Qendra Multimedia & Katharina Maschenka Horn javën tjetër do të prezantojnë shfaqjen “Jam burr’!?” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje trajton temën se si është të jesh burrë në Ballkan. Katharina Maschenka Horn dhe performuesit merren me realitetin dhe klishetë e të qenurit “burrë i vërtetë”, ose “tamam burrë”.
Një kosovar, një bosnjë-hercegovinas dhe një kroat bëhen bashkë në skenë. Edhe pse kanë nacionalitetet të ndryshme, ata janë bërë bashkë për të shqyrtuar e diskutuar nëse është vërtetë e nevojshme për një burrë që ta ‘bindë’ veten për dhunë e agresivitet, apo burrat munden të shihen edhe si viktima të shoqërisë.
Performuesit e kësaj shfaqje janë Robert Nuha nga Kosova, Nemanja Mutić nga Bosne-Herzegovina, Jan Novosel nga Kroacia dhe Katharina Maschenka Horn nga Gjermania.
Kjo shfaqje do të prezantohet për publikun më 27 Nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa do të jepet edhe për publikun e Ferizajt më 29 Nëntor në teatrin “Adriana”, më pas më 30 Nëntor në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë dhe me 2 dhjetor në Kino Kultura në Shkup. / KultPlus.com