I ftuar nga botuesi i tij Luc Vidal, drejtues i shtëpisë botuese “Éditions du Petit Véhicule”, poeti i njohur Agim Vinca do të marrë pjesë në manifestimin letrar “Marché de la poésie” (Sheshi i poezisë), që mbahet në Paris nga 6-10 qershor të këtij viti, shkruan KultPlus.
Në këtë manifestim tradicional, që mbahet për të 36-tën herë në një nga sheshet më të njohura të Parisit, në sheshin Saint-Sulpice, shiten libra, nënshkruhen nga autorët, bëhen lexime letrare dhe diskutime për poezinë.
Shtëpia botuese “Éditions du Petit Véhicule” në koleksionin “Galerie de l’or du temps” (Galeria e kohës së artë) në vitin 2016 ka botuar librin me poezi të zgjedhura të Agim Vincës “Une cloche à ton cou” (Kambanë në qafë) në përkthim të Aleksandër Zotos dhe me ilustrime nga piktori Anastas Kostandini-Taso./ KultPlus.com