Me një shfaqje të jashtëzakonshme nga Kroacia, nisi mbrëmë Prishtina International Theater Festival

Mbrëmë, filloj edicioni i shtatë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vendin tonë, “Prishtina International Theater Festival – PITF”, i cili hapi siparin e tij në skenën teatrore të kolegjit AAB. Ceremonia e hapjes solemne filloj me një falënderim drejtuar të gjithë pjesëmarrësve, të ftuarve, dhe me një falënderim të veçantë ndaj kontribuuesve, aktorëve dhe të gjithë atyre që e mundësuan mbajtjen e këtij edicioni. Festivali këtë vit po mbahet në nderim të regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha, shkruan KultPlus.

Në prezantimin hapës të ceremonisë solemne morën pjesë drejtoresha e festivalit, Dorentina Alshiqi dhe Ilir Bytyqi. Fillimisht fjalën e mori Ilir Bytyqi ku pasi bëri një falënderim ndaj të gjithë pjesëmarrësve, ndër të tjera tha: ”Ky festival është i vetmi i këtij lloji në të gjithë Kosovën dhe i ka kaluar të gjitha pritëshmëritë“.

Drejtoresha e festivalit, Dorentina Alshiqi, në fjalimin e saj tregoi se shfaqja i është dedikuar regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha për kontributin e saj në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin “Faruk Begolli”. Në fund të fjalimit, ajo e shpalli të hapur festivalin i cili pritet të dhurojë një mori shfaqjesh përgjatë një jave.

Mbrëmja filloj me shfaqjen e titulluar “Rusalka” me regjinë nga Ivica Simic nga Mala Scena Theater nga Kroacia.

 Kjo shfaqje bazohej në eksperiencën e vetë aktores gjatë studimeve të saj, presionit psikologjik, presionit në përgjithësi dhe jetës aktuale.

Temë kryesore ishte dedikimi ndaj vetvetes, i vetëbesimit, kurajos dhe guximit për të arritur atë që e synojmë.

Njëra nga aktoret e shfaqjes “Rusalka”, Buga Simic, pas shfaqjes teatrale, në një intervistë për KultPlus u shpreh tejet e emocionuar për pjesëmarrjen e saj në këtë festival. Ajo ndihej e privilegjuar që do të jetë në konkurrencë me shfaqje dhe aktorë profesionistë nga vende të ndryshme.

“Është hera e parë që jam këtu në Kosovë. Shoqëria kosovare është shumë mikpritëse, e admiroj shumë artin kosovar.  Ajo çka kam dashur të paraqes është një autobiografi si shkak i eksperiencave të mia në studime në përgjithësi. Besoj se mesazhi i shfaqjes është përçuar”, u shpreh aktorja.

Në programin e sivjetëm të festivalit i cili nisi mbrëmë dhe zgjatë deri më 28 Maj, do të mund të ndiqni 7 shfaqje në konkurrencë për çmimet si: aktori-aktorja më e mirë në rolin kryesor, aktori-aktorja më e mirë në rolin dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe çmimi për shfaqjen më të mirë.

Për ndarjen e çmimeve vlerësimet  do t’i japin tri juri: juria qendrore profesionale e festivalit që përbëhet nga: Ibrahim Berisha – shkrimtar dhe publicist, Bislim Muçaj aktor, Ziad Meric – producent. Poashtu edhe dy juri të tjera ajo e medias dhe juria e studentëve nga Universiteti AAB dhe UP që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin shfaqja më e mirë

Në netët në vijim do të kemi shfaqje të tjera si: “Boxes”, “Now you see her”, “ Club Albania”, “Lungs”, “Fireworks -Sparks of life” dhe “Arbri”.  /KultPlus.com

Filmat e Tarantinos po kthehen në shfaqje teatrale

Adhuruesit e Tarantinos mund të shohin disa prej filmave të tij ikonik të shëndrruar në shfaqje nga kompania “Tarantino Live: Fox Force Five & The Tyranny of Evil Men”, transmeton KultPlus.

Ky teatër ofron një përvojë hibride ku teatri ndërthuret me botën kinematografike të Tarantinos.

Kjo përvojë ëshhtë përshkruar si ‘një kabare postmoderne” me shfaqje prej 90 minutash të cilat sjellin skena nga “Pulp Fiction,” “Kill Bill,” “Reservoir Dogs,” “Inglourious Basterds,” “Jackie Brown,” dhe “The Hateful Eight.”

Historia e pikturës më të shitur në botë, shndërrohet në shfaqje teatrore

Një tregim i ri i dramës dhe misterit që rrethon pikturën më të shtrenjtë në botë është vendosur të shfaqet në New Yourk në vitin 2022, si një nga shfaqjet muzikore të Broadway.

“Salvator Mundi!”, titullohet shfaqja që do të realizohet nga kompania “Caiola Productions”, fituese e çmimit “Tony Award”. Kjo shfaqje do bëjë kronikën e portretit të Jezusit të periudhës së Renesancës, që është realizuar nga Leonardo da Vinçi.

Vepra konsiderohej e humbur për qindra vite dhe u rizbulua gjatë këtij shekulli, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Skenaristja e “Salvator Mundi!”, Deborah Grace Winer, beson se vepra e Da Vinçit i ka të gjithë përbërësit e nevojshëm për të bërë një narrativë historike për skenën.

“Ka një cilësi epike në lidhje me këtë histori për të cilën unë mendoj se shkon shumë mirë me muzikalet. Është pothuajse Sheksperiane, me përzierje të elementeve të operës”, ka thënë ajo përmes telefonit nga Manhattan.

Piktura ishte realizuar me kërkesë të Louisit të XII të Francës rreth vitit 1500, por pasi u dëmtua dhe u mbulua me ngjyrë të errët, besohej që me shekuj që është një kopje nga një artist më pak i njohur. Në vitin 2005 piktura u shit në një ankand si kopje e origjinalit, për më pak se 10,000 dollarë një shoqërie që bënte tregti me artin. Teknologjia me rreze infra të kuqe, që më herët ka zbuluar ripërpunime të dorës së Jezusit, sinjalizoi që ka shumë të ngjarë që vepra është realizuar nga vetë Da Vinçi.

 Piktura pati një ekspozitë të madhe në Galerinë Kombëtare në Londër në 2011, dhe çmimi i saj u rrit shumë. Piktura “Salvador Mundi!” qarkulloj mes koleksionistëve privatë deri në vitin 2017, ku u shti në ankand për 450.3 milion dollarë. / KultPlus.com