Festivali i Teatrove në Ferizaj, përfundoi mbrëmë edicionin e tij të 47-të, me ndarjen e cmimeve, shkruan KultPlus.
Në festivalin i cili nisi më 21 tetor, parakaluan shfaqje nga rajone të ndryshme shqiptare, ndërsa ajo që mori edhe çmimin shfaqja më e mirë ishte shfaqja “G” me regji të Sulejman Rushitit e që ishte nga Teatri Shqiptar i Shkupit. Shfaqja “G”, rrëmbeu edhe çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor mashkull që shkoi për Fisnik Zeqirin.
Çmimi për regjinë më të mirë i takoi regjisorit Kushtrim Bekteshi për regjinë e shfaqjes “Tartufi” nga teatri ‘Migjeni’ në Shkodër. Aktori më i mire, çmimi “Ismail Rama” i takoi aktorit Shpëtim Selmani, për rolin e DR. Stokman në shfaqjen, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu” Prizren.
Aktorja më e mirë, çmimi “Adriana” ishte për Rita Gjeka, për rolin e Dorinës në shfaqjen “Tartufi”, teatri “Migjeni”, Shkodër. Roli dytësor më i mirë femër shkoi për Donikë Ahmeti, për rolin në shfaqjen “Per Gynti nga Kosova” të Qendrës Multimedia, Prishtinë. Roli episodik më i mirë iu dha Afrim Kasapollit, për rolin episodik në shfaqjen “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren. Skenografia më e mirë ishte për Petrit Bakallin, për skenografinë e shfaqjes, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren.
Kostumografia më e mirë shkoi për Samka Ferrin për kostumet në shfaqjen “Tartufi”, teatri “Migjeni”, Shkodër. ndërsa Shpërblimi i medieve iu dha Shpëtim Selmanit, për rolin e DR. Stokman në shfaqjen, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren./ KultPlus.com