“Letra nga Lufta” shfaqja e regjisores Ledja Çeli përmbylli muajin e letërsisë në Gjirokastër.
Eventi u vendos për herë të parë në galeritë e betonuara të Muzeut të Luftës së Ftohtë edhe për të përforcuar simbolikën e pjesës që u përcoll. Interpretuesit ishin tre të rinj gjimnazistë që ushtrohen me teatrin. Shfaqja solli pasazhe nga vepra të ndryshme letrare si kujtesë për përmasën e dramës dhimbjes, ndarjes por edhe të menduarit e reagimit njerëzor në kushtet e luftës.
“Letrat” sipas regjizores i drejtohen atyre që nuk e kanë përjetuar luftën por që mirfilltazi mund të bëhen protagonistë të parandalimit të saj duke qenë vigjilentë ndaj mungesës së demokracisë, aspekteve destabilizuese shoqërore dhe mosrespektimit të normave bazë të lirisë individuale dhe shoqërore.
“Për të përmbyllur Muajin e Letërsisë, Bashkia Gjirokastër organizon një aktivitet gjatë të cilit kemi përzgjedhur nga vepra të ndryshme, pjesë të ndryshme të cilat flasin për luftën, ndjesitë e njerëzve që kanë përjetuar luftën, kemi vendosur të bashkojmë letërsinë, historinë dhe kulturën e qytetit tonë në këtë aktivitet”- shprehet regjisorja Lejda Çeli.
“Sot në kuadër të Muajit të Letërisë kemi zhvilluar një aktivitet në të cilin do të flasim për luftën pasi edhe në ditët e sotme kemi shumë luftra që po zhvillohen E para është që ne përcjellim një mesazh “ Stop luftës !” dhe ne kemi pjesë të cilat do të flasim si ne e përjetojmë”- shprehet aktorja Egi Baxha.
Muzeu i Luftës së Ftohtë është një prej objekteve të turizmit të errët më të vizituara në Gjirokastër. Eventet me karakter artistik të vendosura brenda tij janë përpjekje rijetëzuese jo vetëm për tërheqjen e vizitorëve por edhe për evidentimin përmes artit të historisë së diktaturës e cila kushtoi shumë jetë njerëzish duke përdorur luftën e klasave, bunkerizimin dhe izolimin social e shpirtëror me gjithë botën.
“Letra nga Lufta” përcolli përmes pasazheve letrare edhe ndjesi të të jetuarit nën izolimin e diktaturës , në një luftë të ftohtë me konflikte ende të pambyllura për të gjithë vendin./topchanel/KultPlus.com