Shkëlzen Halimi sjell veprën “A filloi shfaqja”, një dramë për dramën njerëzore

Autori Shkëlzen Halimi ka botuar këto ditë librin e tij të titulluar “A filloi shfaqja”, përcjell KultPlus.

Teksti dramatik “A filloi shfaqja!”, siç thotë autori Shkëlzen Halimi, është shkruar në kohën e pandemisë, pikërisht në kohën kur filloi loja e një virusi të padukshëm me tërë njerëzimin. Në fakt, ky tekst, ka të bëjë me kthimin në thelbin e familjes, përkatësisht në vlerat e familjes, sepse dinamika e jetës në këtë kohë të zhvillimit teknologjik, thjeshtë na ka bërë që më të mos e njohim as veten.

Dy protagonistë, AI dhe AJO, thuajse njoftohen për herë të parë dhe kanë dilema të shumta. Nga frika e virusit, jeta e tyre rrjedh në një hapësirë pa derë e dritare dhe, ndonëse presin që të ndodhë diçka, që të fillojë ndonjë shfaqje, ata nuk e hetojnë se janë pjesë e shfaqjes (globale). Thjesht, është një dramë për dramën njerëzore.

Shkëlzen Halimi, edhe me këtë vepër dëshmon se është një nga krijuesit tanë me profil të qartë letrar.

Vepra është botuar nga SHB Konica në Shkup. / KultPlus.com

Shkëlzen Doli: Në koncertin më të madh në botë që mbahet në Vjenë, RTK nuk përmend performancën time

Një janari i këtij viti filloi me shfaqjen e mahnitshme të Filharmonisë së Vjenës e cila u transmetua në Radio Televizionin Publik të Kosoës, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje u përcoll me një interes nga shqiptarët sepse pjesë e këtij koncerti ishte edhe mjeshtri i madh i violinës, shqiptari Shkelzen Doli.

Por ky i fundit, përkundër komenteve të mira që ka marrë për paraqitjen e tij, ka ngelur i revoltuar se si komentuesit e ngjarjes që u transmetua direkt në RTK, nuk e përmendën atë për as edhe njëherë të vetme.

Ky është reagimi i tij i plotë:

“Qytetarë të dashur të vendit tim, fillimisht ju uroj një fillim të mbarë në Vitin e Ri 2021!

Unë edhe pse larg jush, me mendje jam përherë me ju. Këtë ma mundëson arti i muzikës dhe tingujt e violinës. Jam kënaqur nga postimet dhe urimet e shumëta nga ju pas përfundimit të Koncertit të Vitit të Ri në Vjenë.

Por jam befasuar, nga reagimet e shumë miqve për nivelin e dobët të komentimit në RTK. Reagimet mund të përmblidhen në një zhgënjim:

“Se si kjo ngjarje e rëndësishme civilizuese të transmetohet në mënyrë joprofesionale duke mos përmendur në asnjë moment performancën e shkëlqyer të Z. Shkelzen Doli, mjeshtrit të violinës, artistit të mirënjohur botëror, i cili e bën violinën të flasë shqip, i cili e bëri një Filharmoni të Vjenës të ndjejë shpirtin e shqiptarit me “Albanian Soul”!

Qytetarë të dashur të vendit tim, si është e mundur që gjatë tërë kohës së transmetimit të drejtëpërdrejtë të Koncertit të Filharmonisë së Vjenës, komentuesi i RTK-së nuk e përmend fare prezencën dhe performancën time. Si mund të arsyetohet kjo sjellje joprofesionale, jocivilizuese dhe antikombëtare? Miq të muzikës, qytetarë të dashur, unë vërtet e kam të vështirë ta kuptoj!

Andaj, reagimi im është ndaj degradimit të vazhdueshëm, nga i cili fatkeqësisht nuk po shpëton as arti, muzika, civilizimi etj. Në fund, lus menaxhmentin dhe përgjegjësit në RTK, reagimin tim si pasojë e shumë reagimeve nga miqtë mi shqiptarë që ishin ndjerë të ofenduar, ta publikojnë! Ky reagim është i rëndësishëm për qytetarët, artdashësit, por gjithsesi shkon në mbrojtje edhe të mediumit tuaj shtetëror poashtu!”/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=apUtLa5bOtQ&feature=emb_logo

Pse u asgjësua vepra e Ali Hadrit nga komunistët maqedonas?

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë, organet e rendit të ish Jugosllavisë në përgjithësi, e organet e rendit në Republikën Socialiste të Maqedonisë në veçanti, ndërmorën një sërë masash brutale ndaj shqiptarëve, edhe atë pothuaj në të gjitha sferat e jetës së tyre.

Në vitet që pasuan shqiptarët (në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë) ishin në shënjestër të kontrollit total, sa që u krijua përshtypje se policia sekrete hetonte edhe ajrin që ata thithnin.

Me urdhër të organeve komuniste, sidomos kultura dhe arsimi (të cunguara) shqip, iu nënshtruar rishqyrtimit të plotë, duke hartuar platforma, informata e konkluzione, ashtu siç u konvenonte atyre, duke i shpallur jo vetëm shqiptarët, por edhe gjithçka që mbante atributin shqiptar, si element armiqësor, nacionalist e irredentist.

Duhet thënë se, atëbotë, policia maqedonase ishte më brutale se ajo federative e serbe. Në një dokument që gjendet në Arkivin shtetëror (të Maqedonisë së Veriut) e që ka të bëjë me konkluzionet e Dhomës shoqërore-politike të Kuvendit të RS të Maqedonisë, i miratuar në mbledhjen e mbajtur më 27 maj të vitit 1981, lidhur me shqyrtimin e Raportit të punës së Sekretariatit Republikan për Shkencë dhe Arsim, ndër të tjera thuhet se “Dhoma vë në dukje nevojën e rishikimit të plotë të të gjitha planeve, programeve dhe librave, përfshi edhe ato historike, nga këndvështrimi ideor dhe edukativ”, ndërkaq shkak i drejtpërdrejtë për miratimin e konkluzioneve ishte diskutimi që u zhvillua në trupat e Kuvendit të RS të Maqedonisë, në lidhje me “ngjarjet nacionaliste, irredentiste e kundërrevolucionare në KSA të Kosovës dhe në viset tjera të RSFJ”.

Në këtë mbledhje antishqiptare, siç bëhet e ditur në dokument, ndër të tjera do të bëhet fjalë edhe Dr. Ali Hadrin, përkatësisht librin e tij, “Kritikë historiografike”. Bëhej e ditur se libri ishte botuar në vitin 1973, në kuadër të botimeve të “Flakës së Vëllazërimit”.

Komunistët maqedonas kishin konstatuar se “në këtë libër autori Ali Hadri, duke i mbrojtur në tërësi qëndrimet e PKSh-së dhe të historiografisë shqiptare, bën kritikë të ashpër e joparimore ndaj historiografisë jugosllave, duke e vlerësuar atë si joshkencore dhe aspak objektive”, duke shtuar se “që para ngjarjeve nacionaliste dhe irredentiste, ky libër ka qenë lëndë e një kritike të ashpër që është publikuar edhe në shtypin ditor”.

Me këtë rast, bëhet e ditur në dokument, redaksia “Flaka e Vëllazërimit” në janar të vitit 1981 do ta tërheqë librin nga shitja dhe më vonë do të asgjësuan 390 ekzemplarët që kishin mbetur pa u shitur. Jo vetëm kaq, por përmes policisë sekrete, do të ndërmerren masa për asgjësimin e 1600 ekzemplarëve tjerë që gjendeshin nëpër biblioteka.

Pra, pothuaj 2000 ekzemplarë të librit të Hadrit, “Kritikë historiografike”, do të asgjësohen.Duke folur për Dr. Ali Hadrin, në këtë dokument vërejmë se komunistët maqedonas të asaj kohe, që kishin marrë edhe rolin e historianëve, kishin theksuar se “nëpër tubimet shkencore të historianëve jugosllavë, Dr. Ali Hadri kishte sulmuar historiografinë maqedonase si nacionaliste. Sipas tyre, “sulme të drejtpërdrejta i janë drejtuar librit “Historia e popullit maqedonas” për prezantimin aspak objektiv të së kaluarës së popullit shqiptar”, në të cilin libër shqiptarët prezantohesh edhe si “cubat shqiptarë, hajdutët shqiptarë” e ngjashëm. Kështu do të prezantohen edhe më vonë nga të njëjtit, por të maskuar me kostum demokratike, në “Enciklopedinë e Maqedonisë”, e botuar në vitin 2009. / KultPlus.com