“Makbethi” premierë madhështore në TKK, Shekspiri gjithmonë aktual dhe i papërsëritshëm

Era Berisha

Akotrët si: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi dhe Yzeir Meha, mbrëmë mjeshtërisht kanë jetësuar premierën e shfaqjes “Makbethi” që erdhi nën regjinë fenomenale të Qëndrim Rijanit. Përshtypja se Shekspiri ishte ringjallë e po jepte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një pasqyrë moderne të veprës, ishte diçka që s’mund ta hiqje dot prej mendjes, shkruan KultPlus. 

Të pranishmit me padurim po hynin brenda për të zënë vendet e tyre përkatëse në sallë. E gjitha kjo për të parë një ndër kryeveprat e letërsisë botërore, të vënë në skenë. Ajo që fillimisht zuri vëmendjen e tyre, padyshim që ishte skena e mahnitshme krijuar nga Valentin Sfetozarev që përpara syve dukej gjigante, frymëmarrëse dhe aq e bukur saqë të jepte emocionin se tashmë e gjithë salla është pjesë e shfaqjes. Ashtu edhe ishte, duke marr parasysh ndërlidhjet komunikative që aktorët bënin me publikun. 

Në pozicionin e tyre përkatës, aktorët pritnin sinjalin për të vazhduar. Loja nisi fiks në orën 20:20, dhe tri magjistricat ishin të parat në qendër. Prapa tyre, pesë pasqyrat e mëdha e rritnin intensitetin e emocioneve, duke krijuar një rrebesh me drita që lëviznin pa ndalë. Ato po tregonin për një profeci. Parashikonin fatin e Makbethit (një gjeneral në ushtrinë e mbretit të Skocisë), dhe i tregojnë se një ditë ai do të bëhet mbret. Pas këtij parashikimi ai nuk resht se menduari se një ditë do të bëhet mbreti i Skocisë. “Ai humb, Makbethi fiton”, qe një ndër thëniet që përsëritej në shfaqje dhe kjo për të kuptuar botën e brendshme të rolit kryesor. 

Një luftë e përgjakshme për pushtet, është krejt ajo se çfarë fshihet edhe prapa zonjës Makbeth, e cila shpërfaq një ambicie të paparë për gjak, luftë dhe ligësi. Me një gjakftohtësi që i shihej edhe në linjat e fytyrës, ajo bind Makbethin për vrasjen e mbretit. Ndjenja e fajit, është ajo që pushton zemrën e tij, por shumë shpejtë, e keqja triumfon mbi të mirën. Në një festë të organizuar në shtëpinë e Makbethit, të ftuarit (Mbreti, dy djemtë e tij, tri magjistricat, Bankoja, Makdafi, zonja Makbeth) po pinin verë, dhe kur ora shënoi 00:00, aty u dallua tensioni në atmosferë. Muzika e kompozuar nga Trimor Dhomi, si dhe prezenca në skenë e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ishin pjesë kyçe të shfaqjes. Drithërimat, klithmat, bisedat, pendimet, vrasjet dhe mendimet e personazheve, nuk do të kishin efektin e njëjtë pa pjesëmarrjen e tyre. 

Kukuvajka, në distancë po lëshonte zë. Vrasja e mbretit u krye nga dy duart e Makbethit, i cili shumë shpejtë hyn në iluzione që i shfaqen në mendjen e tij. E lan fytyrën nga vepra e ndyrë që ka bërë, brenda një uji (gjaku) në ngjyrë të kaltër i cili vazhdon të rrjedhë në skenë, e bashkë me të edhe rrjedha e shfaqjes tutje. Qeshma, si simbol i vazhdimësisë së ngjarjeve gjakatare, qon përpara ndjenjën e pendesës. Për t’i larë duart, i ndihmon edhe zonja Makbeth, bashkëpunëtorja e tij në krim. “Fama, nderi, vdiq”, thotë Makbethi, por prapëseprapë ai vesh kostumin e mbretit dhe vendosë kurorën.  

Të gjithë dyshojnë fillimisht për dy djemtë e mbretit të vdekur, por ata ikin në Angli pas vdekjes së të atit. Ikja, nënkuptonte potencialisht një krim të kryer, ashtu edhe besohej për një kohë. Ngjarja vazhdon me një festë tjetër të hedhur për mbretin e ri, Makbeth. Por kurora që ka në kokë, i duket e palavdishme, pasi që ai nuk ka trashëgimtar. Nuk arrin të jetë i lumtur sepse këtë gjë e pengon ndërgjegjja e tij e cila nuk e lë të qetë nga ndjenja e fajit. Vegimet fillojnë të hyjnë në mendjen e tij si gjarpërinjtë dinakë, por kjo nuk e ndalon që ai të kryejë edhe vrasjen e shokut të tij, Bankos, dhe gjithë familjes së tij. Etja për pushtet është aq e madhe, saqë merr formë në tërësi. Ka gjak gjithandej, gjak në tokë, në gojë, në mendime dhe në akte.  

Fuqia për pushtet të gjithanshëm nuk mbaron me kaq. Ai urdhëron vrasjen e familjes së Makdafit. Vrasjet kryhen në një mënyrë mizore por vizualizisht të përgatitur mjeshtërisht për sytë e publikut. Në një xham lëvizës të mbushur me gjakun e kuq të armiqve të Makbethit, bëhet edhe vrasja e djalit të Makdafit, fryma e së cilit mbaron nën ujë, e njëkohësisht me të, vdes edhe nëna që e përjetoi vdekjen e të djalit. Tashmë, qeshma me ngjyrë (gjak) të kaltër, mbushur me ndjenjën e pendesës së parë, ka mbaruar. Tani, qeshma e dytë fillon të zbrazë gjakun e kuq dhe të njomë të vrasjeve të pamëshirshme, në skenën e TKK-së, duke simbolizuar edhe arritjen e pjesës finale të shfaqjes. 

Makdafi me të kuptuar vrasjen e kryer në shtëpinë e tij, bashkë me ndihmën e të dy djemve të mbretit të vrarë nga Makbethi, nisen për hakmarrje. Kësisoj, vjen dobësimi i personazhit të zonjës Makbeth, e cila kryen vetëvrasje, e së bashku me të na shfaqet edhe dobësimi i personazhit të vetë Makbethit, i cili e kupton se është i rrethuar nga armiq të tij, ndonëse ai e di se ndërgjegjja e tij qe gjithmonë e turbulluar nga krimet e kryera. Pasqyra në mesin e katër të tjerave ngritët lartë në skenë. Mbi të është Makbethi i cili refuzon të mposhtet. Ngritja lartë e tij në ajër tregon natyrën komplekse të Makbethit, i cili në mënyrë brilante shpërfaqi ambicien e qenies njerëzore për pushtet, që përkon njëkohësisht me ambicien aktuale të pushtetarëve gjithandej në botë. 

Kështu, krejt në fund, Makbethi “ulet poshtë”, dhe përjeton vdekjen e pastër por dramatike nga duart e armikut të tij, Makdafi. Jehon “Atdheu u çlirua” dhe me të vërtetë u çliruan edhe ndjenjat e të pranishmëve që kishin përjetuar tashmë një rrotullim emocionesh e mendimesh. 

Regjisori Qëndrim Rijani, ka shfaqur një tragjedi me pasione të forta të lakmisë së shfrenuar. Vizioni i tij modernist shfaqi shumë, por bëri që edhe të ndjehet puna e palodhshme, afatgjate dhe mirë menduar. Në anën tjetër, aktori në rolin kryesor, Adrian Morina, si shpeshherë, qartazi ishte zhytur brenda personazhit të Makbethit. Kalimi nga një trim, në çmendi, në jo-burrëri, e deri në vdekje, dëshmoi për studimin e thellë të psikologjisë së karakterit kompleks të Makbethit. Ka kohë që në Teatrin Kombëtar të Kosovës nuk është luajtur një shfaqje e tillë, e plotësuar mrekullisht në të gjitha aspektet e mundshme. Por, tanimë keni rastin ta përjetoni për dy orë e ca, “Makbeth”-in.  

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Qëndrim Rijani. 

“Madhështia e veprës në fakt qëndron tek autori. Shekspiri është i madh dhe energjia e tij, shpirti i tij transmetohet tek pena e tij, dhe kësisoj edhe në gjithë botën. Ai jep mundësinë që kjo vepër gjithmonë të jetë e kohës. Nuk është se qëndron tek unë si regjisor, por ai e jep këtë mundësi. Besoj që fundja, ekziston detyra e regjisorit që çdo vepër, qoftë klasike apo antike, ta bëjë sa më afër, si përrallë atraktive tek publiku. Pra, duhet të sjellën idetë e autorit tek publiku, në mënyrë që ata ta perceptojnë. Besoj që gjithçka ka qëndruar tek forca e autorit dhe mbështetja që e kemi dhënë ne, në kontekstin regjisorial dhe aktorial. Kjo ka qenë pika me të cilën publiku u lidh më së shumti me këtë shfaqje. Ne së pari kemi bërë një rikonstruktim të dramaturgjisë së kohës kur është shkruar vepra, pastaj estetikja teatrore që e kam përdorur unë, është shumë e tanishme dhe tek ne duket risi, ngaqë nuk përdoret shumë. Kjo është mishëruar mirë me aspektin politiko-filozofik që ka vepra e Shekspirit.” 

Ndërsa, aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që për të është një nga projektet më të arrira në karrierë. 

“Shekspiri i madh është aktual gjithmonë, andaj është i papërsëritshëm. Natyrisht, është një nga kryeveprat e letërsisë dhe teatrit. Është ndoshta vepra më e përgjakshme e teatrit. Fatkeqësisht, bota nuk ka qenë më e përgjakshme sesa që është sot. Ndoshta nuk kemi një luftë si e para dhe e dyta, por kemi humbjen e jetës së mijëra njerëzve nëpër botë, gjithmonë vetëm për pushtet. Makbethër-it modern sot janë edhe më të dashur, sesa këta që i shihni në teatër. Këtu janë personazhe negativë dhe paralajmërojnë për krimet, por ata të sotëm, janë më të dashur, më të afër dhe e pinë gjakun shumë më shumë se ky gjak që është derdhur në këtë skenë. Besoj kjo është një kontribuim i yni për ata që vijnë dhe e shohin shfaqjen tonë, për të kuptuar pasqyrën e qartë të asaj çfarë po ndodhë dhe që ka ndodhur gjatë gjithë civilizimeve. Njeriu nuk ka mbërri me avansu. Në anënt tjetër, dua të them se personalisht, nuk më ka pëlqyer shumë vepra, gjatë kohës së studimeve, por jo për shkak të veprës, por për shkak të pikëpyetjeve që kam pasur në kokën time rreth veprës. Por, me leximin që Qëndrimi ia ka bërë kësaj vepre, ai e ka zbërthyer veprën me një skalper të kirurgut. Aq pastër vjen zbërthimi i tij saqë më ka bindë me qenë e këtij projekti. Unë se kam pa kështu Makbethin asnjëherë. Jam jashtëzakonisht i lumtur me punën që është bërë, edhe me ekipin. Kënaqësi e veçantë me qenë në skenë me profesorët tanë: Shkumbinin, Luanin dhe Iliren, me partneren në skenë, Gresën, një aktore e shkëlqyer. Besoj që me këtë ekip, me Xenin me Shpëtimin, me Tristanin, e deri tek Yzeiri që është më i riu i ekipit tonë, e kemi dhënë krejt dashninë për me realizu një shfaqje e cila për mua është një nga punët më të mira që e kam bërë ndonjëherë në karrierën time. Besoj që edhe shfaqja është një nga shfaqjet më të mira që Teatri e ka punu.” 

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”Makbethi” do të vijnë me datat: 2, 3, 8 dhe 9 tetor.  

Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku 

Kostumografe: Maca Papuçevska 

Orkestra: Filharmonia e Kosovës 

Koreograf: Artan Ibërshimi 

As. Regjisor: Erleta Rexhepi 

Video: Rehan Abdulovski 

Operator i audios: Arben Aliu 

Video operator: Bujar Bekteshi 

Inspicente: Nazmije Krasniqi 

Disejni i dritave: Mursel Bekteshi 

Shfaqja është realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com 

Nga data 31 korrik fillon ”Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur”

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Hapur, i themeluar në mars të këtij viti, do të mbahet për herë të parë nga 31 korriku deri më 4 gusht, shkruan KultPlus.

Ky event kulturor pritet të sjellë artistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Europës si: Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Turqia, Italia, Rumania dhe Franca.

Sipas njoftimit, në natën e hapjes së festivalit më 31 korrik, prej orës 21:00, në Kalanë e Prizrenit, do të  prezantohet teatri nacional i Bosnjes me shfaqjen e regjisorit të njohur Dino Mustafiq.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur është i themeluar nga artistët: Shkelzen Veseli, Adrian Morina dhe Zana Duraku. /KultPlus.com

Gresa Pallaska dhe Shkëlzen Veseli vlerësohen me çmim në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove

Mbrëmjen e kësaj të diele u ndanë çmimet e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i shprehu dëshirën ministres së Kulturës, e pranishme në sallë, që këtë festival ta kthejë të përvitshëm.

Pas prezantimit në skenë nga data 23-30 shtator të 14 trupave teatrore nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi nëntë çmimet që u dhanë sonte u përzgjodhën nga Ndriçim Xhepa, (kryetar jurie) dhe anëtar Josif Papagjoni, Shkumbin Istrefi, Luli Bitri dhe Qendrim Rijani.

Dy aktorët kosovar, Shkëlzen Veseli dhe Gresa Pallaska u vlerësuan me çmim në këtë festival. “Aktori joprotagonist më i mirë” shkoi për Shkëlzen Veselin tek shfaqja “Kaligula” si dhe çmimi “Aktorja joprotagoniste më e mirë”, për Gresa Pallaska tek shfaqja “Kaligula”.

Shfaqja “Kaligula” me regjisor Kushtrim Koliqi është prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Çmimet për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove:

1. Çmimi “Aktori i ri më i mirë” u dha për Kristian Koroveshin tek shfaqja “Medea”.
2. Çmimi “Aktorja e re më e mirë” është Hajat Toçilla.
3.Çmimi “Kostumogafia më e mirë”, për Sofi Kara tek “Meda”.
4.Çmimi “Skenografia më e mirë”, Mentor Berisha tek shfaqja “Ata që ikin”.
5. Çmimi “Aktori joprotagonist më i mirë për” Shkëlzen Veseli tek shfaqja “Kaligula”.
6. Çmimi “Aktorja joprotagoniste më e mirë”, për Gresa Pallaska tek shfaqja “Kaligula”.
7. Çmimi për “Aktorin protagonist më të mirë”, Reshat Arbana tek “Babai”.
8. Çmimi për aktoren me të mirë protagoniste e mori Liza Xhuvani
9. Çmimi special i karrierës shkoi për Roza Anagnostin.
10. Çmimi “Regjia më e mirë”, Altin Basha tek “Gomari i babatasit”.
11.Çmimi “Shfaqja më e mirë” shkoi për “Vdekja e Dantonit” me regji te Dino Mustafiq./KultPlus.com

Shfaqja ‘Pasioni’ vjen me premierën e saj në 19 mars

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kënaqësinë të ju njoftojë lidhur me shfaqjen “PASIONI” nga Sabri Hamiti dhe me regji nga Martin Kočovcki e cila vjen si Premierë përpara publikut me datën 19.03.2018 (E hënë) ora 20:00, dhe do të përcjellet me dy reprizat e para në ditët në vijim me datë 20 dhe 21.03.2018.

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore që po organizohen nga Komuniteti i Artistëve të Kosovës për ta ndihmuar financiarisht shërimin e njërit prej artistëve më eminent të kulturës sonë dhe të skenës teatrore në veçanti, regjisorit dhe profesorit z. Bekim Lumi, Këshilli Drejtues në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin e TKK-së kanë marrë vendim që të hollat e mbledhura nga shitja e biletave për Premierën “Pasioni” t’i dedikohen kësaj iniciative. Bileta për premierë do të kushtojë 5€. Teatri Kombëtar i Kosovës që nga sot i ka vënë biletat në shitje në dispozicion të publikut të gjerë andaj ju fton që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore duke e ndihmuar dhe duke i uruar bashkërisht z. Bekim Lumi rikthimin e tij të plotë në jetën normale dhe profesionale.

“Shfaqja “Pasioni” zhvillohet si një strukturë e ndërthurur dramaturgjike mes dy vëllezërve bijakë dhe një nëne, Hana, që mbledhin gjithë fuqinë jetësore duke u përpjekur për ta rikonstruktuar botën e dashurisë, botën e emocioneve të thella, raporteve të vlerave, refuzimin karshi vdekjes së paevitueshme nga njëra anë, dhe botës së dehumanizuar të shtrirë si shoqëri e uniformuar, masë amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa rrespekt, pa dashuri. Një bote në të cilën shitet gjithçka, një botë e kriminalizuar dhe e materializuar deri në çmenduri.”

Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Autor: Sabri Hamiti
Regjisor: Martin Kočovski
Skenografe dhe Kostumografe: Youliana Voykova – Najman
Kompozitor: Oliver Josifovski
Dizajni i ndriçimit:
Kori i SH.M.M “Prenkë Jakova” – Prishtinë

Luajnë:
Shkelzen Veseli
Gresa Pallaska
Ard Islami
Arta Selimi
Shpejtim Kastrati
Ismet Azemi
Lumnie Sopi
Semira Latifi
Shengyl Ismaili