Në Gjirokastër jepet shfaqja ‘Nga pafajësia në pafajësi’

Në një fundjavë kulturore që ka sjellë një frymë të re artistike në qytetin e gurtë, artdashësit u përballën me shfaqjen “Nga pafajësia në pafajësi”, një event i cili ndërthur në mënyrë harmonike elemente të imazhit, baletit modern, teatrit dhe muzikës.

Kjo vepër artistike, që trajton emigrimin si metaforë të largimit nga vendlindja, synon të hapë dyert e mendimit dhe të ngjallë emocione thelbësore në audiencë.

Në sinkron me emocionet e shfaqjes, balerini Julian Bulku vuri në pah vlerat njerëzore që shpalosin gjithë spektrin e jetës – nga lindja deri në momentin kur një njeri ndjen se ka forcën të vazhdojë përpara dhe të ndajë këtë forcë me të tjerët. Ai theksoi se, në një kohë kur shpërndarja e vështirësive dhe e buzëqeshjes mbetet e kufizuar, arti mund të bëhet një dritare e hapur drejt reflektimit personal dhe kolektiv.

Autorja Klejda Vaso, e përshkroi shfaqjen si “një thirrje për të menduar”. Ajo vë në pah se shqiptarët, të cilët shpesh kanë qenë të angazhuar në përpjekje për përmirësim material, nuk kanë pasur gjithmonë mundësinë për të reflektuar mbi çështje ekzistenciale. Kjo vepër, ndërthurur me vlera artistike dhe kombëtare, fton audiencën të mendojë për jetën, për sfidat e lindjes, vdekjes dhe emigrimit.

Interesi për shfaqjen “Nga pafajësia në pafajësi” nuk është kufizuar vetëm në territorin kombëtar. Baleri Julian Bulku theksoi krenarinë e tij që shfaqja ka udhëtuar deri në Florida dhe ka qenë pjesë e festivaleve ndërkombëtare, ku publiku, megjithëse i huaj, ka kapur thelbin e gjuhës shqipe dhe dhimbjen personale të jetës që përcillet në këtë performancë.

Fundjavat në Gjirokastër janë mbushur me aktivitete kulturore që gjallërojnë qytetin në stinën e dimrit.
Shfaqja “Nga pafajësia në pafajësi” tregon se arti mund të jetë një udhërrëfyes në përballimin e sfidave të jetës dhe një mjet për të ndarë mesazhe të thella, duke reflektuar jo vetëm historitë personale, por edhe ato kolektive që formojnë shoqërinë./ balkanweb/ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq baletin ‘HOPE’ në Mitrovicë për nderë të 17-të vjetorit të Pavarësisë

Në kuadër të festimeve për 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton para publikut të Mitrovicës shfaqjen “HOPE”, një vepër artistike e fuqishme me koreografi nga Sead Vuniqi.

Ky balet modern trajton temat e shpresës dhe forcës njerëzore, duke përcjellë përmes gjuhës së trupit një rrëfim të thellë dhe reflektues.

Shfaqja jepet në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, më 18 shkurt, në ora 18:00. Hyrja është e lirë./ KultPlus.com

Në përvjetorin e Pavarësisë, shfaqja ‘13’ në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Të enjten me datë 13 shkurt në teatrin Adriana jepet shfaqja”13”, shfaqja fituese e 3 çmimeve kryesore në festivalin “Talia e flakës” me regji të Sulejman Rushitit dhe me motive nga Kadare, Fishta, Kuteli e Kristo Floqi

“13” është një reflektim i thellë mbi ciklin historik të shqiptarëve, ndërtuar mbi fabulat e shkrimtarëve dhe poetëve që kanë ndikuar në formësimin e identitetit tonë kulturor. Frymëzuar nga Viti i Mbrapshtë i Ismail Kadaresë, Qerthulli Politik i Kristo Floqit, ABC-ja e Kreshnikëve e Mitrush Kutelit dhe poezi të Gjergj Fishtës, shfaqja zhytet në pasigurinë dhe tragjedinë që ka shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.

Luajnë: Kushtrim Qerimi, Arben Marevci, Donika Zeqiri, Blin Mani, Sherif Bega, Edona Berisha, Dora Xhemajli, Dashnim Rexhepi, Nexhat Xhokli, Milot Salihu, Ali Krasniqi, Jajush Ramadani dhe Elton Tahiri

Shfaqja jepet për nder të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Artisti në Tavan” sonte në TKK

Shfaqja “Artisti në Tavan” me regji të Agron Gërgurit do të luhet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës si shfaqje mysafire, me fillim nga ora 20:00.

Shfaqja prek një dimension të luftës së fundit dhe tragjikën që ajo bart, në një betejë shpirtërore ku aktori artist bën me veten për të dëshmuar kush është dhe ç’të mbetet nga gjithë rrezatimi që emeton duartrokitja, e cila merr si shpërblim për të gjitha ato personazhe që ka ngjallur në skenë, derisa lufta vret.

Luan: Ismet Azemi

‘Martesa’- projekti i radhës i TKK, fillojnë provat

Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar provat për shfaqjen e radhës bazuar në dramën “Martesa” nga autori polak, Witold Gombrowicz e adaptuar dhe në regji të regjisorit të njohur polak, Norbert Rakowski.

Aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqje janë: Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi.

Pjesa tjetër e stafit që kontribuojnë për realizimin e shfaqjes “Martesa” janë: Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku, Skenografe: Maria Jankowska, Kostumografe: Paola Grocholska, Kompozitor: Tomor Kuçi, Asistent regjisor: Skender Podvorica dhe Përkthyes: Qerim Ondozi

Premiera e shfaqjes jepet me 20 shtator 2024./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës luan shfaqjen ‘Time’ në Tetovë

Më 14 qershor në Tetovë, duke filluar nga ora 19:00, Baleti Kombëtar i Kosovës luan shfaqjen ‘Time’.

Pas paraqitjes jashtëzakonisht së suksesshme në dy kryeqendrat botërore Nju-Jork dhe në Paris, Baleti Kombëtar i Kosovës, këtë të premte me shfaqen “Time” (Koha), vjen edhe në Tetovë.

Shfaqja do të luhet në Natën e parë të Festivalit Ndërkombëtar “Meridians”, në Qendrën e Kulturës në Tetovë.

Shfaqja ‘Turjela’, Gongo: I mahnitur nga teknikat e ish-Sigurimit…

Dy artistë përballë ish-Sigurimit të shtetit, i plotfuqishmi i lagjes dhe përplasja e dëshirës për liri me pushtetin autoritar. Saimir Gongo ka sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqjen “Turjela”, një vepër që rreket të shpërfaqë njeriun dhe pushtetin, dhe shtypjen, tradhtinë dhe vlerat. Shfaqja që vjen premierë në Teatrin Kombëtar, është ndërtuar mbi të dhëna të dala nga hulumitmet në dosjet e Ish-Sigurimit, sikundër edhe nga dënimet e artistëve të shumtë në diktaturë, duke nisur që nga ata që i dhanë jetë shfaqjeve teatrale.

“Ka pasur artistë të teatrit të dënuar në diktaturë, por shfaqja nuk bazohet në jetën e një emri të caktuar, por është një hulumtim artistik mbi te shkuarën”, thotë Gongo.

Elementet e shfaqjes e çojnë ish-Sigurimin brenda një shtëpie dhe e vënë mes një çifti. Autori dhe regjisori Gongo e ka sjellë ish Sigurimin si një institucion strategësh, ndonëse studiuesit kanë vënë në dukje mangësitë, mungesën e edukimit, shkollimit dhe kultivimit të atyre që punonin në Sigurim. Për këtë ai e ka një shpjegim.

“Struktura e pushtetit ka qenë e sofistikuar. Jam mahnitur nga teknikat e sigurimit, janë brilante”, thotë ai duke i përdorur këta përcaktorë për shkallën e manipulimit që dosjet kanë dhe shpesh duke vënë në dukje edhe aftësitë manipuluese të diktatorit. Sado që termat sërish krijojnë parehati në komunikimin publik mbi të shkuarën, ose krijojnë keqkuptim a devijim mbi atë që e shkuara ishte- shtypja kishte efekt më “bindës” se sa manipulimi përmes fjalimeve- Gongo, i gjen këta terma përshkrues të një institucioni e sistemi ku frika orientonte qëndrimet publike dhe jopublike.

Shfaqja megjithëkëtë, është një përpjekje për të demontuar propagandën komuniste dhe vetë nostalgjinë mbi të, sepse sipas Gongon, “arti është ai që i afrohet më së shumti të vërtetës”.
Duke ia kushtuar këtë shfaqje, “atyre që mbeten njerëz”, ai fton publikun të ndjekë pjesën që përmes pak personazheve, një skenografie të thjeshtë përcjell mesazhe mbi sistemet dhe heshtjet e atyre që nuk folën.
Aktori Helidon Fino, që interpreton shkrimtarin e njohur i cili bëhet bashkëpunëtor i sigurimit me detyrim, u jep jetë dilemat jetike të personazhit.

“Në fund fiton materia dhe morali i shkrimtarit. Tashmë, pikëpyetja e madhe është naiviteti i atyre që besuan. Dishepujt e ideologjisë dhe ata që nuk e kuptonin”, thotë ai, duke besuar se arti denoncon të shkuarën.
Aktori Neritan Liçaj, në rolin e një piktori që fle me Modiglianin e zgjohet me realizmin socialist, portretizon njeriun që thyhet, për të shpëtuar veten, për të pasur privilegje, për një zyrë më të madhe. “Shfaqja ka një monolog që është mjaft domethënës. Personazhi i operativit të Sigurimit, thotë se nuk do të një fitore të vogël, por një kryevepër që jeton edhe kur pushteti vdes dhe kjo e tregon qartë çfarë ndodhi dhe pasojat e asaj kryevepre që jeton ende sot kur pushteti ka rënë”, thotë Liçaj.

Ndërsa pjesë denoncon maskën dhe hipokrizinë, mesazhi i saj është si të ruash individin brenda një turme.
Premiera e shfaqjes “Turjela”, që u ngjit në Teatrin Kombëtar vë në peshore kompromiset, kontradiktat e betejat./balkanweb/ KultPlus.com

Shfaqja ‘Negotiating Peace’ nga Blerta Neziraj do të jepet në Gjermani

Shfaqja “Negotiating Peace” e Blerta Neziraj do të luhet në Hamburg të Gjermanisë, në teatrin Kampnagel, si pjesëmarrëse e festivalit ndërkombëtar KRASS Festival.

“Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, merr shkas negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, si dhe bisedimet politike — ende pa shumë rezultat — ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njofton Qendra Multimedia, e cila shkon për herë të dytë në këtë festival.

Rrëfimi dramaturgjik është frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë.

“Shfaqja tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimeti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual?”, njofton qendra.

Në rolin kryesor luan Shkumbin Istrefi dhe në rolet e tjera Melihate Qena, Ema Andrea dhe aktorë nga Ukraina, Bosnja e Hercegovina, Estonia e Norvegjia.

‘Kopshti i Hijeve’, shfaqja që tregon historinë e familjes Bogujevci shfaqet për 25 vjetorin e masakrës

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se me rastin e 25 vjetorit të masakrës së familjes Bogujevci do të shfaqë filmin “Kopshti i Hijeve”, i cili e tregon historinë e kësaj familjeje.

Shfaqja tregon historinë e familjes Bogujevci: fëmijët e parë që dëshmuan në një gjykatë për krimet e luftës. Kjo gjykatë i jep formë narrativës në ndryshim, duke rrëshqitur mes kohës, vendit, realitetit dhe imagjinatës. Kopshti i hijeve ekziston në skenë si një botë paralele e kujtesës dhe së ardhmes alternative.

Me një këmbë në Mançester dhe një në Kosovë, familja zë një hapësirë ​​shumë private në një arenë shumë publike. Nëpërmjet fëmijëve që mbijetuan, ne mësojmë për humbjen e tyre dhe qëndrueshmërinë që duhet për të kërkuar drejtësi kundër mosmarrëveshjeve. Llogaritë e luftës dominohen kryesisht nga zërat ushtarakë meshkuj; kjo shfaqje feston llojin e fuqisë që nuk ulet në peshën e një arme.

Kopshti i hijeve është një shfaqje bashkëpunuese, multimediale e zhvilluar me një ekip ndërkombëtar dhe prodhuar nga Teatri i Gjilanit.

Shfaqja jepet më 28 mars, në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./KultPlus.com

Pamje nga shfaqja ‘Hamalli’ me regji të Adem Mikullovcit, e shfaqur në vitin 1964 në Mitrovicë

“Hamalli” është quajtur drama e cila është luajtur para më shumë se pesë dekadave në Teatrin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Regjinë e kësaj shfaqje e kishte punuar Adem Mikullovci, i cili është shfaqur edhe në rolin kryesor duke e luajtur rolin e Hamallit të rrejshëm kurse krah tij në rol kryesor kishte luajtur Nazmije Hoxhaj- Raifi. Aktorët e tjerë të shfaqjes ishin Ami Emra Emra, Dibran Tahiri, Ali Ahmeti, Sadedin Prekazi e shumë të tjerë.

KultPlus sot ju sjellë tri fotografi nga kjo shfaqje, e prezantuar në vitin 1964 për publikun e Mitrovicës.

Shfaqja ka trajtuar kohën e Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com

Shfaqja ‘Departamenti i Ëndrrave’ vjen premierë në Teatrin Dodona

Shfaqja ‘Departamenti i Ëndrrave’ e autorit Jeton Neziraj me regji të Besim Ugzmajlit vjen premierë në Teatrin Dodona, si bashkëpunim me Organizatën Miza n’skenë, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët marrin pjesë në shfaqje janë: Afrim Muçaj, Ermal Sadiku, Kushtrim Qerimi dhe Molikë Maxhuni.

Pjesa tjetër e stafit të cilët kontribuan për realizimin e shfaqjes janë: Skenograf: Mentor Berisha, Koreograf: Nik Musolli, Kostumlgrafe: Njomëza Luci, Kompozitor: Liburn Jupolli

Kjo shfaqje është realizuar nga Miza n’Skenë dhe FTF.

Shfaqja jepet premierë më 24 mars në ora 20:00/KultPlus.com

Baleti Kombëtar fillon provat gjenerale të shfaqjes ‘Rebounds. A BasketBallet’

Sot, Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur provat gjenerale për premierën e parë të vitit 2024, “Rebounds. A BasketBallet”, me koreografi të Friederike Lampert & Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Muzika e shfaqjes premierë “Rebounds. A BasketBallet” është realizuar nga Ohad Talmor.

Shfaqja para publikut do të jepet me datat 15.02.2024 dhe 16.02.2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë duke filluar ora 20:00./ KultPlus.com

BKK fillon provat e shfaqjes ‘Rebounds. A Basketballet’

Baleti Kombëtar i Kosovës ka filluar provat e shfaqjes së parë për këtë vit ‘Rebounds. A Basketballet’, me dy koreografët gjermanë Friederike Lampert dhe Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Në një njoftim për media thuhet se me dy koreografët në fjalë BKK-ja ka bashkëpunuar edhe para 7 vitesh për shfaqjen ‘New Born’, shfaqje kjo e cila është dhënë në Prishtinë, Berlin dhe në Hamburg.

Ndërsa shfaqja ‘Rebounds. A Basketballet’ do ta ketë premierën me 15 shkurt. Përveç në Prishtinë, kjo shfaqje planifikohet të shfaqet edhe jashtë vendit tonë./KultPlus.com

Teatri i Gjilanit sjell shfaqjen ‘Tartufi’

Teatri i Gjilanit do të prezantojë shfaqjen më të re, dramën e njohur të Molière, ‘Tartufi’, me regji nga Qëndrim Rijani.

Kjo shfaqje vjen në Teatrin e Gjilanit, duke hapur dritë mbi interpretimin e ri që krijon lidhje me realitetin tonë të sotëm. Regjia e Qendrim Rijanit do të sjellë një gërshetim të bashkëkohores dhe vlerave klasike, duke e bërë “Tartufin” një eksperiencë teatrale në vete.

Me kostume të stilizuara nga Yllka Brada dhe një skenografi të përshtatur për kohën tonë nga Bekim Korça bashkë me muzikën origjinale të Trimor Dhomit, kjo shfaqje do të jetë një udhëtim emocionues në një botë të humorit, hipokrizisë dhe konflikteve të përhershme shoqërore.

Aktorët që marrin pjesë në këtë shfaqe janë: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Aurita Agushi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani, Flaka Latifi, Avni Shkodra, Mejreme Berisha, Alban Shahiqi dhe Florent Salihu.

Përderisa pjesa tjetër e stafit janë:

Skenograf: Bekim Korça, kostumografe: Yllka Brada, kompozitor: Trimor Dhomi, ass regjie: Fitore Jashari

 Premiera e shfaqjes vjen me datën 18 dhjetor, ora 20:00 dhe repriza e saj e parë më datën 19 dhjetor, poashtu në ora 20:00/KultPlus.com

Festivali i Teatrit ‘Moisiu’ çelet me shfaqjen ‘Vojçek’ nga regjisori japonez Kuniaki Ida

Sonte në mbrëmje nis edicioni i dytë i Festivalit të Teatrit “Moisiu”. Organizatorët kanë përzgjedhur dramën “Vojcek” për ta çelur këtë festival shëtitës, i cili edicionin e tij të parë e pati vjet në Shkup.

Në orën 19:00, në sallën 400 tek “ArTurbina”, do të shaqet “Vojcek” me autor Georg Büchner dhe artdashësit do të mund të hyjnë pa pagesë.

Regjisori i dramës është japonezi Kuniaki Ida.

“Vojcek”, e cila e pati premierën në muajin shtator, është një vepër e shkruar në fillim të shek. XIX, por që i flet publikut bashkëkohor mbi transformimin e qenies njerëzore në shoqëri të dhunshme, sjellë me emocion nga trupa e aktorëve, me një skenografi dhe muzikë mbresëlënëse.

Pjesa është përkthyer nga Ardian Klosi, kompozitor Endri Sina, ndërsa në role interpretojnë: Rafael Hoxhaj, Luli Bitri, Lulzim Zeqja, Hervin Çuli, Besmir Bitraku, Donald Shehu, Genti Deçka, Erjona Kakeli, Arben Derhemi, Dori Çaushi, Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Igli Zarka.

Pacienti Vojcek, funksionet normale të të cilit janë shkatërruar, vazhdon të luftojë kundër sëmundjes së tij (çmendurisë) për të rifituar identitetin e tij njerëzor. Shoqëria ku jetojmë sot është plot kaos, ankth, frikë dhe imazhe dhune./atsh/KultPlus.com

Letra nga lufta/ Shfaqja i jep fund muajit të letërsisë në Gjirokastër

“Letra nga Lufta” shfaqja e regjisores Ledja Çeli përmbylli muajin e letërsisë në Gjirokastër.

Eventi u vendos për herë të parë në galeritë e betonuara të Muzeut të Luftës së Ftohtë edhe për të përforcuar simbolikën e pjesës që u përcoll. Interpretuesit ishin tre të rinj gjimnazistë që ushtrohen me teatrin. Shfaqja solli pasazhe nga vepra të ndryshme letrare si kujtesë për përmasën e dramës dhimbjes, ndarjes por edhe të menduarit e reagimit njerëzor në kushtet e luftës.

“Letrat” sipas regjizores i drejtohen atyre që nuk e kanë përjetuar luftën por që mirfilltazi mund të bëhen protagonistë të parandalimit të saj duke qenë vigjilentë ndaj mungesës së demokracisë, aspekteve destabilizuese shoqërore dhe mosrespektimit të normave bazë të lirisë individuale dhe shoqërore.

Për të përmbyllur  Muajin e Letërsisë, Bashkia Gjirokastër  organizon një aktivitet gjatë të cilit kemi përzgjedhur  nga vepra të ndryshme, pjesë të ndryshme të cilat flasin për luftën, ndjesitë e njerëzve që kanë përjetuar luftën, kemi vendosur të bashkojmë letërsinë, historinë dhe kulturën e qytetit tonë në këtë aktivitet”- shprehet regjisorja Lejda Çeli.

“Sot në kuadër të Muajit të Letërisë kemi zhvilluar një aktivitet në të cilin do të flasim për luftën pasi edhe në ditët e sotme kemi shumë luftra që po zhvillohen  E para është që ne përcjellim një mesazh “ Stop luftës !” dhe ne kemi pjesë të cilat do të flasim si ne e përjetojmë”- shprehet aktorja Egi Baxha.

Muzeu i Luftës së Ftohtë është një prej objekteve të turizmit të errët më të vizituara  në Gjirokastër. Eventet me karakter artistik të vendosura brenda tij janë përpjekje rijetëzuese jo vetëm për tërheqjen e vizitorëve por edhe për evidentimin përmes artit të historisë së diktaturës e cila kushtoi shumë jetë njerëzish duke përdorur  luftën e klasave, bunkerizimin dhe izolimin social e shpirtëror me gjithë botën.

“Letra nga Lufta” përcolli përmes pasazheve letrare edhe ndjesi të të jetuarit nën izolimin e diktaturës , në një luftë të ftohtë me konflikte ende të pambyllura për të gjithë vendin./topchanel/KultPlus.com

Jepet shfaqja ‘Kopshti i Hijeve’ e bazuar në historinë e familjes së Saranda Bogujevcit, Ministri Çeku: Simbolizon fuqinë e një gruaje të pamposhtur

Është dhënë para publikut shfaqja “Kopshti i Hijeve”, e cila është e bazuar në historinë e familjes së Saranda Bogujevcit, e cila u masakrua nga forcat serbe në luftën e vitit 1999, shkruan KultPlus.

Shfaqjen nga afër e ka ndjekur edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të dhënë në Teatrin e Podujevës  nga trupa e Teatrit të Gjilanit.

Ministri Çeku përmes një postimi në facebook ka thënë se shfaqja simbolizon fuqinë e Sarandës një gruaje të pamposhtur, e cila është shembull për forcën e saj, e cila përkundër asaj çfarë ka përjetuar, po vazhdon të kontribuojë për një të ardhme më të mirë të vendit.

“Një e vërtetë e tmerrshme në formë arti. Një histori dhimbjesh në skenën e Teatrit të Podujevës, portretizuar me mjeshtëri nga trupa e Teatrit të Gjilanit.

“Kopshti i Hijeve” me autore Sarah Hehir dhe regjisore Natazja Domaradzka, ritregoi historinë e familjes Bogujevci. Rishfaqi guximin e Sarandës, Jehonës dhe Fatosit, fëmijët e parë në botë që dëshmuan në një gjykatë për mizoritë e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Shfaqja mbi të gjitha simbolizon fuqinë e një gruaje të pamposhtur, Sarandës, e cila nuk njeh kompromis në kërkimin e drejtësisë, duke na dëshmuar se asnjë akt nuk mund të shuaj dëshirën e njeriut për të kontribuuar për një të ardhme më të mirë për vendin”, thuhet në postimin e Ministrit Çeku/KultPlus.com

‘Hana po fluturon’, shfaqja premierë në teatrin e Ferizajt

Mbrëmë, në qytetin e Ferizajt është dhënë premierë shfaqja “Hana po fluturon” me regji të Iliriana Arifi dhe autore Arta Arifi, në teatrin ‘Adriana’, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët kanë luajtur në shfaqje janë: Dardane Mehmeti, Edona Berisha, Dashuri Rexhepi, Arben Marevci, Gresë Gashi, Nea Hamza dhe Nexhat Xhokli, të cilët sollën historinë e përqendruar tek Anita dhe Belina dhe përpjekjet e tyre për të mbrojtur shtëpinë nga rrënimi, kujtimet dhe sekretin e fshehur për vite të tëra.

Ministria e Kulurës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur që bashkë me publikun, shfaqjen e ndoqi edhe ministri Hajrulla Çeku/KultPlus.com

Shfaqja ‘Qorri’, mesazhi sensibilizues duartrokitet nga publiku shkodran dhe turistëtf

Shfaqja “Qorri”, u përcoll mes duartrokitjesh nga publiku artdashës shkodran i cili përjetoj një mbrëmje të veçantë në Qendra Rinore “Arka”.

Me regji të Gert Palali, interpretuar mjeshtërisht nga të rinj të talentuar, “Qorri” është një protestë përmes artit, që shoqëria shqiptare të reagojë ndaj fenomenit të dhunës që prek çdo ditë nënat, motrat, gratë dhe vajzat  dhe një nevojë që ne kemi për të ngritur zërin në shenjë ndërgjegjësimi.

Titulli i shfaqjes është vendosur si simbolikë e verbërisë që shoqëria shfaq çdo ditë ndaj fenomeneve të dhunës, shtypjes, margjinalizimit etj.

“Qorri” është një produksion i fondit të teatrit për të rinj 2023, mundësuar nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Ky aktivitet ishte një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku./atsh/KultPlus.com

“The Superfluous Man”, shfaqja filozofike që shkëputi audiencën nga koha dhe identiteti

Vjollca Duraku
Foto: Esad Duraki

Mbrëmë në teatrin Oda, në kuadër të edicionit të 11 të Festivalit Fem Art, u dha shfaqja e Mitcha Figas “The Superfluous Man” nga regjisori Yehezkel Lazarov, e cila ishte bashkëpunim me Trupën Artistike Rezidente të Artpolis, shkruan KultPlus.

Shfaqja “The Superfluous Man”, që në vete ngërthente art dhe filozofi, për tu paraqitur para audiencës prishtinase, këtë herë kishte udhëtuar nga Izraeli.

Shfaqja nisi rreth orës 19:00, këtë herë filloi në oborrin e Teatrit Oda, dhe përgjithësisht trajtoi fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private, ku përtacia, mosveprimi, plogështimi dhe ëndërrimi, janë pjesë e sistemit të besimit të heroit. 

Trupa Artistike Rezidente e ArtPolis, në përbërje nga aktorët  Qëndresa Kajtazi, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Labinot Raci dhe Blerta Gubetini zbritën nga shkallët e Pallatit të Rinisë, prej nga edhe filluan performancën e tyre disa minutëshe me thënie filozofike nga filozofi Artur Shopenhauer.

“Ne na pëlqen të shohim teksa njerëzit tjerë vuajnë, sepse kjo na jep ne kënaqësi. Duke e parë se jemi të përjashtuar nga vuajtja.

Arsyeja që njerëzit i mbajnë fytyrat e lumtura, edhe pse përbrenda vuajnë rrjedh vetëdijshëm nga kujdesi që njerëzit kanë për këtë trajtë njerëzore pa shpëtim. Ku zbulohet kënaqësia që ndiejmë tjetrin duke vuajtur”, ishin fjali filozofike te cilat trajtonin thellësinë e qenies njeri.

Pas përfundimit të pjesës artistike, aktorët e Artpolis u zhvendosën në hollin e Teatrit Oda të cilët e vazhduan perfomancën e tyre duke pritur audiencën të hynin brenda në sallë, duke i kënduar ninullat “Nina, Nana në djep të drunit t‘i mu bëfsh plak i katunit” dhe “Nina, nana në djep të hekurit t’i mu bëfsh plak i qytetit”  duke e parë në korridorin e saj një grua në gjumë dhe videoinstalacionin “Fantazma” nga Ran Slavin.

Pastaj, brenda Teatrit Oda u dha edhe pjesa tjetër e shfaqjes nga aktorët e Izraelit, shfaqje e cila trajtoi fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private në një botë e cila është e përqendruar në synime, aspirata dhe arritje, ku kërkohen përgjigje për pyetje se a është legjitim largimi nga sekuenca e vazhdueshme e jetës, nga fuqia punëtore dhe nga jeta shoqërore? dhe a ka të drejtë një njeri të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë?

Aktorë në këtë pjesë ishin: Adam Gabay, Shirah Naor, Vladimir Friedman, Alon Barel, Bar Sade dhe Eduard Shpochman.

Shfaqja izraelite e cila u dha me titra në gjuhën angleze, pati edhe disa pika të ndërlidhura të cilat herë pas here shfaqeshin edhe në shqip. Një lloj meditimi u realizua nga të gjithë pjesëmarrësit, e cila u mundësoi pjesëmarrësve të shkëputeshin nga e kaluara dhe e ardhmja si dhe identiteti i tyre.

Përfundimi i shfaqjes  pasoi me duartrokitje të shumta, si shenjë falënderimi për artin e dhuruar. Ndërsa aktorja nga Trupa Rezidente e Artpolis, Kaltrinë Zeneli në një prononcim për KultPlus tha se ka qenë interesante përvoja për të qenë pjesë e shfaqjes e cila në fillim ishte monolog filozofik.

“Ka qenë interesant për të realizuar hyrjen në një shfaqje të tillë. Njëkohësisht është edhe nder për ne me qenë pjesë  kësaj shfaqje. Fillimisht ne kemi bërë një work-shop, ku pastaj regjisori na ka treguar dhe na ka ndarë rolet. Pjesa e parë e shfaqjes ishte me një monolog filozofik”, ka thënë aktorja.

Aktorja Zeneli po ashtu, ka thënë se interpretimi dhe përgatitja e këtij monologu nuk ka qenë e vështirë, pasi sipas saj aktorët janë të mësuar të interpretojnë pjesë të vështira teatrale.

“Nuk ka qenë diçka e vështirë. Ne si aktorë jemi mësuar me gjëra shumë më të vështira dhe kjo ka qenë diçka si një lloj paragjelle nëse e përdorim analogjinë. Interesant ka qenë. Ne nuk e kemi parë shfaqjen nuk e kemi ditë se çka do të përmbajë ose çfarë ka me qenë shfaqja. Po mandej u lidh në tërësi edhe pjesa si e filluam ne dhe mandej edhe zhvillimi i shfaqjes. Për mua ishte një gjë shumë e mirë.”, ka përfunduar Zeneli.

Kjo shfaqje ishte në kuadër të natës përmbyllëse të edicionit të 11—të të Festivalit FemArt, i në vend brenda një jave solli artistë dhe shfaqje të ndryshme nga bota, e të cilat këtë herë, përpos kryeqytetit, patën shtrurje edhe në qytetin e Mitrovicës./KultPlus.com

Teatrot shqiptare do të mirëpresin shfaqjen ‘Patrick le Chinois’

Teatri Kombëtar i Kosovës do ta mirëpret shfaqjen mysafire nga komediani francez Patrick Veisselier, i njohur me emrin Patrick le Chinois, shkruan KultPlus.

Pas turneut botëror nga Parisi në Pekin, me iniciativë të producentit me origjinë shqiptare Hazis Vardar sjell komedinë e tij në Ballkan në tre teatro shqiptare.

31 mars në Teatrin Kombëtar të Tiranës 1 prill në Teatrin Kombëtar të Prishtinës dhe 2 prill në Teatrin Shqiptar Shkup. /KultPlus.com