‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ u promovua mbrëmë në KultPlus, Buxhovi mbrëmjen ia kushton Ramadan Musliut

Era Berisha

Romani i njohur ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nga shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, i cili së fundmi ka dalur nga shtypi nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’ ka marrë një jehonë të re dhe sukseset e tij duket sikur nuk po kanë një fund, me ç’rast promovimi i këtij libri mbrëmë u bë edhe në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Por surpriza e mbrëmshme ishte edhe përkthimi në gjuhën italiane i cili sapo kishte arritur dhe kështu autori e bëri një promovim të dyfishtë të veprës në të dyja gjuhët.

Romani për herë të parë u botua në vitin 1982 dhe u përkthye në disa gjuhë botërore, ndërsa tani ka ardhur me ndryshime të cilat dallojnë nga pesëmbëdhjetë botimet e deritanishme, për arsye se aspekti përmbajtësor dhe gjuhësor është plotësuar akoma më shumë. Ndërsa përkthimi në gjuhën italiane i ka dhënë romanit një frymë të re të shoqëruar me një sukses të jashtëzakonshëm në Itali ku çdo ditë e më shumë po i bëhet jehonë.

Jusuf Buxhovi, në këtë libër është fokusuar tek çështja e polikromit fetar tek shqiptarët, duke e pasqyruar atë jo vetëm si bashkëjetesë të besimeve nga familjet deri te individi, por të ndërlidhur me elementet e kozmogomisë të trashëguara nga dijet e vjetra, të cilat gjenden në vetëdijen kulturore dhe historike të shqiptarëve si një faktor i veçantë, që atë e ka përballur edhe me trysninë e vazhdueshme të garës së qytetërimeve, ku për t’u shkatërruar ky element identitar, është përdorur edhe lufta biologjike, me virusin e murtajës, mbi të cilin ngritet edhe drama e romanit në dimensionin gjithëkohor dhe gjithnjëzor, format e të cilit pasqyrohen edhe sot për qëllime politike dhe hegjemoni.

Po ashtu, autori e ka kthyer paskajorën dhe disa morfema të gegnishtës, që pasqyrojnë fuqinë shpirtërore që mbështetet mbi gjuhën e mirëfilltë.

Të pranishmit mbrëmë ishin në numër të madh dhe patën rastin të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë në lidhje me përpunimin e këtij romani që autori e ka risjell në një version më të plotësuar dhe i cili këtë mbrëmje ia ka kushtuar shkrimtarit që tani nuk është më në mesin tonë, Ramadan Musliut. Andaj, nën moderimin e aktores Vlora Merovci, fillimisht për disa fjalë rasti mbi librin, foli botuesi Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’.

“Botimi i parë i librit ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’, ka ndodhur në vitin 1982 dhe pas kësaj edhe në Rilindje është ribotuar shumë herë. Libri ka bërë një rrugë të gjatë e të rëndësishme deri tek lexuesi dhe këtë e dëshmojnë ribotimet e deritashme në gjuhë të ndryshme”, ka thënë Rrahmani.

Në vazhdim, Ardian Haxhaj, lexoi shkrimin e tij në qasjen kritike e që është titulluar ‘Mbi triumfe’, ku sipas tij përshkruhet lufta e jetës dhe vdekjes, të mirës e së keqes dhe errësirës e dritës.

“Në konsolidimin kulturor që me botimin e parë të romanit në vitin 1982, romani shqip në Kosovë shënjoi një momentum reprezentativ kulturor. I shkruar në formë të shënimeve, mundësohet që përvoja e leximit të këtij romani të shfaqet në shumë dimensione. Është koha e Perandorisë Osmane në Ballkan, në trojet shqiptare, diku në mesin e shekullit të 18-të dhe Gjakova është vendi ku zhvillohet ngjarja”, thotë Haxhaj.

Sipas tij, narratori dhe protagonisti kryesor, Gjon Nikollë Kazazi e përshkruan një kohë të jashtëzakonshme të përballjes së qytetit të tij me rrethinë, me ethet e mortajës që rezulton të jetë në shumë pikëpamje se prej nga vinte epidemia. Ai i takonte provincës fetare të kohës ku ai ishte udhëheqës shpirtëror i besimtarëve por në romanin e Buxhovit, del në dimensionin e prirjes së liderit shpëtimtari.

“Përsiatjet e Gjon Nikollë Kazazit i tejkalojnë përsiatjet teologjike. Si pjesëtar i një rrethine të mbërthyer nga një perandori, ai preokupohet me tema e veprime ekzistenciale, merr masa se si të shpëtohet nga mortaja që dyshohet se pushtuesi e ka sjell qëllimshëm për shkatërrimin e popullatës vendase. Andaj, ky roman mbetet në listën e romaneve më të qëndrueshme në letërsinë shqipe”, përfundon Haxhaj.

I pranishëm ishte edhe Don Lush Gjergji, i cili me një qëndrim të jashtëzakonshëm shpalosi disa fjalë rreth librit e ekskluzivisht ai foli për përkthimin e librit në gjuhën italiane sepse edhe ishte më afër atij zhvillimi.

“Janë pesë vlera universale që paraqiten në popullin tonë të stërlashtë, ilir arbnor dhe shqiptar. Romani i Buxhovit ka një titull jashtëzakonisht të bukur në përkthimin italisht ‘Për ty toka ime’, një ngjarje e rëndësishme për ne si popull shqiptar. Njerëzit tanë kanë qëndruar, kanë luftuar, kanë bërë çmos që mos të tjetërsohen e të mos shkrihen”, thotë Gjergji.

Sipas tij, vetë fakti që jemi gjallë e jemi shqiptarë, kemi vitalitet dhe e duam jetën, konsiderohet një mrekulli dhe është një ngjarje e tejkalimeve të përballimeve dhe vështirësive.

Ndërkohë, shkrimtari, historiani dhe publicisti Jusuf Buxhovi, tregoi arsyen e tij për ripërpunimin e romanit dhe promovimin e tij që i dedikohet shkrimtarit dhe intelektualit Ramadan Musliut.

“Ky promovim i kushtohet shkrimtarit dhe intelektualit Ramadan Musliut, i cili ka qenë redaktor i librit dhe punës time ia ka dhënë një kornizë përmbajtjesore dhe konceptuale. Krijuesi gjithmonë është në lëvizje dhe idetë janë një sfidë e veçantë. Janë dy arsye pse unë i jam rikthyer Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit”, thotë Buxhovi.

Sipas tij, ripunimi i këtij romani ka qenë i rëndësishëm që në planin ideor, të intonohet një çasje e re në këtë mbijetimin tonë. Ai e ka përjetuar mbijetimin dhe pranimin e feve si diçka e natyrshme.

“Gjuha është ajo që bastardohet më së lehti dhe në esencë neve po na kanoset koha e mortajës së Gjon Nikollë Kazazit. Një popull nuk mund ta tregojë identitetin jashtë kulturës dhe krijimtarisë, andaj për mua ka qenë e rëndësishme që ky faktor të forcohet edhe më shumë”, thotë Buxhovi.

Kështu, krejt në fund Buxhovi ka falënderuar gazetën KultPlus për mundësinë e promovimit të romanit, e në veçanti kryeredaktoren e gazetës Ardianë Pajaziti.

“Këtu nuk është herë e parë që vijmë, vijmë sepse për mua e të tjerët, ky është një kënd i cili ofron kulturë dhe për fat të keq është dashur të kemi shumë më shumë ambiente të tilla. Por këtë duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë dhe andaj doja të falënderoja për mundësinë që ofrohet, që së paku këtu ta ndjej veten si krijues”, përfundon Buxhovi.

Në fund, duartrokitjet ishin ato që zëvendësuan fjalimet ku të pranishmit patën rastin të marrin falas nga një kopje të librit dhe autografin e autorit. Pastaj, nata vazhdoi tutje me biseda mes miqsh dhe artdashës të cilët u shoqëruan me nga një gotë verë nën meloditë e këngëve shqiptare. / KultPlus.com

Shtypi italian i bën jehonë romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të Jusuf Buxhovit

Gazeta e njohur ditore “IL 24 Ore”, prezanton romanin e Jusuf Buxhovit “Per te terra mia – Le Confessioni di Gjon Nikola Kazazi” (Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit) të botua këto ditë në italisht nga shtëpia e njohur botuese e Romës “Armando”.

Në rubrikën “Vitrina e librit” të shtojcës së kulturës libri paraqitet si një histori për liri dhe pavarësi në Kosove në 1700, nën Perandorinë otomane. Protagonisti i saj është Nikollë Kazazi, që në rezistencë bashkon të krishterët dhe myslimanët.

Botuesi italian “Armando” ka bërë të ditur se më 3 qershor do të promovojë në Romë romanin para një audience reprezentative kulturore dhe intelektuale italianë, e ku pritet të marrin pjesë edhe ambasadorët e Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë, përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës dhe të arbëreshëve nga Italia. Në prononcimin e botuesit, pos tjerash thuhet se “bëhet fjalë për një roman të madh nga një periferi, nga aty ku historikisht politika dhe feja luftojnë për hapësirën dhe mbikëqyrje”.

Më tutje thuhet se “ardhja e murtajës, mbyllja, mosbesimi ndaj fuqisë, marrëdhënia me Zotin dhe nevoja për të organizuar një “rezistencë”, morale dhe efektive, kundër një autoriteti që dëshiron të asgjësojë një popull me dinjitet dhe nder në mënyrë që të krijojë ” njeriun i ri perandorak. Historia, tepër e fortë dhe plot ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, por në të njëjtën kohë është gjithashtu një histori e besimit dhe mosbindjes si një mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë një fill i hollë i herezisë. Është gjithashtu një luftë kundër ndjenjës së pafuqisë që njeriu ndien përpara një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën mund të shohim shumë ngjashmëri me të tashmen. Liria ose vdekja – është udhëkryqi para të cilit gjenden protagonistët, të burgosurit e një bote në të cilën politika dhe feja garojnë për hapësirën dhe prozelitët. / KultPlus.com

Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” botohet në italisht

Pas botimit në disa gjuhë (frëngjisht, anglisht, serbisht, sllovenisht), romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i përkthyer nga Liliana Cuka, u botua edhe në italisht. Botuesi i njohur italian nga Roma “Armando Editore”, romanin e nxori me titullin:

“Per te terra mia – Le confessioni di Gjon Nikola Kazazi” (Për ty vendi im, rrëfimet e Gjon Nikollë Kazazit).

“Është një vepër e shkruar ne një mënyrë të pabesueshme intensive” vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Te përkas ty, o toka ime”, mund te jete slogani mbi te cilin autori ndërthur një përmbajtje të dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i ndërlikuar, i dhunuar, ne te cilin politika dhe feja janë ne gare për te kapur hapësirat e tyre dhe për te bere prozelitizem. Reflektimi me përmbajtje te larte, i cili e drejtojnë lexuesin ne mendimet e rafinuara te autorit për te krijuar me pas përshtypjet e veta personale.”

Ballina e librit përcillet me vlerësimin:

“Murtaja vazhdon të përhapet, mbyllen kufijtë, shfaqet mosbesimi ndaj pushtetit dhe ndaj Zoti, lind nevoja për të organizuar një ‘rezistencë’ morale dhe efektive kundër një autoriteti, qëllimi i të cilit është të asgjësojë dinjitetin dhe nderin e një populli, në mënyrë qe të krijojë një “njeri të ri perandorak”, pa rrënjë. Është një histori, tepër e fortë dhe e pasur me ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, dhe në të njëjtën kohë është histori besimi dhe mosbindjeje, si mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë në fillin e hollë te herezisë. Është njëkohësisht edhe lufta kundër ndjenjës së mungesës së fuqisë, ndjenjë të cilën njeriu ndien përballe një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën gjenden shumë ngjashmëri me aktualitetin. “Liri ose vdekje” është udhëkryqi para të cilit ndodhen protagonistët e kësaj vepre, robër të një bote ku si politika, ashtu dhe feja pretendojnë hapësira dhe asimilime.” / KultPlus.com