Së fundi është botuar libri ”Masakrat në Kosovë 1998-1999”, botuar nga Admovere dhe Integra, libër që është prezantuar në tri gjuhë: shqip, sërbisht e anglisht, e që autori Shkëlzen Gashi ka arritë të përfshijë 200 fotografi të fotografëve më të njohur.
Autori Shkëlzen Gashi ka njoftuar se shkrimtari i njohur serb Dejan Tiago-Stankovic, i cili në këtë libër është përfshirë në cilësinë e redaktorit për tekstin në gjuhën serbe ka publikuar një shkrim për magazinën e njohur serbe “NIN”, të titulluar ‘Çfarë hajri ka prej rrenave?’.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e plotë të Gashit për shkrimin Dejan Tiago-Stankovic
Shkrimtari i njohur sërb Dejan Tiago-Stankovic, redaktor i tekstit sërbisht në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, në magazinën sërbe NIN botoi një shkrim për librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, të titulluar ‘Çfarë hajri ka prej rrenave?’:
«Pranova punën e redaktimit të një përkthimi, por kësi hovi më mbeti në fyt sepse m’u desh të lexoja rrëfime të vërteta frike e tmerri. Katalog të krimeve në masë. Rrëfime tronditëse për gjakderdhjet, zjarrvëniet, plaçkitjet, pleqtë e therur, talljen me viktimat, poshtërimin e të burgosurve para likuidimit, për puset plot trupa, frigoriferët e ngarkuar me gra të vdekura, fëmijë, nxënës shkolle.
Nuk i dija krejt këto. Çfarë ndodhi saktë në vitin ‘99? Nuk i dija, sepse nuk doja t’i dija.
Pse neve nuk na pëlqen e vërteta, kjo nuk i ndryshon gjërat, e vërteta është e vërtetë, ekzistojnë vendime gjykatash ndërkombëtare dhe sërbe që e vërtetojnë këtë. Ekzistojnë dëshmi të të mbijetuarve.
Shumica dërrmuese e kriminelëve nuk u gjetën e nuk u ndëshkuan. Sërbët ia fshehin vetvetes krimet në Kosovë. Kjo e vërtetë nuk ndodhet nëpër tekste, mediat mezi merren me të, filmat për të nuk depërtojnë në TV, ndaj është e dukshme se bashkë po e mbrojmë mitin për sërbët si viktima, e asnjëherë si gjakatarë. Çfarë hajri ka prej rrenave?
Edhe më fort shqetëson dijenia se ekziston një segment i tërë i shoqërisë sonë, mjaft i gjerë, që jo vetëm nuk e di këtë të vërtetë dhe nuk do ta dijë, por edhe e mohon, e tema është tabu, sikur të kishte farë betimi për heshtje mes sërbëve – kushdo që guxon ta shqiptojë këtë të vërtetë, shpallet tradhtar publikisht, vihet nën trysni të madhe, kërcënohet. Njerëzit tuten»./ KultPlus.com
Organizatat e shoqërisë civile që funksionojnë në kuadër të Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), të mbështetura nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), do të promovojnë përmbledhjen e raporteve të tyre (2017 – 2022), me titull “Universiteti i Prishtinës nën llupë”, me ç’rast do të shfaqet edhe dokumentari “GJYSËM shekulli UNIVERSITET”, me autor Shkëlzen Gashin.
Promovimi do të mbahet më 15 shkurt 2023, në orën 18:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës (mbrapa Ministrisë së Arsimit). / KultPlus.com
Mëngjesin e sotëm në Komunën e Vushtrrisë filloj të rrënohet objekti i ish-gjykatës komunale, për të mundësuar ndërtimin e sheshit të ri. Mirëpo ky rrënim u ndal nga policia e Kosovës sepse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte kërkuar nga komuna të mos rrënonte këtë objekt deri në finalizimin e vlerësimit mbi vlerat e trashëgimisë kulturore të këtij objekti, shkruan KultPlus.
Ky rrënim që u bë sot nga kjo komunë ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve, por dhe OJQ-ve të ndryshme. Një ndër ta është edhe Shkëlzen Gashi i cili nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se kryetari i Vushtrrisë pas këtij veprimi do të duhej të arrestohej.
“Sot, e diel, më 23 maj 2021, Kryetari i Vushtrrisë e shpërfillë vendimin e Ministrisë së Kulturës dhe ia futë bagerin kësaj ndërtese. Këtu s’ka shtet se po të kishte, Kryetari i Vushtrrisë do të duhej të arrestohej sot”, ka shkruar ndër të tjera Gashi.
Kujtojmë se MKRS-ja më 20 maj kishte njoftuar se ka filluar me procesin e vlerësimit të ndërtesës së objektit të ish-Gjykatës Themelore në Vushtrri. Në njoftimin e bërë nga Ministria theksohet se komuna e Vushtrisë është informuar për këtë proces dhe çdo veprim që bie në kundërshtim me këtë përbënë shkelje.
“Komuna e Vushtrrisë është informuar mbi fillimin e procesit të vlerësimit nga ekipa profesionale e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Mitrovicës më datë 7 maj 2021, dhe që çdo veprim i Komunës në këtë fazë mund të përbëj shkelje”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MKR-së./ KultPlus.com
Tash e dy vite, Shkelzen Gashi është duke punuar në një projekt, ideja e së cilit është krijimi i një libri që do të dokumentoj masakrat e luftës në Kosovë, me prezantimin e secilës masakër në 500 fjalë, ku do të prezantohen në tri gjuhë dhe do të ilustrohen me fotografi, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Gashi nëpërmjet një postimi në Facebook, i cili ka njoftuar se një nga masakrat që bënë pjesë në këtë libër është edhe ajo e familjes Lipa në Studenicë, për të cilën sipas tij nuk përkujtohet nga institucionet, e për rrjedhojë nuk raportohet as nga mediat.
Më poshtë gjeni statusin e tij të plotë:
Masakra në familjen LIPA
Po bëhen gati dy vite që i kam hyrë një projekti që synon të dokumentojë masakrat e luftës në Kosovë 98-99. Ideja është që ta kemi një libër ku prezentohet secila masakër në 500 fjalë, në tri gjuhë (shqip, sërbisht dhe anglisht), e ilustruar me tre-katër fotografi.
Për fat të keq, një pjesë e masakrave nuk përkujtohen pothuajse asnjëherë nga përfaqësues të institucioneve kryesore politike, e për rrjedhojë nuk shënohen as nga mediat. E tillë është masakra në familjen Lipa në Studenicë të Istogut.
Meqenëse sot është 22 vjetori i kësaj masakre të tmerrshme, po e sjellë këtu prezentimin e saj në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, që do të botohet së shpejti nga ADMOVERE, me mbështetje nga Ambasada e Zvicrës:
STUDENICË
Pas fillimit të bombardimeve të caqeve policore e ushtarake sërbe e jugosllave prej NATO-s (24 mars 1999), në fshatin Studenicë të Istogut, konkretisht në shtëpinë e Salih Zeqirajt, strehohen disa të afërm, gra, fëmijë e pleq të familjes Lipa nga fshati fqinj Kamenicë. Më 12 prill 1999, në fshatrat fqinje Vrellë e Lubozhdë, zhvillohen luftime ndërmjet UÇK-së dhe forcave policore e ushtarake sërbo-jugosllave, me ç’rast vriten 11 ushtarë të UÇK-së. Po këtë ditë familja Lipa vendos të largohet nga fshati Studenicë dhe të strehohet rrëzë bjeshkëve, në fshatin e afërt Kaliqan.
Mëngjesin e të nesërmes, Salih Zeqiraj, bashkë me disa prej grave dhe vajzave të familjes Lipa, kthehet në shtëpinë e vet në Studenicë për të marrë ushqime. Forcat sërbe i zënë në shtëpi, i torturojnë dhe vrasin të zotin e shtëpisë, Salih Zeqirajn 85-vjeçar, si dhe tetë anëtarë të familjes Lipa, që të gjithë civilë të paarmatosur, prej të cilëve katër vajza të moshave 13-15 vjeçare, si dhe katër gra, tri prej të cilave mbi 65-vjeçare. Sipas gazetarit Francesco Grignetti të gazetës italiane ‘La Stampa’, dy vajza të mitura dhe një grua e familjes edhe përdhunohen para se të vriten.
Më pas, forcat sërbe i hedhin trupat e të vrarëve në bunarin e shtëpisë, rreth 20 metra të thellë, dhe i mbulojnë me dhé, gurë, kashtë e gëlqere. Sipër hedhin edhe një televizor të vjetër e një shporet, dhe vënë dinamit, por shpërthimi vetëm pjesërisht i shkatërron muret e bunarit. Trupat më në sipërfaqe copëtohen nga eksplodimi, kurse të tjerët më në thellësi mbesin të paprekur .
Po të njëjtën ditë, forcat sërbe në Studenicë vrasin edhe tri plaka e dy pleq, të gjithë mbi 65-vjeçarë.
Ndërkohë, anëtarët tjerë të familjes Lipa, sikurse edhe banorët e fshatrave Vrellë, Studenicë e Kaliqan, të strehuar rrëzë bjeshkëve, kapërcejnë kufirin dhe dalin në Mal të Zi, ku qëndrojnë disa ditë. Për shkak të pasigurisë, kalojnë në Shqipëri, ku qëndrojnë deri në përfundimin e luftës, pa ditë asgjë rreth fatit të familjarëve që ishin kthyer në Studenicë.
Pas tërheqjes së forcave sërbe e jugosllave dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, të mbijetuarit e familjes Lipa kthehen nga Shqipëria, duke shpresuar se do t’i gjejnë familjarët e mbetur. Shtëpinë e Salih Zeqirajt e gjejnë të shkatërruar, sikur gati të gjitha shtëpitë e fshatit, vërejnë çdokund njolla gjaku dhe bunarin e mbuluar me gjithfarë materialesh.
Me ndihmën e fshatarëve dhe në prani të KFOR-it italian, më 23 qershor 1999, familjarët i nxjerrin trupat e të vrarëve nga bunari , e më pas i varrosin në fshatin Kamenicë. Një oficer i KFOR-it italian, duke e parë tërë këtë tmerr, thotë “le të shpresojmë se i kanë vrarë para se t’i hidhnin në bunar” .
Në tërësi, sipas Humanitarian Laë Center, më 13 prill 1999 forcat sërbe në fshatin Studenicë të Istogut kanë vrarë 14 civilë të paarmatosur shqiptarë, ndër të cilët gjashtë gra, përveç njërës të gjitha mbi 65-vjeçare, katër vajza 13-15 vjeçare, si dhe katër pleq 65-85 vjeçar.
Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush./ KultPlus.com
Historia e shqiptarëve dhe e vendeve të tjera ballkanike është përfshirë në projektin e organizatës “Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore”. E kaluara jonë në vëllimin prej 6 librave është shkruar nga historianët Frashër Demaj, Jusuf Bajraktari e Fehmi Rexhepi. Në anën tjetër, Shkëlzen Gashi kur ka lexuar këto tekste ka hasur në shtrembërime historike, me ç’rast analizat e tij, që kundërshtojnë po këtë shtrembërime, i ka përmbledhur në librin “Të damkosurit e Ballkanit”, promovimi i të cilit zuri vend në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Organizata me qendër në Selanik të Athinës me qëllim të dokumentimit historik dhe krijimit të paqes mes popujve ballkanas kishte nisur “Projektin e Historisë së Përbashkët” me gjithsej 6 vëllime të botuara, të cilat përfshijnë Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, Luftën e Ftohtë, kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore, periudhën e Perandorisë Osmane si dhe luftërat ballkanike. Ndërkaq, Kosova në këtë projekt, u prezantua nga historianët Frashër Demaj, Jusuf Bajraktari dhe Fehmi Rexhepi.
Shkëlzen Gashi në verën e vitit të kaluar kishte lexuar librin e fundit të këtij projekti, atë në të cilin kalonin luftërat e fundit të Jugosllavisë. Kur kishte parë mënyrën se si ishte dokumentar historia, ai kishte reaguar duke publikuar analizën e tij në mediume të ndryshme. Përfaqësuesit e Ambasadës Zvicerane kur e kanë lexuar atë, kanë shprehur gatishmërinë për financim të analizave të Gashit për këto libra. Kësisoji kishte nisur rrugëtimi i publikimit të shkruar në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, të quajtur “Të damkosurit e Ballkanit, Shqiptarët dhe Kosova në tekstet alternative gjithëballkanike të historisë”, e cila është realizuar nga “Admovere”.
Përgjatë prezantimit, moderatorja Aulonë Memeti deklaroi se ky publikim iu është dërguar Presidencës, Kryeparlamentares, Kyeministrisë, Ministrisë së punëve të jashtme, Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Institutit të Historisë dhe të Albanologjisë, kryetarëve të gjitha partive në Kosovë dhe institucioneve tjera të Shqipërisë. Publikimi ky, i cili iu kushtohet mikut të Gashit, Bekim Lumit.
Në kopertinën e librit është një fotografi të realizuar në nëntor të vitit 1912 te trekëndëshi në Prishtinë. “Fotografia është bërë prej një agjencioni francez, me shënimin “ushtarët serb duke korrektuar kryengritësit dhe keqbërësit në Prishtinë”, taman duken ushtarët serb duke i damkosur dhe stigmatizuar shqiptarët”, shprehet autori Gashi.
Shkëlzen Gashi tha se ka analizuar këto tekste duke pasur tre qëllime: të shoh se si janë paraqitur shqiptarët në to, ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve dhe Kosovës dhe se cilat ngjarje nuk janë përfshirë dhe si do të duhej të paraqiteshin.
Në librin e parë i cila i kushtohet periudhës osmane, Gashi thekson se nuk janë të përfshira kryengritjet shqiptare kundër shtetit osman, specifikisht 25 vitet e rezistencës së Gjergj Kastriotit; kryengritjet e fundit që përfshijnë vitet 1878-1912, pozitat kyce si kryevezirë që 42 shqiptarë në këtë Perandori i kanë gëzuar, familjet e famshme si ato Tepelena, Bushatliu, Begolli, Kryeziu, Gjinoli.
“Këta autorë t’i nxjerrin sytë për Skënderbeun, Pjetër Bogdanin dhe të gjitha kryengritjet që kanë ndodhur gjatë Rilindjes Kombëtare 1878-1912 kur hartojnë tekste mësimore për nxënësit e shkollave fillore e të mesme në Kosovë. Por, kur shkojnë në Selanik nuk e prezantojnë asnjërën prej këtyre kryengitjeve”, u shpreh Gashi, duke përmendur Selanikun si vendin e botimit të librave.
Tutje ai shton se në këtë libër shqiptarët shihen si persona që s’e dinë ç’është dashuria, madje neveriten dhe i përbuzin gratë ndërkaq martohen sa për të pasur një sllave në shtëpitë e tyre. Në anën tjetër, gratë portretizohen si të paarsimuara, përdoren për bagëti, ndëshkohen me goditje dhe nuk dinë asnjë gjuhë tjetër pos shqipes.
“Gjëja më e rëndë te libri i parë për Perandorinë Osmane është se shqiptarët portretizohen si ushtarë me pagesë që iu kanë bashkuar ushtrive armike, për t’i plaçkitur provincat osmane, si njerëz që kanë bërë pasuri përmes fajdeve, që kanë krijuar ushtri private për kontroll politik në provinca”, theksoj Gashi.
Për librin e dytë “Kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore”, Shkëlzen Gashi thotë se Rilindja Kombëtare është prezantuar jo mirë, madje sipas tij, edhe po t’iu lihej dokumentimi historianëve serb apo grek nuk do të dinin ta bënin më keq.
“Gjëja më e rëndë te ky libër është se nuk prezantohen askund krimet e vitit 1878-79 në Sanxhakun e Nishit. Ndërkaq mos prezantimi i këtyre krimeve është karakteristikë e këtyre gjashtë vëllimeve, me përjashtim të luftës së fundit por, edhe aty prezantohen në mënyrë sipërfaqësore, të pasaktë dhe tendencioze”, tha autori i “Të damkosurit e Ballkanit”.
Teksa të gjitha shtetet prezantohen në këtë libër me flamujt, stemat, himnet dhe shkrimet prej personaliteteve të rëndësishme shtetërore, Gashi thotë se për Kosovën këto mungojnë.
Librin e tretë të titulluar “Luftërat Ballkanike” Gashi e vlerëson si më të rëndin për të, për shkak të mos përfshirjes së krimeve të forcave serbe në periudhën 1912-1913 në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Perëndimore.
“Është një tabelë ku prezantohen krimet ndaj bullgarëve, serbëve, malazezëve, turqve, të gjitha vendeve por, vetëm për shqiptarët nuk ka asgjë”, u shpreh Shkëlzen Gashi.
Ndërkaq në librin e katërt në të cilën shkruhet për periudhën e Luftës së Dytë Botërore nuk ka të shkruar asgjë për shqiptarët e Kosovës dhe Jugosllavinë përgjithësisht sipas Gashit.
“Lufta e Ftohtë” është libri i pestë me radhë, për të cilin Shkëlzen Gashi u shpreh se nuk përfshihet e ashtuquajtura “periudha e Rankovicit”.
“Nuk ka kurrgjë për dhunën e tmerrshme dhe terrorin e dy dekadave ndaj shqiptarëve civil e të pafajshëm, depërtimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve për në territorin e Turqisë, konfiskimit të shumë pronave dhe maltretimit të shumë njerëzve”, theksoj Shkëlzen Gashi.
Një gabim tjetër i lëshuar sipas tij qëndron te prezantimi i demonstratave, ku në libër përmenden ato të vitit 1968 dhe 1981. Fotografitë të cilat janë të realizuara nga periudha ku protestat studentore bënë bujën e vet për thirrje mbarëpopullore, ato të vitit 81, në këtë libër etiketohen si të ishin të periudhës së vitit 1968.
“Këto tekste janë të shkruara prej historianëve që janë jo veç anti-Kosovë por, edhe anti-NATO. Kur prezantohet lufta në Kosovë gjatë viteve 98-99 ilustrohet me fotografi të bombardimeve të NATO-së, shkatërrimit të urave dhe objekteve nëpër territorin e Serbisë, mirëpo nuk ka asnjë fotografi për shkatërrimet e 120.000 shtëpive në territorin e Kosovës, e shkatërrimit të 232 xhamive, për shtëpitë tradicionale dhe momunentet e tjera të rëndësishme”, theksoj autori i publikimit “Të damkosurit e Ballkanit”.
Një mungesë tjetër e vërejtur nga ana e tij qëndron në kapitullin ku përkujtohet e kaluara, e në të cilën nuk janë fotografi të masakrave të Kosovës. Përkundrazi, aty prezente janë fotografi të dy monumenteve në Beograd, njëra është një monument për 16 punëtorë të Radio Televizionit të Serbisë dhe tjetra është një memorial në parkun e qytetit të Beogradit, për Milica Rakiq, një fëmijë 4 vjecar, të dy këto grupe të vrara përgjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-së.
Ai i kritikoi edhe fotografitë e përfshira në libra, ku përderisa refugjatët kosovarë në Maqedoni ose Shqipëri shfaqen në pamje prej më së shumëti 40 personash, serbët shfaqen me qindra e mijëra refugjatë.
Gashi për fund theksoj se këto libra ndoshta nuk do të përdoren në Kosovë, mirëpo në vendet e Ballkanit ku mësimdhënësit do të mund të ligjërojnë me to si literaturë alternative, do të bëhet keqinterpretimi i historisë së kombit tonë.
Ai rekomandoi që institucionet e Kosovës të cilat tanimë veçse i kanë këto tekste të reagojnë sa më parë dhe të angazhojnë historianë ndërkombëtarë të cilët do të ndërhyjnë në vendet e duhura me ndryshimet e nevojshme.
Përvec Shkëlzen Gashit, për këto gjashtë vepra ka reaguar edhe historianja Emine Bakalli Arifi në vitin 2006 nëpërmjet një publikimi në një revistë dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja. / KultPlus.com
Një vit peshon rëndë në burg por 28 vitet e kaluara në çeli për veprimet atdhetare, ai s’i ndjeu fare karshi aspiratave të tij që e bëjnë të pavdekshëm. PEN Qendra e Kosovës, dje në KultPlus Caffe Gallery ka mbajtur takimin letrar për shkrimtarin dhe simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin, shkruan KultPlus.
Familjarë, shkrimtarë, bashkëpunëtor e miq të tij kishin ardhur me kujtimet e fjalët e përzgjedhura për njeriun që frymoj rezistencë mirëpo, prapë çdo gjë e thënë për të mbeti pak. Për idealet e një djali të lindur në Prishtinë, i cili u kthye në burrin e gjithë Kosovës, burgjet e tij që janë mësim ekzistence, rezistencën e tij të paepur, krijimtarinë e bujshme letrare, fjalët e mëdha që kanë lënë gjurmë në mendjet e gjithësecilit dhe për shumë gjëra të tjera, fjalët vështirë se gjindeshin.
Për figurën dhe veprën e Demaçit, para publikut morën fjalën Avni Spahiu dhe Haqif Mulliqi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, ku secili nga këta të tre shpalosën Ademin që secili e njihte.
Bashkëpunëtorëve të vet njëherë iu pati lindur dëshira për ta parë Ademin, e pastaj kur shumë vite të jetës i kishin kaluar bashkë, iu kishte lindur shpresa se një ditë në një shtet të lirë do të flitej për simbolin e lirisë.
“Gjithmonë kam menduar se a do të vij një ditë ta shoh, ta takoj këtë personalitet si frymëzues i madh i kohës. Na ka ra të gjithëve ta takojmë, ta njohim me atë thjeshtësinë dhe dinamikën e jetës por njëkohësisht e kemi menduar që ne do të kemi rast në një shoqëri të lirë, në një shtet të pavarur të flasim për Ademin”, me fjalët e Ibrahim Berishës nisi diskutimi, duke realizuar një dëshirë të tyren në liri.
Berisha vazhdoi tutje duke përmendur se Demaçi vet e kishte thënë se mësuesja e tij e parë, Vezirja kishte qenë frymëzim letrar e atdhetar për të. Ajo detyrohet të marrë rrugën për në Shqipëri, ndërkaq në shkuarjen e parë të tij, Ademi shkon dhe takohet me të.
Ibrahim Berisha vlerëson se as burgu, as torturat gati 3 dekada me kufizime shtypëse nuk e kishin lëkundur asnjë çast Adem Demaçin nga ideali dhe besimi i tij për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Mirëpo, pavarësisht kësaj kishte pasur persona të cilët nuk e kishin kuptuar drejtë mundin dhe sakrificën e tij.
“Figura, puna, personaliteti, vepra e Demaçit jo gjithmonë është kuptuar drejtë. Prizmi dhe shikimi i vepres së tij ështe parë nga dritare shumë të ngushta duke pasur parasysh pozitën personale të atyre që kanë gjykuar dhe jo kohën e rrethanat në të cilat ka vepruar dhe natyrisht ka bërë aq shumë për fitoren të cilën ne e kemi sot”, thotë Berisha.
Njeriu që sipas Berishës ka pasur në shpirt përherë lirinë dhe ishte guximi vet, kishte fituar çmime të ndryshme gjatë jetës së tij. Çmimi “Heroi i Kosovës”, “Çmimi Saharov”, çmimi për të drejtat e njeriut nga Universiteti i Osllos, Çmimi i Rektorëve Evropianë, nominimi për Çmim Nobel nga 5 deputet norvegjez ishin vetëm disa nga to. Mirëpo, karshi guximit të idealit të tij në një kohë të fikur e të shtypur, për Berishën këto mbeten të pakëta.
“Ka marrë çmime por asnjëherë nuk do të marr çmimin që e meriton dhe punën që e ka bërë në kontekstin e asaj lëvizje, ngjallje te asaj në rrethana shume të vështira të idesë për liri”, u shpreh Ibrahim Berisha.
Për Ibrahim Berishën, ajo që kishte bërë Adem Demaçi ende nuk ka zënë vend të duhur në mendimin, jetën e njerëzve por as në tekstet themelore shkollore ku mësohet historia.
Kryetari i PEN Qendrës, Binak Kelmendi i cili ishte takuar për herë të parë në vitin 1990 me Demaçin, vlerësoj se këtij të fundit nuk iu dha merita e duhur.
“Adem Demaçi është Mandela e Kosovës në kuptimin e vuajtjeve të tij nëpër burgje por ne nuk e bëmë Ademin Mandel tonën, nuk ia dhamë rrethin asnjë institucioni shtetëror, e ai na e la institucionin e vet “Adem” ose “Demaç”, u shpreh Kelmendi.
Fjalën e mori Avni Spahiu me të cilin Demaçi edhe kishte punuar bashkë në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut duke e sjellur kështu vëmendjen ndërkombëtare në Kosovë, në kohën sa Demaçi ishte kryetar i Këshillit. Për Spahiun, të rrallë janë personalitetet në botën shqiptare që kanë nderin të kenë atribute siç ka pasur Ademi.
“Simbol i rezistencës shqiptare, personalitet i letrave shqipe, kampion i të drejtave të njeriut në Kosovë, pishtar i kauzës kombëtare shqiptare, Mandela i Kosovës, i burgosuri politik dhe disidenti më i shquar i Europës Juglindore, fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Saharov”, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, mbrojtës i fjalës së lirë dhe i lirisë së popullit të vet dhe popujve të tjerë”, ishin ndër fjalët e lavdatat e Spahiut për figurën e Demaçit.
Për luftëtarin e lirisë dhe të drejtave të çdo njeriut ashtu siç thotë Spahiu, në mendjet e gjithësecilit do të ngjallej një pyetje: Çdo shqiptar pas takimit me të do të vihej përballë pyetjes: çfarë kam bërë unë për atdheun dhe ç’duhet të bëj? Bota shqiptare, më shumë se 60 vjet u ballafaqua me këtë fenomen të quajtur Demaçi”.
Në anën tjetër, Haqif Mulliqi panelisti tjetër e kishte pasur Demaçin redaktor në “Zëri” dhe “Forumi”. Ai kujton takimin e fundit me të, një muaj para se të ndërronte jetë, atëherë kur Demaçi e kishte thirr që ta takonte dhe Mulliqi kishte shkuar te ai me gruan e tij.
“Ishte hera e parë në jetë përkundër afërsisë të madhe që kishim që na puthi në dy faqet, ishte çudi për neve. Ndejtëm edhe 50 minuta aty dhe u cuam, ishte i lodhur baca Adem, kur u përshëndetëm përsëri na puthi në faqe. Pasi u nisëm ai burri tha “po dëshiron edhe një herë t’ju takoj”, pasi ishte futur në makinë na puthi edhe një herë. Kur u ktheva i thashë gruas: “Dëgjo, u pikëllova shumë, thashë sigurisht më nuk do ta takoj por, jam i lumtur që e takova”, kujton Hakif Mulliqi takimin e fundit me të madhin Demaçi.
Në kohën sa u mbyllën gazetat “Rilindja” dhe “Zëri” në vitin 93, Adem Demaçi si revoltë kishte filluar me grevën e tij të urisë. Duke parë reagimin e menjëhershëm të Demaçit dhe si respekt ndaj tij, grevës iu kishin bashkuar edhe Hakif Mulliqi, Milazim Krasniqi dhe Shaip Beqiri. Ndërkaq Mulliqi kujton që Demaçi pati propozuar që greva të quhej “Greva e veprimtarit Adem Demaçi dhe poetit Ali Podrimja”.
Tutje, Mulliqi kishte përgatitur një studim antropologjik për krijimtarinë e bujshme të Demaçit, specifikisht për veprën “Gjarpërinjtë e Gjakut”, për të cilën vlersoj se kjo prozë e tij është roje e besueshme e mitologjisë në një kulturë e shenjave, dokeve e zakoneve siç është kjo e jona. Ndërkaq aktuale në këtë vepër sipas tij mbetet kulti i gjarpërit.
“Adem Demaçi në këtë vepër i bën një introskenimi bashkëhohor mitit për gjarpërin duke e shpërfaqur një lloj legjende ndaj vlerave të traditës të cilat si gjejmë në këtë roman, thellon mitin por si një mit te situatave me temë tradhëtinë brenda një bashkësie”, vlerëson Haqif Mulliqi.
Demaçi sipas Mulliqit, përpiqet ta bëj përmbylljen e nje miti në mënyre introspektive t’i zhvilloj idetë e tija anti-mit ndërkaq simbolin e gjarpërit të shtëpisë si mbrojtes të saj ta shndërroj si rrezik për vetë shtëpinë dhe njerëzit aty, kështu duke krijuar nje kontekst të ri letrar.
Pas fjalës së panelistëve, radha ishte te publiku, të cilët të mallëngjyer për figurën e madhe nxorrën nga sirtari i kujtimeve të tyre momente me Demaçin. I pari i cili me një zë që iu dridhej dhe me lot në sy kujtoj bashkëpuntorin e 55 viteve u bë Shaip Beqiri.
Ai ndau jetën e Adem Demaçit në tri pjesë: veprimtaria e tij si i ri, deri në moshën 23 vjecare dhe 4 vitet ndërmjet burgosjeve të tij; vitet e burgut të cilat Beqiri e quan “shkallën më të lartë të vetëdijes kombëtare dhe universitetin e vërtetë”; dhe jeta e tij diku 28 vite pas burgjeve.
“Është e vërtetë që mua më ka habitur me një gjë, ku mund të mblidhet gjithë ajo energji në aq pak decimetra katror të një lëkure. Kam punuar shumë me njerëz që me të vërtetë kanë qenë dinamik, kanë bërë punë të mëdha por atë energji s’e kam parë të asnjë njeri”, u shpreh i mallëngjyer për të, Shaip Beqiri.
Beqiri e sheh Adem Demaçin si njeriun e vetëm që ka kaluar në botën e përtejme duke përmbushur gjithçka të veten. Por, pavarësisht figurës së tij, ai kritikon mënyrën e botimit të kompletit të veprave të tij, parathënien e së cilës e ka shkruar akademiku Rexhep Qosja.
“Vepra e Adem Demaçit unë mendoj që është botuar në mënyrë shumë të shëmtuar, jo e plotë dhe në mënrë shumë inkompetente. Për fat të keq, unë kam qenë propozuesi që parathënien ta shkruaj një njeri që me të vërtetë meritonte ta shkruante dhe e kemi përzgjedhur Rexhep Qosjen. Në parathënien prej 52 faqeve asnjë gjë me vlerë për vlerat e letërsisë së Adem Demaçit nuk ekzistojnë . Më vlerë ka një fjalë që e ka mbajtur Ibrahim Rugova kur e ka pritur në Lidhjen e Shkrimtarëve që është krejt një faqe tekst se ato”, u shpreh Shaipi.
Po të njëjtat kritika për përmbledhjen i pati edhe profesori universitar, Begzad Baliu i cili Adem Demaçin e vlerësonte si “mësuesi i mësuesve”.
“E pashë atë dhe reagova fort, skuqem kur mendoj se përpara e kam pasur bacën Adem dhe fola shumë keq, në fund thashë “këto s’janë libra, janë fletore bugari”. Baca Adem më shikoj pak dhe qeshi sic qeshte ai, tha “kështu do të bëhet”, shumë u pikëllova”, tha Baliu.
Në anën tjetër, Begzad Baliu vlerëson se studimet e Demaçit kanë pasur një ndikim të madh në krijimin e pikëpamjeve, qëndrimeve dhe personalitetit të tij.
“Vepra e tij letrare, konceptet e tij politike nuk janë të rastit dhe nuk janë të lindura në Llap, as prej folklorit të Llapit e Drenicës, kanë bazën në mendimin e filozofisë evropiane, të shkollave gjermane, italiane, franceze, në mendimin e shquar intelektual, filzofoik, estetik e etik”, shtoj profesori Baliu.
Për Adem Demaçin u thanë shumë fjalë, mirëpo prapë secila prej tyre mbeti e vogël karshi veprimtarisë së tij të madhe. Anipse ai është ndarë nga jeta, kujtimi i sakrificave të bujshme të tij ia ka falur kurorën e pavdekësisë. Ndërkaq, PEN Qendra e Kosovës do të vazhdoj me prezantime të veprimtarisë letrare të shkrimtarëve të mëdhenj të cilët kanë hyrë në histori. / KultPlus.com
Vendi nuk do të ekzistonte dot pa historinë, të kaluarën, të bëmat, popujt e shumtë që kanë ikur e kanë ardhur, heronjtë, të rënët, themelet mbi të cilat sot ngritet e ardhmja jonë. Historia që shekuj më parë mësohej përmes këngëve e gojëdhënave, tashmë është shkruar në libra, e fillon të mësohet që në ditën e parë kur fëmijët ulen në bankat shkollore, shkruan KultPlus.
Ndonëse për popujt e Ballkanit ekzistonin libra të veçantë që tregonin historinë e secilit vend, themeluesit e OJQ-së “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe”, me seli në Selanik, kishin angazhuar historianë nga të gjitha vendet e Ballkanit për hartimin e gjashtë librave mësimorë alternativë të historisë, të titulluar “Projekti i Historisë së Përbashkët”, të cilat tashmë janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të botës.
Por, në këta libra të botuar në vitin 2016 ekzistojnë mangësi të shumta, shtrembërime të mëdha dhe fshehje të fakteve lidhur me historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve që nga periudha e Perandorisë Osmane. Mbase një gjë e tillë do të kishte kaluar nën hije, do mbetej e panjohur për opinionin, sikur të mos fillonte botimi i analizave për këta libra nga Shkëlzen Gashi.
Në një intervistë për KultPlus, Gashi ka treguar se fillimisht ai kishte analizuar librin e gjashtë që flet për luftën e fundit në ish Jugosllavi. Sipas tij, ishte pikërisht prezantimi jo i denjë dhe mungesa e fakteve që e shtyu atë të lexonte edhe librat tjerë dhe të analizonte përfaqësimin e historisë së Kosovës në to.
“Vitin e kaluar lexova vetëm librin e gjashtë se më interesonte të shoh se si janë prezantuar luftërat e fundit në ish Jugosllavi, e sidomos lufta në Kosovë. Lufta e fundit në Kosovë ishte prezantuar shumë keq, prandaj dhe e bëra një shkrim për të. Pas publikimit mendova që është më mirë të analizohen se si prezantohen shqiptarët edhe në pesë librat e tjerë”, ka pohuar ai.
Ai ka shtuar se është e rëndësishme që të analizohen këta libra dhe të shihet se si prezantohet Kosova, sepse këta libra të shkruar në anglisht, tashmë janë përkthyer në gjuhët e të gjitha vendeve të Ballkanit, madje edhe në japonisht. Gashi ka thënë se rëndësia e analizimit të këtyre teksteve qëndron edhe në faktin që Kosova e ka pasur përfaqësuesin e saj në Selanik dhe ka dhënë pëlqimin për përdorimin e tyre.
Të gjashtë librat u promovuan në shumë nga kryeqytetet e vendeve rajonale, e edhe në Prishtinë në vitin 2018, ku pjesëmarrës në këtë promovim ishte edhe bashkautori i këtyre librave, akademiku Frashër Demaj.
Shkëlzen Gashi ka pohuar se nuk ka mundur ta besoj që autori i cili ka prezantuar Kosovën në këtë projekt, Frashër Demaj, nuk i ka prezantuar krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve, përderisa në librat shkollorë në Kosovë ai i ekzagjeron këto krime.
“Kam kritikuar tekstet mësimore të historisë në Kosovë, autor i të cilave është Frashër Demaj, i cili ka marrë pjesë në këtë projekt në Selanik. Kam kritikuar këto tekste për shumë arsye: këto tekste përmbajnë gjuhë të urrejtjes, pasaktësi e ekzagjerime. Në librat tonë të historisë krimet që janë kryer nga shteti serb ndaj shqiptarëve të Kosovës prej vitit 1878 e deri më 1999 dyfishohen. Kam problem me tekstet e hartuara në Kosovë sepse i ekzagjerojnë këto krime, por edhe me tekstet e hartuara në Selanik sepse nuk i prezantojnë fare këto krime, te cilat duhet të prezantohen saktë. Si të shpjegohet që i njëjti person – Frashër Demaj – në Prishtinë i dyfishon krimet e forcave serbe, në Selanik nuk i prezanton fare?”, ka thënë ai.
Sipas tij, Frashër Demaj duhet të bëjë një distancim publik, jo vetëm moral por të bëjë një distancim duke u dërguar letra botuesve të librit dhe të kërkoj ndryshimin e këtyre teksteve.
“Ky duhet jo një distancim publik veç moral, por duhet ta bëjë një distancim duke ju dërguar letër të gjithë përfaqësuesve në Selanik, duke kërkuar jo vetëm distancim por edhe ndryshim të këtyre teksteve”, ka thënë Gashi.
Shkëlzen Gashi për KultPlus ka dhënë disa nga pikat kryesore të analizës që i ka bërë deri më tani, prej aty që janë publikuar e deri tek ato që priten të publikohen gjatë javëve në vazhdim.
Në librin e parë mungojnë faktet për kryengritjet shqiptare kundër Perandorisë Osmane të udhëhequra nga Skënderbeu, nuk përmenden fare kryengritjet e shqiptarëve, nuk jepen fakte se si shqiptarët arritën të bëheshin pushtetarë në pozita të larta gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Madje, shqiptarët përgjatë këtij libri shfaqen si ushtarë që punonin me pagesë dhe u ndihmonin ushtrive të armikut si dhe prezantohen si njerëz që nuk dinin se ç’është dashuria, e madje edhe i përbuznin gratë. Kurse gratë shqiptare paraqiten të paarsimuara që nuk flisnin gjuhë tjetër përpos asaj amtare.
Kurse në librin e dytë të kësaj serie gjashtë pjesëshe nuk theksohet synimi i vërtetë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mungojnë të dhënat për dëbimin e shqiptarëve nga trevat e Sanxhakut të Nishit, mungojnë elementet kryesore të Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. E mbi të gjitha, mungon edhe shpjegimi për domethënien e flamurit të Kosovës, vetë flamuri i Kosovës, të dhënat për himnin dhe stemën e saj.
Edhe në librin e tretë ekziston një numër i madh i pasaktësive, por edhe i mosprezentimit të fakteve. Në këtë pjesë, shqiptarët fajësohen për humbjen e forcave osmane përgjatë luftërave ballkanike, nuk ka të dhëna për krimet e forcave serbe dhe malazeze ndaj shqiptarëve, si dhe figurojnë të dhënat për viktimat e të gjitha vendeve përgjatë luftërave ballkanike, përjashtuar shqiptarët. Libri i katërt i këtij vëllimi “Lufta e Dytë Botërore” nuk përmban asgjë për Kosovën dhe shqiptarët në ish Jugosllavi.
Ndërkaq, në librin e pestë ku trajtohet periudha prej Luftës së Dytë Botërore e deri tek rënia e Ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë, Aleksander Rankovic më 1966 nuk jepen të dhëna për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi. Në këtë libër edhe demonstratat e vitit 1968 trajtohen në mënyrë krejtësisht sipërfaqësore. Nuk ekzistojnë as të dhëna për reformën agrare që preku edhe shqiptarët e Kosovës, si dhe nuk ka të dhëna mbi faktin se si regjimi serb nxiti myslimanët e Kosovës të deklaroheshin si turq, duke e fryrë kështu numrin e turqve në vend.
Dhe në fund, në librin që edhe e shtyu Shkëlzen Gashin që të bëjë një analizë më të detajuar të këtij vëllimi, pra në librin e gjashtë, ‘Luftërat, Ndarjet dhe Integrimi’, lufta e fundit në Kosovë nuk paraqitet me faktet që kanë ndodhur, tentohet të bëhet fshehja e tyre dhe njëkohësisht zbehja e tyre.
Shkëlzen Gashi ka pohuar se në librin e gjashtë prezantohen vetëm dy monumente, që të dyja në Serbi, kurse për masakrën e Reçakut, të vetmen që prezantohet në këtë libër, thuhet se ishte vetëm një incident.
“Tek lufta e fundit në Kosovë prezantohen dy memoriale për luftën në Kosovë, por të dyja janë në Serbi. Prezantohet një monument për punëtoret e vrarë të Radio Televizionit të Serbisë që janë vrarë prej bombardimeve të NATO-s dhe një memorial në një park në Beograd për fëmijët e vrarë si pasojë e bombardimeve të NATO-s. Nuk prezantohet asnjë memorial nga Kosova. Për më shumë, nuk prezantohet asnjë prej masakrave në Kosovë, përveç masakrës së Reçakut, madje edhe për të thuhet se ishte incident, masakër kontraverse, sepse ka dy versione: versioni i shqiptarëve dhe i ndërkombëtarëve në njërën anë, dhe versioni serb në anën tjetër. Kjo është shumë shqetësuese”, ka shtuar tutje ai.
Në librin e gjashtë të këtij vëllimi theksohet se ishin sulmet e UÇK-së ato që sollën migrimin e popullsisë serbe. Kurse për dëbimet e mbi 80% të kosovarëve thuhet se u bë gjatë bombardimeve të NATO-s, por nuk jep të dhëna se kush i dëboi refugjatët gjatë luftës. Madje, në këtë libër tregohet edhe për shkatërrimin e 39 kishave ortodoksë serbe pas luftës në Kosovë, por nuk jepen të dhëna që ishin kosovarët ata që me taksat e tyre mundësuan renovimin e tyre. Lufta e fundit ilustrohet vetëm me dy fotografi, që të dyja për dëmet në Serbi nga bombardimet e NATO-s. Kurse për të dënuarit dhe të liruarit nga Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë, përmendet vetëm aktakuza për krime kundër njerëzimit ndaj Millosheviq, por jo edhe lirimi i komandantëve të UÇK-së.
Shklëzen Gashi ka thënë se pas publikimit të të gjithë artikujve duhet të reagojnë të gjitha institucionet përgjegjëse në Kosovë e në Shqipëri. Ai ka shtuar se është i nevojshëm edhe distancimi nga ana e BE-së, meqenëse këta libra janë të financuar prej BE-së. Madje, ai ka pohuar se ekziston një tendencë e ndërrimit të versionit në gjuhën shqipe të këtyre librave.
“Kur të përfundon publikimi i këtyre artikujve do të ishte mirë që të reagonin Instituti i Historisë në Prishtinë e Instituti i historisë në Tiranë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, komisionet parlamentare për Arsim të të dyja vendeve dhe ministritë e Arsimit të të dy vendeve. Ka pasur një tendencë për ta ndryshuar versionin shqip të këtyre librave, por gjëra triviale”, ka thënë tutje ai.
Gashi krejt në fund ka shtuar se pas publikimit të artikujve do të bëhet përmbledhja e tyre në një libër të vetëm nga “ADMOVERE”, me mbështetje nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe do t’u dorëzohet Instituteve të Historisë në Kosovë e në Shqipëri, Instituteve Albanologjike, Akademive të Shkencave, Komisioneve Parlamentare për Arsim, Ministrive të Arsimit, e edhe Ministrive të Jashtme.
KultPlus ka kontaktuar edhe Frashër Demaj, por ky i fundit nuk i është përgjigjur pyetjeve të bëra nga ana e redaksisë tonë./ KultPlus.com
Aktivisti i të Drejtave të Njeriut, Shkëlzen Gashi, ka reaguar rreth vendit ku do të ndërtohet Xhamia e Madhe në Prishtinë, shkruan KultPlus
“Sugjerimi im prej fillimit ka qenë me e rrëzu ndërtesën e Radio Kosovës dhe aty me e ndërtu xhaminë sipas planit të arkitektes Zaha Hadid”, ka shkruar ndër të tjera Gashi në Facebook.
Këtu keni postimin e tij të plotë:
“Me ndërtu xhami në oborr të ndërtesës të madhe të PTK-së në Prishtinë është shumëdimensionalisht katastrofë. Në fakt, kudo në qendër të Prishtinës me ndërtu xhami të re, për pa rrëzu paraprakisht diçka të vjetër, kishte me qenë ekstra-ultra-super katastrofë. Sugjerimi im prej fillimit ka qenë me e rrëzu ndërtesën e Radio Kosovës dhe aty me e ndërtu xhaminë sipas planit të arkitektes Zaha Hadid. Me një të shkrepne të aparatit i rrokim: kishë ortodokse–xhami–katedrale ose katedrale–xhami–kishë ortodokse, pra kahdo që ta sillësh, xhamia në mes. Kështu edhe dëshmojmë se jemi qytet i tolerancës ndërfetare”. / KultPlus.com
Përmes një reagimi të përbashkët të një numri të organizatave jo-qeveritare në vend, është kërkuar që të ndalet linçimi publik ndaj aktivistit, Shkëlzen Gashi, shkruan KultPlus
Para pak kohësh, aktivisti Gashi ka pasur një deklaratë publike rreth raportit të Dick Marty-it, deklaratë kjo e cila ka ngjallur një varg reagimesh më pas.
Këtu keni reagimin e disa organizatave jo-qeveritare të cilat kërkojnë ndaljen e gjuhës së linçimit:
“REAGIM
Të ndalohet linçimi publik ndaj aktivistit Shkëlzen Gashi
Po vazhdon linçimi publik ndaj aktivistit për të drejtat e njeriut Shkëlzen Gashit. Për shkak të deklaratave të tij publike të bëra më shumë se një muaj më parë ku ndër të tjera përmendi edhe viktimat civile jo shqiptare dhe të drejtën e tyre për drejtësi, si dhe përgjegjësinë individuale që duhet të mbajnë ata ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Shkëlzen Gashi u linçua publikisht, kërcënua e fye në mënyrën më të keqe nga audienca e gjerë, por edhe nga personalitet e politikanë të shumtë. Kështu, duke dëshmuar se edhe 21 vjet pas luftës, në vendin tonë është tejet e rrezikshme të flasësh për krimet e luftës, për një narrativë tjetër të saj, në një shoqëri ku kultura e mosndëshkimit ka forcuar rrënjët.
Së fundmi, Ish-kryetari i Skënderajit, aktualisht shef i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, Sami Lushtaku duke folur për Qeverinë, nën drejtimin e z.Albin Kurti ndër të tjera e cilëson z. Gashi si “udbash”, e njeri që “urren UÇK-në, e tenton ta kriminalizojë atë”, e rrjedhimisht si njeri që “urren Kosovën”.
Ditë më parë edhe Presidenti i Kosovës zt. Hashim Thaçi ia mveshi deklaratave të aktivistit Shkëlzen Gashi urretjen ndaj UÇK-së duke e keqcituar me dashje edhe pas sqarimeve publike të këtij të fundit lidhur me secilin keqkuptim të ngritur që nga intervista e parë e tij.
Ne jemi jashtëzakonisht të brengosur me fyerjet e linçimet që vazhdimishit po i bëhen aktivistit Shkëlzen Gashi nga personalitete e potilitikanë me ndikim në shoqërinë tonë, të cilët tash e sa vite kanë krijuar një diskurs publik sa i përket të kaluarës e luftës ku vetëm një e vërtetë e një narrativë mbizotëron, e siç po shihet të tentosh ta sfidosh atë është mjaft e rrezikshme.
Keqbërjet dhe krimet e luftës nuk duhet t’i atribuohen kolektivisht një grupi ose etnie, por janë individët që duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre që lidhen me konfliktin. Diskursi publik mbi Ballafaqimin me të Kaluarën duhet të jetë i bazuar në prova sepse çdo pretendim apo supozim i gabuar mund të dëmtojë rëndë përpjekjet për të krijuar një kuptim të saktë të asaj që ka ndodhur në të kaluarën. Gjuha e urrejtjes duhet të kundërshtohet në çdo nivel.
Ne i bëjmë thirrje spektrit politik që të ndalojë menjëherë linçimin publik që po i bëhet aktivistit Shkëlzen Gashi, sepse me një elitë të tillë politike ku prezantohet e promovohet një narrativë e vetme, një e vërtetë e vetme, ne pamundësojmë procesin e drejtësisë tranzicionale në Kosovë, dhe mohojmë të drejtën e viktimave dhe familjareve tyre për drejtësi. Po ashtu, ne sugjerojmë që partitë poltitike të mbajnë aktivitete sensibiziluese për antarët e tyre në mënyrë që të kuptojnë drejtë procesin e drejtësisë tranzicionale dhe parimet mbi ballafaqimin me të kaluarën në mënyrë që linçime të tilla të ngjashme në të ardhmen të evitohen.
P.S. Organizatat mbështetëse të kësaj iniciative janë të listuara në fund.
RrGK – Rrjeti i Grave të Kosovës
INTEGRA
ORCA – Organizata për rritjen e cilësisë në arsim
NSI – New Social Initiative
TOKA
Instituti Columbus
Youth Initiative for Human Rights – Kosovo
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS
Multimedia
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF
Çohu
Nora Ahmetaj
BIRN KOSOVA
Internews Kosova
Artpolis
SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime