Me shfaqjen “Arbri” të Lirak Çelaj, mbrëmë nisi SkupiFestival

Mbrëmë në praninë e artdashësve të shumtë, FNT SkupiFestival hapi edicionin e tij të 17-të me radhë.

Në teatrin Shqiptar në Shkup, hapja e natës së parë të festivalit u bë me shfaqjen “Arbri” nga Teatrit Oda në Prishtinë me regjisor Lirak Çelaj, ku interpretuan: Shkumbin Istrefi, Qëndresa Jashari, Labinot Raci, Daniela Marku, Blend Sadiku, si dhe me skenografi nga Burim Arifi.

Arbri personazhi i shfaqjes me po të njëjtin emër, është diagnostikuar me demencë. Ai jeton vetëm me vajzën e tij të madhe Anën. Ndërsa  gruaja e tij ka ndërruar jetë kohë më parë, vajza tjetër Lulja ka rënë dëshmore në luftën për çlirim. Ana, e divorcuar katër vite më parë nga Agroni, është në dilemë të madhe se si të kujdeset për të atin, gjendja e të cilit po përkeqësohet vazhdimisht dhe për marrëdhënien e re me Petritin, i cili tashmë punon në Bruksel-Beograd-Stamboll. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes së Arbrit, Ana detyrohet ta dërgojë babanë e saj në një institucion privat për përkujdesje. E gjithë kjo dramë shtjellon përvojat e shumë familjeve bashkëkohore të cilat përballen me pamundësinë për t’u kujdesur për brezin e vjetër. Në fakt, Arbri ashtu si emri i tij, përfaqëson kombin shqiptar dhe demencën kolektive që rrethon identitetin e tij. Debatet që zhvillohen sot se si identiteti kombëtar shqiptar shndërrohet pothuajse brenda natës në identitet kosovar apo europian apo pro-jugosllav dhe turk lindor etj.

 Ndërsa, sonte në natën e dytë, programi i edicionit të 17-të të FNT Skupestival do të vazhdojë me shfaqjen “Nën Kala” nga Stambolli poashtu në teatrin Shqiptar Shkup. Një  përshtatje e tragjedisë  Makbeth nga Villiam Shekspir, adaptuar nga  Pinar Akkuzu  dhe Gülden Arsal Yavuz si dhe regji  nga Guray Dincol, interpretojnë  Pinar Akkuzu,  Gülden Arsal Yavuz. Hulumtime mbi teatrin fizik Teksti i cili bazohet në tragjedinë Makbeth të Villiam Shekspir-it, u përshtat në skenë pas rishkrimit. Palaçot, janë një nga stilet më unike në pedagogjinë e Lekok-ut, krijojnë bazën e shfaqjes. Krijesat që i përkasin botës së krimit, ku qëllimi i tyre i vetëm në skenë është të tallen me gjithçka, përballen me një nga tragjeditë më të forta të Shekspirit, rezultati është një komedi absurde, tragjike dhe plot gjak. Njerëzimi është i vetmi mjet për të tallur, luajtur dhe imituar për Palaçot. Me këtë shtrirje, shfaqja fton publikun për një udhëtim provokues, të errët, shqetësues dhe mjaft komik. Është udhëtimi drejt errësirës brenda nesh. Në shfaqje, historia e Makbeth-it tregohet nga dy palaço që kanë parë Makbethin si edhe çdo mbret dhe mbretëreshë gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Si duket mbretërimi i mbretit dhe mbretëreshës poshtë kështjellës? Si tallen dy krijesa të errëta që mund të shkatërrojnë gjithçka me sarkazmin e tyre me gjithçka që ndodh më lart. Si i drejtojnë sytë e tyre të mprehtë dhe sarkastik – që janë përtej kohës – drejt nesh, të shkuarës dhe të ardhmes njëherësh. / KultPlus.com