Shkëlzen Doli nderohet me titullin e lartë austriak

Violinisti virtuoz Shkëlzen Doli, është nderuar nga presidenti austriak Alexander Van der Bellen me “Dekoratë nderi për merita në shërbim të Republikës së Austrisë”.

Ky titull i lartë i është dhënë violinistit shqiptar në Kancelarinë Presidenciale Hofburg të Vjenës.

“Ndjehem i privilegjuar dhe shumë mirënjohës”, ka shkruar Shkëlzen Doli në profilin e tij në rrjetet sociale.

Shkëlzen Doli është violinist shqiptar që jeton dhe punon në Vjenë. Prej vitit 2006 është anëtar i Operës Shtetërore të Vjenës ndërsa nga viti 2009 është anëtar i Filarmonisë së Vjenës.

Në vitin 2017, ai solli në Tiranë, 36 artistë nga Austria, për të performuar në kryeqytetin shqiptar, pjesët më të famshme të repertorit të koncertit të famshëm vjenez. Orkestra luajti më shumë se 2 orë valset e familjes Shtraus dhe të kompozitorëve të tjerë botërorë, të cilat u gërshetuan edhe me pjesë shqiptare si “Baresha”./ atsh/ KultPlus.com

Violinisti Shkëlzen Doli me koncert madhështor në Seul të Koresë së Jugut

Shkëlzen Doli është ngjitur së fundmi në skenën e njërës prej sallave më të njohura në Seul, në kryeqytetin e Koresë së Jugut.

Violinisti i njohur me famë botërore, me origjinë nga Kosova, ka përfaqësuar Austrinë si udhëheqës i trupës artistike, në Festimin Jubilar të 130 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në mes të Austrisë dhe Koresë së Jugut në Seul.

“Bashkë me ansamblin tim “Philharmonic Ensamble” si përfaqësues të Austrisë dhe për nder të festës së 130-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Austri – Kore e Jugut, kemi mbajtur një koncert në sallën e njohur “Seul Art Center”, thotë Shkëlzen Doli për albinfo.at nga Seuli.

Ai ka thënë se ishte një mikpritje madhështore nga publiku korean, ndërkohë ka shtuar se në këtë koncert si mysafirë nuk kanë munguar edhe figurat e njohura diplomatike, në krye me Ban Ki-moon, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB)-së.

Shkëlzeni ndërkohë prej shumë vitesh është zhvendosur në Austri, ku edhe po vazhdon karrierën e tij të bujshme.

Përkundër kësaj, ai mban një vend të veçantë për muzikën shqiptare.

Violinisti i njohur, Shkëlzen Doli ngriti në këmbë publikun në Seul të Koresë së Jugut. / KultPlus.com

Sot është Dita Ndërkombëtare e Violinës, risjellim tingujt e Bareshës nga Shkëlzen Doli

Kur nëpër botë sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Violinës, KultPlus ka vendosur nga të gjitha veprat shqiptare të përzgjedh njërën.

Kënga e cila është kthyer në vulë identitare dhe burim shpirtëror të popullit tonë, “Baresha” e bilbilit kosovar Nexhmije Pagarusha ka ardhur në versione të ndryshme. Në mesin e shumë interpretuesve, ne po e veçojmë performancën e Shkëlzen Dolit me violinën e tij, i cili ndjell emocione te dëgjuesit.

Eleganca e interpretimit dhe bukuria e këtij kompozimi ia shtojnë vlerën punës së Dolit.

Kjo performancë është realizuar vite më parë nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Violinisti i njohur Shkëlzen Doli do të interpretojë himnin në ndeshjen Kosovë – Angli

16 nëntor, 2019 – Ndeshja e nesërme Kosovë – Angli ka tërhequr vëmendjen e madhe jo vetëm të opinionit në Kosovë, por edhe atij botëror.

“Mikëpritja e jashtëzakonshme e popullit të Kosovës ndaj tifozëve të shumtë anglezë, por edhe flamujt dhe pankartat për mirëseardhjen e “Tre Luanëve” kanë bërë që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes nga media britanike. Ndërkohë, organizimi i ndeshjes është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa me praninë e tij këtë ngjarje do ta nderojë edhe violinisti i njohur shqiptar, Shkëlzen Doli. Ai do të bëjë interpretimin e himnit të Kosovës , gjë e cila pa dyshim do të jetë emocionuese”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, transmeton KultPlus.com


Shkëlzen Doli është anëtar i Filharmonisë së Vjenës dhe Operës shtetërore të Austrisë. Ai ka ndjekur me sukses karrierën e një muzikanti klasik duke ruajtur lidhjet e tij të forta me muzikën autoktone shqiptare, me të cilën ai është rritur dhe edukuar.

“Shkëlzen Doli ka lindur në Elbasan dhe është rritur në Gjakovë.  Përveç shfaqjeve të shumta si solist, Shkëlzen Doli ka performuar edhe me ansamble të njohura të Filharmonisë së Vjenës si: “Wiener Virtuosen”, “Toyota Master Players”, “The Philharmonics” për muzikën bashkëkohore, “Ensemble Wiener Collage”etj. Përveç Evropës, Shkëlzen Doli ka performuar në Amerikën e veriut dhe në atë të jugut, Rusi, Afrikë, Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indi, Kinë, Taiwan, Kore të jugut, Japoni etj” thuhet më tutje në njoftimin e FFK-së. /KultPlus.com

Alkent Pozhegu realizon mozaik me fara me portretet e Dua Lipës e Shkëlzen Dolit (FOTO)

Rekordi për Mozaikun më të madh me fara tashmë i takon artistit Alkent Pozhegu. Ishte mozaiku i tij me fara me portretin e Rita Orës që bëri që Pozhegu të futet në Librin e Rekordeve Guinness, shkruan KultPlus.

Mozaiku i cili shfaq imazhin e Rita Orës është 300 m² dhe është arritur duke përdorur misër, grurë, farë luledielli dhe fasule.



Për Alkent Pozhegun, ky ishte rekordi i dytë në Guinnes pas atij në vitin 2014 ku ai punoj një tjetër mozaik nga drithërat. Ky mozaik sportiv kishte dimensionet 20×25 m, me një hapësire 500 metra katrorë. Për këtë punim ai ka përdorur 2500 kilogramë drithëra për të krijuar emrat e dy futbollistëve – Messi dhe Ronaldo. Në mozaik janë edhe simbolet e klubeve Real Madrid dhe Barcelona.

Por Alkenti nuk e ka ndërmend të ndalet. Ai tashmë ka realizuar portretet e dy figurave të shquara të muzikës shqiptare. Atë të Dua Lipës dhe Shkëlzen Dolit.

Materiali me të cilin janë punuar këto portrete janë: fasule, farë luledielli, grurë dhe oriz, por si duket këto portrete janë realizuar në dimensione më të vogla dhe pa pretendimin që të thyejnë ndonjë rekord. /KultPlus.com

Shkëlzen Doli e Flaka Goranci me koncert mbresëlënës në Vjenë

Një mbrëmje mbresëlënëse artistike është mbajtur të premten në kishën katolike shqiptare para komunitetit shqiptarë dhe austriak në Vjenë të Austrisë.

Nën tingujt e violinistit të mirënjohur Shkëlzen Dolit dhe mezosopranos Flaka Gorancit, në Vjenë të Austrisë filloi kremtimi i 25 vjetorit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptarë në Austri.

Dy artistët tanë të udhëhequr nga dirigjenti Michael Maciaszczyk dhe orkestra e Dhomës (Das Österreichische Kammerorcheste) për rreth dy orë para publiku shqiptar dhe austriak, dhuruan një koncert të paharrueshëm të muzikës klasike duke interpretuar vepra të njohura të kompozitorëve me famë botërore e deri të veprat e pavdekshme shqiptare si: Baresha e kompozime tjera shqiptare.

Të pranishëm ishin: Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në qeverinë e Kosovës, Anton Berishaj, Ambasadori i Shqipërisë, Roland Bimo, ai i Kosovës, Sami Ukelli, ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, krerë të kishës katolike në Austri, si dhe miq dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme austriake dhe shqiptare.

Ky jubile do të zgjasë tre ditë dhe është organizuar nga famullitari i kishës katolike shqiptare në Austri, Don Nikson Shabani në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri.

“Misioni është themeluar në vitin 1993. Komuniteti shqiptarë katolikë numëron mbi 1300 familje me mbi 6 mijë besimtarë”, theksoi Don Niksoni para të pranishmeve, njofton “albinfo.ch”.

Meshtari, don Nikson Shabani tregoi se ai është gjithmonë pranë komunitetit katolik në qendrat më të rëndësishme në Austri e deri në Pragë e Bratislavë me aktivitete fetare dhe kulturore.

“Kemi gjithmonë besimtarë të mirë dhe të devotshëm. Pjesa më e madhe e të rinjve të komunitetit tonë punojnë dhe veprojnë në të gjitha sferat e shoqërisë. Janë mirë të integruar dhe japin kontributin e tyre për të mirën e shoqërisë dhe vendit ku jetojnë duke filluar nga doktor shkence, deri të biznesmen të suksesshëm. Janë familjarë të mirë, punëtorë të mëdhenj dhe atdhetar dhe fetar të cilët bartin me krenari identitetin e tyre shqiptarë duke mos e mohuar asnjëherë për atë se çfarë janë”.

Kremtimi i 25 vjetorit do të vazhdojë edhe më aktivitete të tjera fetare dhe kulturore. Gjatë ditës së shtunë parashihet të mbahet një simpozium, ndërkohë në mbrëmje do të jetë mesha e shenjtë. Po ashtu edhe ditën e diel në mesditë do të mbahet mesha e udhëhequr nga ipeshkvi, imzot Dodë Gjergji për të vazhduar më pas në përmbyllje në një koncert familjar me këngëtarin, Malësorin.

Aktivitetet e kremtimit të themelimit të Misionit Katolik Shqiptarë në Austri janë pjesë e “Javëve të Kulturës Shqiptare” në Austri të cilat kanë filluar nga 13 nëntor dhe do të zgjasin deri me 8 dhjetor./ KultPlus.com

Tingujt magjik të Shkëlzen Doli dhe këngët e mirëfillta shqipe, jehuan mbrëmë në Gjakovë

Gjakova, qytet i muzikës, mbrëmë pati një festë muzikore.

Violinisti me famë botërore, e anëtar i Filarmonisë së njohur të Vjenës, në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi” kishte ftuar qindra miq nga të gjitha anët ku flitet shqip duke i befasuar se nuk ishte rastësi ky takim me ta për t’ua prezantuar Ansamblin muzikor që do të mbaj emrin e tij.

Për dy orë ai dhe orkestra e përzgjedhur nën dirigjimin e mjeshtrit Alfred Kaçinari, e me këngëtarë të ftuar, tregoi dhe dëshmoi për të satën herë cilësitë e një mjeshtri të rrallë.

Kënduan Edi Furra, veterani Ismet Peja, Gentian Gojani, Vesa Smolica, Grupi Polifonik nga Himara, grupi muzikor “Ashikët” e duke e përfunduar koncertin me këngën e njohur “Është Kosova, është Shqipëria…” në shenjë të shënimit të ditëlindjes së heroit kombëtar Skënderbeut.

Sipas drejtorit artistik të këtij ansambli, Ruzhdi Sadiku, do të vazhdojnë punën duke shpallur audicione për solistë e instrumentist si dhe për valltarë e valltare për ta bërë një ansambël të kompletuar e për të pasur paraqitje çdo mujore në Gjakovë e hapësirat gjithëshqiptare e për të vazhduar edhe më përtej./ KultPlus.com

Shkëlzen Doli themelon Ansambël me emër të tij, nesër koncert në Gjakovë

I njohur Shkelzen Doli, sot në Gjakovë në një konferencë për media ka bërë të ditur se nga nostalgjia për Gjakovën, i kthehet asaj por edhe Kosovës dhe më gjërë, pasi ka vendosur që të themeloj një ansambël muzikor me emrin e tij.

Shkelzen Doli, që ka bërë emër në Filarmoninë e njohur të Vjenës, i lindur në Shqipëri e familja e tij me prejardhje gjakovare, këtë herë erdhi në mesin e gjakovarëve dhe hapi zemër për të kumtuar lajmin se nga sot ai e themelon ansamblin muzikor të cilit i dha edhe emrin e vet.

Për këtë hap që ndërmori violinisti i famshëm, në një konferencë për medie folën miqtë e Dolit, gazetari Skënder Gola dhe instrumentisti i njohur Ruzhdi Sadiku. Ata bënë të ditur se ansambli muzikor po nis me qëllim që ta begatoj muzikën shqipe dhe si i tillë do të jetë vend që do t’ i tuboj këngëtarët dhe instrumentistët e më vonë edhe vallëtarëtmë në zë të trevave shqiptare, këndej dhe matan Drinit, siç do të thoshte Dritëro Agolli i njohur.

Ansambli i posathemeluar Shkelzen Doli, do të jap nesër mbrëma koncertin e parë mu para gjakovarëve në Pallatin e Kulturës “AsimVokshi” me fillim nga ora 20.00./KultPlus.com

KONCERTI I ANSAMBLIT FILARMONIK I VJENES – Violinisti Shkelzen Doli, duke performuar gjate nje koncerti me Ansamblin Filarmonik te Vjenes, me rastin e Vitit te Ri, ne Pallatin e Kongreseve./r/n/r/nCONCERT OF VIENNA PHILHARMONIC ENSEMBLE – Albanian Violinist Shkelzen Doli, performing during a concert with the Vienna Philharmonic Ensemble, on the occasion of the New Year, at the Palace of Congresses.

“Baresha”, një këngë që s’përsëritet (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha, me interpretimet e saj, ka marrë epitetin e “Bilbilit të Kosovës”. Ajo muzikës shqiptare, i ka sjellë një kryevepër që dëgjohet me emocionet e njëjta edhe pas gati një gjysmë dekade që kur është interpretuar për herë të parë, shkruan KultPlus.

Kënga ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Këngë shekullore dhe vështirë e përsëritshme është konsideruar kjo kryevepër e këngëtares.

“Baresha” cilësohet si kënga më e mirë e artistes Pagarusha dhe në të njëjtën kohë kënga më e mirë e realizuar në kulturën e muzikës në Kosovë. Ndërsa edhe më pranë publikut e ka sjellë videoklipi i realizuar në vitin 2012. Fillimisht ideja për realizimin e klipit të kësaj kënge ka ardhur nga Muzeu Kombëtar si pjesë e prezantimit të trashëgimisë shpirtërore të Kosovës. Videoklipi i kësaj kënge është realizuar në bashkëpunim me Kooperativa dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Zëri hyjnor i këngëtares së madhe, përcillet me pamjet e disa vendeve më të bukura të Kosovës. I gjithë ky bashkë dyzim ia shton edhe më tepër rëndësinë e kësaj këngë për kulturën kosovare. Ndërsa lëvizjet e mahnitshme të balerinave të Baletit Kombëtar të Kosovës, vetëm se e sjellin më afër tregimin e tekstit të kësaj kënge. Me veshje të anës së Rugovës, e me pamje nga atje kjo këngë del më autentike se çdo këngë tjetër.

Duke qenë një këngë që gëzon vlera të larta artistike, atëherë këtij kompozimi artistik mund t’i përgjigjen vetëm artist të mirëfilltë. Këtë e arrin Shkëlzen Doli me violinën e tij. KultPlus ju sjellë interpretimin e mahnitshëm të violinistit të njohur, i cili këtë këngë e ka shoqëruar edhe me videoklip.

Kjo vepër ishte interpretuar edhe nga solistja Joana Kaimi, së bashku me Orkestrën Popullore. Ky version është përpunuar për Violinë, orkestër popullore nga Gerti Druga. KultPlus ju sjellë pamje nga ky interpretim.

Krahas instrumenteve të tjera, kjo këngë është interpretuar edhe me anë të kitarës. Një interpretim të tillë e kanë sjellë dy kitaristët Arben Hoxha dhe Vendim Thaqi. KultPlus ju sjellë këtë version nga interpretimi i kitaristëve në Tirana International Guitar Festvali.

Krejt në fund po ju sjellim interpretimin e të madhes Nexhmije Pagarusha. Po ashtu KultPlus ju përcjellë edhe videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge.


Heej kam rrit shtatin
nder këto male
bashk’ me qingja e me dele
dhe bylbyla nder zabele
mbas kumonës lojë e gëzime
si shqiponja ime

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m ‘veshët o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

2.
Heej po tingëllojnë
shumë kumona
gurgllon prroi malore
nalt ne qiell bjeshka me bore
n’bjeshk’ dashnija vjen me malle
sot nji fyell u kalle.

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba?
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba?
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

Violinisti i rrugëve që ëndërron ta ketë violinën si të Shkëlzen Dolit (FOTO)

Violinisti Shkëlzen Doli dhe Ansambli i Filarmonisë së Vjenës sollën një koncert madhështor në Tiranë, në fillim të vitit të kaluar. Ky koncert u cilësua si një ngjarje e jashtëzakonshme artistike për kryeqytetin dhe artdashësit shqiptarë, shkruan KultPlus.

Derisa në Tiranë ishte vendosur një baner me fotografinë e Shkëlzen Dolit, e që paralajmëronte këtë koncert, Anis Gjoka krahas tij në fotografinë e tij fokuson edhe një violinist që dhuron meloditë e instrumentit të tij në sheshet e Tiranës.

Violinisti që skenën kryesore i ka rrugët e sheshet Tiranës, në atë kohë kishte thënë se e kishte ëndërr një violinë si ajo e violinistit të famshëm Shkëlzen Doli. KultPlus ju sjellë sot këtë fotografi të cilën Anis Gjoka e kishte shkrepur me celularin e tij, më 16 dhjetor të vitit 2016. / KultPlus.com

Haradinaj: Do të nisim ndërtimin e Pallatit të Operas dhe Baletit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim, violinistin shqiptar Shkëlzen Doli, më të cilin ka biseduar për proceset që po i kalon Kosova drejt afirmimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

“Është kënaqësi e veçantë të takosh artistët kulmorë, të cilët vendin tonë e ngrisin në majat e artit botëror! Prita në takim violinistin më famë botërore, anëtarin e Filharmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, i cili ka shkëlqyer në koncertet kudo që është paraqitur.

Me artistin Doli biseduam për proceset që po i kalon Kosova drejt afirmimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar. U zotova se artistët do të gjëjnë kurdoherë mbështetje tek Qeveria e Kosovës dhe në këtë kontekst, sa më shpejt që na lejojnë rrethanat financiare, do të nisim ndërtimin e Pallatit të Operas dhe Baletit”, ka shkruar Haradinaj./KultPlus.com

Shkëlzen Doli me koncert në Tetovë (VIDEO)

Të premten mbrëma në Tetovë përmes një koncerti madhështorë do të interpretoj violinisti shqiptar Shkëlzen Doli, shkruan KultPlus.

Me rastin e 5 vjetorit të Festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, Shoqata Alegretto këtë të premte do të organizoj një koncert me virtuozin e muzikës shqipe, violinistin e Filharmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli dhe orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Gridi Krajës, shkruan KultPlus.

Koncerti Gala do të organizohet në Qendrën e Kulturës-Tetovë, duke filluar nga ora 18:30./ KultPlus.com

Buda: Preljocaj një koreograf botëror, Doli një muzikant simpatik

Angelin Preljocaj konsiderohet si koreografi me i famshëm francez i këtij brezi. Premiera e Angelin Preljocajt vihej në të njëjtin plan me një koncert shumë të mediatizuar të violinistit Shkëlzen Doli. Por krahasimi i shfaqjes se baletit të 4 tetorit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me atë të Shkëlzen Doli-t, po aty, i cili është një djalë simpatik, por veçse violinë e dytë nuk është i mundur! Angelini është një korograf që e ka ngritur artin e baletit botëror në një shkallë të re moderniteti dhe shpesh ka kombinuar shprehje të ndryshme artistike. Preljocaj është një zë tepër i veçantë në koreografinë botërore.

KLARA BUDA

Angelin Preljocaj është koreografi me i famshëm francez i këtij brezi. Në një koment, autorin e të cilit nuk po e citoj meqë është bërë në rreth miqsh, Premiera e Angelin Prelgocajt vihej në të njëjtin plan me një koncert shumë të mediatizuar të violinistit me origjinë shqiptare Shkëlzen Doli, duke kritikuar administratën për shumat 180.000 dhe 160.000 euro që ka paguar përkatësisht për to. Por krahasimi i shfaqjes se baletit të 4 tetorit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me atë të Shkëlzen Doli-n, i cili është një djalë simpatik, por veçse violine ( më falni nuk e di në është violinë e dytë apo e tretë) në orkestrën prestigjioze të Vjenës nuk është i mundur! Angelini është një korograf që e ka ngritur artin e baletit botëror në një shkallë të re moderniteti dhe “fusioni” një lloj shkrirje ( në kuptimin shkrirje intelektuale) të disa shprehjeve të ndryshme artistike që ai kombinon janë tepër të veçantë në koreografinë botërore,shkruan Klarabudapost.

Kompania e tij, jep shfaqje në të gjithë boten- shpesh e kam gjetur me vështirësi biletën në Paris ku shfaqjet e tij lajmërohen plot shume muaj përpara – është me shume sakrificë që kompania e tij të vijë në Tiranë dhe në një sallë, gjysmë bosh, siç ishte mbrëmë pallati i Kongreseve. “Trait d’union” që u shfaq në pjesën e parë, (pjesa e dytë ishte premierë) është vlerësuar në mënyrë të shkëlqyer nga specialistë të fushës, dhe në artikuj të gazetave prestigjioze, në Francë e në mbarë botën. Trait d’union, quhet në frëngjisht shenja e mëpasshme (-) dhe ky titull sugjeron me fjalë të tjera, një urë lidhëse në mes Baletit dhe pikturës!

Është vlerësim që ai të japë një premierë në Tiranë!

Por ajo duhet të jetë e hapur për artdashësit, që do të thotë të lajmërohet në shtyp në kohë dhe të mos bllokohen afër 30 % e ndenjësve, por të ofrohet salla me kapacitetin e saj të plotë.
Angelinit, që disa e quajnë “Nureiev[1]”i shqiptar (krahasim që i flet botës shqiptare të vjetrës) më duhet të nënvizoj se konsiderohet si një nga koreografët më të rëndësishëm bashkëkohorë të cilët kombinojnë kërkime origjinale të formës duke bashkëpunuar ose shkrirë intelektualisht shumë forma të shprehjes artistike, si dhe në bashkëpunim me shumë artistë të tjerë bashkëkohorë dhe të vjetër nga të gjitha sferat e jetës, por pa devijuar krejtësisht nga tradita e baletit klasik./KultPlus.com

Koncerti madhështor i Shkëlzen Dolit përmes fotografive (FOTO)

Shkëlzen Doli përmes koncertit ‘Albanian Soul’ ka shpërndarë tingujt e muzikës së bukur shqipe me magjinë e violinës së tij. Përmes këtij koncerti, ai ka sjellë këngët më të bukura shqipe të cilat kanë mrekulluar publikun. Koncerti është mbajtur në sheshin ‘Skendërbej’ në Tiranë. / KultPlus.com

Shkëlzen Doli ‘mbyllë’ sheshin ‘Skënderbej’

Të shtunën më 23 shtator në sheshin Skënderbej në Tiranë, do të mbahet koncerti i violinistit shqiptar Shkëlzen Doli.

Ky projekt i quajtur nga vetë Doli ‘Shkëlzen Doli-Albanian Soul’, pritet të jetë një ndër koncertet më madhështore të realizuara së fundmi në Tiranë.

Kësisoj pikërisht për këtë ngjarje të madhe të muzikës shqiptare dhe jo vetëm sheshi Skënderbej që nga e enjtja më 21 shtator e deri më 23 shtator do të jetë i mbyllur dhe hyrja për në koncert do të jetë vetëm me bileta, shkruan KultPlus. Kështu ka njoftuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, vetë violinisti shqiptar, i cili poashtu ka treguar se janë rezervuar dhe janë shitur rreth 70% e biletave deri më tani./ KultPlus.com

Shkëlzen Doli interpreton veprën e kompozitorit Florent Boshnjaku

Maestro i violinës, Shkëlzen Doli, më 23 shtator në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, do të sjellë magjinë e interpretimit përmes projektit të tij ‘Albanian Soul’.

Ky koncert tashmë është paralajmëruar që do të ketë një program të pasur artistik duke u bazuar në muzikën e të gjitha trevave shqiptare por nuk do të mungojnë edhe perlat e muzikës botërore.

Ky koncert që pritet të jetë madhështor në Tiranë, do të përmbyllet me një pikë të kompozuar nga kompozitori kosovar Florent Boshnjaku. Këtë gjë e bëri të ditur për KultPlus, vetë kompozitori Boshnjaku, i cili tregoi se kjo pikë është kompozuar enkas për këtë koncert dhe do të luhet nga mjeshtri i violinës Shkëlzen Doli.

“Në këtë koncert do të luhen një pjesë e veprave të njohura klasike të ri-orkestruara dhe pastaj do të luhet një program me muzikë shqipe (këngë të dëgjuara të ri-orkestruara, ku edhe këtu e kam një orkestrim timin). Pastaj ka edhe pika origjinale të kompozuara enkas për koncert. Numri im do ta përmbyllë koncertin dhe është origjinal, pra i kompozuar enkas për këtë koncert dhe luhet nga Shkëlzen Doli bashkë me orkestër dhe bend”, ka thënë për KultPlus Florent Boshnjaku.

Vepra quhet ‘E bukura’, ndërsa më 23 shtator në sheshin ‘Skënderbej’, kjo vepër do ta përmbyll koncertin e Shkëlzen Dolit ‘Albanian Soul’./ KultPlus.com

Koncerti i Shkëlzen Dolit, ja surpriza që i pret qytetarët në Sheshin “Skënderbej”

Violinisti shqiptar i Filarmonisë Vjenës, Shkëlzen Doli, do të sjellë në sheshin “Skënderbej” një show muzikor unik duke e kthyer Tiranën në një nga destinacionet turistike në 23 shtator.

Koncerti ka një program të pasur artistik duke u bazuar kryesisht në muzikën e gjithë trevave shqiptare. Por nuk do të mungojnë edhe perlat e muzikës botërore si ajo kalabreze, vals, tango, flamengo.

Shkëlzen Doli me projektin e tij “Albanian Soul” synon të bëjë promovimin më të madh të muzikës shqiptare jashtë kufijve. Eventi i datës 23 shtator pritet të jetë dhe një nga eventet më të mëdha të organizuara në Tiranë.

Muzika e përzgjedhur dhe show nga maestro Doli është ideuar të jetë për të gjithë grupmoshat dhe të gjithë artdashësit. Pjesë e orkestrës do të jenë edhe instrumentistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Vjena. Do të ketë dhe disa te ftuar specialë gjatë mbrëmjes.

Show të ngjashëm muzikorë realizohen prej 1 dekade edhe nga violinisti Andre Rieu në qytezën e tij në Maastricht në Hollandë, ku prej 6 vitesh kërkesat për të qenë në eventin e Rieu kanë kaluar pritshmëritë duke thyer dhe rekord botëror.

Biletat e eventit janë në treg në të gjithë Shqipërinë, si dhe në Kosovë dhe Maqedoni si dhe online në www.myticket.al

Doli: Sheshi ‘Skëndërbej’ do të jetë arena më e madhe e muzikës autoktone Shqiptare

“Muzika Shqiptare, përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit tonë. Studiuesit e huaj kanë arritur në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është Folklori Muzikor”, ka shkruar violinisti i njohur shqiptar Shkëlzen Doli i cili do të rikthehet sërish për publikun shqiptar, në një koncert të pagëzuar “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”, që do të mbahet më 23 shtator në sheshin “Skënderbej”, shkruan KultPlus.

“Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur. Në 23 Shtator në “Sheshin Skëndërbej”, një pjesë e materialeve muzikore, pjesë e folklorit muzikor Shqiptar, do të interpretohet LIVE nga Maestro Shkëlzen Doli dhe orkestra. “Sheshi Skëndërbej” do të jetë arena më e madhe e muzikës autoktone Shqiptare”, ka shkruar Doli në facebook.

Prezantimi i fundit dhe shumë mbresëlënës te publiku shqiptar i violinistit Doli ishte ai në Pallatin e Kongreseve, mbrëmjen e 2 janarit.

Në shtator të vitit të kaluar Doli ishte dhe i ftuar special në koncertin e dhënë me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan. / KultPlus.com