Hiqen pllakat e mermerta, rikthehet kalldrëmi italian në Pejë

Sheshi i Pejës, i përuruar më 2011 e i shtruar me pllaka të reja të mermerta, qe thënë se për shumë vjet në atë shesh nuk do të ketë nevojë më të intervenohet, përveç mirëmbajtjes së tij.

E ata shumë vjet dolën të jenë vetëm pak, pasi Komuna e Pejës, për vitin e ardhshëm ka vendosur të investojë në rindërtimin e sheshit dhe këtë herë dyfishin e shumës që ishte investuar herën e parë, jo nga Komuna. Këtë herë pllakat do të hiqen dhe do të ndërtohet kalldrëm italian, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërsa janë rreth 8 mijë metra katrorë të hapësirës në tërë sheshin e qytetit që ishte rregulluar me një projekt në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh, në bashkëfinancim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, “UN HABITAT”-i dhe organizata SIDA.

Drejtori i Financave, Jeton Abazaj, ka njoftuar se për rindërtimin e sheshit janë dhënë 600 mijë euro. Mirëpo, vitin e ardhshëm nuk do të rindërtohet i tërë sheshi, por është planifikuar që punimet të kryhen vetëm për njërën pjesë. Sipas tij, vitin e ardhshëm do të rregullohet vetëm pjesa e sheshit në qendër të tij dhe hapësira në anën e djathtë deri të rruga që shkon për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Kurse rruga e korzosë së qytetit deri tek Ura e zallit mbetet, siç thotë Abazaj të rindërtohet më 2020.