Shfaqja “Muslimanët” e Enver Petrovcit, fituese e festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoninë e Veriut”

Me ndarjen e çmimeve për më të mirët, mbrëmë vonë u ulën perdet e edicionit  të 21-të të festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, i cili tradicionalisht mbahet në Qendrën e Kulturës në Dibër.

Në këtë edicion triumfoi Teatri Kombëtar i Prishtinës, i cili fitoi tre çmime të mëdha. Shfaqja “Muslimanët” me regji të Enver Petrovcit u shpall më e mira. Petrovci dhe aktorja Vlora Nikçi, nga i njëjti teatër fituan çmimin “Qemal Ajdini” për aktorin dhe aktoren më të mirë.

Juria profesionale, e udhëhequr nga Bujar Kapexhiu, vendosi që çmimin “Sulejman Pitarka” për regji më të mirë t’ia ndajë Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Qytetari fisnik” në interpretim të Teatrit të Tetovës, e cila u shfaq mbrëmë para ndarjes së çmimit. Bekteshi mori edhe çmimin për regjinë më të mirë për shfaqjen “Zgjimi i Pranverës” në edicionin e kaluar jubilar.

Gjatë shtatë ditëve të festivalit para publikut dibran performuan teatro nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.

Mbajtja e festivalit u përkrah nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë me 1,4 milionë denarë dhe me mbështetjen e pushtetit lokal të Dibrës, si dhe nga disa kompani dhe individë./ Press Online / KultPlus.com