Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka njoftuar se do të mbajë mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së anëtarit të jashtëm të saj, dhe shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.
AShAK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se mbledhja komemorative do të mbahet të mërkuren, më datë 3 korrik.
“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt ceremonia për çmimin e veçantë “Shuteriqi”, që akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme, për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar.
Ceremoninë për çmimin e veçantë “Shuteriqi”, që akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme, për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar e çeli akademiku Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike.
Ai theksoi se Akademia e Shkencave, po rivlerëson me objektivitet të gjitha botimet dokumentare historike, për të motivuar punën shumë të vlefshme në këtë drejtim.
Konkursi i hapur nga Akademia e Shkencave për çmimin “Shuteriqi” u shpall në kuadër të konferencës shkencore ndërkombëtare “Shteti i Arbërit dhe Arbëria në shekujt e humanizmit europian”, që u organizua dhe zhvillua me shumë sukses, me rastin përkujtimor të 555-vjetorit e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me 8-10 tetor 2023, në Gëziq të Mirditës dhe këtu në Akademinë e Shkencave.
Çmimi i veçantë “Shuteriqi”, akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme, për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar; për vepra të tilla të realizuara që nga viti 2001 deri në vitin 2023.
Hoxha tha se emri i këtij çmimi, është emri i një personaliteti shumë të shquar të letrave, krijimtarisë dhe kulturës shqiptare, Dhimitër Shuteriqit, si shkrimtar dhe historian i letërsisë, si poet, prozator, studiues, hulumtues i dalluar, hartues tekstesh shkollore, publicist, profesor, dhe akademik. Si shkencëtar, fusha kryesore e punës së tij, gati 60- vjeçare, deri në ditët e fundit të jetës, kanë qenë fillimet e qytetërimit shqiptar, historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, studimet letrare-monografike, studimet dokumentare dhe folklorike nga fusha e albanologjisë në tërësi.
Çmimi i parë u dha për veprën “Statutet e Shkodrës, nga gjysma e parë e shekullit XIV, me shtesat deri më 1469” me autore Lucia Nadin.
Përkthyer shqip nga Pëllumb Xhufi, ky çmim u dha me motivacionin: “Zbulimi më i rëndësishëm dokumentar i dy dekadave të fundme për àrbërit dhe Arbërinë përgjatë shekujve të humanizmit europian; dëshmi historike parësore me ndikim të fuqishëm për ndryshimin e imazhit të shqiptarëve në historinë botërore të kësaj periudhe, për tipologjinë e qytetërimit dhe kulturës së tyre; për rendin dhe organizimin shoqëror në botën shqiptare deri në fundin e Mesjetës, si një vend që zhvillohej sipas modelit të republikave të Perëndimit dhe hap më hap me gjithë hapësirën adriatike; pasqyrë e një fisnikërie vendëse që ishte e denjë për të kaluar prej identifikimit patronimik në atë etnik e kombëtar; përgatitur për botim në italisht e shqip nga një skuadër albanologësh të mirënjohur, nën kujdesin, drejtimin e autoritetin e saj shkencor.
Çmimi i dytë u dha për veprën “Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali pashë Tepelenës” me autor Irakli Koçollari
Gjithashtu një tjetër çmim i dytë u dha për veprën “Nikollë Filja dhe veprat e tij poetike, botim kritik i dorëshkrimeve”, me autor akad. Matteo Mandalà (bot. “Ombra GVG”)./atsh/KultPlus.com
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka bllokuar qasjen në faqen zyrtare të institucionit, pas raportimit të mediumit KultPlus lidhur me parregullsitë në kategorinë in memoriam, ku brenda saj pati të përfshirë akademikë të gjallë e të vdekur, shkruan KultPlus.
Ndonëse llogaritet të jetë institucioni më i lartë i vendit, AShAK brenda faqes ekzistuese pati të renditur në katergorinë in memoriam, edhe disa figura të shquara shqiptare të gjallë, duke dëshmuar jo seriozitetin e këtij institucioni.
Në faqen ku ishin kategoria e anëtarëve të Akademisë, e ku në nënkategoritë më pas qenë të ndara në anëtarë të rregullt dhe korrespodentë, në anëtarë të jashtëm dhe nënkategoria in memoriam, kishin mbetur të ndara vetëm me emërtime, pasi që kur klikohej nëpër nënkategori, përfshirja e listës linte shumë për të dëshiruar.
Çdo nënkategori kishte përmbajtjen e njëjtë, dhe e njëjta listë figuronte në të tri kategoritë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në kategorinë in memoriam pati të përfshirë akademikë të gjallë e të vdekur, edhe përkundër përshkrimit të nënkategorisë që të drejton se kjo kategori përfshin vetëm akademikët e vdekur.
Kjo nënkategori filloi me Ferid Muratin e përfundoi me Fetah Podvorica, e në përbërje të kësaj liste përpos akademikëve që nuk janë më në mesin e të gjallëve, në listën e të vdekurve ishte i përfshirë edhe Ismail Kadare, Xhevdet Xhafa, Shkumbin Munishi, Gjyljeta Mushkolaj e shumë të tjerë, që ASHAK gabimisht i ka futë në kategorinë in memoriam.
Ndërkohë, kur jemi te kategoria in memoriam, pikërisht ata që do të duhej të ishin në atë listë, nuk qenë, sikurse është rasti me arkeologen e ndjerë Edi Shukriu, e cila nuk figuron në faqen e ASHAK, në asnjërën kategori.
Dhe përpos kësaj përzierje të listave në faqen zyrtare të ASHAK, munguan emrat edhe të shumë akademikëve që nuk u përfshinë fare nëpër kategori, duke përfshirë: Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Bardh Rugova…
E, jo më mirë u paraqit edhe kategoria e kryesisë së këtij institucioni, askund nuk u përmend se në krye të këtij institucioni është Mehmet Kraja, duke u përfshirë edhe në këtë kategori një listë e ngjashme sikurse nëpër kategoritë e tjera.
KultPlus në raportim pati përfshirë edhe linqet, por tashmë këto linqe janë jashtë funksionit./KultPlus.com
Biblioteka presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, është pasuruar me rreth 600 tituj të rinj, botime të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Dorëzim-pranimi u bë në një ceremoni të organizuar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në të cilën këshilltari i Presidentes Osmani z. Vehbi Miftari dhe përgjegjësi i bibliotekës presidenciale Florent Rrahmani u pritën nga sekretari shkencor i Akademisë akad. Shaban Sinani dhe akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Përgjegjësi i bibliotekës presidenciale z. Rrahmani tha se ky koleksion e pasuron fondin bibliotekar dhe thellon më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, por njëkohësisht ofron edhe mundësi të reja për studiues dhe hulumtues.
“Fondi i dhuruar nga Akademia e Shkencave, që po i dhurohet bibliotekës presidenciale, përveç pasurimit, ka peshë të veçantë jo vetëm për bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe për hapjen e mundësive të reja për studiues”, ka thënë Rrahmani.
Ai, më tutje, në emër të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka falënderuar Akademinë për gatishmërinë dhe kontributin e tyre
Ndërkaq, Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademi, theksoi se është nder që botimet tona të jenë pjesë e bibliotekës presidenciale.
“Për ne është nder i veçantë që një pjesë e botimeve të Akademisë, sidomos nga fusha albanologjike, të jenë pjesë e bibliotekës presidenciale. Shprehim gatishmërinë tonë që kjo formë e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Sinani./KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike kanë botuar albumin ilustrativ shkencor “Art popullor në Kosovë” të autores Afërdita Onuzi, shkruan KultPlus.
Kjo vepër u botua në saje të ekspeditave të cilat autorja e librit i ka realizuar pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, të cilat i dhanë mundësinë të njihej më mirë me me trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Kosovë e sidomos me gjinitë e ndryshme të artit popullor.
Në komunikatën e Akademisë së Shkencave thuhet se në parathënien e librit, Afërdita Onuzi shkruan se lidhjet e vazhdueshme kulturore, ekonomike, tregtare midis krahinave të ndryshme fqinjë të Kosovës me ato të Shqipërisë Veri- lindore që vazhduan të zhvillohen deri në vitet ’40-50 të Shekullit të XX, mundësuan kontakte e marrëdhënie nga më të ndryshmet , të cilat ndikuan ndjeshëm në mënyrën e jetesës së banorëve të qytetit të Kukësit dhe të disa fshatrave të tij.
“Ende dhe sot i kujtoj qilimat e Prizrenit dhe të Pejës, me të cilët mbuloheshin an e kënd dhomat e ndenjes dhe mjediset e tjera të banesave të këtyre familjeve, apo jastëkët e mindereve të qëndisur e të mbuluar me pëlhura të pambukta apo të mëndafshta e të zbukuruara me lloj-lloj qëndismash; mbulojat e shtratit dhe çarçafët e zbukuruar me qëndisje e punime me grep; djepat e arkat e gdhendura apo te zbukuruar me pikturim; tabakatë e ibrikët prej argjendi; mangallët prej bakri që shkëlqenin midis dhomave të ndenjes etj.
Veçanërisht nuk munda të harroj asnjëherë veshjet e grave sidomos ato që përdoreshin në raste ceremonish të ndryshme familjare. Mahnitëse në çdo aspekt ishin këmishët prej mëndafshi të zbukuruara me oje e qëndisje të ndryshme, jelekët e stolisur me fije ari, dimitë e bardha gjithashtu peri mëndafshi artificial të shoqëruara me këmbëza të zbukuruara me gajtanë të bërë me fije mëndafshi, ojet lloj-llojëshe që përdoreshin për të zbukuruar shamitë e lidhura prapa kokës e të modeluara në formën e kësulave dekorative etj., etj.”, – citohet të ketë thënë autorja e librit.
Vite më pas prof.dr. Onuzi bëri profesionin e etnologut dhe krahas ekspeditave të shumta në Shqipëri, në vitin 1979 bëri edhe një ekspeditë kërkimore në Kosovë për të parë nga afër Çarshinë dhe Pazarët e Vjetër në qytetet Prizren, Pejë, Gjakovë etj, dhe të vizitoi disa muze etnografikë të asaj kohe.
Në mënyrë të posaçme për realizimin e këtij botimi, është bërë një ekspeditë në vitin 2010, me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Onuzi ka bërë kërkime të tjera në terren si dhe fotografimin e një pjese të konsiderueshme objektesh, të cilat u fotografuan në Muzeun Etnografik të qytetit të Prizrenit, në atë të Gjakovës, të qytetit të Pejës dhe në mënyrë të veçantë në fondet etnografike muzeale të qytetit të Mitrovicës dhe të Prishtinës. Një pjesë tjetër i përkasin fondeve muzeale të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Afërdita Onuzi thotë se midis gjinive të ndryshme të artit popullor që u zhvilluan në Kosovë, artet e aplikuara u dalluan për larminë dhe pasurinë e madhe të shprehjes, për fushën e gjerë të përdorimit si dhe për manifestimin e fuqishëm të ndjesisë artistike.
“Përgjithësisht artet e aplikuara janë rezultat i një përvoje të pasur shekullore të krijuesve të ndryshëm në fshatra e në qytete, të cilët punonin kryesisht për plotësimin e nevojave vetjake ashtu dhe të mjeshtërve profesionistë në qytete, të cilët punonin me porosi për të plotësuar nevojat e shtresave të ndryshme qytetare por edhe pjesë veshjesh ceremoniale për banorët e fshatrave të krahinave të ndryshme”, thuhet në komunikatën e Akademisë.
Si çdo aspekt tjetër edhe kjo fushë e trashëgimisë popullore në Kosovë, është krijuar e zhvilluar varësisht nga kushtet ekonomike, sociale e kulturore të krahinave e qyteteve të ndryshëm. Pikërisht janë këto punime të cilat na informojnë për nivelin e zhvillimit të ekonomisë vendase, për masën e lidhjeve me tregun, për orientimin kulturor të qyteteve e fshatrave, për mënyrën e jetesës së tyre apo për shijet artistike të grupimeve shoqërore.
Objektet e artit popullor janë të shumta në lloje jo vetëm se krijuesit janë të shumtë por edhe për faktin se janë realizuar me materiale të ndryshme: në gur, në metal, në dru, lëkurë, baltë, tekstile prej leshi, mëndafshi e pambuku, qëndisje të ndryshme e punime me grep dhe se për realizimin e tyre janë aplikuar lloj- lloj teknika punimesh e zbukurimesh etj. Në pamundësi për të paraqitur të gjithë repertorin e këtyre punimeve, kësaj radhe janë zgjedhur disa ekzemplarë të realizuar në dru, në metal, disa tekstile, pjesë veshjesh dhe qëndisje të tjera e punime me grep./KultPlus.com