy mënyrave:
spastrim fizik, pra shfarosja e popullatës përmes sëmundjes;
spastrim shpirtëror, mohimi i gjuhës, i këngëve, i riteve ceremoniale të varrimit, shpalosja e qindra flamujve të sekteve fetare, zëvendësimi i këngëve me ilahi në gjuhën turke, arabe, etj. Shfarosja e shqiptarëve
Spastrimi fizik Si mund ta dobësosh një popull kryeneç, të padëgjueshëm dhe rebel? Me luftë kurrsesi, me të mira jo, përmes fesë jo, atëherë duhet gjetur një metodë tjetër, futja e një mikrobi, e një sëmundjeje, e diçkaje të padukshme por tepër efikase: murtaja. Gjon Nikollë Kazazi ishte i bindur se murtajën e kishin futur osmanët në vend. “Ngjet që sëmundjen e kanë futur vetë turqit qëllimisht dhe i kanë ndërmarrë që me kohë të gjitha masat, vetë të mbrohen nga ajo e ne të na shfarosin.” Në vetvete murtaja ishte një strategji luftarake e mirëmenduar për të shuajtur një komb të tërë pa gjak, pa luftë, pa dhunë. Mbyllja e vendit për shkak të sëmundjes do të sillte mbylljen e aktiviteteve, varfërinë, frikën, çmendurinë. Pra gjithçka ishte e programuar më së miri. “Në mbrëmje fillova të lexoj librin e Kavijusit “Strategjia osmane” në të cilën bëhej fjalë për politikën e gjatë 300-vjeçare pushtuese dhe asimiluese të Portës dhe për përpjekjet e saj që në tokat e pushtuara të krijonte njëfarë njeriu të ri osman, i cili do të paraqiste një krijesë të re, të përzier nga elemente orientale dhe evropiane. Ky njeri i ri osman nuk do të kishte as të kaluar dhe as traditë por vetëm të ardhme. Ai do të ishte një trung pa rrënjë dhe pa vetëdijen e qenësisë së vet”. Këtë synonte perandoria osmane, zhdukjen e popujve autoktonë dhe zëvendësimin e tyre.
Spastrimi shpirtëror Kishte të bënte me të brendshmen, me atë forcë që mban gjallë njeriun. Osmanët nuk lejonin këngët patriotike, këngët kushtuar trimave që kishin lënë gjurmë ndër shekuj. Një malësor e varën vetëm sepse ai nuk tregonte emrat e këngëtarëve që kishin kënduar në një dasëm këngë për trimin që vrau sulltan Muratin. Patër Coli, ndihmësi i Gjon Nikollë Kazazit u var në mes të qytetit dhe një nga arsyet që çuan në dënimin e tij ishte krijimi i një alfabeti me shkronja latine. Varrosja e të vdekurve të infektuar nga murtaja në gropat e gëlqeres ishte një tjetër goditje për popullsinë. Vendasit e nderonin të vdekurin dhe e përcillnin në banesën e fundit me respekt. Varri i përbashkët që kishin hapur turqit shkaktoi indinjatë dhe zemërim tek malësorët. Po ashtu dhe ngatërresat që hafijet turke qisnin mes shqiptarëve ishin një goditje që synonte të dërrmonte shpirtin, gjakun, kombin. Urtësia e pleqve Me përhapjen e murtajës Gjoni bashkë me parinë e vendit nxituan të gjenin një zgjidhje se si ta ndalonin sëmundjen. Urtësia dhe përvoja e pleqve dha kontribut të madh në ndalimin e murtajës. Malësorët që kishin kaluar të njëqindtat kujtonin se para shumë vitesh kjo sëmundje ishte shfaqur në ato vise. Plakat e moçme përmes grithjes ja kishin dalë ta zhduknin flamën. Rituali i grithjes u përsërit nga një grup pleqsh dhe vrulli i sëmundjes ra. Prijësit shpirtërorë të të gjitha feve në vend u bënë bashkë dhe ndihmuan në ngadalësimin e sëmundjes. Duke ua vënë veshin të moshuarve u arrit të kryhej grithja e gjithë popullatës. Harmonia fetare dhe vëllazërimi Në libër përpos të tjerave flitet për këngët, trimërinë, burrërinë. Ndjenja e patriotizmit dhe harmonisë fetare, vëllazërimi dhe e shkuara e lavdishme zënë vend të posaçëm në vepër. Të rinj që sakrifikojnë për atdheun, pleq që ndihmojnë në luftimin e murtajës, priftërinj, hoxhallarë, dervishë, lëkurëpunues, shitës, argjendarë, tregtarë, qytetarë e malësorë, i gjithë vendi bëhet bashkë për të parandaluar të keqen e përbashkët. Figura e tellallit, bejtexhiut dhe veçori të tjera Teksa lexon librin ndesh praninë e figurës së tellallit e cila krijon një atmosferë hijesh. Një, dy, dhjetë tellallë që enden nëpër rrugët e qytetit të izoluar me thirrjet e tyre. Zëri i tyre jehon nëpër kalldrëme, nëpër mure shtëpish të kyçura, nëpër vatra ku ka zënë farë frika. Një lajmëtar, disa lajmëtarë. Tellallët janë lajmëtarët e së mirës dhe të së keqes. Me zërin e tyre ata shpërndajnë lajme. Mbi ta bie urimi e mallkimi, shiu e dielli. Selami Taraku, një bejtexhi rrugësh ndeshet rëndom në vepër. Një pjesë e quajnë marrok e nuk ja vënë veshin, një pjesë e dëgjojnë dhe qeshin me ato që ai reciton. Askush nuk ja merr për të madhe çfarëdo që thotë e bën. Selamiu është prezent kudo nëpër qytet, në çdo rrugë, kalldrëm, cep e gjen teksa reciton a këndon poezitë e tij. Ditari si formë shkrimi është i pranishëm në libër. Fillimisht lexuesi ndesh ditarin e Gjonit, i cili përshkruan aty ngjarjet e ditës, vdekjet nga murtaja, hiletë e turqve. Nga fundi i librit Gjoni i zbulon lexuesit ditarin e Ibrahim pashës. Pasha kishte shkruar ditë pas dite që nga fillimi i murtajës, urdhrat e Portës, raportet e tij dërguar Sulltanit, vdekjet, pritshmëritë. Vdekja në vepër duket si diçka e zakonshme. Disa vdesin nga litari, disa nga sëmundja. Vdekja e disa prej personazheve si Coli, Lam Mula, Selami Taraku, duket sikur duhet të ndodhë medoemos pasi vetëm me flijimin e tyre mund të vijojë jeta. Flijimi, i lashtë sa vetë jeta kërkon kurban. Vetëm pasi e merr lëshon pe dhe jeta rrjedh e qetë. /mapoletrare/ KultPlus.com
Pas botimit në disa gjuhë (frëngjisht, anglisht, serbisht, sllovenisht), romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i përkthyer nga Liliana Cuka, botohet edhe në italisht nga botuesi i njohur Armando-edittore i Romës.
“Është një vepër e shkruar në një mënyrë të pabesueshme intensive”, vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Te përkas ty, o toka ime”, mund të jetë sllogani mbi të cilin autori ndërthur një përmbajtje të dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i ndërlikuar, i dhunuar, në të cilin politika dhe feja janë në garë për të kapur hapësirat e tyre dhe për të bërë prozelitizëm. Reflektimi me përmbajtje të lartë, i cili e drejtojnë lexuesin në mendimet e rafinuara të autorit për të krijuar më pas përshtypjet e veta personale.”
Ballina e librit përcillet me vlerësimin:
“Murtaja vazhdon të përhapet, mbyllen kufijtë, shfaqet mosbesimi ndaj pushtetit dhe ndaj Zoti, lind nevoja për të organizuar një ‘rezistencë’ morale dhe efektive kundër një autoriteti, qëllimi i të cilit është të asgjësojë dinjitetin dhe nderin e një populli, në mënyrë qe të krijojë një “njeri të ri perandorak”, pa rrënjë. Është një histori, tepër e fortë dhe e pasur me ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, dhe në të njëjtën kohë është histori besimi dhe mosbindjeje, si mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë në fillin e hollë te herezisë. Është njëkohësisht edhe lufta kundër ndjenjës së mungesës së fuqisë, ndjenjë të cilën njeriu ndien përballe një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën gjenden shumë ngjashmëri me aktualitetin. “Liri ose vdekje” është udhëkryqi para të cilit ndodhen protagonistët e kësaj vepre, robër të një bote ku si politika, ashtu dhe feja pretendojnë hapësira dhe asimilime.” / KultPlus.com
Studim krahasues i romanit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht – “Qui resiste a la peste resiste au diable”,nga botuesi i njohur francez “L’Harmatann” i Parisit
Shkruan: Aleksandar ZOTO
Është e pamundur të pohohet që leximi i „Dekameronit“ të Bokaçios, i „Ditarit të murtajës“ të Daniel dë Fosee (De Foes) , i „Ambre“ të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i „Kalorësit mbi çati“ të Xhinios (Giono) ose edhe i „L´oevre au noir“ të Margarita Jursenarit (Marguerete Yourcenar), t´i ketë paraprirë hartimit të „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit, përderisa keto vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe në pak kopje.
Është e pamundur,gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte „Murtajën“ (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktësisht shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t´u shpëtojë atyreve, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm imitimin e tyre, riprodhimin,nëse mund të thuhet e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ e mbështet këtë mendim.
Në fakt, s´bëhet fjalë për një „remake“ (nga angl.“ribërje“) të „Kështjellës“, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilat i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjen që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman.
Në romanin „Kështjella“ përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke. Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij „Krushqit janë të ngrirë“:atë të „zgjidhjes përfundimtare“ (solution finale),sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi.
Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërit „Kështjellën“, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani,ku Intendenti parathotë vështirësitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar përfundimisht këtë vend në Perandorinë otomane.
Nga ana tjetër,si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderi sa njëri,ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi te „Shënimet…“, si dhe ai i Kadaresë te „Ura me tri hare“ quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut, murgut themelues të letërsisë së shkruar shqiptare.
Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë otomane. Ibrahim Pasha,p.sh.,(përveç titullit të tij „kajmekam“) të bën njëherazi të mendosh për Tursun pashën,hero i „Kështjellës“ dhe Hurshid pashën, një nga figurat e „Kamares së turpit“,që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë.
Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori – popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe,së fundit, popujt rebelë – të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, „zhdukjen“ e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i nënshtroheshin ligjit të „kra-kra“-së.
Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyre të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te „Ura me tri harqe“, janë tepër të dukshme,të pohuara aq qartë sa s´ka vend për të folur për plagjiaturë. Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti,që murgu i Buxhovit,po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur. Faktikisht, dallimet janë më të shumta se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t´u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtë vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.
Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjfatohet me një emër simbolik – Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabemin origjinal që ende s´e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë,pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kusheri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikishte e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu:ndarja e popullit shqiptar midis islamizmit dhe krishtërimit. Dallimi i tretë:figura e emblemore e Buzukut duke si e dyzuar te Buxhovi.
Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip saksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronik. Një dallim i katërt, së fundi,lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin.
Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përsëritja ose „mise en abyme“ të aktit të të shkruarit: murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, pore edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza. Kështu vetëpërmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ato bëhen elemente përbërës i saj…Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshme të Zhidit te „Prerësit e parave të rreme“ („Les Faux-monneyeurs“), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në „Kronikë në gur“, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë.
Pra,të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij;ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.
Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm,së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara.
Në fakt,romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një „remake“ e „Murtajës“ („La Peste“) të Kamysë.Së pari, e rithemi,sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik,a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historike. Nga ana tjetër, edhe pse konisderatat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesit, ai trajton para së gjithash një avanturë kolektive.
Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi;pra ai të drejton te një entitet paksa abrstrakt, qoftë edhe i mishëruar në fate të veçanta.Po ashtu,megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë. Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë,me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj.
Në fund të fundit – por pa u kufizuar në një „subjekt“ rreptësisht të përcaktuar ose të përvijuar – Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të „Murtaja“ („La Peste“) e Kamysë: vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nështruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht.Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton „Murtja“ e Kamysë, në mos shprehimisht,së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.
Sipas datës së shkrimit dhe daljes në shitje – pra realiteteve që e sollën dhe të cialve ai u vën qëllimisht dhe domosdoshmërisht jehonë – romani i Kamysë evokonte së pari, me siguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne. Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kueqe, edhe atë zezën.
Por ai e bën këtë me terma të qarta dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilat ai e shoqëron atë. Rrjedhimitsh, përtej këtyre rezonanace ose shkrimeve „aktuale“ të tekstit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste),kujdesi i Kamysë për t´i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte,siç shprehet vetë, që ajo „të lexohet në shumë nivele“),kjo i jep atij një karakter „atopik“ (ngjyra algjeriane, e përsërisim, nuk llogaritet aspak), dhe „akronik“, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit.
Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore:cilat mund të jenë, në një vështrim absolut,sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër,e,më përgjithësisht,përballë të gjitha formave të vuajtjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja? Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht. Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive,por mbetet,siç e theksmuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio“ se është e tërë njëherazi,pa iu dashur të lindë.
Te Buxhovi, përkundrazi,ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë:ajo përbën për dje,por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politike dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm, aq të shyrë sa të mund të shkatërrojë të mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël,për t´u mbrojtur. Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.
Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta,një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjanësuar qëndresën e popullsisë,për t´u paraprirë kundërveprimeve të tij.
Këtu hasim elementet që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane.
Çuditërisht, synimet e kësaj „supërfuqie“ janë shprehur qartë te Buxhovi,të „Strategjia osmane“ e njëfarë Kavijusit.(Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realietet historik).Nga ky traktat janë frymëzuar gjërisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane,i quajtur Osman Inxhi Karaogllu,sipas rrëfimit të Gjon Nikollës.E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar,sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik.
Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë. Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohore, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviqit, teoricien i „rregullimit të çështjeve shqiptare“, në të mirën më të madhe për Serbinë.
Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj:mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspansionizmit serb prapa asryetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman,njëra nga këto vepra (ajo „e paraqitshmja“ me pamje „të ndershme“) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë?
Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania „marksiste-leniniste“),ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquara, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre. E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.
Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut,i jetës dhe i vdekjes,e jo nga konsideratat politike. Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale,që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka.
Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme,e cila, tek i dyti, përshkon veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e „besës“.
Njeriu shqiptar paraqitet si një „homo religiosus“, në kuptim etimologjik;ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij:me vëllezërit e tij, me tokën,gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo „besë“,që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, Shqiptarët mund t´i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit,sipas rrethanave. Romani „Shënimet…“ na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt,kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektin e çdo besimi,e, prej kësaj, të çdo kombësie…Kulti i përbashkët i „besës“ nënkupton para së gjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh,që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë.
Kështu, shpjegohen kujtimet e përseritura të historisë së tij të gjatë; ato janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjall heronjtë e tij mbrojtës, t´i mëshirojë ose t´i ndjieje që rijetojnë përmes magjisë së fjalës. Më shumë se prej kujtdo tjetër:kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur,kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës,këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.
Nga kjo rrjedhin edhe këto elemente të tjera: përsëritja me këmbëngulje e disa toponimeve,zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla krahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare,që përshkon shkurtimisht romanin. Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë,si dyshekëpunues, këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit. Copa e poçarisë së vjetër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellësia e dheut, afirmon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët.
Së fundit,duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujetesë. Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë imtimisht në shpirtin shqiptar,saqë kronikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë,pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme. Historia duhet njohur,në fund të fundit,kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.
Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmin, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij „besa“.Madje, herë-herë,ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes;së pari,sepse kjo vdekje e lavdishme,e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësi, dhe, e dyta,për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë,mposhtje e gjunjëzimit.
Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë,në mos të përligjë për këtë,zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë.Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në larëtsimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulëta dhe për tradhti. Njëri prej tyre, Çosaleshi,bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun,sa autori i mohon shugurimin e tokës,duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar:askush s´është në gjendje të thotë nga vjen,nga e ka prejardhjen, thua se s´ka prejardhje fare.
Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike:nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet,qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thella,dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe,po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr…muratjë,përderisa duhet thirrume me emrin që ka“. Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme,e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dh të pamjeve rrënqethëse, që shfaqen si një kërcënim therës.
Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare,ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike. Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala „mortje“,“murtajë“, në shqip,është sinonim i vdekjes. Ndaj,edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri aty sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë,për të ruajtur identitetin e vet.
Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drejtë epopesë,u shtohen,për lexuesin perëndimor,shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë, ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu,vetëm për interesa letrare, idetë e padenja për një humanist,që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brëndshme. Me anën e atyre ideve ai propozonte „rrugët“ për rregullimin përfundimtar të çështjes shqiptare).
Shtjellimet që paraprijnë,sidoqoftë,e vërtetojnë mjaftueshëm:ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjeshtë argëtuese,një arratisje thjesht romaneske. Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështjeve që ai shtron,e mendimeve që ai ushqen,e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë,edhe sot, e tronditjes më të dhimbshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë. / KultPlus.com
Ato që na i tha Shefqet Aga rreth barrës që na binte “me i ba zap të çmendunit për me i shpëtue nga spitali i Shkukzës” prej nga nuk kishte kthim, kishin filluar të jetësoheshin. Mora vesh se gjatë natës, bashibozukët e shumtë kishin hyrë në disa mëhallë dhe kishin bastisur familjet e njohura, me ç’rast nga çdo shtëpi kishin marrë të parët e tyre.
“Po i mbledhim të çmendurit… Ketë e keni peshqesh nga grithja”, çirreshin. Edhe ma të rënda më erdhën ato që m’i tha Lami rreth dyshimeve se oficeri Harun Xhaferi mund të ishte dërguar nga Zyrat e Errëta si hetues i posaçëm për t’u marrë vesh e verteta rreth atyre që tashmë lidheshin me frenimin e murtajës me anën e grrithjeve.
“Mendja ma thotë se Haruni po ua matë kokat Kajmekamit dhe Shefki Agës, cila prej tyre të përfundojë në Kamarën e Turpit… Kjo mund të jetë me rreziqe të tjera për ne…”
Atë mendim kishte edhe Sheh Alia, i cili njihej për tëhollimin e gjanave. Tha se Haruni i sertë është këtu për me e tjerrë përgjegjësinë e tyre për dështimin, sidomos kur kjo lidhet me grithjen.
“Ndaj, Kajmekami në njërën anë dhe mjeku Shefki Aga në tjetrën anë, mund të dalin me hesape të tjera për t’i dhënë punës kapak… Të tillët, për me ruejt pushtetin dhe për me shpëtue kokën, me murtajë apo pa murtajë, janë në gjendje me kallë edhe dynjanë..”
Shtoi se nga ato që kishte marrë vesh tërthorazi nga disa myhibë që i shërbenin Kajmekamit, ai po mundohej që me anën e hafijeve për me nxitë ndonjë kryeneçësi në mënyrë që, në rrethanat e Fermanit për shtetërrethimin të shfrytëzohej asqeri për qërim hesapesh me të madh e të vogël. Ndërsa Shefki Aga ka zgjedhur marifetin e çmendjes për të mbushur spitalin e Shkuzës. Me një të rame, këkon dy të vrame… “Harun Xhaferi i sertë nuk ashtë kot këtu…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com
“Ditari i karantinës”, si shtojcë, do të bëhet pjesë e romanit “Shënimet Gjon Nikollë Kazazit” të autorit Jusuf Buxhovi, botuar në vitin 1982 me shumë botime dhe i përkthyer në disa gjuhë botërore, përcjellë KultPlus.
Ç’është e vërteta, kjo nuk është “ndërhyrja” e parë që i është bërë veprës. Buxhovi ka bërë disa ndryshime gjuhësore dhe stilistike në botimin e vitit 1990. Ndërsa në vitin 2016 bëri disa plotësime në vetë konceptin e veprës, me ç’rast, mbijetimi në rrethanat e murtajës dhe përpjekjet për ta luftuar atë me anën e grrithjes, ndërlidhen me aspektet e “metastazimeve” të përvojave jetësore dhe filozofike nga dijet e vjetra, të cilat rikthehen në rrethana të situatave me qenë ose mos me qenë, siç ishte murtaja, involvimi imagjinar i së cilës kthehet në një metaforë të së keqes.
Botimi më i ri, që doli nga fundi i vitit të kaluar nga botuesi “Pena”, shfaqet me idiomat e shumta të gegnishtes, si pjesë e pasurisë së gjuhës shqipe, me të cilat karakterizohet e folmja e Gjakovës, Rekës së Keqe dhe e Malësisë së Gjakovës. Me rikthimin e paskajores, pjesores dhe i disa nazaleve është synuar që personazhet, me anën e të folmes autentike, të pasqyrojnë karakteret tipike të kohës dhe të rrethanave dhe veçmas psikologjinë e një bote autentike, ku naracioni ekzistencial nuk shfaqet vetëm si formë e thjeshtë e mbijetimit, por si refleks i një kozmogomie universale.
“Ditari i karantinës”, pjesë të së cilës prej disa ditëve po qarkullojnë në media, do të shfaqen si shtojcë-variant, ku ruhen në tërësi personazhet, ngjarjet e murtajës në versionin e parë të vitit 1982, por që “korniza autentike”, ajo e ngjarjeve të vitit 1747, përfshin reflektimet e kohës sonë me dramat dhe tragjeditë, që po e përcjellin atë në format më autentike si formë e “përsëritjes së të njejtës”, që Shopenhaueri e sheh si “mallkim të njerëzimit”.
Ndonëse autori e din se historia nuk përsëritët, megjithatë, me këtë rast, me anën e narracionit imagjinativ, synon ta tregojë se kjo është e mundshme madje, ngaqë te qenia njerëzore, lufta midis së mirës dhe së keqes, është pjesë e natyrës së tij, që nuk e ka zgjidhur as mitologjia, as filozofia, as religjioni, e aq më pak politika, e cila kërkon ta kthejë në kredo të sjelljes së saj fund e krye mashtrimtare… / KultPlus.com
Vala e tretë solli pak të prekur nga murtaja. Këtë nuk mund ta fshihnin as ulërimat err e terr të tellallëve nëpër Çarshi të Madhe, e as çirrjet kërcënuese të fedainjëve për “vdekjen hak”, që nuk pushonin. Por, shpresa që po e mundnim sëmundjen, zu të na venitet me shfaqjen e të çmendurve në shumë pjesë. Sapo hidheshin rrugëve, kapeshin nga zabitët dhe me të shpejtë dërgoheshin në spitalin e Shkuzës, prej nga askush nuk kthehej. Mjeku Izet Aga, na tha se ndonëse puna e të çmendurve nuk rregullohej me Ferman, megjithatë në rrethanat e shtetrrethimit dhe të karantenimit të shehrit, ata duhej të përfundonin në Spitalin e Shkuzës. Shtoi se mund të shpëtoheshin, po qe se ne merrnin përsipër të mos dilnin rrugëve dhe t’i bënim zap për mos me ra ndesh me Fermanin. “Fati i të çmendurve është në duar tuaja”. Sheh Alia mend plasi nga ato që i dëgjoi nga Izet Aga. Tha se Paria e Shehrit nuk merret me punët që i takojnë hyqymetit. Por, shtoi se do të bëhet çmos që spitali i Shkukzës të ketë sa ma pak punë… Fjalët e Sheh Alisë e hidhëruan gjeneralin Ibrahim Pasha, që si me qesendi na u drejtua me fjalët ” se, si po shihej, spitali i Shkukzës do të ketë shumë e shumë punë…” Me kërcënimin e hapur se spitali i Shkukzës na priste të gjithëve, sapo u ktheva në kishë, në atë gjendje të turbullt, sikur të kërkoja njëfarë ndihme nga librat, dora ma kapi “Librin e Perandorive”. Aty bëhej fjalë edhe për shfaqjen e çmendjes si dhe të sëmundjeve të tjera të rënda shpirtërore në krahinat kryeneçe (të Dalmatëve, Liburnëve dhe të tjerëve), që nuk kishin pranuar nënshtrimet. Pas fushatave të dështura ushtarake, dikujt i kishte shkuar ndër mend se arma më e përshtatshme ndaj tyre ishte mbyllja e gjatë (karantenimi). “Popujt e lirë, në rrethana të mbylljeve të tilla, çmendën, ose vetëvriten.” Nga tronditja, për pak, hodha librin mënjanë dhe po ofshëtija. Mbase edhe do të ulërija me sa zë kisha, që të lirohesha nga ai makth. Por ishte Padër Colit, që më shkëputi nga ajo gjendje. Hyri pa kërkuar leje dhe gjithë trishtim dhe më tha se te Ura e Taliqit ishte vetëvrarë Cen Kurti. Njeriu i shkretë kishte behanen e të qeshurit, që nuk i hiqej për një kohë të gjatë. Këtë e dinin të gjithë dhe përpiqeshin t’i ndihmonin gjatë sulmeve të gazit. “Njerëzit e Izet Agës e kanë marrë për të çmendur dhe kanë deshtë ta dërgojnë në spitalin e Shkukzës”!
( Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com
Vala e dytë e murtajës kishte prekur për gjysmë më pak njerëz nga ajo e para. Duket se grithja po e bënte të veten. Por, ne, nuk dëshironim të mendonim se po shkonim kah fitorja, ngaqë e dinim se kjo jo vetëm që nuk do të pranohej nga ata që e kishin sjellë dhe kishin hesapet me murtajën, por do të përcillej me masa të tjera nga futja e vëllavrasjes e deri te gjetja e ndonjë shkasi që gjendja e jashtëzakonshme të kthehej në gjendje lufte, me çka, përfundimisht, atë që nuk do ta arrinte mikrobi, ta bënin armët, paçka se gjitha, do t’i ndajmbathej murtajës… “Atyre u duhen numrat”, i thashë Lamit. “A nuk e sheh mjekun Izet Aga , gjoja me brengosje, se si nxjerr numra të të prekurve nga sëmundja ose edhe të vdekur, që ne nuk i dimë fare, për t’u paraprirë masave të tjera. A nuk u fut në këtë mënyrë në karantinë edhe shehri? Mjeku izet Aga arsyetohet se kështu ndërpritet përhapja e murtajës, edhe pse dihet se shkëputja e shehrit nga nahija, do të thotë më keq se murtaja – dënim me vdekje, jo vetëm nga uria, por ngaqë ai, pa Malësinë dhe Rekën bëhet pre e çfarëdo komploti shkatërrues?” “Njëmend, ma ktheu Lami gjithë brengosje, kur shehri shkëputet nga Reka e Malësia, ai vritet…Por, kjo nuk duhet pranue… Do të gjejmë rrugë që qarku ynë jetësor të mbahet. Përndryshe, po ra Gjakova, vdes edhe Reka… Vdes edhe Malësia… Vritemi shpirtnisht… Këtë do Ibrahim Pasha…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982. / KultPlus.com
Zefi ma bani me dije se disa besimtarë nga Dushkaja po më prisnin te altari. Mendja më shkoi se kishin ardhë për me u ankue shkaku i ndaljes së meshës së të dielës nga fermani. Ishin pesë veta, që po u shihej në fytyrë pakënaqësia.
“Nuk po na lanë me iu afrue kishës, folën si me një gojë. Këtë nuk po na e ha mendja. Sëmundje ka pasë përhera. Shkojnë e vijnë dhe jeta vazhdon…” Zura t’u flisja se kjo nuk ishte si çdo sëmundje, por murtajë, që faron njerëzimin. Por, atyre assesi t’u mbushej mendja se njerëzimi farohet. Thoshin se edhe sëmundjet janë nga zoti, se çdo gja vjen nga zoti, andaj nuk duhet për me u fshehë prej tyre që i kemi të shkrueme prej tij… “Sëmundjet dhe e keqja nuk vinë nga zoti, sepse ai do të dilte shkaktar i së keqes…Ky asht mashtrim që duhet me e heqë nga mendja,.. Përkundrazi, Zoti nuk ngatërrohet me punët e liga… Ai na jep mendjen që t’u largohemi atyre, të jemi të ndershëm, të punojmë për të mirën tue e luftue edhe të keqen kudo dhe kurdoherë… Kjo është rruga e zotit…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)/ KultPlus.com
Rremë Kusari
rrinte dyfish i mbështetur për trapazanin e kullës. Dukej i thyer fare dhe
tjetër nga ai burri i ngjeshur me pamjen e një fisniku, që e njihte i gjithë
shehri.
“Kam mendue se jemi ma ndryshe”, foli si me zor.
Desha t’i thosha se jemi po ata që ishim, dhe se, sëmundja kishte nxjerrë në
pah ato që nuk shiheshin. Sikur ta kishte blerë mendimin tim, tha se nuk kishte
parasysh ndonjë trimëri, meqë në kohë të tilla ato janë të padobishme, por
fjalën e kishte për punët e liga të disave që në vend se të ndihmojnë, merren
me thashetheme dhe shpifje ndër më të ulëtat, që i shkojnë për lale së keqes…
“Këto i kanë kohë e liga, vëlla…”
Një copë herë heshti. Dukej edhe më i ngrysur. I thash se murtaja nuk do të
ishte murtajë pa ata që janë pjesë e saj, që shesin fytyrën për një cikërr…
Këto sikur e qëlluan edhe më shumë.
“I kuptoj hyzmeqarët që punojnë për kafshatë të gojës, por nuk i kuptoj ata që
neve që po përpiqemi ditë e natë për me i ba ballë kësaj virane, po na quajnë
tradhtarë…”
E dija se ku e kishte hallin. Kishte ditë që në shehër ishte shfaqur njëfarë
Qosaleshi, që sillej si fakir dhe nëpër çarshi hapte fjalë se ata që vepronin
kryenveti kundër murtajës, ishin tradhtarë, hafije dhe çmos. Ai, fliste gjithë
tallandi, se me veprime të tilla po e përhapnim sëmundjen, se ishim vrasës e
çmos, meqë po të kishte ilaç, atëherë këtë do ta bënte padishahu dhe jo
druvarët, siç e kishte quajtur Rremë Kusarin…
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com
“Në të hyrë të Çarshisë së Madhe, tellallët çirreshin me sa zë kishin për shpalljen e fermanit të shtetrrethimit. -Ka rënë murtaja!… Murtaja!… Lami po mbahej në krahun tim. Më bëhej se do të shembeshin para atyre që po ashtu lajmi për murtajën i kishte zënë gafil… -Çudi, vëlla, shpallet sëmundja pa pas të sëmurë! Çudi! Desha t’i thosha se ajo, me anën e mikrobeve të padukshme të prodhuara diku në podrumet e errëta të shërbimeve perandorake tashmë na ishte futur dhe pritej të shpërthente siç ishte paraparë. Desha madje t’ia përmendja edhe punën e atyre karrocave me mushama, që silleshin natën të përcjella me roja mes për mes shehrit për të cilat padër Coli fliste gjithë shqetësim kur i shihte të kalonin Urën e Terëzive për në Shkukëz si dhe lëvizjet e shumta të asqerit në drejtim të Qafës së Prushit dhe Tropojës, në mënyrë që t’ia bëja me dije se edhe shpallja e fermanit ishte pjesë e asaj që po na kurdisej, por heshta. Megjithatë, për ta ngushëlluar disi, i thashë se sëmundje do të ketë përherë, sepse ato janë pjesë e jetës, dhe se ato, përballohen me vullnetin për jetën, që e kemi nga Perëndia për jetën… Por, Lami, assesi ta merrte veten. Kjo është murtajë, po thoshte. Shuan jetën… Jeta nuk shuhet, ia ktheva. Sëmundjet shkojnë e vinë, po jeta vazhdon… Kur u ndamë te Mahalla e Isufit, unë në drejtim të Rrypës e ai për te Kisha, ndonëse kisha lënë thekamën e tellallëve për murtajën dhe shtetrrethimin, se si më shkoi mendja te libri i Kaviusit për mikrobin si mjet lufte, që ishin përdorur përherë, me të cilin ishin fituar arritur ato që nuk kishin bërë edhe armët më të rrezikshme. Po kthehet koha e mikrobeve… Po kthehet koha shfarosjeve kolektive… O zot, çfarë nuk prodhon mendja e njeriut kundër njeriut, thashë dhe mendja më shkoi te ato që m’i kishte thënë Mic Shpendi se si kishte përballuar murtajën e fundit me anën e grithjeve të disa plakave… Megjithatë, thashë, duhet me e gjetë Mic Shpendin dhe me luftue për jetën!… Frika është murtajë…Këtë nduk duhet pranuar…
(Fragment nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com