Shishtaveci, 30 km larg Kukësit është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet më të preferuara të turizmit malor.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Shishtaveci duke ftuar turistët ta vizitojnë atë, sidomos në stinën e dimrit kur mbulohet edhe nga dëbora.
Kumbaro e cilësoi Shishtavecin, pjesë e Parkut Korab-Koritnik me peizazhet e veçanta dhe monumentet e natyrës që nga pyjet me Mështekna, Guri i Mëngjesit, Liqeni Novosejit, Mali i Kallabakut apo Bjeshkët e Shishtavecit si një prej xhevahirëve të veriut.
Fshati Shishtavec ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në lartësinë 1260 m mbi nivelin e detit. Ai shtrihet buzë një kodre pothuajse shkëmbore, në lartësinë e së cilës ndodhet Kamenica me 1330 m lartësi.
Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Po ashtu Bjeshkët e Shishtavecit dhe të Kallabakut, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e udhëtimeve dhe ekskursioneve./ atsh / KultPlus.com