Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sëmundja Covid-19 në mbarë botën të shtunën shkoi në mbi 3 milionë, pavarësisht fillimit të fushatës së vaksinimit në shumë vende muaj më parë.
Këto të dhëna janë të bazuara në bazën e të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara. Shifra e të vdekurve është sa numri i banorëve të kryeqytetit spanjoll, Madrid, shkruan Independent, transmeton KultPlus.
Sidoqoftë, shifra e vërtetë e viktimave besohet të jetë dukshëm më e lartë, sepse shumë raste mund të mos jenë regjistruar zyrtarisht në fazën e hershme të pandemisë së koronavirusit që fillimisht rrodhi nga Kina në fund të vitit 2019.
Shifra prej dy milionë të vdekurisht u arrit në janar të këtij viti, kur fushata e vaksinimit sapo kishte filluar në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Sot, vaksinimi ka nisur në më shumë se 190 shtete, ndonëse progresi për ta vënë nën kontroll dallon në pjesë të ndryshme të botës.
Përderisa vaksinimi në ShBA dhe në Britani ka filluar të ketë efekt dhe disa njerëz po kanë mundësi ta shijojnë jetën pas pandemisë, vendet tjera kanë mbetur prapa dhe po detyrohen të marrin masa të reja izolimi.
Shtetet si Brazili, India dhe Franca kanë marrë masa të reja kufizuese në kohën kur numri i pacientëve nëpër spitale po rritet përsëri nga e ashtuquajtura “valë e tretë” e pandemisë. / KultPlus.com