Gili Hoxhaj
Kur perdja hapet fillimisht gjithçka nis me vallëzim, muzikë e veshje me ngjyra më të ndezura, por kur bie perdja entuziazmi veçse është në pikën e fundit. Skena e veshur në të zeza veçse ka shterur durimin e personazheve në skenë. Krejt kjo pasi që shfaqja “Pula” nga Bullgaria, është një performancë jo standarde që mbulon problemet e artistëve modernë në teatrot shtetërore dhe problemin për materializmin agresiv që na rrethon.
Heronjtë e kësaj shfaqjeje Nina Zarechnaya në lojën Vasilena Vinchenco dhe Aleksandër Timofeich në lojën e Vasil Duev po ëndërrojnë të shkojnë në kryeqytet ndërkohë që kanë rënë në dashuri me njëri-tjetrin dhe ndërkohë që gjejnë lirinë e tyre personale në art, po ashtu po bien në vorbullën e mjediseve dhe miqësive të rreme.
Kjo shfaqja erdhi në natën e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë që po organizohet nga AAB Teatri “Faruk Begolli”.
Shfaqja “Pula” është shfaqja që ka adaptuar tekstet e dy autorëve të njohur, atë të Anton Pavlovich Chekhov dhe të Nikolay Kolyada. Këtë gërshetim e ka bërë regjisorja Ana Bateva.
Regjisorja Ana Bateva thotë se ka bërë këtë ndërlidhje për faktin se ka dashur të fus edhe biografi të personazheve që shfaqen në skenë. Ajo thotë se ndihet e lumtur që aktorët me energjinë e tyre e morën vëmendjen e publikut. Bateva tregoi se më parë është prezantuar në Pejë por sonte u ndje e lumtur të shoh organizimin e këtij festivali dhe se në
Bullgari brena një universiteti nuk mund të gjesh një teatër të këtij formati.
“Liria e artistit nuk do të thotë që secili mund të krijojë art. Në Bullgari ka mjaft liri dhe çdo kush mund të ngjitet në skenë dhe mund të krijojë art pasi që atje mungojnë kritikët dhe secili mund të bëjë art, kjo është arsye pse atje ka shumë “kiç” e shfaqja të këqija.
Në mes të shfaqjes, shfaqja pëson probleme teknike e gjithë skena zhytet në errësirë, ndërsa publiku veçse bëhet gati për t’u larguar nga karriget e sallës. Një zë i fton ata që të qëndrojnë, duke treguar se kjo shfaqje është mbështetur nga Ministria e hiçit. Regjisorja tregon se këtë skenë e ka vendosur për t’i përballur brenda edhe problemet që një teatër mund t’i ketë dhe mungesën e përkrahjes në krijimin e shfaqjeve.
“Ka shumë probleme dhe ne nuk dinim cilin ta trajtonim më parë, kështu që filluam me një problem teknik pasi që Ministria e Kulturës që nuk jep para për të realizuar shfaqje”, u shpreh për KultPlus regjisorja Bateva.
Aktorët në skenë sollën energji e lojë tejet origjinale duke u mishëruar shpesh herë edhe në komunikim me publikun.
Nina Zarechnaya përshkruan një vajzë të re që ndodhet pranë martesës, duke mos e ditur as ajo se si ka ardhur buzë këtij vendimi. Ajo në skenë orvatet me ëndrrat e saj për t’u bërë një yll i aktrimit. Vasilena Vinchenco e cila jetësoi këtë rol u shpreh për KultPlus se në rolin e saj është e zhytur liria false, dashuria dhe ëndrrat false dhe se askush nuk mund t’i ik realitetit. Aktorja Vinchenco thotë se tek publiku këtu gjetën një lidhje të veçantë që ua lehtësoi gjithë procesin e shfaqjes.
“Kam qenë e befasuar me reagimin e publikut. Kur dolëm në skenë fillimisht, thash me vetën “Çfarë do të bëjmë tani, kjo është një gjë krejtësisht e re për ta”, por pas kësaj ata erdhën me lojën tonë. Publiku luajti së bashku me neve dhe kjo është një çast luksi për publikun.
Edhe për aktorin Vasil Duev, loja këtu në Prishtinë ka gjetur një lidhje të fortë me publikun. Ai tha se pasi u larguan prapa perdeve të skenës, të dy aktorët pëshpëriten me njëri-tjetrin se ky është versioni më i mirë i shfaqjes.
“Prapa perdeve po i thosha Vasilenas se kjo është loja jonë më e mirë e kësaj shfaqje. Jemi shumë të kënaqur me publikun se si komunikoi me ne dhe me organizatorët”, tha Duev për KultPlus.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Prishtinë do të vazhdoi sonte me shfaqjen e radhës. /KultPlus.com