Librashitësit ambulantë të librit në dy sheshet e kryeqytetit, të mërkurën, janë siguruar që nuk do ta kalojnë dimrin në kushtet e rënda me të cilat janë përballur në 17 vjetët e pasluftës.
Ata i kanë marrë çelësat e kioskave të vendosura në sheshin “Zahir Pajaziti” e atë “Nënë Tereza”, me shpalljen e rezultateve të thirrjes për aplikim për marrjen e tyre në shfrytëzim, që ishte bërë publike në korrik të këtij viti.
Tetë kioskat prej tri metrash katrorë – të vendosura qysh në prill të këtij viti – me vendim të komisionit të Komunës së Prishtinës u janë ndarë librashitësve ambulantë. Në përgjithësi, thirrjes publike i ishin përgjigjur 18 aplikues, prej të cilëve 11 individualë dhe 7 shtëpi botuese. Sipas thirrjes publike, ata që synonin të zinin vend në “Këndet e librave” ishte dashur të dërgonin dëshmi se kanë shitur libra në sheshet e kryeqytetit së paku në tre vjetët e fundit. Ndërsa shtëpitë botuese kishin kritere të tjera, në mesin e të cilave edhe atë për kryerjen e obligimeve tatimore, arka fiskale dhe numri i titujve të botuar në tre vjetët e fundit.
Komisioni pesë anëtarësh, i udhëhequr nga Genc Bashota, drejtor i Drejtorisë për planifikim strategjik dhe zhvillim të qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, ka bërë vlerësimin dhe ua ka dhënë në shfrytëzim kioskat e librit nëntë librashitësve ambulantë. Dy prej tyre janë pajtuar ta ndajnë të njëjtën kioskë.
Çmimi i kioskave aktuale të “Këndit të librave” ishte përllogaritur të jetë 5 mijë e 700 euro./ KultPlus.com