Në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Vitisë, PriFest organizon shfaqjen e dy filmave: “Elena” nga regjisori Mateo Cingu dhe “Si në Vaj” nga regjisorja Aulona Selmani.
Më datë 13 dhjetor 2024, në ora 16:30, do të shfaqen këto filma që janë pjesë e aktiviteteve vjetore të PriFest.
Rreth filmave:
“Elena” – nga Mateo Cingu – Shqipëri
Një vajzë e re dhe e kurioze, Elena, përballet me një dilemë kur e sheh gruan që kishte njohur një natë më parë në një bar si mësuesen e saj të re në shkollë. Si do të ndikojë kjo në jetën e saj dhe marrëdhëniet që ndërton?
“Si në Vaj” – nga Aulona Selmani – Zvicër/Kosovë
Filmi tregon historinë e Nadies, luajtur nga aktorja e mirënjohur Ilire Vinca. Dikur një vejushë e re, Nadia vëzhgohet e kontrollohet vazhdimisht nga kunatat e saj rebele. Por pastaj shfaqet një autoportret nga e kaluara e saj qe e vënë në pikëpyetje mënyrën e saj të jetesës.
Shfaqja e filmave jepet në Shtëpinë e Kulturës “Gursel dhe Bajram Sylejmani” në Viti.
Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M, do të sjellin për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, ‘Kosovo – Albania Theatre Showcase – 2024’.
Nga data 29 tetor deri më 2 nëntor, mbi 80 mysafirë ndërkombëtarë, ndër të cilët selektorë festivalesh, kritikë e gazetarë teatri si dhe profesionistë të ndryshëm të teatrit nga Amerika, Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Suedia, Norvegjia, Hong Kongu, Tajlanda, Anglia, Greqia, Rumania, Moldavia, Bullgaria, Serbia, Portugalia, Holanda, Mali i Zi, Çekia, Ukraina, Estonia, e shumë vende të tjera, do të mblidhen në Tiranë për një program të larmishëm me shfaqje teatrore, panele diskutimi, ngjarje të natyrës promovuese për dramaturgë e artistë të rinj të teatrit si dhe ngjarje edukative. Në total, do të prezentohen 10 shfaqje teatri nga Shqipëria, Kosova, Greqia e Serbia, si dhe do të ketë dhjetra ngjarje përcjellëse, për teatrin, dramaturgjinë e kritikën teatrore.
Programi do të hapet me shfaqjen “Lule Sajza”, prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa do të pasohet me një performancë unike të grupit polifonik “Bashkimi” në ora 19:00 në ceremoninë zyrtare të hapjes së festivalit. Dita e parë do të vazhdojë me premierën e shfaqjes “Fausti” prodhuar nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë.
Më tutje, më 30 tetor programi do të hapet me diskutimin “Peisazhi teatror në Shqipërinë post-komuniste”, i cili mbahet nga ora 15:00 në hollin e ArTurbinës, për t’u pasuar me performancën “Bottecchia” nga aktorët e mirënjohur Ema Andrea e Rafael Hoxhaj në oborrin e ArTurbinës, të cilët do të shoqërohen nga regjisori italian Riccardo Ventrella e muzicientja shqiptare Sevasti Ndini. Në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të jEpet shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” e prodhuar nga Qendra Multimedia ngaa Prishtina.
Programi do të vazhdojë më 31 tetor tek Piramida, me ngjarjen “Konsultimet Poetike” ku publiku i gjerë do të ketë mundësinë e rrallë të ndërveprojë për së afërmi me aktorët e mirënjohur nga Shqipëria Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, të cilëve do t’u bashkohen aktorët e njohur nga Kosova Adrian Morina e Albulena Kryeziu Bokshi si dhe aktorja nga Franca Gaelle Goillou. Paneli “Teatri në Hapësirë Publike” do të vazhdojë nga ora 11:30 në hollin e ArTurbinës ndërsa më vonë nga ora 14:30 në Qendrën Kulturore “Tulla” publiku do të ketë mundësinë të shohë shfaqjen “Ndërkombëtarët” nga Greqia. Në ora 17:00 programi vazhdon me shfaqjen “Të bardhët” prodhim i Qendrës Multimedia, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për t’u përmbyllur me shfaqjen “Kamarja e Turpit” të prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës në ora 20:30 në sallën e Teatrit Kombëtar. Programi vazhdon të premten nga ora 15:00 me shfaqjen “Si mësova të vozis” nga Serbia, që do të jipet në Qendrën Kulturore “Tulla”, ndërsa nga ora 17:00 publiku do të ketë mundësi të shohë shfaqjen “Koncerti” në Teatrin Kombëtar Eksperimental, për ta përmbyllur ditën me shfaqjen “Vassa Zheleznova”, mysafire nga Teatri A.Z. Çajupi – Korçë.
Të shtunën nga ora 13:30 në Qendrën Kulturore “Tulla”, fragmente nga dramat e dramaturgëve të rinj Tobias Xhaxhiu e Ina Baqoshi nga Shqipëria, Ulpianë Maloku nga Kosova dhe Eva Kamcevska e Ana Trpenoska do të lexohen nga aktorët Eva Gjikaj, Ronaldo Kolgjokaj e Shandi Ismailaj, nën regjinë e Artemis Belulit.
Punëtoria “Post, Post Communist Baby” me dramaturgun e mirënjohur nga Anglia Mark Ravenhill do t’u ofrojë dramaturgëve nga rajoni mundësinë e rrallë për të mësuar shkrimin teatror, ndërsa punëtoria për analizë kritike me kritikët Natasha Tripney nga Anglia e Tom Mustroph nga Gjermania do të ofrojë mundësinë e cmuar për të kultivuar brezat e rinj të kritikëve të teatrit në rajon. Në total, rreth 30 pjesmarrës nga Shqipëria, Greqia, Kosova, Mali i zi, Serbia e Maqedonia e Veriut janë përzgjedhur për t’i përcjell këto punëtori.
Për gjashtë vite me radhë, kjo ngjarje e përmasave ndërkombëtare është mbajtur në Prishtinë dhe ka qenë një platformë promovuese e rrjetëzuese për skenën vendore teatrore. Këtë vit, Qendra Multimedia e ka zgjeruar këtë platformë edhe në Shqipëri, me qëllim të promovimit të skenës teatrore të Shqipërisë.
Ndër emrat që do të marrin pjesë në këtë edicion të Kosovo Albania Theatre Showcase në Tiranë janë: Marco Giorgetti, drejtor i Teatri Kombëtar të Italisë “Teatro della Pergola” nga Firenze; Julia Wissert, drejtore e Teatrit të Dortmundit; Steven Morris, autor dhe kritik i njohur amerikan, ka qenë kryesues i çmimit amerikan për letërsi, Pulitzer; Miguel Loureiro, drejtor i Teatrit të Qytetit të Lisbonës; Daniel Přibyl, drejtor i Teatrit të Qytetit të Pragës; Petra Brylander, drejtore e Teatrit të Malmos; Susanne Burkhardt, redaktore në radion publike gjermane; Jørgen Knudsen, drejtor i teatrit ‘Black Box Teater’ në Oslo; Mark Ravenhill, dramaturg anglez, njëri nga më të njohurit në Evropë; A.Karim Jawad, kritik teatri, anëtar i Këshillit Shtetëror në Oman; Roy Horovitz, regjisor izraelit, drejtor i Israeli Theatre Showcase./atsh/ KultPlus.com
Në Teatrin Skampa në Elbasan u shfaq për herë të parë vepra “Agnesa e Zotit” e dramaturgut amerikan John Pielmeier. Shfaqja, e cila u realizua nga Teatri Shëtitës “Çajupi” me regji të Kiço Londos, mori duartrokitje të shumta nga publiku i pranishëm.
Vepra, e cila trajton tema të thella si besimi dhe shkenca, u interpretua me mjeshtëri nga aktoret Laura Nezha dhe Violeta Trebicka dhe Eni Jani e cila interpretoi Martën duke mbuluar gjatë shfaqjes gjithë gamën e emocioneve nga edukatorja te antagonistja
Aktorja Violeta Trebicka e cila interpretoi në shfaqjen “Agnesa e Zotit”rolin e Nëna Eprore, shpjegon mundësitë e mrekullive duke njohur realitetet e botës së sotme.
Pas suksesit në Elbasan, “Agnesa e Zotit” do të vazhdojë rrugëtimin e saj në qytete të tjera të Shqipërisë gjatë sezonit teatror 2024-2025, duke premtuar të sjellë më shumë emocione dhe refleksione te publiku./ balkanweb/ KultPlus.com
“Kino Lumbardhi” është mbushur me artistë nga mbarë trevat shqiptare dhe të huaj.
Të pranishëm në këtë festival ishin edhe përfaqësues të institucioneve të vendit, i pari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili edhe këtë vit konfirmoi mbështetjen për “Prizren Fest”.
Në skenë ishte vendosur skenografia e cila priste aktorët mirënjohur nga Teatri Migjeni – Shkodër.
Një shfaqje që dha emocion të jashtëzakonshëm ishte shfaqja “Vizita”, me regji nga Davide lodice, regjisor i njohur italian, që bëri hapjen e edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prizren Fest”.
“Me aktorët Nikolin Ferketa, Rajmonda Markja, Pjerin Vlashi, Fritz Selmani, Rita Gjeka Kacarosi, Julinda Emiri, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Aleksander Prenga, Vladimir Doda shfaqja fliste për një ngjarje pranë një qyteti të vogël ende të përhumbur nga jehona e luftës, një prift qëllon një engjëll i cili iu afrua botës së njerëzve kushedi se për çfarë arsye. I pushtuar nga kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe nga një ndjenjë e thellë faji, prifti vendos ta bëjë këtë mirëpritje dhe kujdes për atë qenie të plagosur, të mrekullueshme dhe të paqartë; që ndien gjithçka, që di gjithçka, përveç se si të ‘jetosh’ atë botë që vetëm ëndërronte. Dhe është qasja e tij ‘anormale’ ndaj asaj gjëje të quajtur jetë qe e bën të pamundur qëndrimin e tij këtu. Në fakt, vendi nuk mund ta tolerojë vizitën e të huajit, të engjëllit dhe shpejt bëhet armiqësor ndaj tij, duke stigmatizuar deformimin e tij, diversitetin e saj. I rënduar gradualisht nga graviteti i pakuptimësisë njerëzore, i paaftë për t’u kthyer në vendin qiellor dhe i margjinalizuar në atë njerëzor, engjëlli do të gjejë lehtësim vetëm në muzikë, mrekullisht e ruajtur në një violinë dhe ‘azil’ vetëm në sytë dhe dashurinë e Delias”, thuhet në njoftim.
Më tutje në njoftim thuhet se teksti në bazën e partiturës së skenës merr frymëzim nga “Vizita e mrekullueshme” e Herbert George Wells, pararendës e vizionar i zhanreve dhe gjuhëve, por duke ndryshuar boshtin e interesit tij nga satira drejt konformizmit dhe mirëqenies viktoriane, drejt një kritike më bashkëkohore, që ka të bëjë me mënyrën se si ne i mirëpresim “ata që vijnë nga jashtë”, të huajt.
“Prizrenfest” do të vazhdojë deri më 28.07.2024 me program të pasur e me shfaqje çdo ditë.
Baleti Kombëtar i Kosovës, shfaq premierën e katërt për vitin 2024 “AEON”, me koreografi të Daniel Cardoso.
Pjesëtarët tjerë që mundësuan shfaqjen “AEON” janë: Asistente e koreografit: Inês Godinho Udhëheqëse e provave: Luljeta Ademi Kostumet: Inês Godinho & Helena Pereira Fustanet: Ines Godinho & Elva Bella
Shfaqja premierë jepet në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 27.06.2024, kurse repriza jepet më 28.06.2024/ KultPus.com
Në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një ndriçim i pazakontë u bë fjalëkalimi për një udhëtim të rrallë në kohë – “Kamarja e Turpit” e autorit Ismail Kadare u shfaq nën dritën e reflektorëve, duke përjetësuar një realitet të errët të Perandorisë Osmane. Në këtë interpretim të jashtëzakonshëm, regjisori Kushtrim Koliqi dhe dramaturgia Doruntina Basha i kishin dhënë jetë dhe ngjyrë një teme të përjetshme: pushtetit dhe formës së tij të egër për të qenë në piedestal, shkruan KultPlus.
Nisur nga një ngjarje e lashtë, ku prerja e kokës ishte dënimi për tradhti, historia e “Kamares së Turpit” shtrihet në kohën tonë duke reflektuar realitetin e sotëm. Duke filluar me ngjarjen historike dhe shtrirjen e saj në kohën e Ali Pashë Tepelenës në vitin 1822, romanin e Ismail Kadaresë e ndërtuan për skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe në këtë version të shfaqjes, prerja e kokës nuk është thjesht një akt brutal, por një akuzë për tradhti, një mjet i përdorur për të linçuar publikisht dhe për të propaganduar mes masave.
Në shfaqje paraqitet koha kur perandoria osmane ishte dobësuar dhe pak para rënies, për të mbajtur veten në piedestal, sulltani vendos që “tradhtarëve” të perandorisë t’u prehej koka dhe tu vendosej në kamare në sheshe si shenjë turpërimi për të përhapur frikë e terror edhe te kundërshtarët por edhe te populli, në rast të mosbindjes ndaj pushtetit.
Kjo formë e dënimit vazhdon të paraqitet edhe sot në kohën tonë, veçse jo me prerje kokash si dukur por me linçime dhe turpërim përmes rrjeteve sociale dhe aparateve të ndryshme të kohës, ku grupe dhe etni të ndryshme ‘kryqëzohen’ kur nuk i binden qoftë rregullave të pushtetit apo të shoqërisë.
E gjithë ngjarja që herë shkon 500 vite para, e herë zhvendoset në ditët e sotme, zhvillohet mbi një def, i cili herë paraqitet si formë propagande për të përhapur lajmet e kohës, herë si ngazëllim i personave besnik të perandorisë për aktet e dhunshme që ishin bërë të zakonshme gjoja në emër të “tradhtisë”, e herë për të paraqitur vogëlsinë e gjithë individëve të tjerë krahas pushtetit dhe njerëzve me autoritet.
Nëpërmjet rolit të Abdullahut (Adrian Morina) shpërfaqet një person i thjeshtë i cili ishte ruajtës i kokave të prera nga pushteti dhe e kishte të pamundur ikjen nga realiteti i tmerrshëm i kohës, i cili në fakt e pëson edhe më keq se vetë ata që dënoheshin me ekzekutim, pasi në personalitetin e tij kjo formë bizare e dënimit i shkatërron personalitetin e tij duke i shpërfaqur komplekse të ndryshme deri te ajo se gjatë kënaqësisë së tij seksuale ai paramendonte kokat e prera të ‘tradhtarëve’ të perandorisë.
Ky rol plotësohej tutje nga Tunxh Hatait (Armend Smajli) i cili paraqiste xhelatin, një i deleguar nga perandoria osmane në ndjekje të atyre që nuk u janë bindur pushtetit. Ai shkon deri në atë pikë sa për t’u ngritur në detyrë dhe për t’i qëndruar besnik oborrit të sulltanit, prerja e kokës i ishte bërënjë akt i rëndomtë, duke shkuar në ekstremitete duke dashuruar viktimat e tij, duke i puthur dhe duke u pirë gjakun e tyre.
Por kishte edhe të tillë që i ishin kundërvënë pushtetit duke dashur të ishte një Skënderbe i dytë. Ky ishte Ali Pashai (Mustafë Muqaj), një rebel shqiptar 80 vjeçar i cili përndiqej nga perandoria osmane. Krahas autonomisë që ai kishte fituar në raport me pushtetin e lartë perandorak, paraqitej me një dëshirë për të qenë udhëheqës i vendit i cili për t’i plotësuar nevojat e tij e kishte integruar një zakon osmanli, duke pasur në krahë një vajzë rreth 60 vite më të re. Por që në fund vritet.
Ndërsa dyshja që paraqiteshin gjithkund sëbashku, Sulltani dhe PR ekspertja (Ylber Bardhi dhe Gresa Pallaska), shpërfaqnin marrëdhënien e pushtetit dhe propagandës. Pra në kuptimin se një person me autoritet i cili udhëheq masën i duhet PR dhe propagandë për të ruajtur stabilitetin e vet. Mirëpo në kohën e rënies dhe kur nuk ka më se kujt t’i lihet faji për dështimin e një pushteti të caktuar, udhëheqësit zgjedhin të ekzekutojnë edhe personin më të afërt të tyre.
Kjo lojë për pushtet e cila zhvendoset herë në Perandorinë Osmane e herë në Shqipëri, paraqet frikë, linçime, kërcënime, likuidime, eliminime, vetëvrasje, urdhra, zbatime, e hierarki në emër të famës dhe pushtetit.
Kjo formë është evidente edhe sot në kohën tonë, kur për qëllime të ruajtjes së statusit ka eliminime apo rrënime të karrierës për mosbindje nga persona autoritarë, përmes linçimeve që u bëhen personave partiakë, apo edhe nga shoqëria ndaj njerëzve me zgjedhje të pavarura për përkatësi politike, gjinore, fetare etj.
Shfaqja u mirëprit shumë mirë nga publiku, çka e dëshmuan me duartrokitjet e tyre e këtë e kishte ndjerë edhe regjisori Kushtrim Koliqi, i cili pas përfundimit të shfaqjes në një prononcim për KultPlus, tha se ndihej i lumtur pas reagimeve që kishte marrë nga audienca për shfaqjen, por që e tërë kjo erdhi pas një pune intensive por me një energji shumë pozitive.
“Ç’është e vërteta kemi punuar shumë gjatë për këtë shfaqje. Fillimisht kemi punuar në procesin e shkrimit të dramës, pastaj kemi punuar shumë edhe për përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve qoftë kreativë, qoftë teknik si brenda dhe jashtë Kosovës. Pastaj kemi filluar procesin e provave që ka qenë një proces i gjatë, por shumë pozitiv, në aspektin e energjisë dhe në aspektin e rezultateve. Unë sa vërejta prej energjisë së audiencës, reagimi ishte shumë pozitiv, mirëpo tash duhet me i pyet edhe ata që me u tregu pak modest. Por besoj që krejt puna jonë si në aspektin estetik por edhe në aspektin e agjendës që kemi pasur në shfaqje ka komunikuar me publikun”, ka bërë të ditur regjisori Koliqi.
Më tej Koliqi tha se së bashku me regjisoren Doruntina Basha janë munduar të krijojnë një shfaqje me zhanër dhe sisteme të ndryshme me idenë për të ngacmuar audiencën qoftë duke e bërë për të qeshur, për ta relaksuar, tronditur, qajtur apo irrituar. Sipas tij, “Kamarja e Turpit” e trajton një çështje shumë specifike që i flet shumë kohës sonë.
“Në qoftë se në kohën e perandorisë Osmane i është prerë dikujt koka për t’iu vendosur në shesh të Stambollit, qoftë për t’i alarmuar kundërshtarët politikë apo kundërshtarët e perandorisë apo qoftë edhe si atraksion turistik, sot ne në baza ditore kryqëzojmë politikanë, njerëz, gra, grupe të margjinalizuara etnike, seksuale vetëm pse ne nuk pajtohemi me zgjedhjet e tyre qoftë në aspektin e mendimeve qoftë edhe në aspektin e zgjedhjeve individuale personale”, ka thënë Koliqi duke e treguar edhe mesazhin thelbësor të shfaqjes që sipas tij është pikërisht ideja se nuk duhet kryqëzuar njerëzit vetëm pse nuk kanë mendim të njejtë si ti apo zgjedhje të njëjta.
“Kjo është fatkeqësisht jo vetëm në Kosovë si vend jo shumë i zhvilluar, por edhe në vendet shumë të zhvilluara në Evropë dhe në Amerikë. Pra nxitja kryesore dhe mesazhi i shfaqjes është që në qoftëse unë nuk pajtohem me ty nuk do të thotë që duhet me të kryqëzu, qoftë në aspektin e karrierës, qoftë në aspektin ndaj bindjeve të juaja, vlerave të juaja që ti i pranon vetë”, ka përfunduar Koliqi.
Ndërsa dramaturgia Doruntina Basha po ashtu në një prononcim për KultPlus rrëfeu procesin e shkrimit deri te produkti final i cili u paraqit para publikut pak çaste më parë.
“Ideja ka qenë të nxjerrim elementin politik të veprës, për shkak se “Kamarja e Turpit” është vepër kryekëput politike e Ismail Kadaresë, trajton momentet e ndjeshme dhe të dobëta të perandorisë Osmane, pra të një pushteti që në këtë rast ishte perandoria Osmane në kohë të dobësimit dhe para fillimit të rënies. Sigurisht që kur pushteti fillon të bjerë atëherë fillojnë edhe këto tentimet për të ruajtur veten në piedestal përmes propagandës”, është shprehur dramaturgia Basha.
Punën për të shndërruar një vepër letrare në një prodhim artistik skenik, Basha e ka quajtur sfiduese sepse sipas saj vepra nuk ka një personazh kyç, sepse në momentin kur ka një personazh kyç atëherë e përcjellë fatin e atij personazhi.
“Këtu janë disa personazhe të cilat në momente të ndryshme të rrëfimit paraqiten në pjesë të ndryshme gjeografike, dhe sigurisht që kjo ka qenë sfida kryesore për shkak se një narrativë dramatike për skenë e kërkon një lloj strukture që e ndjek një linjë dhe një logjikë të personazhit dhe mandej kam vendosur që të fokusohem në këtë fragmentaritet dhe ajo me qenë edhe struktura e dramës. Do të thotë elementet fragmentare me i përdorë në dobi të dramës”, tha Basha ku tutje tregoi se si ndryshim mes veprës së Kadaresë dhe shfaqjes, ajo e kishte vendosur si shtojcë PR-Eksperten që u luajt nga Gresa Pallaska.
“Ky personazh nuk ekziston te libri “Kamarja e Turpit” mirëpo ekziston te e gjithë linja e PR në një farë forme sepse vetë libri “Kamarja e Turpit është një lloj PR, një lloj publiciteti. Kështu që nevojitej me ekzistu një lloj personazhi i cili e bartë atë linjë. Dhe prej aty edhe ka lindë PR-Ekspertja në mënyrë për të konkretizuar pak edhe veprimin propagandistik të pushtetit”, ka thënë Basha.
Ndërsa për aktorin Adrian Morina eksperienca e tij në rolin kompleks të Abdullahut e kishte bërë të përjetonte emocione të fuqishme.
“Kaluam jashtëzakonisht mirë. Gjithmonë për aktorin është gati eksperiencë e re secila shfaqje, secili rol që e bën. Për këtë proces që jashtëzakonisht ka qenë i vështirë, them se jam jashtëzakonisht i lumtur me pritjen që publiku ia bëri shfaqjes edhe me punën e madhe që e ka bërë një ekip shumë i madh i njerëzve të angazhuar rreth këtij produksioni. Jam krenar që kjo shfaqje po ndodh në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, është shprehur Morina.
Aktori i mirënjohur, më tej duke e paraqitur edhe kompleksitetin e këtij roli të cilin fillimisht kishte hezituar ta pranonte, tha se thashmë gjendej në një fazë kur nuk kërkon më të luaj role të tjera por të ketë sfida të reja për të tejkaluar kufijtë personal.
“Roli i Abdullahut është rol shumë i vështirë dhe kam hezituar fillimisht për të realizuar, për shkak se vjen dhe shpërfaqet gradualisht ashtu siç edhe e patë ju me disa komplekse, me disa gjëra që i ndodhin rrugëtimit të jetës së tij prej raporteve që i ka me rrethin, me bashkëshorten e tij, me vetveten dhe me zërat që i flasin në kokë. Regjisori Kushtrim Koliqi më ka bindur që duhet të jem pjesë e këtij projekti kjo ngase Kushtrimit i besoj pa rezervë, meqenëse kemi realizuar edhe dy- tre shfaqje të tjera shumë të mira bashkë”, përfundoi Morina.
Ju kujtojmë që reprizat e shfaqjes do të jepen edhe në datat 21, 25 dhe 26 Mars, në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ngjit në skenë një opera- balet me koreografi e skenografi të Youri Vamos. “Carmina Burana”, shfaqja me muzikë të kompozitorit gjerman Carl Off, sjell një dialog mes një burri dhe një gruaje, të tërhequr nga njëri-tjetri dhe në kërkim të vazhdueshëm. Erotizmi, dhuna, gënjeshtra do të ndiqen nga dashuria.
“Koncepti i koreografisë ndërtohet mbi poezitë, sensualitetin, dhe mistikën. Kompozitori i ka kthyer poezitë në muzikë. Kjo pjesë i bën lëvizjet e stilit modern e kontemporan pjesë të një baleti klasik, për të krijuar një narrativë në skenë dhe për të sjellë edhe marrëdhënien e një burri me një grua. Shoh që ka energji të re te balerinët ndërsa koreografia bashkon muzikën, jetën dhe kërcimin në skenë edhe përmes një loje dritash”, – tha Carlos Montalvan, Baletmaester
Solistët, Orkestra Simfonike, Trupa e Baletit, Kori i TKOB-së, Kori i Zërave të Bardhë dhe Formacioni Vokal i Forcave të Armatosura janë pjesë e shfaqjes që bën bashkë në skenë njëkohësisht mbi 200 artistë në dytë ditë.
“Një vepër e bukur se ka balet, kor, orkestër dhe vepër e madhe dhe angazhimin i gjithë artistëve dhe ka emocion të jashtëzakonshëm. risia më e bukur janë solistët e rinj dhe perfomanca do të jetë e jashtëzakonshme”, tha Adela Muccollari.
Vepra zuri fill kur kompozitori gjerman Off, nxitur nga dorëshkrim i rëndësishëm të shekullit të trembëdhjetë, të gjetur në një manastir benediktin në Bavari shkroi muzikën e njohur të “Carmina Buranës”. Në një anë thirrja “O fortuna”, ndaj perëndeshës së fatit përmes potencës muzikore e në tjetrën, elementët e koreografisë, pantomimës dhe oratorios e bëjnë veprën ndër më të veçantat./balkanweb/KultPlus.com
Të mërkurën mbrëma, në teatrin Dodona u dha premierë shfaqja “Kush m’ka faj që jam shqiptar” e autorit Enver Petrovci dhe nën regjinë e Ekrem Sopit, shkruan KultPlus.
Në shfaqjen tragjikomedi e cila u luajt nga aktorët Gyner Halili, Arbnorë Nuha, Labinot Lajçi dhe Vedat Haxhiislami shpërfaqet një realitet shqiptar, mbi atë se si shoqëria i ka trajtuar dhe trajton figurat e mëdha artistike.
Shfaqja me theks të veçantë trajton një vend me probleme të shumta i cili nuk është në gjendje të absorboj kapacitetin e personaliteteve të mëdha, të cilët kthehen në vendit e tyre për të kontribuuar dhe për të sjellë përvojën e marr nëpër botë.
Mosmirënjohja, mos respekti, ndikimi e ndërhyrja e politikës në art, mosnjohja e vlerës së mirëfilltë, janë disa aspekte të cilat u dhanë mbrëmë para publikut, i cili me shumë mprehtësi kapi pikat më pikante dhe mesazhin kryesor që përçonte shfaqja.
Pas përfundimit të shfaqjes, në një prononcim për KultPlus, regjisori Ekrem Sopi, tha se përmes kësaj shfaqje ka dashur të përcjell mesazhin se figurat e mëdha shqiptare janë ata që kanë ndikuar në ‘ngritjen’ e vendit dhe trasimin e rrugës së artistëve të rinj.
“Kjo shfaqje trajton jetën e një artisti që kthehet në Kosovë dhe mënyrën se si pritet nga shoqëria këtu, e cila përbëhet prej shumë problemeve në njëfarë mënyre dhe që nuk ka kapacitet ta absorboj një artist të madh, të cilin nuk e trajton edhe aq mirë. Por unë mendoj dhe kam dashur ta them në fund që artistët e mëdhenj duhet ta ndërtojnë këtë vend ashtu edhe siç e kanë ndërtuar. Këta artistë janë viktimë e vendit, por që vendi përfiton nga ta në një kohë tjetër, qysh edhe tash që po përfiton nga trasimi i një rruge të mirë për artistët e rinj”, ka thënë Sopi.
Ai gjithashtu tha se për të sjellë produktin final është bërë një punë e madhe, pasi vet zhanri që u paraqit mbrëmë në dukje shihet si punë e lehtë, por realisht është e kundërta.
“Publiku reagoi shumë mirë. Por, realisht publiku duhet ta sheh vetveten në skenë. Realisht duhet të punosh shumë në mënyrë shumë të hollë për tragjikomeditë ngase në shikim të parë duken shumë të lehta, por realisht janë shumë të vështira. Nuk ka më vështirë se të bësh audiencën të qeshë dhe pastaj ta bësh atë të qajë”, ka thënë po ashtu regjisori Sopi.
Ndërsa aktori Gyner Halili foli për rolin e tij siç e quajti vetë ai kompleks, atë të një personazhi yll botëror i cili kthehet për të kontribuar në vendlindjen e tij.
“Si karakter është mjaft kompleks. Sepse është një yll jo vetëm evropian por edhe botëror. Komplet projekti u dedikohet shqiptarëve, ku një artist i madh dëshiron të kthehet në vendlindje për të kontribuar dhe këtu has në të metat tona, siç është mosmirënjohja, mos respekti, pozicionet, politikat të cilat e bllokojnë me një fjalë rrjetën e tij sepse janë të instaluara rrjetet politike”, ka thënë aktori Halili.
Ai po ashtu i potencoi disa shembuj specifikë të aktorëve të mëdhenj, të cilëve nuk u është dhënë vlerësimi i duhur.
“Në këtë rast mundemi me fol si për profesorin Enver Petrovci, sikurse për Bekim Fehmiun, Faruk Begollin. Ne studentët e tyre i dimë mjaft mirë vështirësitë e tyre, i dimë shumë mirë çka nuk ka lënë politika, jo vetëm politika por njerëzit në përgjithësi. Kur themi politika, janë njerëzit tanë sepse po ata janë edhe në politikë. Në politikë kanë hyrë njerëz që nuk e kanë ditur as çka është arti, çka është aktrimi, e as humori. Ne e kemi rastin më të dhimbshëm që ka mund të ndodhë, ku me rastin e vdekjes së aktorit të madh Bekim Fehmiut nuk është mbajtur as një minutë heshtje në Kuvendin e Kosovës. Këto janë problemet e këtij karakteri. Ka qenë shumë rëndë për t’i plasuar komplet ato, mirëpo jemi munduar”, ka thënë aktori Halili.
Ai më tutje tha se reagimet e publikut përgjatë dhe në fund të shfaqjes u dhanë mesazhin se kishin arritur të përcillnin te publiku atë që kishin pretenduar.
“Në profesionalizëm na thuhet gjithmonë që ne duhet të luajmë për vete, por ajo shpjegohet më gjerësisht. Luajnë për vete që do me thënë me hy në karakter. Mirëpo lojën totale ne e bëjmë për publikun, sepse po nuk patëm publik ne nuk i hyjmë kësaj pune. Kur publiku reagon, sidomos sonte që ka duartrokitur pikërisht aty ku e kemi pritur, kjo kthehet në një motivacion të jashtëzakonshëm. Normal që një buzëqeshje e publikut një duartrokitje, reagim të jep fuqi më të madhe në skenë”, ka thënë artisti Halili.
Ndërsa Elena Sopi e cila me ëndje e kishte ndjekur shfaqjen tha se i kishte pëlqyer pa masë, sidomos tema e cila paraqiste gjendjen aktuale të shoqërisë sonë duke përfshirë edhe mentalitetin primitiv.
“Unë kalova shumë mirë dhe në fakt shfaqja i ka tejkaluar pritshmëritë e mija. Pjesa e cila më ka pëlqyer më së shumti ka qenë pjesa ku tregon imigrimin e shqiptarëve për shkak se e tregon gjendjen aktuale tonën, një lloj primitivizmi të mentalitetit tonë”, ka thënë Sopi, duke shtuar se shfaqja e veprave të tilla ndikon në kultivimin e audiencës, dhe në ngritjen e vetëdijes se vendi në të cilin kemi lindur jo rastësisht duhet të na jep vlerë.
Përfundimi i shfaqjes pasoi me biseda të këndshme në hollin e teatrit “Dodona”. /KultPlus.com
Një tekst i fuqishëm nga Stefano Massini dhe regjisorja Driada Dervishi, bëjnë bashkë 11 aktore. Drama “7 minuta” e cila trajton dinjitetin dhe të drejtat e punëtoreve, vazhdon turneun e saj dhe së shpejti do të vihet në skenën e Pallatit të Kulturës, në Ersekë.
Në këtë shfaqje do të interpretojë një trupë aktoresh të mirënjohura: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha, Rudina Dembacaj, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj, Paola Kodra, Ajlin Petrela dhe Xhoana Karaj.
Pjesa teatrale trajton historinë e një grupi punëtoresh të një biznesi tekstilesh i cili do të blihet nga një kompani shumëkombëshe. Gratë duken të lehtësuara që nuk do të ketë pushime nga puna por, në marrëveshjen e shitjes ka një pikë të veçantë. Të mbyllura në një dhomë, 11 gratë diskutojnë nëse do e pranojnë uljen prej 7 minutash të pushimit të drekës. 7 minuta fillimisht u duken pak, por debati nis e nxehet dhe çdo grua sjell në atë dhomë, gjithë jetën e saj, përpara se të japë votën./atsh/KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës po sjell shfaqjen e shumëpritur “Arrëthyesi”, si dhuratë të fundvitit për publikun.
Datat 16 dhe 17 dhjetor janë rezervuar për premierën e kësaj shfaqje e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës.
Nën koreografinë e Ilir Kernit, “Arrëthyesi”, një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, do shfaqet për herë të parë në Prishtinë.
Ky produksion i përmasave të jashtëzakonshme do të shfaqet në Sallën AMC duke filluar a ora 19:30. / KultPlus.com
Rreth komedisë më të re të Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, “Masë për masë” nga Altin Basha.
Shkruan: Blerim Valla
Komedia “Masë për masë” e Uiliam Shekspirit ndonëse e shkruar në shekullin e 17 – të, shumë bukur arrin të ndërlidhet me gjendjen aktuale të shoqërisë shqiptare – keqpërdorimin e pushtetit për interesa personale dhe për t’u hakmarrë kundërshtarëve qoftë atyre politikë apo edhe atyre në dashuri.
Është tekst politik dhe i takon teatrit politik e ndërthurur bukur me elemente të komedisë qoftë me situatat por edhe me karakteret e personazheve. Është komedi e zezë e cila, edhe pse e shkruar shume kohe më parë nga Shekspiri prapëseprapë është shumë aktuale pasi dihet vlera e veprave te Shekspirit te cilat kurdo herë që luhen zgjojnë interesim të madh tek publiku anembanë botës.
Shfaqja është komedi e zezë që trajton abuzimin nga njerëzit e pushtetshëm dhe përmban lojë fjalësh dhe ironi thërresë sikurse edhe elemente tragjike.
“Masë për masë” paraqet rrëfimin për protagonistin Dukën Vincentio (luajtur nga Xhevdet Doda) të Vjenës, që udhëheq punët e qytetit nën qeverisjen e zëvendësit të tij, Angelos (luajtur nga Besfort Berberi) i cili abuzon dhe keqpërdoron me pushtetin e dhënë nga Duka. Ai shfrytëzon fuqinë dhe pushtetin për interesa personale, për të abuzuar me femra të ndryshme që gjenden në vështirësi, pastaj për t’ju hakmarrë kundërshtarëve të tij dhe për të siguruar të mira personale. Temat kryesore të shfaqjes përfshijnë drejtësinë, moralin por edhe mëshirën në Vjenë pasi shfaqja ka të bëjë edhe me korrupsionin dhe punët e ndyra. Mirëpo si në jetë ashtu edhe në këtë shfaqje, fiton e vërteta dhe drejtësia, mirësia dhe virtyti mbizotërojnë mbi të keqen, intrigat, shpifjet, gënjeshtrat dhe lakmia për pozitë e për pushtet. Dhe shfaqja për ironi nuk ka përfundim tragjik!
Komedia “Masë për masë” kalon nëpër disa nga masat kryesore mes masave të tjera duke përfshirë: pushtetin, prostitucionin, amoralitetin, martesën, fenë, rolin e femrës në mesjetë, gjykimin dhe ndëshkimin.
Shfaqja “Masë për Masë” na sygjeron se si dhe deri në ç’masë një person mund të gjykojë një tjetër vetëm pse ka pushtet dhe është në pozitë të lartë në pushtet. Vetëm për shkak se dikush mban një pozitë të pushtetit nuk tregon se ata janë moralisht superior! Shumica e komedive të Shekspirit mbarojnë (festohen) me një martesë (ashtu si në përralla), pra kanë një fund të lumtur. Megjithatë, në këtë shfaqje martesa përdoret si dënim: Angelo detyrohet të martohet me Marianën dhe Lucio detyrohet të martohet me zonjën Overdone. Ky cinizëm me martesën si dënim është i pazakontë në një komedi! Ironikisht, në këtë shfaqje, martesa përdoret për të rregulluar dhe për të ndëshkuar sjelljen e keqe të disa personazheve. Temat kryesore të kësaj shfaqjeje janë pra ato që lidhen me fenë; moralin, virtytin, mëkatin, dënimin, vdekjen dhe shlyerjes të të keqes bërë ndaj dikujt tjetër. Karakteri kryesor i shfaqjes është murgesha Isabella, interpretuar jashtëzakonisht mirë, nga njëra prej aktoreve më të mira që ka për momentin Teatri i Gjakovës, nga aktorja Vlera Pylla, e cila në shfaqje është e obsesionuar me virtytin e dëlirësinë dhe udhëtimin e saj shpirtëror drejt së vërtetës dhe drejtësisë!
Me lojë të mirë, ndonëse në rol dytësor është dalluar edhe kësaj here, aktori fenomenal Edmond Hafizademi, por edhe aktorët e tjerë të shfaqjes. Komedia “Masë për Masë” është shfaqje që bashkoi dy teatro.
Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës dhe ai “Bekim Fehmiu” i Prizren janë bashkuar për realizimin e kësaj komedie që është edhe premiera e dytë për këtë vit e teatrit gjakovarë. Pasi në mars të këtij viti ishte dhënë premiera e parë, shfaqja “Antigonat”.
Shfaqja është bashkëprodhim mes Teatrit të Gjakovës dhe atij të Prizrenit ku interpretojnë 14 aktorë si: Vlera Pylla, Besfort Berberi , Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Altina Kusari, Edi Gjakova, pastaj Xhevdet Doda , Butrint Lumi, Edona Sopaj, Alban Çela, Alban Krasniqi, Valmira Lumi e Valmir Krasniqi.
Skenografinë e shfaqjes e punoi Petrit Bakalli, kostumografinë Iliriana Loxha, koreografinë Robert Nuha, kompozitor është Memli Kelmendi, Me regji tejet interesante dhe të guximshme të regjisorit të njohur Altin Basha, ashtu siç din vetëm ai me realizimin e shfaqjeve masive (me shume aktorë), pastaj me një koreografi mjeshtërore, skenografi statike por shume funksionale, dhe me muzikë brilante që moti nuk është përjetuar ne skenën teatrore të Gjakovës, por edhe me kostumet që përshtaten shumë bukur me situatat dhe ngjarjen e shfaqjes.
Mbase duhet cekur se Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës tashmë ka një kastë aktorësh të rinj shumë të mirë e të talentuar, të afirmuar dhe të shpërblyer nëpër shumë skena teatrore brenda dhe jashtë Kosovës, si Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Edmond Hafizademi, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Altina Kusari, Arbies Komoni, Yllka Lota etj. /KultPlus.com
Edicioni i 7-të i “MetroFest” çelet këtë fundjavë me dramën “Babai dhe babai” me skenar të Jeton Neziraj dhe regji të Kushtrim Koliqit.
Në këtë shfaqje, e cila sjell çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, interpretojnë aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi.
“Teatri Metropol ju pret këtë fundjavë, me shfaqjen “Babai dhe Babai”. Një dramë plot emocione nga Jeton Neziraj me regji të Kushtrim Koliqit”, shkruan kryebashkiaku Veliaj
Nëpërmjet historisë së Dinit, Sarës dhe Lolës, shfaqja na çon brenda jetës dhe sfidave të një familjeje të dukshme normale. Por pas kësaj dukshmërie, zbulohet një palumturi e pashpjegueshme që i ka mbërthyer ata përjetë.
“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë.
Kjo shfaqje është një thirrje për t’i mbajtur ata që i duam pranë nesh, dhe për të ndarë ngjarjet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin tonë.
Kjo është një dramë që na sjell përballë me realitetet e hidhura të jetës, vetminë dhe mërzinë, por edhe me dashurinë dhe lidhjen mes njerëzve edhe kur ata janë të plagosur. Është një reflektim për ata që duam t’i mbajmë afër, pavarësisht sfidave./ atsh / KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit është dhënë me sukses shfaqja “Callas e Onassis”, pas më shumë se 1 dekade, që skenës së TKOB-së i kishte munguar një muzikal.
“Mbrëmë, me bashkëpunimin e artistëve të Teatrit të Varnës, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOB-së, sollëm muzikalin “Callas e Onassis”, që flet për historinë e dashurisë së divës operistike, Maria Callas, dhe biliarderit të famshëm Aristotel Onassis”, shkroi në rrjetet sociale drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina.
Muzikali erdhi në Shqipëri në 100-vjetorin e lindjes së sopranos greke, Maria Callas, në kuadër të një marrëveshjeje me Teatrin e Varnës, e nënshkruar në fillim të këtij viti.
Nëpërmjet këtij memorandumi, teatrot e dy vendeve do të kenë mundësinë të shkëmbejnë mes tyre artistë e regjisorë të ndryshëm, si dhe dirigjentë të korit, të përfshirë në aktivitetet e Kalendarit Artistik 2023.
Një prej tyre ishte dhe vënia në skenën shqiptare të produksionit të përmasave të mëdha “AIDA” me regji të Franko Zeffirelli”, regjisorja Ada Gurra dhe moxosopranoja Ivana Hoxha ndihmuan në vënien në skenë edhe në Teatrin e Varnës./atsh/KultPlus.com
Vinçencoja, Anxhelo, Klaudi, Zhulieta dhe protagonistët tjerë të dramës “Masë për masë” të William Shakespeare, u jetësuan mbrëmë nga trupa teatrale e Gjakovës dhe Prizrenit, përcjell KultPlus.
Shfaqja bashkëprodhim i teatrove të dy qyteteve, “Hadi Shehu” dhe “Bekim Fehmiu” shpalosi një sinergji të jashtëzakonshme artistike, duke vënë sërish në pah potencialin e lartë të aktorëve.
Komedia erdhi nën regjinë e Altin Bashës, përderisa në të luajtën aktorët: Xhevdet Doda, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Edona Sopaj, Edonis Kastrati, Valmir Krasniqi, Alban Çela, Alban Krasniqi, Vlora Dervishi, Butrint Lumi, Valmira Hoti, Altina Kusari dhe Edi Gjakova.
Në mesin e shumë artdashësve, shfaqja u ndoq nga ministri Hajrulla Çeku, ministrja Albulena Haxhiu, deputetët Mimoza Kusari Lila, Adriana Matoshi, Agon Batusha, dhe drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri.
Mos i humbisni reprizat me 3 dhe 4 tetor, ora 20:00. / KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës ka filluar fazën e parë të projektit më ambicioz që BKK ka realizuar ndonjëherë.
Në Prishtinë do të vihet në skenë për herë të parë “Arrthyesi”, një nga shfaqjet më të famshme të repertorit botëror të baletit klasik.
Koreograf është primabalerini shqiptar me renome ndërkombëtare, Ilir Kerni (Nderi i Kombit).
Kjo vepër do të realizohet në bashkëpunim me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, dhe siç e do zakoni do të shfaqet para publikut në dhjetor, afër festave të fundvitit. / KultPlus.com
“Skena i ka dy rregulla: Gjithçka mund të ndodh dhe diçka duhet të ndodh” është një shprehje e Peter Brook, me të cilën drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës Kushtrim Sheremeti, ka të bëj me dije se TKK është në vlugun e punës sa i përketë projekteve dhe prurjeve të reja, para audiencës, për periudhën e mbetur deri në fund të vitit, shkruan KultPlus.
Për tre shfaqje, të cilat do të shfaqen premierë veçse kanë filluar provat. Në Opole të Polonisë, që nga java e kaluar kanë filluar provat për shfaqjen “The Best European Show”, si një ko-produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta, e me të cilët TKK është bërë partnerë duke qenë pjesë e European Theatre Convention.
Kjo shfaqje e cila vjen nën regjinë e Haris Pasoviç, do të ketë premierën botërore me 13 tetor në Opole, ndërsa në Kosovë do ta ketë premierën me 25 prill 2024.
Në këto prova po marrin pjesë një ekip ndërkombëtarë artistësh nga 9 shtete të ndryshme, ndër të cilët edhe aktorët tanë rezidentë, Armend Smajli, Maylindak si dhe kompozitori Trimor Dhomi.
Po ashtu, në vazhdën e punës së TKK-së, të premten kanë filluar edhe provat e shfaqjes “Ditë Vere” të Slawomir Mrozek, në të cilin luajnë një grup të përzier artistësh për nga gjeneratat përfshirë edhe ata që për herë të parë do të punojnë në TKK – Era Balaj, Andi Bajgora, e Art Pasha, përkrahë aktorëve rezidentë Ismet Azemi, Lumnije Sopi, Adhurim Demi e Veton Osmani.
Kjo shfaqje premierën do a këta më 18 tetor 2023 në njërën prej hapsirave alternative të teatrit.
Kurse dje, TKK po ashtu ka filluar provat për kryeveprën e George Orwell – 1984 – e dramatizuar dhe në regji të Igor Mendjisky, e cila premierë pritet edhe të hapë sezonin 2023/2024 në TKK nga data 30 Shtator!
Në këtë shfaqje Mendjisky së bashku me aktorët do të punojnë bashkë edhe me Imer Kutllovcin i cili kthehet si bashkëpunëtor i TKK-së pas gati 20 viteve.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka bërë të ditur se këto tre premiera janë vetëm fillimi i punës dhe bashkëpunimeve të tjera, duke theksuar se në radhe janë edhe dy premiera të tjera.
“E kjo s’është krejt për sivjet – por vetëm fillimi: na presin edhe 2 premiera tjera, organizimi i Festivalit Mbarëkombëtar MOISIU në datat 20-27 nëntor si dhe turne të shfaqjeve nëpër Kosovë, rajon e Evropë”, ka bërë të ditur drejtori Sheremeti.
Ai përmes një postimi në facebook u ka uruar artistëve punë të mbarë deri në finalizimin e projekteve në fjalë, që do të shfaqen para audiencës së TKK-së.
“Ju uroj mbarësi e suksese të gjithë artistëve që do të punojnë me zell në mënyrë që publikut të TKK-së t’i sjellim një program të pasur e me vlerë”, ka shkruar drejtori Sheremeti ne facebook/KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur- Prizren Fest, në natën e dytë të edicionit të tij, që ishte mbrëmë, brenda natës ofroj për shikuesin prizrenas katër shfaqje, gjë që nuk ishte aspak problem që secila nga to të ketë audiencën e saj.
E para ishte shfaqja “Çelësi Magjik”, e cila solli vërtetë një magji teatrore për më të vegjlit tanë.
Nata e dytë vazhdoj me shfaqjen “Aurora” nga Çekia nën regjinë dhe koreografinë e Carolina Arandia. Aurora është një pjesë vallëzimi, një përvojë hipnotike dhe medituese në të cilën dy valltarë imagjinojnë se si ritmi i tyre është i kompozuar bashkë me rendin e universit. Bëhet fjalë për një lidhje, për brishtësinë dhe fuqinë e saj, e cila na e zbulon dimensionin sublim që format e takimit të saj marrin në raport me tërësinë…
“Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj dhe në regjinë e Kushtrim Koliqit, ishte shfaqja e tretë të cilën artdashësit patën mundësinë ta shohin në kuadër të Prizren Fest-it. “Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…
E natën e mbrëmshme të Prizren Fest-it, e përmbylli shfaqja “Tatuazhi i Trendafili” e cila u dha në oborrin e Lidhjes së Prizrenit me regji nga Zana Hoxha. Shfaqja që Tennessee Williams e quajti “loja e tij e dashurisë për botën”, është një përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer. Tatuazhi i Trëndafilit ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun ndërsa i kujton atyre që të hapin zemrat dhe të gjejnë shpresën atje ku nuk e presin…
Programi i ditës së sotme i Prizren Fest-it do të vazhdoj me shfaqjen “Tomi dhe Xheri” nga ora 20:00 në Abi Çarshia, pastaj në orën 20:30 shfaqja nga Italia e cila jepet në oborrin e Lidhjes së Prizrenit, dhe e fundit për natën e tretë të festivalit, jepet shfaqja nga Mali i Zi në ora 21:30 në Kino Lumbardhi.
Prizren Fest do të vazhdoj deri me datën 28 Korrik me një program shumë të pasur. / KultPlus.com
Dje, në teatrin ‘Faruk Begolli’ u dha premierë një prej veprave më të njohura të baletit klasik, ‘la sylphide’, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje e cila për herë të parë u dha në vitin 1836, në Kopenhagen, është njëra prej veprave më të famshme të kompozitorit Hermen, u përketë veprave të cilat janë të vështira për tu realizuar si nga ana teknike ashtu edhe nga e kostumeve dhe e skenorgrafisë.
Behie Murtezi ka thënë se përgatitja për këtë shfaqje ka qenë sfidë në vete, mirëpo me punë kanë arritur t’ia dalin.
“Për kete shfaqje kemi punuar shumë gjatë dhe ka qenë një sfidë e madhe për mua puna me femijët , por ja kemi dal mirë dhe shfaqja u prit shumë mirë nga publiku”, thuhet në njoftimin e Murtezit.
Murtezi po ashtu ka bërë të ditur se ka shumë kërkesa për repriza dhe se shumë shpejtë do të vijnë me repriza të shfaqjes./KultPlus.com
Me një interpretim të jashtëzakonshëm, me lëvizje duarsh e këmbësh, e ndryshime të shpeshta në emocionet e fytyrës, gjashtë studentë nga gjenerata e re e koreografëve të Kosovës, i dhanë dritë errësirës që kishte mbuluar teatrin. Studentët arritën të fitojnë zemrat e publikut, e këtë më së miri e vërtetuan brohoritjet e duartrokitjet e panumërta të tyre, shkuan KultPlus.
Mesazhi i shfaqjes shkon edhe përtej të qeshurave të publikut që vini si pasojë e komedisë që interpretuesit e sillnin me aq mjeshtëri. “Megalomania“, ose vetëvlerësimi i tepërt, ishte thelbi i asaj që fshihej përtej sipërfaqësores. Secili nga të gjashtë studentët, prezantuan role e karaktere ndryshe prej tjetrit, por me një synim të përbashkët “etnocentrizmin”, e lartë në mendjet e tyre.
Pas përfundimit të shfaqjes nuk munguan as disa fjalë nga koreografi i kësaj shfaqje, Robert Nuha, për të cilin kjo shfaqje kishte kaluar çdo pritshmëri, përkundër kompleksitetit që di të sjell kjo punë.
“Kjo shfaqje i ka arritur pritshmëritë e mia, madje edhe i ka tejkaluar duke qenë se kompleksiteti që sjell para publikut ky lloj i shfaqjeve që është Dance Theatre, është shumë komplekse, dhe di të jetë shumë sfiduese dhe shumë sfilitëse për interpretuesit”, u shpreh Nuha i cili tutje tregoi se tema e shfaqjes është shumë globale, është shumë aktuale, është ‘Megalomania’ ose jetesa me madhështinë e rrejshme, ose jetesa për hir të falsiteteve, për hir të një jete megalomane e cila, shpeshherë di të jetë edhe e rrezikshme.”
Diçka që të tërheqtë vëmendjen ishin edhe balonat e shpërndarë kudo, e për të cilin, koreografi, Rober Nuha, dha një shpjegim:
“Baloni është objekti, rekuizita dhe gjithçka rreth së cilën ndërtohet krejt shfaqja. Më shumë ka të bëjë me “fryerjen” ku nga përjashta duket e përmbushur, ndërsa përbrenda është bosh. E kjo lidhet edhe me realitetin, ku shpeshherë fjalët i merr era, ndërsa ato që mbesin janë veprat”, përfundoi Nuha.
Pas shfaqjes, e cila shënoi edhe diplomimin e saj, për KultPlus foli Genta Hoxha, e cila ndau emocionet që përjetoi gjatë shfaqjes.
“Kjo shfaqje ka qenë me emocione të mëdha dhe me ushtrime shumë të gjata, deri në tetë orë në ditë. Është shfaqje e cila prek njerëzit që janë bërë të varur nga Instagrami, Facebook-u, përgjithësisht nga telefoni. Kjo është arsyeja se pse kemi përzgjedh për temë të diplomës, pikërisht këtë problem shoqëror”, tha Hoxha e cila më tutje theksoi se kanë punuar për një muaj e gjysmë rresht, duke nisur me prova të lehta, për të ardhur në përfundim, me dalje në skenë.
Për fund, i përfshirë nga emocionet e shumta, foli edhe i diplomuari tjetër, Ibrahim Tusha i cili u shpreh i lumtur për punën e realizuar.
“Po ndihem shumë i qetë dhe i lumtur që kam arritur të mbërrijë në një pikë të fuqishme, në një premierë kaq të vlefshme, e cila ia ka vlejtur për këto 4 vite rresht. Bashkëpunimi me koleg ka qenë shumë i mirë dhe produktiv, përkundër faktit se shfaqja ka qenë e rëndë”, u shpreh Ibrahim Tusha për KultPlus.
Ndërkaq, i’u kujtojmë që balerinët pjesëmarrës ishin Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Qendrim Makolli, Medina Koliqi, Genta Hoxha, Ibrahim Tusha, të cilët njëherit edhe u diplomuan mbrëmë në degën e koreografisë, në kuadër të AAB-së. / KultPlus.com
Nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në ora 20:00 do të jepet shfaqja ‘Pesë llojet e heshtjes’, nga Teatri Kombëtar Slloven ‘Nova Gorica’, shkruan KultPlus.
Rreth shfaqjes:
Vrasja e babait shkakton një hetim policor, një vlerësim psikiatrik dhe përgatitjen e mbrojtjes për gjyq. Nga krimi deri te dënimi, historia tronditëse e familjes shpaloset përmes fragmenteve dhe njëkohësisht pamëshirshmërisë së sistemit shoqëror e juridik që mundëson dhunën. Babai Billy, nëna Mary dhe motrat e rritura Susan dhe Xhenet jetuan për tre dekada të mbyllura në një cikël familjar të marrëdhënieve abuzive. Nëpërmjet kujtimeve dhe përshkrimeve të situatave dhe ndjenjave, përpilohet një histori abuzimi të rëndë fizik dhe psikologjik, i ndodhur në heshtje për shumë vite: heshtja e katër anëtarëve të familjes dhe heshtja e botës jashtë tyre./KultPlus.com
Shfaqja “Burrnesha” e prodhuar nga Qendra Multimedia do të jetë pjesë e edicionit të gjashtë të festivalit të teatrit “Polis” i cili mbahet në Ravenna të Italisë ndërmjet datave 2-7 qershor, 2023.
Edicioni i sivjetëm i festivalit “POLIS”, i programuar mbi temën “Ballkani në fokus” dhe mbi idenë e artistit të njohur gjerman Ulay “Estetika pa etikë është thjesht kozmetikë”, synon të eksplorojë prodhimet më të fundit dhe provokative teatrore, me fokus në ato të Evropës Juglindore.
Ndër artistët që do të marrin pjesë në “POLIS 2023” janë Oliver Frljić, Branko Simić, Gemma Hansson Carbone, kolektivi francez Zone Poéme si dhe Žiga Divjak. / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë ka ofruar në 3 muajt e parë të vitit 55 shfaqje teatrale.
Shifrat bëhen të ditura nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se, “15 shfaqje janë në janar, 19 në shkurt dhe 21 shfaqje teatrale në mars”.
Gjithashtu ministrja ka bërë të ditur dhe numrin e spektatorëve gjatë këtyre tre muajve në këto shfaqje.
Në janar këto shfaqje u panë nga 1454 spektatorë, në shkurt nga 1626 spektatorë dhe në mars nga 2166 spektatorë. Në total në tre muajt e parë të vitit 5246 spektatorë shijuan shfaqjet teatrale nga trupat e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Këto shfaqje u interpretuan në kopshte, teatër, pallat kulture dhe në Durrës.
Në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, të vegjlit e talentuar mësojnë edhe instrumente të ndryshme muzikore. Gjithashtu u bë një kohë e gjatë ku në këtë Qendër fëmijëve u mësohet aktrimi, piktura dhe skulptura.
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, merret me zhvillimin e talenteve të fëmijëve të ciklit 9-vjeçar, synon që edhe në vitin pasardhës të realizojë shumë projekte të tjera si shfaqje të ndryshme për fëmijë, ekspozita me piktura e skulptura, etj./atsh/KultPlus.com