Programi i edicionit të 52-të të Festivalit Teatror të Ferizajt

Festivali Teatrove Ferizaj ka prezantuar programin për edicionin e 52-të, shkruan KultPlus.

Ky festival do të fillojë me shfaqjen “Memorandumi” nga Teatri Adriana, shfaqje e cila është nga Vaclav Havel me regji të Agon Myftarit.

Ndërkaq, shfaqja “Koleksionisti i Syve” nga Teatri Kombëtar i Kosovës do ta bëjë edhe mbylljen e këtij festivali.

Gjeni më poshtë edhe programin e plotë:

FTF, i cili më herët kishte ndryshuar datat, tani do të mbahet nga 1 tetori deri më 7 tetor. /KultPlus.com

Fati i një femre, palca kryesore në dramën “Erveheja” erdhi mbrëmë premierë në TKK

Qëndrim Morina

Përmes tre komponentëve të rëndësishëm: aktrim, balet dhe këngë, erdhi mbrëmë premierë drama “Erveheja” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me autor Ahmet Qirezin dhe regji të Drita Begollit, shkruan KultPlus.

“Erveheja” është vepër, rrëfimi i së cilës daton qysh në periudhën e gjysmës së shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, kur Muhamet Çami – Kyçykun e dërgoi Ali Pashë Tepelena në studime në Kairo. Ai prej atje e mori rrëfimin dhe pastaj e vjershëroi.

Në vitin 1888 Jani Vreto, faktikisht nuk e inskenoi, por ia heqi barbarizmat dhe e solli në gjuhën shqipe të pastër. Ndërsa në vitin 1966, këtë vepër e dramatizoi Ahmet Qirezi dhe në vitin 1967 u luajtë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në atë kohë, për Teatrin Kombëtar të Kosovës ishte një ngjarje historike dhe pastaj kaloi një kohë e gjatë kur askush nuk e solli në skenë dhe tash regjisorja Drita Begolli arriti që dashurinë, migrimin, besnikërinë, përmes kësaj drame ta sjellë përsëri në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Pra, lajtmotivet dhe motivet e kësaj drame ndërtohen mbi bukurinë, dashurinë dhe besnikërinë e personifikuar në personin, luftën jetësore dhe fatin e një gruaje. Drama karakterizohet me dinamikën e ngjarjeve të përshtatura për skenë duke qenë se autori ishte edhe aktor, si dhe me emërtimin e personazheve sipas funksionit.


“Erveheja” arriti të mbledhë shumë njerëz në Teatrin Kombëtar, të cilët ishin shumë të interesuar dhe të kënaqur me shfaqjen e aktorëve.
Mes dashurisë, sakrificës dhe përkushtimit, në palcën e saj, kjo dramë përmban fatin e një femre

Regjisorja Drita Begolli ishte shumë e kënaqur me interesimin e publikut për ta parë shfaqjen dhe tha se që përmes kësaj drame ka dashur ta sjellë një emocion dhe t’i tregojë audiencës së kjo dramë nuk e ka humbur peshën e saj.

“Duke njohur krijimtarinë time si regjisore, ku protagoniste janë femrat, kam dashur ta sjellë këtë dramë për të përshkruar një emocion për gjeneratat e reja dhe me pa se si kjo vepër nuk e ka humbur peshën, sepse këtu trajtohen një mori temash”, tha ajo.
Tutje Begolli tha se fillimisht këtë dramë ka dashur ta sjellë si ”muzikal”, por për shkak të rrethanave financiare nuk ka mundur.

Shfaqja u mbyll nën tingujt e muzikës së Bashkim Shehut, vepra e të cilit nuk shfaqet në Kosovë që një kohë të gjatë.

Të gjitha mjetet e grumbulluara kanë shkuar për donacion./KultPlus.com

Godina e Teatrit Kombëtar në grahmat e fundit, shikoni çarjet që kanë pësuar muret (VIDEO)

Godina aktuale e Teatrit Kombëtar është në grahmat e fundit dhe rrezikon realisht jetën e artistëve që japin shfaqje aty, por edhe të publikut artdashës.

Prova më e qartë e saj janë këto pamje të siguruara nga redaksia ku shihet se muret e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, nga krahu i godinës ku dikur ka qenë ish-Ministria e Zhvillimit Urban dhe sot ndodhet Kontrolli i Lartë i Shtetit, po shkatërrohen e po bien copa-copa.

Kjo anë e godinës nuk është vënë re më pare sepse ka qenë e rrethuar për shkak të punimeve që po kryheshin deri para disa ditësh, për restaurimin dhe rikonstruksionin e ndërtesës së ish ministrisë së Zhvillimit Urban.

Gjendja e godinës së Teatrit Kombëtar bëhet edhe më alarmante, për shkak se çarja e mureve ka nxjerrë në pah edhe materialet me të cilat është ndërtuar ajo që në kohën e italianëve. Duket qartë se ajo nuk ofron më asnjë kusht sigurie, ndërsa shenjat e lagështirës janë kudo.

Ekspertët dhe arkitektët kanë kohë që japin alarmin për këtë godinë, e cila nuk ofron më asnjë kusht sigurie dhe prova për të gjithë janë këto foto dhe video e xhiruar sot në mëngjes.

Godina e Teatrit Kombëtar u ngrit përkohësisht nga italianët dhe jo për të shërbyer si teatër. Për ndërtimin e saj janë përdorur materiale me kosto të ulët, si popullit, tallash e alga deti, ç’ka shihet qartë edhe në video. Materialet e përdorura për ndërtimin e godinës janë një përzierje substancash vegjetale (të tallashit të drurit të plepit, produkt skarco i fabrikës së shkrepëseve dhe alga deti) të mbrojtur me çimento./KultPlus.com

Ujërat e zeza ndërprejnë shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Që nga dje repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës është ndërprerë, shkruan KultPlus.

Krejt kjo ka ardhë si pasojë e ujërave të zeza që kanë kapluar këtë institucion, për të cilën arsye para pak ditësh edhe vetë ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, doli në inspektim të këtij institucioni. Edhe pse, premtimet që do të rregullohet shumë shpejt gjithçka u dhanë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe si pasojë e kësaj puna është ndërprerë.

“Njoftim
Ju njoftojmë së repertori i TKK-së ndërprehet përkohësisht për një afat të pacaktuar prej datës 10 prill 2018, për shkak të ujërave të zeza të shkaktuara në objektin e Teatrit (deri në dezinfektimin e hapësirës së TKK-së).
Për çdo eventualitet ju njoftojmë”, thuhet në një njoftim në rrjetin social Facebook, nga drejtuesit e Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Pesë shfaqje nga trojet shqiptare në edicionin e parë të ‘Othello’ (FOTO)

Na data 9 e deri më 13 nëntor në Gostivar do të mbahet edicioni i parë i festivalit të teatrove ‘Othello’, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili organizohet nga Argjend Hasani dhe Berat Saliu, do të sjellë gjithsej pesë shfaqje nga trojet shqiptare.

Nata e parë sjellë shfaqjen nga Durrësi “Një jetë me ty” nё regji tё Erion Kames, nata e dytë sjellë shfaqjen nga Teatri i Ferizajt “Psikozё n’4:48” me regji të Fatos Berishës, në natën e tretë vjen shfaqja nga Teatri Kombëtar në Shkup “Darka e thërrimeve” nё regji tё Qёndrim Rijanit, nata e katërt paraqet nga Prishtina- Art Polis shfaqjen “Copё copё” nё regji tё Zana Hoxha Krasniqit ndërsa në natën e pestë dhe të fundit të këtij edicioni të ‘Othello’ ngjitet në skenë shfaqja nga Teatri i Kumanovës , “Mёsimi” me regji tё Ilirjan Himajt.

‘Othello’ organizohet nga Shoqata Kultore Fishta dhe ne bashkepunim me Qendren per Kulture, Komunen e Gostivarit dhe Ministrine e Kultures, njofton Flaka./ KultPlus.com