Shfaqja “InOuT” e koreografit Nuha po vazhdon rrugëtimin në festivale të rëndësishme të dansit bashkëkohorë (VIDEO)

Shfaqja e dansit bashkëkohorë “InOuT” e kishte premieren e saj botërore në festivalin e njohur ndërkombëtar “Laiks Dejot” në Riga të Letonisë në datë 19 Gusht 2021, për të vazhduar pastaj në 3 Shtator në festivalin tjetër të rëndësishëm “Solo Dance Festival” në “Cer Modern” Ankara, Turqi, përcjell KultPlus.

Kurse, sot shfaqja ishte paraparë të prezantohet në festivalin “Albania Dance Meeting” në Tiranë, me ftesën e udhërrëfyesit artistik e profesional, Gjergj Prevazi, mirëpo për shkak se prezantimi ishte paraparë të mbahet në ambient të hapur dhe moti nuk ishte në favorin e tyre, prezantimi është shtyrë në një datë për të cilën do të njoftohet me kohë.

Po ashtu, Solo Performanca pritet të jetë pjesë e festivalit të organizuar nga “Motus Company” në Siena të Italisë në Mars 2022.

Në Letoni isha bashkë me kolegen e miken time të shtrenjt Rosella Pellicciotti me të cilën poashtu prezantuam një kërkim të ri koreografik të quajtur “Again” e të konceptuar në rikthimin e ndjeshmërisë së ritakimit tonë në skenë pas më shumë se 3 viteve!

Ftesa më ka ardhur nga një prej personaliteteve më të rëndësishme të Koreografisë në Letoni dhe jo vetëm, znj. Olga Zitluhina e cila me organizimin e këtij festivali dhe me mikëpritjen e saj na bëri të ndjehemi si në shtëpinë tonë.

Në Turqi, më nderoi me prezencen e tij Institucioni më i lartë i Kulturës në vendin tonë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me përfaqësuesit e tij z. Sejnur Veshall zv. Minister dhe z. Onur Canhas, këshilltar. Me këtë rast dua të Falenderoj MKRS, ministrin z. Hajrulla Çeku dhe këshilltarin z. Liburn Jupolli për vlerësimin dhe përkrahjen që po u japin artistëve të Kosovës, përfshirë dhe mua!

Në Turqi ishte një pritje e ngroht dhe vëllazërore nga Diplomatët e Ambasada e Kosovës në Ankara/Kosova Cumhuriyeti Ankara Büyükelçiliği Egzon N Mumxhiu, Serdal Vardar, Sherife Z Shala dhe Ambasadori i Kosovës në Ankara z. Ilir Dugolli, të cilët ishin në ç’do moment afër dhe me mua! Faleminderit!

Jam shumë i lumtur që perfaqësova dhe do të përfaqësoj Kosovën në këto festivale të rëndësishme të dansit bashkëkohorë duke krijuar kështu lidhje të reja për skenën dhe artistët e rinj të Koreografisë bashkëkohore në Kosovë!“, ka shkruar koreografi Nuha në rrjetet sociale. / KultPlus.com